Zana Tako: Të shkruash për adoleshentët…

Të shkruash për adoleshentët duhet të depërtosh brenda shpirtit të tyre njerëzor, të prekësh fjalët që u dalin nga shpirti, t’u kuptosh buzëqeshjen, të ndjesh lotin që shket fshehurazi, tek le gjurmën e fajit apo të pafajësisë, të mos e ndërpresësh melodinë që gurgullon brenda hovit rinor të vashës apo djalërisë. Shpirti i adoleshentit nuk është si shkëmbi që nuk i përkulet njeriut, por është i prekshëm dhe i gjallë.
Lejojmë të rrëmbehemi brenda sipërmarrjeve të vogla të vetvetes, por nuk ndalemi dhe të kuptojmë dashurinë që e rrit këtë brez adoleshentësh, rritja e të cilëve nuk është e secilit në numrin njëjës, por është e gjithësecilit në numrin shumës, e ky shumës jemi të gjithë pa dallim, për të bashkëvepruar në saj të dashurisë, në saj të mirëqenies dhe të vetmohimit, jo individualist, por gjithëpërfshirës.
Kemi ndalur në stacionin e fundit, aty ku ndahet errësira nga drita. Errësira përfshin mendje që ecin në gjurmët e paditurisë, por në dritë dallojmë embrionin e dashurisë, të cilin duhet ta ngjizim në shpirtin e krijesave që duam aq shumë, fëmijës sonë. Cikli i rritjes së tyre është paqyrë ku shohim vetveten, të pastër apo të papastër, të shëndetshëm apo të ligur. Shëndeti i mirë është fryt i një pune të palodhur, por shpresëdhënëse për aq kohë, sa fëmija rritet dhe ecën me këmbët e veta në saj të dashurisë.
Jemi brez ku kultivohet e tashmja dhe e ardhmja, ku në retrospektivë qartësohen ide, të cilat nuk pengohen në ndalesa të stërgjatura të indiferencës së padobi. Shkallët ku ngjitet shpirti janë të padukshme, por bëhen të dukshme, kur rritja e shëndetshme e fëmijës sonë, tregon se ja vlen të luftosh dhe të jetosh për frytet e ëmbla të dashurisë.