Albspirit

Media/News/Publishing

Miho Gjini: ARTISTI QË “GDHENDI” HEKURIN

Duke menduar se në librin e dytë për PIQERASIOTËT, kanë vendin e tyre të veçantë dhe dhëndurët tanë, të cilët kanë hyrë në jetën e fshatit, paksa më tepër edhe se banorët e saj, i rradhita edhe ata si bashkëfshatarët e mi… Që marr edhe kurajën qytetare t’i quaj edhe ata si Piqerasiotë. Jo thjeshtë sepse u dashuruan e u martuan me vajzat tona, të zonja e të bukura, atje ku janë, këtu a nëpër botë, po edhe ngaqë e duan këtë fshat si të ishte vendlindja e tyre, hera-herës edhe duke ndërtuar këtu “pullazet e tyre të shtegëtimit e të qëndrimit të përhershëm”. Në jo pak raste, duke i ngritur shtëpitë mbi shkëmbinjtë e bregut a duke i ndrequr edhe “çatiat e rrëzuara”! Edhe këtu, në “Majën e Hasit” të Piqerasit, ku jetonte dikur e ëma e Tatjanës, apo atje në Nivicë-Bubar, në afërsi të atij rrapi 500 vjeçar, ku e kishte shtëpinë Thanas Çareri, do të gjesh plot “dyer të mbyllura” dhe “çati të rrëzuara”… Po jeta do ta sillte që të dy Bregasit, Niqia e Prifte Piqerasiote dhe Thanasi i Çarere nga Nivica, të bashkoheshin, të kishin një vajzë kapedane dhe ajo vetë të na sillte këndej një dhëndërr të shkëlqyer, puntor e artist të rrallë, si mikun tim vlonjatin Vladimir Nikaj, ish punonjësin e Kinostudios “Shqipëria e Re”, skulptorin “prej hekuri”, që jeton e punon sot ne Pescara të Italisë, bashkë me Tatjanën tonë. Dhe rrugës time për në Villa Badessa, do më shoqëronin që të dy, burrë e grua, me një mall befasues edhe për rrapin shekullor, për kalldrëmet e fshatrave tona, për Bunecin e gjer lart përpjetë taborrit, nga e kishte shtëpinë e ëma. Dhe gjithçka që pashë aty, në studion e këtij skulptori të talentuar, do t’i shëmbëllente një rrëfimi poetik për një “BOTË TË HEKURT”, ku fshihej durimi i jashtëzakonshëm, pasioni njerëzor dhe talenti i një artisti të përkorë…
Bota ka njohur me miliona mjeshtra që kanë gdhendur gurin o mermerin e prej tyre kanë mundur të nxjerrin vepra e kryevepra të pavdekshme. Ka njohur edhe mjeshtra që kanë rrahur hekurin dhe i kanë dhënë format që i janë dashur njeriut, sende, objekte, kangjella e ornamente nga më të bukurat. Por nuk e pata fjalën as për gurëskalitësit e hekurpunuesit e zakonshëm, as për tarikotat e rralla dhe artin e aplikuar në ar dhe argjend, si një zanat e profesion mjeshtëror arti. Po, për artistë të tillë si Ladi ynë, të dashuruar me hekurin e ftohtë, po njëlloj si të ishte para Venerës. Si kështu?!
Jeta njerëzore dhe Historia e Artit kanë njohur edhe artistë krejt të veçantë e talente të jashtëzakonshëm. Njerëzit akoma mahniten përpara skulpturave të grave të Praksitelit grek, të krijuara mijëra shekuj më parë, të nxjerra nga mermeri, ashtu të “gjalla”, të brishta, me një elegancë e bukuri marramendëse. Një artist i madh si Mikelanxhelo gati kalon në ekstazën e çmëedurisë pasi i jep “dorën e fundit” kryeveprës së tij. :Dhe tani fol”,- i tha skulpturës së Davidit që u bë më e gjallë se të gjallët! Dhe e goditi me çekiç mermerin, që të “zgjohej” i gjallë njeriu!…
Por, a mund të mos zmbrapsesh, jo më pak i habitur përpara “shpendëve të gjalla”, objekteve dhe njerëzve, të nxjerrë nga masa e ftohtë e hekurit prej emigrantit shqiptar në Itali, Vladimir Nikaj?! Apo të jesh para luleve (prej hekuri) e të mos përkulesh t’u “marrësh erë”?!
Ky njeri i thjeshtë, ky mjeshtër i hekurit, ky skulptor, artist i përmasave jo të vogla, është njëri nga ata ikanakë të Vlorës që iu kacavjerrën anijeve të tejmbushura me njerëz të lebetitur që largoheshin nga vendi i tyre pa liri, drejt një ëndrre! Dhe emigranti i etur për një jetë më të mirë, mbijetoi duke punuar e krijuar njëherësh. Shumëkush u mor me ”shitjen e krahut “ në tregun e lirë të punës, për të mos përmendur ato që “shitën trupin”!… Vladimir Nikaj, ky burrë i shkurtër, i thjeshtë e fjalëpak u dha i tëri fizikisht, mendërisht e shpirtërisht pas hekurave, për t’u dhënë trajtë, formë e shpirt, me daltë çeliku, çekiç e limë në dorë. Vlonjati këmbëngulës, ish punonjësi më i fundit i Kiostudios, që vëzhgonte së largu sesi krijohej një vepër arti, një film artistik, që edhe merrte pjesë në atë që quhet “art kolektiv “ të papaguar kurrë, shpërtheu në një forcë krijuese të veçantë, kur kapërceu detin. Kapërceu detin dhe përnjëherësh kapërceu edhe veten. Rilindi njëherësh edhe si njeri, edhe si artist…
S’ka pak kohë që ambasada shqiptare në Romë, me rastin e 100 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, i fton dhe i sfidon ambasadorët e huaj në një pritje, duke ekspozuar vetëm punimet e mjeshtrit Nikaj. Dhe ata befasohen e mahniten nga arti i këtij emigranti “pa emër”(!), aspak të zakonshëm!
Sepse ai kishte krijuar me duart e veta prej artisti dy shqiponja (prej hekuri), krejt të gjalla, me vështrimin krenar të zogut gjigant qiellor, në çastin fillestar të fluturimit. Ndërsa njëra syresh, ajo më e madhja qëndron krenar mbi shkëmb dhe me sy vetëtitës, është gati për t’iu hedhur hapësirës… Tjetra, paksa më e vogël, është fiksuar në çastin që do t’i vërsulet një breshke, me thonjtë e mbërthyer në një degë peme të thatë dhe me sqepin e tendosur nga “viktima” e vet. Më pastaj ambasadorët e huaj, do të ndaleshin përpara një varke ilire me vela, krejt prej hekuri, e gatshme të lëshohet mbi syprinën e detit. Punë e hollë, që zgjon menjëherë kënaqësinë estetike e afron flladin e erës së detit. Po, diku pranë, në një kënd shfaqet një “Boa” e frikshme që të rrënqeth, ”e gjallë” dhe kërcënuese, po prej hekuri. E, si për t’u çlodhur e larguar nga ndjesia e tmerrit, radhiten disa lloje lulesh të hekurta, sikur lëshojnë aromën e bimës. Pastaj do të vinte surpriza e radhës: një përkrenare thuajse origjinale e korifeut të shqiptarëve, Skënderbeut, së bashkë me mburojën dhe shpatën. Si të ishim në Muzeun e Vjenës, në një “natyrë të qetë”, pas vringëllimës së armëve! Një përsosje mbi origjinalin e tyre! Tablo e përkryer e pasbetejave që sollën lirinë…
Dhe do të shfaqeshin kështu edhe dy kryeveprat e mjeshtrit Vladimir: ”Njeriu pa krahë” dhe “Argjiroja”… E para,si një skulpturë e abstraguar, e deformuar nga jeta e vrazhdët, që nënkupton emigrantët shqiptarë, pa krahë, me kokën e kthyer andej nga kanë lënë “krahët”, tek vendi dhe nëna që i lindi, si zogu i raskapitur që nuk mund “të fluturojë” më… E dyta: ripërtërin legjendën e Argjirosë në çastin final, duke u hedhur nga shkëmbi me fëmijën e ngjeshur në gji, me flokët e gjata që i flladit era, me krahët hapur si shpend, në një forcë shpirtërore të pashëmbëllt. Ana tragjike e legjendës jepet me finesën e një artisti që e sheh heroinën si një krijesë njerëzore përpara altarit të jetës.
Bukuri. Art. Elegancë. Dhe një vështrim prej patrioti të flaktë. Krijuar gjithçka mbi masën e ftohtë të hekurit, punuar me zell e durim, me çekiç e daltë çeliku në dorë, pa “skicime” dhe vetëm me “sytë e mëndjes“, me frymëzimin krijues tretur nëpër duar, përmes shpirtit. Duke i dhënë trajtë hekurit, madje edhe lëvizje. E bëri hekurin “e vdekur” si një qënie të gjallë. Si frymor. E të duket sikur shqiponja është gati të të ngul kthetrat e saj, me sqepin gjysmë të çelur e krahët sapo të tendosur, gati për t’iu sulur hapësirës a ndonjë kafshe atje poshtë… Ka ndër to dinamikë, vrullin fillestar të lëvizjes, kur kobra është në çastet e vërsuljes drejt viktimës së saj, ndërsa varka ilire në ato çaste rrëshqitëse, kur do të çajë dallgët e detit. Po edhe përkrenarja e Skëndërbeut jepet si një dritësim krenarie, mbi “flamujt e ulur” të armiqve. Por, shiheni, ju lutem atë figurën e “petëzuar” të emigrantit që ngjan sikur sapo ka dalë nga ato ingranazhet e një filmi të Çarli Çaplinit, prej “shtypjes” së pazakontë… Dhe pastajë “GLOBI”, një masë e hekurt e varur po në një zinzhir të hekurt… Toka në hapësirë, që s’është kërkund e prap është!… E varur dhe e pavarur… E bukur dhe e shëmtuar! Si në një ndëshkim të përjetshëm… Një BOTË që kërkon t’i shpëtojë “dorës së njeriut” dhe njëherësh, një “dorë njeriu”, që rreket dhimbshëm për ta prekur!
Dhe këto vepra arit i realizon një artist i pa shkolluar, një talent, bashkëshorti i një vajze bregdetase dhe babai i dy vajzave të bukura e të mënçura. Duke punuar kohë e pa kohë në studion e tij, ku janë instaluar disa makina metalprerëse… Dhe hekuri merr formë, trajtë njerëzore dhe “frymëmarrje”, në saj të duarve të tij prej mjeshtri. E, kushdo nuk mund ta besojë, ashtu siç nuk arrija ta besoja as unë kritiku e studiusi i artit, por që do të ndryshoja katërcipërisht, kur u ndodha disa kohë më parë në studion e tij të punës në Pescara të Italisë.
Me një punë kolosale prej skllavi e prej artisti, me besim, forcë e energji, me talent e fantazi të jashtëzakonshme, me pasionin e rrallë e të veçantë, që do të ishte, ndofta i pari për t’u regjistruar në librin” Gines”. Dhe Vladimr Nikaj, i cili për të vajtur gjer tek Rrapi i Nivicës, i duhet të ndaloj bashkë me Tatjanën, nga Taborri i Piqerasit, çdo behar, të ndalet pë t’u çlodhur edhe në plazhin e Bunecit, kur tashmë “dera e shtëpisë” së Tatjanës është e mbyllur fare, çatia krejt e rrëzuar, ndërkohe që ai është një “QYTETAR I BOTËS”, një artist nga më të nderuarit e saj, si edhe njeri prej dhëndurëve të veçantë që ka Piqerasi dhe Nivicë-Bubari, i të dyja fshatrave tona që kanë dhënë e marrë prej njëri-tjetrit.
Please follow and like us: