Albspirit

Media/News/Publishing

Miho Gjini: “KATASTROFA E IZMIRIT” DHE LEONIDHA BULLGARI

Është akoma e freskët tronditja e vdekjeve dhe shkatërrimeve që pa Izmiri në Turqi, muajin e kaluar nga ato tërmete që tundën e vithisën dheun e morën me vete jetët e mbi 50 mijë njerëzve që flinin midis ëndërrimeve të tyre… Një tragjedi më e fortë se ato të skenave e të filmave, kur të gjallët varrosen e ata që qëndrojnë mbi rrënoja, rreken të shpëtojnë ndonjë të mbijetuar atje brenda katakombeve. Për të provuar edhe dy ndjesi të jashtëzakonshme: Së pari, se sa e kotë është mëria e shtetëbërësve me njëri-tjatrin dhe ajo e politikanëve të tyre, kur harrojnë se nuk kemi se çfarë të marrim nga kjo “jetë e rreme”, sado e bukur apo e shtirur që të duket!… Dhe, së dyti, kur të gjallët, njerëz e të thjeshtë, së toku edhe me të pasurit, mbretërit e perandorët, nuk do të kenë së fundi, jo më shumë se dy metra vend, në “prehjen e përjetshme”! Duke përfshirë edhe ata, që u përkasin besimeve, etnive dhe të atyre shtetarëve me “flamure të ndryshme”, apo me “thikën pas shpine”, që do mbarojnë po këtu, nën rrënojat e asgjësë. Fatalitetin e mosegzistencës, nuk e kemi fort në “dorën tonë”, kur “trimërojmë”, sikundër e thotë mirë populli ynë: si “kokoshi mbajë plehut”! Ndaj edhe lotojmë e na dridhet zemra kur shohim në ekran se si venin aty në Izmir shqiptarët, grekët, izrealitët e serbët e thjeshtë, për të shpëtuar fëmijët e të mbijetuarit e tjerë, që lebetiteshin atje, poshtë rrënojave të lemerishme, si në një NGJARJE BIBLIKE…
Dhe, do na brengoste, ca më tepër akoma, kur 100 vite më përpara, ndodhi po këtu në Izmir të Anadollit (me emrin antik Smirnë), katastrofa reale e pasojave të luftës Greko-Turke, kur grekët e Azisë së Vogël u bënë objekt i përndjekjeve reale që i ngjante një masakre e genocidi, “me frymë fetare”, që duhej më pastaj të sajohej “Traktati i Lozanës” për t’i “qetësuar palët” ndëretnike, kur më shumë se 1.2 milionë njerëz duheshin kthyer në Greqi dhe mbi 500 mijë mysyimanë nga toka Helene në Turqi. Duke u përpjekur të rifreskoja kujtesën e kësaj periudhe të lemerishme më rastisi të lexoj, një shkrim të gazetares Elisa Perrigueur, ku përmendet akoma tmerri i këtyre shpërnguljeve të padrejta, duke përmendur edhe rastin e gjyshes së deputetit grek Pallis, nga ishulli i Mitilinit, e cila u largua nga bregu i përtejmë, kur akoma nuk i kishte mbushur të 8 vitet e i “thoshte zëmra” që të vente (sa të shkelte këmbën!), nga bregu m’atanë, kur u bë 80 vjeçe! Të dyja brigjet që i lagte i njëjti det, Egjeu Plakë, ku edhe kanë mbetur në kujtesë, shumë nga këto historira të përbashkëta, rritjeje, dashurie, mërira të përbashkëta, vajtje-ardhje, martesa e vdekje! Dhe ja tek ndodhi, pas një shekulli, tamam si një “rikujtesë!” e tronditje e këtyre përmasave. Të disa grupime banorësh që, nuk janë gjë tjetër, veçse NJERËZ, që u duhet të jetojnë së bashku.
Duke rastisur në një darkë të përbashkët, në një festival teatror botëror të teatrit, në Elbaan, së bashku me artistë nga Shqiperia, Greqia e Turqia, në prani edhe të disa punonjësve të Ambasadës Turke në Tiranë, më duhej të shprehesha se ne shqiptarët, pas shembjes së shtetit të diktaturës dhe rrënimit të madh që na ndodhi, na u “hapën dyert” si në Greqi e si në Turqi, pra një fenomen i shkëlqyer miqësie, vëllazërie, fqinjësie e bashkëjetese, por s’kemi si mos të habitemi kur jo pak herë, politikanët e të dy shteteve fqinjë, bëjnë edhe të kundërtën: ditën grinden me njëri-tjetrin dhe në mbrëmje njerëzit e thjeshtë, në aparatet televizive, shohin filmat e tyre, që s’kanë të mbaruar… Po ja tek ndodhi edhe tërmeti,-katastroia natyrore, tek na kujtoi edhe katastrofën njerëzore ndëretnike, si të ishte një “mallkim qiellor”! E, të na mbushen zemrat me gëzim kur greku u vente nga bregu m’atanë e shpëton nga rrënojat fëmijët, motrat dhe vëllezërit e tyre. Si edhe rrëqethem kur mikut tim gazetar të “Top Channel” Artur Bibe, i mbushen sytë me lotë kur, në atë të ftohtë dimri, dalin nga”varret” së gjalli, vëllezërit e miqtë tanë të Turqisë, prej duarve të shqiptarëve… Një solideratit prekës. Human. Më i vyer edhe nga diamantet e nëndetetit e floriri i nëntokës…
Ndaj më shkoi mendja tek vepra më e talentuar e piktorit shqiptar LEONIDHA BULLGARI, i cili, që 20 vite me parë i fiksoi në pëlhurë dhe në tablo të mëdha, ngjarjet reale të “Katastrofës së Izmirit”. Me një cikël tabllosh të formatit të madh, ku zotëron paniku i dëbimit, në një prirje kubiste të pikturimit, kur edhe gjymtyrët e njerëzve përthyhen, sikundër edhe shpirti i tyre i gjymtuar. Syri i piktorit, në kontraste e pamje të zymta, krijon atmosferën e një dhunimi antihuman, kur nuk kursehen as gratë e fëmijët që ikin të tmerruar, në një raskapitje fizike e shpirtërore. Me varka që i vithis dallga e asaj kohe e tërbimi i urrejtjes etnike. Që e egërson dhe vetë detin në atë përkundje të lemerishme po ashtu. Kur edhe nga kambanoret e kishave “nxirren jashtë” dhe shënjtorët, bashkë me ëngjëjt! Bile edhe ata lypsen të paraqiten në simbolikën ekstreme, me duar të lidhura… Në njërën prej këtyre tablove, shohim edhe një çift intelektualësh, me vajzën e tyre të vogel e të habitur nga ngjarja e pazakontë, si edhe një grupim muzikantësh grekë, në interpretimin e fundit të largimit, ashtu, në një heshtje të zishme lamtumire!…
Po sinteza e kompozimit “Dëshmorët”, në natyrën kubiste, e shpreh edhe më me forcë dhimbjen njerëzore të kësaj katasrofe të pashembullt. Ku ndjehet më së shumti uniteti e harmonia e figurave solide, të të njëjtit mjerim largimi me përdhunë e “akte zyrtare”, prej vatrave të njëhershme. Edhe në pikturat e tjera, diku me realizëm e diku në trajta impresioniste jepet përmasa e këtij akti të pashembullt e gjëmës së ndodhur, kur shemben vlerat etnike e njerëzore. Kemi të bëjmë madje, me reagimin e një artisti bashkëkohor që ka provuar edhe ai fenomenin e largimit nga streha e vet. Me një kolorit ngjyre më të ftohtë, ku ndjehet shqetësimi e të afron asfiksinë e vdekjeve të imponuara! Piktori Bullgari i ka krijuar këto piktura me frymëzimin e një artisti bashkëkohës, si realitete epike kur edhe “bota përmbyset” dhe i ka shitur tek një koleksionist grek, për të siguruar bukën e gojës! Dhe ato kanë përfunduar në Muzeun “Kondili” të Athinës, duke tërhequr edhe vëmendjen e studjuesve vendas të artit pamor, si vepra artistike të dinjitetit të lartë. Është po ky piktor emigrant nga Fieri i Shqipërisë, që banonte në njërin prej basifondeve të Athinës, diku në rrugën e “Marathonës” e do të fitonte edhe vlerësimin më të lartë në ekspozitën e madhe të pikturës në Greqi, mindis 400 piktorëve vendas, si të ishte tani AI “MARATHONOMAKU I FITORES”, Leonidha Bullgarit, që errdhi në Greqi me trekëndëshin e kavaletit mbi kurriz e u largua, po kaq i varfër prej këndej, pas 15 vitesh, pasi kishte hapur edhe 13 ekspozita të Artit Pamor, nuk i mbetej asnjë pikturë pa u shitur, pej koleksionistëve “të uritur të Artit të Vërtetë” të këtij vendi që “prodhoi edhe Antikitetin e Perëndive të Artit”, bashkë me Akropolin e famshëm mbi një shkëmb gjigand të Atikës,- ishte dhe mbeti njëri nga miqtë e mi më të shtrenjtë, më të talentuar e më të qëndrueshëm. Prej të cilit mund të isha tani edhe në “botën tjetër”, kur më thërriste posa i jepnin ndonjë “bukale me cipuro” (raqi e fort!) dhe e boshatisnim në kohë dimri, pasi ai ndizte oxhakun e unë i marri i veja me një “Hundai” të vjetër prej hekurishtesh e llamarinash “Koreane”, që nga Koropia e Arvanitasve, ku e kishja barangën time e kur do kthehesha, “tap fare”, desh rashë nga ura midis Rafinës e Koropisë, po të mos ishin kangjellat mbrojtëse të “të marrëve”, si puna ime! Po, siç e shihni mbeta midis të gjallëve e bashkë me këtë piktor të talentuar, krijuam edhe “Liter-Artin” (Lidhjen e Shkrimtarëve e të Artistëve Shqiptarë në Greqi), bashkë me artistë e shkrimtarë të tjerë… Po edhe i’u bashkuam edhe “një të marri” tjetër, poetit Grigor Jovani, kur atij iu tek të krijonte revistën “PEGASI” (për letërsinë artin), me emrin e kalit mitologjik, të cilit, mezi i “gjetëm tagji” vetëm për 10 numra dhe e mbyllëm në “stallën e vet”! E që, dy herë i vajta Lonit në Fier, për ta takuar atje, te “Taverna “TYMI””: herën e parë për t’i shpënë Urdhërin e Lartë “Naim Frashëri i Artë” që i akordoi Presidenti i Republikës Bamir Topi dhe herën e dytë, kur më thanë se”Bullgari kishte vdekur nga Covidi-19!”, por që, fatlumërisht e gjeta gjallë, ngaqë “mandati i zi”, i vendosur nëpër mure e shtylla qe për të vëllain, Viktor Bullgarin, piktor i rrallë impresionist edhe ai. Për t’u hidhëruar, po njëlloj… Kur zemra pikon gjak!… Vetëm se, mirë e thonë edhe atë shprehjen, që “jetëgjati nuk bëhet kurrë jetëshkurtër”! Tungjatë jeta miku im i bekuar!
Athinë, 30 mars 2023.
Please follow and like us: