Albspirit

Media/News/Publishing

Manushaqe Toromani: QYTETI IM

 

Qyteti im

vite larguar prej teje,

harruar larg,

shpesh për ty kam mall!

Dashurinë e parë ta rrëmbeva

ashtu fshehur mos bëhesha me fjalë,

dëshirave në mbrëmjet

pa hëne e yje.

S’iu vura dot fre,

ndaj të bukura mbeten ditënetët

jetuar rrugëve të tua.

Ka kohë

Tiranës puthem, dashurohem

smogut e rrëmujës

pa pyetur për frikën në më panë.

Jetoj shpenguar jetën time

‘Lirinë’ që vitet e tua s’ ma dhanë

e prap për ty më zë mall.

Qyteti im,

ëndërrvrarë larguar prej teje,

me shpresën se diku tjetër do t’i ngjall.

Të mallkova ditën që u largova,

por dije, pa shpirt, veç me fjalë.

Kryeneçe tek ty mësova të jem

e të mos i bindem fatit tim

shpesh mjeran,

dhe dinjitetin, dinjitetin që më dhe

me vete mora

e para të panjohurave, vështirësive

si më mësove ti, s’ u gjunjezova.

Kam mall për ty qyteti im.

Please follow and like us: