Albspirit

Media/News/Publishing

Astrit Lulushi: Hero i myslimanëve dhe kryqtar

Vasiliev Nini: Gjergj Kastrioti

Ballkani është rajon historik, fatkeqësisht shpesh i shkatërruar nga sundimet dhe luftrat, në Europën Juglindore. Në vendet Shqipëri dhe Kosovë – një hero mesjetar duket i madh; luftëtar i njohur dikur në të gjithë Europën; kryqtar i krishterë, sot hero për shumë muslimanë. Ai njihet më së shumti si Skënderbeu – megjithëse emri i tij i vërtetë ishte Gjergj Kastrioti.
Për arritjet dhe fuqitë e tij dolën legjenda të mëdha. Shpata e tij ishte aq e rëndë, saqë u deshën tridhjetë burra për ta ngritur. Kali i tij ishte aq i fuqishëm sa mund të kapërcente një mal; për shqiptarët është kampioni i pavarësisë së kombit dhe gjithashtu hero. Megjithëse ekziston një pikëpamje se roli i tij historik është fryrë duke rezultuar në këtë situatë të cuditshme, ku dy vende me shumicë myslimane nderojnë një kryqtar katolik – i cili luftoi ushtritë e Islamit.
Po – është konfuze. Në Shqipëri dhe Kosovë – në Mal të zi, Maqedoni, Serbi, Itali dhe botë me shqiptarë –  Skënderbeu konsiderohet simbol i pavarësisë. Ai ishte kudo një kryqtar katolik romak i adhuruar nga Papët. Si është e mundur? Epo, si me çdo gjë në Ballkan, historia është shumë, shumë e ndërlikuar. Asgjë nuk është ashtu siç duket.
Pika e fillimit është të kuptuarit se Ballkani ka qenë gjithmonë një pikë zjarri ku perandori të ndryshme u përplasën dhe bënë luftëra të mëdha. Në shekullin e 15-të, gradualisht, perandoria Osmane po e pushtonte atë.  Osmanët ishin turq myslimanë që kishin pushtuar tashmë Perandorinë Bizantine duke marrë kryeqytetin Konstandinopojë dhe duke e riemërtuar Stamboll. Osmanët dukeshin të pandalshëm. Derisa u përplasën me një feudal shqiptar të quajtur Gjergj Kastrioti – Skënderbe.
Ai lindi në Shqipëri më 1405 – njëqind vjet pas shtypjes së Kalorësve Templarë në Francë – në një kohë kur mbretëritë e krishtera u përballën edhe një herë me një perandori muslimane ekspansioniste, osmanët. Që nga rritja e kalifatit, Iberia, Italia dhe Perandoria Romake Lindore nuk kishin parë një kërcënim të tillë. Ata e shtynë papatin të bënte thirrje për një kryqëzatë të re dhe vunë në krye luftëtarë kryqtarë si Skënderbeu.
Por…si arriti ai të nderohet nga të tre fetë në Ballkan: Katolicizmi Romak, Ortodoksia Lindore dhe Islami? Dhe madje të përshëndetej si hero nga sundimtari komunist i Shqipërisë së pasluftës së dytë botërore? Përgjigja vjen duke parë historinë e jetës së tij.
Familja e Skënderbeut ishin feudalë shqiptarë që ndryshonin besnikërinë dhe madje fenë me lehtësi të habitshme. Kështu, babai i tij në një moment u bashkua me Republikën e Venedikut duke deklaruar hapur besimin e tij katolik. Por më pas, në një kthim të shpejtë të faqes, ai u kthye në anën e Serbisë, duke u bërë i krishterë ortodoks. Dhe së fundi, deklaroi besnikërinë e tij ndaj Sulltanit dhe dërgoi Gjergjin e ri për t’u shkolluar në qytetin e kontrolluar nga osmanët, Adrianopojë. Kjo ishte një praktikë nga koha e romakëve dhe më parë. Fëmijët e fisnikëve, tokat e të cilëve pushtoheshin, dërgoheshin si pengje në oborrin e pushtuesit. Ata do të indoktrinoheshin efektivisht për të pranuar të ardhmen e tyre brenda Perandorisë Osmane dhe për t’u bërë myslimanë.
Për dy dekada, Gjergji, i quajtur tashmë Skënderbeu, ishte një shërbëtor besnik i sulltanit. Edukimin ushtarak dhe politik e kreu në një shkollë ku u diplomuan luftëtarët kryesorë të Perandorisë Osmane. Skënderbeu do të kishte qenë shumë mik me të ashtuquajturit jeniçerë. Këta ishin fëmijë nga vendet e Ballkanit të çuar nga osmanët në Stamboll – të konvertuar në Islam – dhe të trajnuar për të qenë trupat elitare të Sulltanit. Shkurt, Skënderbeu kishte ardhur një djalë i krishterë dhe ishte bërë një luftëtar mysliman.
Sulltani i besoi aq shumë këtij shqiptari shtatlartë dhe të fort, saqë e dërgoi si guvernator osman në atdheun e tij. Ai luftoi me trimëri të pabesueshme kundër kryqtarit hungarez Janosh Hunyad. Gjithçka dukej se po shkonte mirë derisa Skënderbeu vendosi të kalonte nga një hero mysliman në një kryqtar të krishterë. Pra, diçka ndodhi që e detyroi atë të tradhtonte Perandorinë Osmane.
Në Betejën e Nishit në nëntor 1443, Huniadi udhëhoqi disa mbretëri të krishtera duke përfshirë Hungarinë, Kroacinë dhe Vllahinë në një angazhim të ashpër me ushtrinë osmane në dukje të pamposhtur. E pabesueshme – ata fituan. Dhe gjatë betejës, Skënderbeu u hodh në anën tjetër së bashku me nipin e tij, Hamza Kastrioti. Disa qindra ushtarë me origjinë shqiptare iu bashkuan, ndërsa ai u kthye i krishterë. Ndonëse më parë kishte qenë ortodoks, tani u bë katolik romak. Dhe, siç thotë rilindasi Faik Konica, Skënderbeu adoptoi flamurin e kuq me një shqiponjë të zezë dykrenare që përdoret edhe sot nga Shqipëria dhe shqiptarët kudo. Më pas, ai ngriti flamurin e revoltës kundër sundimit osman në atdheun e tij. Osmanët e tmerruar e quajtën atë “hain Iskender” (Aleksandër i pabesë).
Pse e tradhtoi sulltanin? Nga këndvështrimi osman, kjo dukej si mosmirënjohje totale për investimin e bërë për stërvitjen dhe edukimin e këtij luftëtari që ishte nderuar prej tyre me shumë medalje e poste. Një cinik mund të thotë se ai e lagu dhe e ngriti lart gishtin tregues dhe vendosi se era po frynte kundër osmanëve, megjithëse kjo dukej e pamundur. Osmanët ishin jashtëzakonisht të fuqishëm në atë kohë. Diçka duket se kishte ndodhur brenda tij. Malli për vendlindjen apo atdhetarizmi. Një analogji është Arminius, udhëheqësi fisnor gjerman 1400 vjet më parë, i cili shërbeu me ushtrinë romake, iu dha grada gjeneral, por më pas udhëhoqi një rebelim të popullit të tij kundër romakëve. Ajo që Skënderbeu në fund vendosi të drejtojë dhe kanalizojë ishte zemërimi i zjarrtë i popullit të tij. Poeti i madh Naimi Frashëri i atribuon Skënderbeut fjalët:
“Lirinë nuk ua solla unë, por e gjeta mes jush”.
Cënimi i osmanëve ishte i hidhur. Dhe ky strateg i shkëlqyer i fushëbetejës arriti të mposhtë ushtritë osmane që ishin shumë më të mëdha, duke i joshur në kurthe. Ai gjithashtu luftoi Republikën e Venedikut për të krijuar një territor të pavarur shqiptar, të lirë nga kontrolli i ndonjë prej fqinjëve.
Skënderbeu krijoi lidhje të ngushta me sundimtarët e krishterë anembanë Evropës, edhe pse marrëdhëniet me venecianët – nga miqësore, u ftohën. Papati pa tek ai një mundësi ideale për të ringjallur idenë e një kryqëzate kundër Perandorisë Osmane muslimane. Dhe kështu, Skenderbeu u bë një kampion për papët në Romë, ku ishte një ushtar që jepte gjithçka në luftën për Krishtin. Në një shesh të Romës qëndron përmendorja e tij. Mjerisht për shqiptarët, Skënderbeu vdiq nga malaria në vitin 1468, në moshën 62-vjeçare, ndërsa planifikonte një ofensivë të re kundër sulltanit.
Fitoret e tij mahnitëse u fshinë gradualisht nga osmanët që përparonin, të cilët ndërmorën hakmarrje të përgjakshme. Një histori kurioze është ajo e një grupi grash të cilat, duke parë forcat osmane që rrethonin kështjellën, hypën mbi muret e larta, u kapën dorë për dore, dhe u zhytën në vdekjen e tyre.
Kryesisht si personifikimi i shpresave më moderne shqiptare për komb të pavarur, emri i Skënderbeut u ringjall në shekujt XIX dhe XX, ndërsa lëvizjet nacionaliste në Ballkan u përpoqën t’i jepnin fund sundimit shumë shekullor osman.
Besimi fetar katolik i Skenderbeut është i përhapur sot në Shqipëri dhe Kosovë, që të dyja vende me shumicë myslimane. Shtatorja e tij dominon sheshin kryesor në kryeqytetin shqiptar, Tiranë, dhe qëndron jashtë ndërtesës së parlamentit në kryeqytetin kosovar, Prishtinë.
Edhe regjimi i mëparshëm komunist në Shqipëri që sundoi nga viti 1946 deri në vitin 1991 përqafoi kujtimin e Skënderbeut ndërsa kërkonte të shtypte të gjitha fetë në vend. Vajza e diktatorit komunist mori përgjegjësinë personale për restaurimin e një prej kështjellave të Skënderbeut dhe statuja e kalorësisë në sheshin kryesor të Tiranës u zbulua në vitin 1968.
Pretendimi se rrjedh nga Gjergj Kastrioti i njohur ndryshe si Skënderbeu është bërë një mënyrë për të shpallur të drejtën për të qenë Mbret i Shqipërisë dhe Epirit (emër i lashtë i vendit). Në maj të vitit 1864, njëfarë “George Kastriota Skënderbeg” u shfaq në Londër – ai ishte burgosur dhe dëbuar nga Torino dhe Parisi – duke pretenduar se ishte monarku i ligjshëm i popullit të tij. Por u kuptua se ishte mashtrues.
Në vitin 1912, Shqipëria u bë përfundimisht e pavarur nga Perandoria Osmane. I pranishëm në ceremoninë e pavarësisë ishte Ahmed Muhtar bej Zogolli, i cili do të bëhej Kryeministër dhjetë vjet më vonë, më pas President dhe më në fund do të shpallej Mbret Zogu I në vitin 1928, duke sunduar për një dekadë. Familja e nënës së tij pretendonte se e kishte prejardhjen nga Skënderbeu. Zogu u përmbys kur Italia e Musolinit pushtoi Shqipërinë më 1939.

Please follow and like us: