Albspirit

Media/News/Publishing

Mësime nga përkujtimorja e 80 viteve për dëshmorët

 

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj

U mblodhëm në Ramicë për të përkujtuar 80 vjetorin e rënise së Shyqyri Alimerko Hero i Popullit dhe Sadik Zotaj dëshmor i Atdheut. Pati një pjesëmarrje të gjerë familjare, bashkëfshatarë ramiciot, si dhe nga fshatrat Velçë, Brataj, Lelenicë, Gjorm, Bashaj, Matogjin, Mesaplik etj. Morën pjesë deputeti Petro Koçi dhe kryetari i bashkisë Selenicë Nertil Bellaj.

Kujtimi i dëshmorëve Shyqyri Alimerko dhe Sadik Zotaj të rënë në luftë mbetet i përjetshëm, sepse ata e derdhën gjakun për lirinë e Atdheut. Pavarësisht se ishin anëtarë të Partisë Komuniste, ata ishin partizan të çetave “Plakë” dhe “Zigur Lelo” që luftonin për lirinë e Atdheut, kundër pushtuesve fashistë italianë duke marrë pjesë në mjaft aksione të bëra nga çetat partizane dhe vullnetare të Smokthinës dhe të Lumit të Vlorës.

Komanda e çetës partizane ju ngarkoi detyrë për të kryer një aksion kundër fraksionit që kishte plasur në Vlorë. Aty ku u zhvillua aksioni ata, ranë dëshmorë. Ishin 20 vjeçarë dhe u ngritën në luftë me zërin e Atdheut, ku udhëheqëse dhe drejtuese e luftës ishte Partia Komuniste. Edhe aksioni ishte i organizuar dhe i drejtuar tashmë nga një shtab ushtarak që ishte Shtabi i Zonës së Parë Operative, dhe ja vlente të binin dëshmorë, ishin partizan të rreshtuar në formacionin luftarake me emrin çetë partizane.

Ky detaj, tregon se dëshmorët ranë në aksion, jo për bindje politike, por për të zbatuar detyrën luftarake të ngarkuar nga komanda. Ata ranë për të çliruar vendin nga pushtuesit dhe bashkëpunëtorët e tyre, si dhe nga ata që devijuan nga kjo rrugë e lirisë… Vërtet ishin komunist, por ata ishin ngritur në luftë, për të luftuar pushtuesit fashistë dhe tradhëtarët. Ata ranë në luftë. Ishte data 27 gusht 1943, 80 vite më parë.

Me ardhjen e demokracisë ju prish lapitari i ngritur në kujtim të Shyqyri Alimerkos dhe Sadik Zotaj. Për shumë vite një rrugë kryesore në qytetin e Vlorës mbante emrin e Sadik Zotaj, por u vërsulën forca për t’ia hequr emrin kësaj rruge. Kur ishte PD në pushtet në Vlorë, edhe pse u luftua për t’i hequr emrin, nuk e hoqën emrin e rrugës me argumentin “për të mos prekur ndjenjat e familjarëve Zotaj”. Por, kur në pushtet erdhi PS, si dhe bij e nipër të dëshmorëve që u gjendën në krye të pushtetit, ja hoqën emrin dhe nuk dihet se ku e tretën emrin e tij, familjarët nuk u përfillën fare. Populli i Vlorës dhe sot i thërret me emrin që kishte rruga, pavarësisht se ekziston dhe një vendim i Këshillit të Ministrave të vitit 1947, për vendosjen e emrit të kësaj rruge. Ka emrin Sadik Zotaj shkolla e Ramicës që po shkon drejt mbylljes… i ka ngelur deri tani emri tek varri në varrezat e Dëshmorëve në Vlorë… Po kështu dhe për Shyqyri Alimerko, një lapidar në Radhinë dhe një rrugë në Vlorë apo në Tiranë… ky shpërblimi për gjakun e derdhur…

Ata të rinj dolën partizanë për të çliruar Atdheun nga pushtuesit dhe tradhëtarët, apo dhe të fraksionistëve që dolën e për kohën, prishën shumë punë në qarkun e Vlorës. Ti marrësh të dyja bashkë, t’i veçosh dhe të bësh ndarjen, një që ra në aksion dhe tjetri që ra për bindje politike, atëherë duhet ti çosh nga varri dhe ti pyesësh, përse luftuan?

Gjatë LANÇ-it, anëtarë të PKSH ishin 3500 veta, kur shifra e të rreshuarëve në radhët e UNÇSH shkonte në 70.000 luftëtarë. Ranë dëshmorë rreth 1000 komunistë. U ngritën në luftë si patriotë që donin çlirimin e vendit, por në luftë e sipër, më të shquarit në veprimtarinë luftarake u pranuan dhe anëtarë të PKSH. Pra nuk mund të ndash se kush ra në aksion dhe kush për bindje politike, ajo ishte luftë. Lufta në atë kohë bëhej për Atdheun, për ta çliruar dhe këtë e përkrahën komunistët, ndërsa organizatat e tjera që u krijuan gjatë luftës si BK dhe Legaliteti patën si mision jo luftën, por bashkëpunimin me pushtuesin dhe me largimin e tij, të merrni pushtetin.

Rruga e Lumit të Vlorës që del në Qeparo, ka mjaft lapidarë dhe përmendore, por ato janë në gjendje jo të mirë dhe të shikohen nga turistët? Këtu flasim për një histori të dëshmuar dhe për lumenj gjaku… Historia është e madhe. Ajo që mund të ndihmoj pushteti vendor dhe qendror, pa prekur ndonjë lekë nga buxheti i shtetit, kërkohet që shtetarët të bëjnë detyrën si menaxherë, për ta bërë historinë e luftës të dëshmojë…

Smokthina i ka dhënë luftës mbi 80 dëshmorë, midis tyre një familje, ka katër dëshmorë dhe nënë që vdiq nga plagët e luftës. Kjo është familja Murraj, ku babai Ormë, së bashku me tre djemtë Sejdi, Zenel dhe Mete ranë për Atdhe, ndërsa nëna Metullaje, vdiq nga plagët e marrënga kjo luftë. Tashmë kjo familje është një kujtim i largët, shteti dhe shoqëria kësaj nëne dhe familje i kanë shumë detyrime…koha do të vijë…

Tashmë ju ka ngelur familjeve të dëshmorëve në bashkëpunim me Organizatën e Dëshmorëve dhe me pushtetin vendor që të përkujtojnë dhe nderojnë dëshmorët. Edhe pse është një ligj për Statusin e Dëshmorit, shumë pak e njohin dhe nuk zbatojnë detyrimet që rrjedhin prej tij, si pushteti qendror, vendor, por dhe familjet e organizatat e tyre. Shumë pak shkruhet e flitet për ata që vunë gjakun e tyre në themelet e Shqipërisë. Televizorët shtetëror pasqyrojnë pak për të thënë aspak, kalohet çdo ditë në heshtje, kur gjatë vitit 1943, kemi mjaft të rënë në çdo cep të Shqipërisë.

Please follow and like us: