Albspirit

Media/News/Publishing

PARATË E FITURA ME DJERSË

1Nga përrallat e lashta të Kazakistanit

PARATË E FITURA ME DJERSË

Përktheu Agim Xh. Dëshnica

 

Një baba na kishte një djalë. Djali, për fat të keq, ishte përtac. Edhe pse e shikonte të atin që rropatej në punë nga mëngjesi në mbrëmje, vetë, qysh se dilte dielli e gjer sa perëndonte, bridhte poshtë e lart kot më kot. Nuk i shkonte ndër mend kurrë  të punonte e të fitonte ndonjë pare.  Vetëm të hante, të pinte e të vishej mirë dinte. Dhe paratë e babait i shpenzonte, pa e vrarë mendjen. Por, erdhi një kohë dhe u mërzit babai nga sjellja e të birit, ndaj, që ta mësonte me punë, e që t’ia dinte vlerën punës, e thirri  dhe i tha:

-Dëgjo, bir! Qysh nesër do të vesh të punosh!

Dhe e dërgoi te një mik në një fshat fqinj, që të punonte për një flori  në vit.

Djali përtac shkoi, po puna nuk i pëlqeu dhe nuk zinte asgjë me dorë. Miku i babait mendoi se e kishin dërguar tek ai sa për t’u gjendur në punë dhe as që i vinte vesh. Veç i jepte të hante e të pinte ç’donte dhe e vishte si jo më mirë. Kumbush viti, i dha atij floririn dhe e përcolli.

U kthye djali në shtëpinë e vet.

Hë, or bir, mirë se erdhe! Thuamë si je dhe a punove dot?

Qysh jo, baba! Punova,  sa…

Po rrogën a e more?

E mora, posi!

Ma jep, ta shoh!

Djali ia dorëzoi floririn babait. Ky, pa e parë fare, hapi dritaren dhe e flaku jashtë nëpër barishte. Djalit as që iu prish terezia. Ai i ktheu shpinën të atit dhe deshi të shkonte të piqej me shokët. Veç,  i ati kuptoi në çast se ai s’kishte punu, ndaj e ndali dhe i tha:

Do të shkosh të punosh edhe një vit tjetër, or bir!

Dhe e dërgoi në një fshat më të largët, te një mik i vjetër, pronar bagëtish.

Dhe ky nuk e lodhi djalin me punëra ndër stalla a në stane, se kujtoi që miku ia kishte dërguar jo për punë, por për të provuar miqësinë me të. Kështu që, kur mbaroi viti,  i dha floririn dhe e përcolli.

Erdhi djali në shtëpi.

-Hë, or bir, si kalove, a punove ?

Punova, po qysh jo, baba!

Po a ta dhanë rrogën?

Posi!

Nema, ta shoh.

Babai e mori, hapi dritaren dhe e flaku floririn jashtë, nëpër barishte. Djali as që deshi t’ia dinte.

U ngrys i gjori baba dhe nisi të mendohej se si t’ia bënte me atë të uruar djalë. Si kaloi pak kohë, e dërgoi në një fshat të largët fare, te një pronar i panjohur. Por, më parë e gjeti, e takoi dhe i tha atij pronarit:

-Dua vetëm që djalin të ma shtiesh në punë të vërtetë dhe nuk është e nevojshme t’i japësh rrogë!

Ia kuptoi qëllimin pronari i zgjuar. Qysh ditën e parë e vuri djalin të priste ferra me kosë. Dhe e ftoi të çlodhej e të hante, veç kur dielli perëndoi. Të nesërmen e ngriti nga gjumi, sapo zbardhi dita dhe iu përvesh punëve tok me të, pa e lënë një çast të ulej. Kështu çdo ditë. E zgjonte argatin herët. Punonte pa u lodhur vetë, e shtynte në punë edhe atë.  E rëndë i  dukej puna përtacit, por s’kishte ç’të bënte! Ofshante e rënkonte dhe sytë i mbusheshin me lot. Kurse pronari shtirej  sikur nuk e vinte re. Vetëm një fjalë përsëriste ai:

Puno si punoj unë! S’ka këtu ta hash bukën pa djersitur!

Dhe djali përtac s’u bënte dot bisht punëve. I dhimbte mesi, i dhimbnin gjunjët. Por, me kalimin e kohës, aq shumë u mësua, saqë pronari kuptoi se nuk qe e nevojshme ta nxiste më djalin. Ai ishte gjallëruar. Ndaj as e shtynte e as e qortonte, madjé  hera – herës  i jepte zemër me ndonjë fjalë të mirë.

Kur u mbush viti, duart e djalit ishin mbushur me kallo, kurse rrobet i  qenë  njollosur e grisur.

Pronari i shtroi një darkë të mirë, i dhuroi një palë rrobe të reja dhe i tha:

-Yt atë nuk kërkoi që të të paguaj për punën tek unë, por ti e ke me hakë të mos  kthehesh duarbosh. Na, merri! -I ke hallall këta florinj! Dhe tashti shko në shtëpinë tënde dhe bëj edhe atje punë të mirasi këtu!

U kthye djali tek i ati. Ky e priti i qeshur.

-Hë, o biri im i dashur! Erdhe?

A punove?

-Punova, baba!

-Punove mirë?

-Mirë, baba.

-A të pagoi pronari?

-Po! Më dha ca florinj! – iu përgjigj ai dhe ia la në dorë.

I ati i numëroi, u çel në fytyrë dhe kur bëri të hapte dritaren që t’i flakte jashtë, djali kërceu dhe i mbajti dorën.

-Mos, baba, – i tha, -mos i flak jashtë ato parà, se vetë e di si i kam  fituar!

U lumturua i ati dhe i tha:

-Tani po, je vërtet im bir! Ke kuptuar se asgjë e arritur me djersën e ballit nuk mund të flaket e të shpërdorohet!