Albspirit

Media/News/Publishing

Sadik Bejko: Telenovela turke e Tiranës

Në gjithë këtë historinë me Princ Lekën, simbolin e familjes mbretërore shqiptare, status që në Shqipëri është i bazuar mbi një ligj të parlamentit shqiptar, ka një pështjellim. Nuk them që mos të japin lajme dhe nga ato që janë për në faqet e shtypit rozë, por rangun mbretëror të njohur me ligj duhet ta respektojnë.

Shqiptarët kanë një familje me status mbretëror… familje në rang të lartë. Rangu është një lloj pushteti që duhet respektuar. Rangu mbrohet nga ato që quhen rregulla të pashkruara, po që në një shoqëri të mirë, janë të detyrueshme sa edhe ligjet e shkruara. Rangu është pushtet.

 

1.

Cilët janë njerëzit që kanë atributin e pushtetit?

Një kryeministër, një ministër… janë njerëz të pushtetit të zgjedhur, pushtet që të detyron me sanksione, me ligje, me gjykata, me polici që t’u bindesh verdikteve të tyre.

Atribute pushteti ka dhe një ekspert, një specialist në një fushë të dijes a të tregut. Një specialist i shquar i tregut, një gazetar i shquar, një bankier, një profesor me tituj shkencorë… është njeri që ushtron pushtet, pushtetin e dijeve si ekspert i një fushe të caktuar. Ai këshillon, bën analiza, jep mendime të çmuara, bën parashikime, por sado me vlerë, këto ide nuk e kanë fuqinë ligjore që domosdoshmërisht të jenë të detyrueshme të vihen në jetë.

Personat e tretë në pushtet janë njerëzit në rang. Një baron, një kont, një princ, një Papë, një Kardinal… një kryepeshkop, një përfaqësues i familjes mbetërore i njohur me ligj, quhen njerëz në rang. Ata nuk janë si njeriu me pushtet shtetëror, si një kryebashkiak a ministër. Nuk kanë as fuqi intelekti si specialistët. Mbase nuk kane as pasuri të konsiderueshme. Por ata kanë atë që quhet rang i lartë. Janë njerëz të rangut, të një shkalle shoqërore të respektueshme.

Në një shoqëri shqiptare të proletarizuar nga mendësia marksiste… siç është Shqipëria… respektohet vetëm pushteti shtetëror. Pushteti shteteror shqiptarët i ka dhunuaruar në shekuj, me ndëshkime skllavëruese e me lënie në mizerje e varfëri. E prapë shqiptarët e kanë frikë shtetin më shumë nga Zotin. Pushteti baraz Perëndia.

Në botë krahas ligjeve të shkruara, kanë fuqi, respektohen dhe rregullat e pashkruara.

Në vitet ’60, në revoltat e studentëve të Parisit kundër Presidentit De Gol, u rreshtua dhe filozofi Zhan Pol Sartër. Kur i thanë De Golit ta burgosim Sartrin, De Goli tha: Nuk burgoset Volteri! Sartri ishte një njeri i pushtetit intelektual. Që respektohet, edhe kur gabon.

Frederiku i madh i Prusisë, atyre që i ankoheshin pse e mbante pranë Volterin, u përgjigjej se ai është njeri i aristokracisë së mendimit. Se thoshte Vlhelmi i madh ka tri aristokraci, aristokracia e fisit, kontët, markezët, baronët, dukët, aristokracia e pasurisë, bankierët… dhe aristokracia e mendimit… filzofët, Gëtet, Shilerët, Bethovenët…etj.

Shqiptarët duhet të mësohen se një shoqëri e mirëstrukturuar, duke respektuar strukturat e saj të pushtetit, respekton veten, statusin e saj si shoqëri e organizuar në shkallën më të lartë.

Ne mbetemi peng i të fortit të radhës… jo i hierakive strukturore, të cilat dhe në mos qënçin të detyrueshme me ligj, janë të detyrueshme nga një ligj i të qënit shoqëri xhentëlmenësh, shoqëri e sjelljes së mirë.

Në një shoqëri të sjelljes së mirë, xhentelmenësh, dikush që humbet, pranon humbjen. Në një shoqeri të sjelljes së mirë, babai pranohet dhe me të metat, kufizimet e tij. Nuk vritet babai nga bijtë në shtëpinë e tij. Po nuk të pëlqejnë sjelljet e babait tënd, tani që nuk je në moshë minoreni, por edhe minoren të jesh, dil nga ajo shtëpi… shko, ndërto jetën tënde, larg tij.

 

2.

Të vij te dy personazhet që më shtynë të bëj këtë shënim.

Një aktore si Elia Zaharia, nuk është e shenjtë. As princ Leka nuk është i shenjtë. Janë njerëzorë, të gabueshëm. Madje për nga statusi shoqëror që kanë janë më të ekspozueshëm ndaj sjelljeve që zënë faqet e para të shtypit rozë.

Të gjithë e dimë se aktorët, njerëzit e showbizit, janë në faqet e para të këtij shtypi.

Edhe Princat, qofshin ata dhe me rangun më të lartë mbretëror si ata të Anglisë, nuk mbeten më pas në histori rozë… ndonjëherë dhe të dyshuar për histori të dënueshme…

Historia e Lekës dhe e Elias është dhe historia e Rangut tonë mbretëror… me pak ngjyra roze. Me pak dramacitet. Edhe njerëzit e rangut më të lartë, në jetën e përditshme, në mëkatet e tyre, janë tokësorë.

Pse shqiptarët janë kaq të prekur nga kjo histori rozë? Pse një histori rozë kaq të rendomtë… një histori tokësore… e bëjnë kaq dramatike… dhe pse me kaq duf prej rajaje prej njerëzish të mllefit revolucionar… mbrehen në inate, bërtasin në ekrane egërsisht që mbretërit duhen shkuar në gijotinë?

Shqiptarët kështu na dalin krejt të shpëlarë nga një shoqëri e të qënit e fisnikëruar. Fëmijtë vrasin  babain që i rriti, e varrosin në truallin e po atij burri, babai që mirë a keq i ushqeu,  i rriti.

Po kështu shumë gazetarë bëhen palë me një grua që jo vetëm e dhunon burrin, por e fyen, e poshtëron, i përmend shkollimin, i pëmend bukën e gojës, i shqyen rrobat e trupit. Dhe ku ndodh kjo? Ku banon kjo grua, bashkë me vajzën, me babanë e saj? Këta banojnë në shtëpinë e atij që e dhunojnë. Në pallatin mbretëror.

Për fatin tim të keq, pashë një grua artiste që fliste me fjalorin më të ultë se të atyre fshesareve që fshijnë udhët e kryeqytetit. Pashë një artiste aq të shfytyruar. Një të shkolluar dhe zonjë me përvojë jo të paktë jetësore. Gjithmonë në emisionet televizive shohim gra nga rruga, me histori fatkeqe, gra që i mëshirojmë.

Tani po shohim një grua arti. Një grua që vjen nga ajo që quhet elita më e lartë e Tiranës. Nëna e saj artiste, ajo vetë artiste, babai i saj profesor.

Si ndodhka ky mjerim që kjo zonjë e elitës së madhe të Tiranës nuk dallohet në gjuhë, në sjellje nga një grua e periferive?

Dhe ky burrë, princ Leka e ka lënë në pallatin e tij ish-gruan ku ajo po banon përkohësisht bashke me të atin. Me partneren e tij të re është strehuar diku gjetkë. Sa të kryhen procedurat ligjore të divorcit. Por nuk mund ta takojë të bijën se ish-gruaja rrëmben drurin… Për të ardhur keq.

Televizonet e Tiranës, që pëlqejnë telenovela turke, gjejnë rast të shajnë familjen mbretërore, shajne historinë e tij, shajnë para ardhësit e tij. Kjo është një fabul e lashtë, e rrëfyer me zell që nga koha e Kongresit të Përmetit. Pa pa pa… Sa të këqinj që janë këta mbretërit edhe kur u lirojnë pallatin e tyre ish-grave dhe kur i tolerojnë ata që i shajnë e i shtyjnë …

Përrallat me partizanin Meke që shkel me opinga pallatin e mbretit, në televizionet e Tiranës ende vazhdojnë.

https://gazetadielli.com/telenovela-turke-e-tiranes/

144 aktorë dhe artistë, peticion në mbrojtje të Elia Zaharias

 

Please follow and like us: