Xhavit Neki Delvina: NJOHJA E TË KALUARËS TEKNIKE SHQIPTARE
Ardhja e Zogut si Mbret në Shqipëri lejoi Italinë – Fashiste të marrë konçensione të mëdha në Industrinë e nxjerrjes së naftës, bujqësi, ndërtim, etj, dhe iu dha hov tregëtisë me jashtë. Ndërhyrja me përmasa groteske financiare dhe ekonomike italiane faktikisht ngriti dhe nivelin jetësor shqiptar, pavarsisht se ata kishin qëllime të liga kolonialiste etj. Rrjedhimisht vërshyen specialistë shumë të kualifikuar italian për të administruar këtë realitet të ri dhe nga ana tjetër, pala shqiptare u bë pjesë e këtyre problemeve me investime të përbashkëta Italo – Shqiptare. Shumë shqiptarë vajtën për t’u shkolluar në Universitetet më të mira të botës. Pas kthimit të tyre në atdhe, ata u punësuan në këta sektorë, u specializuan dhe u bënë kuadro shumë të vlefshëm sepse sollën përparimin Perëndimor. Por fatkeqësisht poltika botërore për interesat e saj caktoi dhe solli në vitin 1944 në Shqipëri të shumë mallkuarin Komunizmin Ruso – Serb, ajo e kishte caktuar Shqipërinë që pas luftës të bëhej Republikë e VII-të e Jugosllavisë. Kështu që i gjithë kontigjenti i përgatitur në Perëndim, që përfaqësonin një nivel të lartë profesional, duhej zhdukur sepse përbënin rrezik për të ardhmen komuniste. Si rrjedhim ndaj tyre filloi një genocid i pashëmbullt, vrasjet, pushkatimet, varjet, internimet ku përfshiheshin dhe specialistë e shkenctarë të nivelit botëror, si psh. Profesor Locci, Ing. Zymeri, etj. I zhdukën plotësisht sepse rrezikonin të ardhmen komuniste shqiptare. Si rrjedhim i këtyre politikave anti – kombëtare, Qeveria Komuniste filloi përgatitjen e kuadrove të reja, ku nuk mbeti teneqexhi, kovaç, marangoz, biçikletaxhi, etj. të kësaj kategorie pa u ngjitur në udhëheqje të shtetit.
U mbushën Gjykatat, Ministritë, Bashkitë, Ushtria, etj me kësi elementësh, ndërsa elita e re që do të përgatitej për perspektivën e shtetit komunist dhe që duhet të ishte “tejet i aftë”, u mendua që menjëherë të shkonte në Universitet jasht Shqipërisë, kryesisht në Jugosllavi, Rusi, Bullgari, etj. Arsimimi i tyre ishte për tu “lakmuar”. Ky element përbëhej nga njerëz me arsim të mesëm, të papërfunduar me semi – maturë, fillore e kurse partie por koha e përgatitjes duhet të ishte shumë e shkurtër, sepse vendi kishte nevojë urgjente për ta. Ky qëllim u bë direktivë dhe ata për dy – tre vjet u lauruan në degë të ndryshme “Buono për Albania” për drejtimin e shtetit. Pas kësaj “mrekullie komuniste” këta kuadro hapën “Universitetin e Tiranës” dhe u bënë baza e “Profesoratit”, shumë shpejt morën dhe grada e tituj shkencore si: Docent, Bashkëpuntor i vjetër shkencor, Profesor, Asistent – Profesor e deri tek Akademik. Fare lehtë mund të kuptoj njeriu kualitetin e studentëve të përgatitur nga këta “Profesorë Revolucionarë”.
Megjithatë Partia në strukturat e larta shtetërore për shkallë besimi më të madh, vazhdoi dhe vuri saldatorë, shoferë, teneqexhi, biçikletaxhi, mjelësa etj. Akoma dhe “më mirë” inteligjencën e re e plotësuan dhe të shkolluarit me programe personale, korespondencë dhe natën, ndërsa rezultatet e kontributeve të tyre ishin matematikisht të “sigurta”, nuk thonë kot që edhe trangulli që të bëhet, duhet të shoh pak ditë e diell. Përfundimisht mund të themi se ekonomia shqiptare punoi gjithnjë me humbje, por falë “ndihmave internacionaliste” që na vinin nga “Lindja e Kuqe”, ruajtëm nivelin minimal të jetesës dhe nuk vdiqëm. Direktivat e Partisë ishin që humbjet në ekonomi, që ishin mëse reale dhe të dukshme, të konsideroheshin “arritje pozitive” apo suksese të vazhdueshme të politikës së Partisë dhe hajde të kundërshtoje po deshe, “të ikte jeta”. Këto budallallëqe groteske apo ky “Revolucion Tekniko – Shkencor” i drejtuar nga masat punonjëse nën udhëheqjen e Partisë “Novatore”, konsiderohej si shkencë e vërtetë, kjo qe realisht puna jonë 45 – 50 vjeçare.
Sapo lexova librin “Histori e pashkruar” të ish – shokut tim të rinisë Mërgim Korça, specialist i Mekanikës – Bujqësore dhe i lauruar si “Inxhinier me shkollë nate”, ku tregon shumë gjëra për këtë aspekt apo dhe përpjekjet që bëheshin për ta çuar më tej teknikën – bujqësore që përfaqësonte një nga degët më të rëndësishme të ekonomis sonë, prandaj dhe unë po përshkruaj mendimet e mia, meqë dhe puna ime konsistonte në të njëjtin drejtim. Është reale se në Shqipëri përpara vitit 1945 Industria Mekanike nuk egzistonte në përmasat e uzinave, fabrikave apo bazave prodhuese të mëdha, ajo përfaqësohej vetëm nga disa punishte mekanike të niveleve të mesme dhe të vogla, që u shërbenin centraleve elektrike Diezel, makinerive të Industrisë së nxjerrjes së naftës, një far teknike bujqësore, transportit, etj. Aty punonin dhe drejtonin specialistë të huaj ose shumë shqiptar që kishin kryer Politeknikumin e Harry Fultzit, gjithashtu egzistonin dhe baza të tjera për nevojat e popullit si kovaçana, punime hidraulike etj. pra mbizotëronte niveli artizanal, i braktisur me kohë nga shtete të ndryshme europiane. Pas vitit 1945 së bashku me qeverinë komuniste hynë në Shqipëri dhe mjete të dhuruara nga amerikanët apo rusët, amerikanët sollën veç mjeteve të transportit edhe traktorë për bujqësinë si “Fermall” etj., por ato nuk shkuan gjatë sepse nuk i “rezistuan luftës së klasave”, dhe nuk kishte pse çuditej Ing. Mërgimi kur i pa ato në Amerikë pas 40 – vitesh në punë. Kjo kishte ndodhur se amerikanët nuk patën kurrë Ministër Bujqësie një “ekuivalent” me Hysni Kapon. Krahas teknikës bujqësore amerikane, rusët sollën dhe ata “DT – 54”, ky traktor me origjinë të vjetër amerikane u bë baza për punimin e tokës dhe arriti në bujqësinë tonë në mijra copë. Ky tip traktori sa vinte e rritej në sasi, prandaj me makineritë e marra si trofe të luftës së bashku me ndihmën ruse u ngrit uzina “Enver”, e para uzinë mekanike në Shqipëri e cila do të përballonte të gjitha nevojat për pjesë këmbimi në rang kombëtar. Këtu u duk injoranca jonë faktikisht në të gjitha aspektet, prodhimi realizohej pa vizatime pune, po me “yrnek” (kampionaturë). Drejtor i uzinës erdhi Ruso – Tepelenasi Artion Spartak (siç tham me arsim FZO). Cilësia e prodhimit ishte skandaloze, ia vlente 100 herë të mbyllej, kjo vatër e shpenzimeve të kota në kurriz të shqiptarëve. Prodhimi i serive të mëdha nuk donte entuziazëm revolucionar por donte kulturë, ne zgjodhëm entuziazmin revolucionar që na shkatërroi. Me rritjen e parkut të mjeteve të të gjitha llojeve, rritej dhe nevoja për pjesë këmbimi. Kjo shkaktoi probleme të rënda megjithëse këto pjesë këmbimi u përkisnin makinave dhe makinerive të konstruksioneve tashmë të vjetra apo të dala jashtë mode, sidomos në botën perëndimore, por për makineritë e prodhimit të uzinave tona, tashmë të reja, ato ishin shumë më të lehta për t’u prodhuar në saj të perfeksionimit të tyre, por çe do, realiteti shkoi dhe tani më keq. Kjo ndodhte vetëm për shkak të nivelit të ulët të personelit drejtues inxhiniero – teknik, i cili ishte skarco dhe pa vlerë duke e bërë akoma dhe më të keqe gjëndjen, sepse këto probleme i trajtonte super – struktura e kuqe ose organet e Partisë. Ky realitet i zymtë dhe shumë i kushtueshëm për popullin, mbrohej dhe vlerësohej me fanatizëm nga institucionet “shkencore” të vendit, ku punonin dhe militonin njerëzit e pa aftë të Partisë. Ato në numër ishin për një shtet dhjetra milionësh si: Akademia e Shkencave, Instituti Bërthamor, Instituti i Projektimeve Mekanike, Instituti i Projektimeve Ushtarake, Instituti i Industris Ushqimore apo Ndërtimit. Këto Institute duke u nisur nga pozicioni shkencor që iu ishte ngarkuar nga Partia, duhet të jepnin kontribut primar për të përmirsuar nivelin e teknikës bujqësore në vazhdimësi, por gjithnjë të udhëhequr nga porosia e Partisë për të bashkëpunuar me bazën poshtë. Kështu që budallallëku “shkencor” mori përmasa kombëtare. Kush nuk mori pjesë në këtë aksion, i pari i të parëve qe Kryekrimineli – Kryeministër Mehmet Shehu. Ai e ndjente veten më të diturin në Shqipëri përsa i takonte teknikës – bujqësore, duke iu drejtuar “budallait të përmasave industriale” Dok. Prof. Ing. Fehmi Shehu, Dekan i Inxhinieris Mekanike, se: ç’kishin më shumë se ne italianët që prodhonin Fiatin dhe ne rrimë akoma tek traktorët primitiv Rus të 1926 – “DT 54”? – Ai idioti iu përgjigj se të tërë mundësitë janë për prodhimin e Fiatit, por është neglizhenca e pafalshme e jona. Po kështu u hodh në këtë lojë dhe një grup tjetër i quajturi grupi i “Skodës”, i cili do të bënte unifikimin e të gjithë motorrëve nga ai me dy cilindra deri tek transporti dhe tanket e ushtrisë me në krye një tjetër “budalla”, kreun e NSHRAK-ut, kushëriri “panterës së zezë” shoqes Nexhmije Hoxha, Ing. Mentor Zeraliu, së bashku me “punonjësin e shquar në shkencë” Ing. i naftës Mërgim Korça. Vazhduan edhe më tej këto tentativa të “marra”, u krijua dhe grupi i motorrit “IFA” për unifikim tërësor, etj. Po kështu doli dhe një “budalla” tjetër Dhosi Çeku, që donte të transformonte motorin “ZIS” nga benzina në naftë. Shpenzimet për këto novacione arritën përmasa alarmante por rezultati nuk u arrit kurrë, të tërë dështuan me turp. Më erdhi shumë keq që Mërgim Korça në librin e tij, “Histori të pashkruar” përgojon indirekt Pilo Peristerin për paaftësi dhe mungesë kulture. I them Mërgimit se Pilo Peristeri i ka dhënë Shqipërisë në sektorin e Industrisë Mekanike më shumë se ti o Mërgim së bashku me shokët e tu dhe do t’ja u shpjegoj arsyet.
Ishte një ditë e zakonshme pune e vitit 1970 në remontin e fonderisë së gizës dhe ora në fakt ishte 17.55 e pasdites, difekti nuk na mundësoi të largoheshim në orarin e rregullt sepse duhej eliminuar, ndërkohë vjen një shok nga administrata qëndrore dhe më thotë nëse mundesh pa penguar punën, të pret Drejtori, shoku Pilo. Pasi iu kërkova leje shokëve, vajta menjëherë në zyrën e tij, duke menduar se sa më admironte ai mua për vullnetin që kisha për punë, për rendimentin tim në detyrë dhe në çdo çështje tjetër të punës, më vlerësonte dhe anën morale timen sepse edhe tek ky element mbështetej ai dhe pasi sigurohej, të përkrahte me aq sa mundej. U përshëndetëm dhe më uli pranë tij vetëm për vetëm duke më ofruar kafe, si ngahera por këtë radhë më i preokupuar dhe më thotë që në fillim të bisedës, a bëjmë një marrëveshje bashkë?
U habita për konfidencën që më shtroi!
As që diskutohet, i thashë menjëherë.
Tani më dëgjo me kujdes: Unë ty të njoh që të vogël, po kështu miq të mi janë edhe yt at e jot ëmë dhe çuditërisht jeta na ka lidhur shumë më tepër. Ti e di që unë jam si vëllai i dajkos tënd Esat Dishnicës. Babai yt e ka ndihmuar maksimalisht familjen e vjehrrit tim Hydai Myftiun në Vlorë, ku yt at qe prokuror dhe vjehrrin e vranë në atë kohë. Kështu që lidhjet familjare i kemi të forta edhe sot, sidomos me atë “kopukun tënd Esatin”. Shiko Xhavit, unë marr përsipër të të mbroj si gjithmonë nga të “metat” që ti ke në biografinë tënde familjare. Edhe njëherë mos më keqkupto, do ti, s’do ti apo edhe unë bashkë me ty për “damkën” që ju kan vënë familjes tuaj dhe s’ke çi bën kësaj, se këto janë ligjet e sotme, por t’i lemë mënjanë këto gjëra, e kam hallin gjetiu. E di që je i zoti dhe qerrata njëkohësisht, që s’ta ha qeni shkopin dhe duket që i ke ngjarë tyt eti. Kam disa mendime e dëshira për ty, quaje si të duash ti, nder apo ku e di unë se çfarë, këtë vlersoje vetë, por kërkoj prej teje si shkëmbim që ti të përfitosh e të më zbatosh me përpikmëri të gjitha gjërat që po të shtroj sot, që kur të vish të më skjarosh disa probleme që po ndodhin këtu e po më çmëndin dhe s’po ju a gjej dot fillin për t’i zgjidhur!
I habitur i them: Shoku Pilo unë nuk e di se çfarë do të më thoni sot, por përkujdesjen tuaj unë e kam ndjerë konkretisht dhe ju kam falenderuar për këtë, gjithashtu se kam menduar kurrë që t’u shmangem kërkesave tuaja, dhe po ja u theksoj se unë mirënjohjen e kam trashëgimi nga xhinsi dhe familja. William Shekspir, nëse e keni dëgjuar thotë që: “Mosmirnjohja është krye vesi i të gjithë veseve të këqija”, e unë nuk jam i tillë.
Ai qeshi dhe thotë: Kalla, kalla dhe lëri pallavrat bashkë me idealizmat e tua dhe dëgjo këtu. Të kam thirrur të të njoftoj se shumë shpejt do të niset një grup në Kinë dhe duke të t’i njohur dhe vlerësuar cilësitë, kam vendosur të nisesh edhe ti me ta në Llojang, pranë uzinës “mëmë” – “Tun Fan Hung”, për një specializim të mëtejshëm për afro një vit.
Në atë moment u hutova shumë sepse jo vetëm që nuk e prisja një bisedë të tillë në ato momente, por as e kisha imagjinuar ndonjëherë që të më bëhej një propozim i tillë, pavarësisht se unë e dija që ai më donte dhe më vlerësonte. Unë isha i kënaqur me pozicionin që mbaja dhe kurrë nuk e kisha imagjinuar që në periudhën komuniste të dilja jashtë kufijve të Shqipërisë, dalja jashtë vendit për në atë kohë ishte privilegj vetëm e vetëm i shtresës së tyre dhe kurrë i joni. Ky vendim që ai kish marrë për mua, ishte meritë absolute personale e Pilo Peristerit që më njihte thellë dhe më vlerësonte me objektivitet, gjithashtu ai kishte bindjen se unë do të isha dhe një shkak që do t’i jepja punës një impuls të ri pozitiv, por ama gjithashtu ishim të sigurtë se në këtë vendim të tij, ai e tejkalonte masën që mund t’i lejohej. Ai për mua i shkeli të gjitha ligjet e diktaturës që nuk guxonte çdo njeri në atë kohë, megjithatë ai mbylli me forcë çdo reaksion kundër meje sidomos atë të Organizatës së Partisë duke vënë veton për mua. Dua të theksoj edhe njëherë përmbledhtasi se Pilo Peristerin e kam dashur dhe respektuar sepse ndryshonte shumë nga komunistët e tjerë. Ishte i thjeshtë me ne, e donte punën me shpirt dhe bënte çmos që me format e tij të menduara mirë, të zbuste jashtë kufijve të përcaktuar luftën e klasave, famëkeqen të udhëhequr nga Partia e tij. Ky ishte një fakt që njihej nga të gjithë në (KAT) Kombinatin e Auto – Traktorëve. Shumë shok të mi, njerëz të zot e të fortë që ishin me “biografi të keqe”, ai ja u njihte punën, i vlerësonte dhe i mbronte duke marrë për bazë sugjerimet dhe vlersimet e mia për ta. Prandaj duke patur këtë bindje për të dhe konsideratën më të lartë, i thashë se jam gati t’ju dëgjoj dhe t’i zbatoj me përpikmëri kërkesat tuaja.
Ai mu drejtua në këtë formë: Ndaj teje kam kërkesa të diferencuara nga shokët e tjerë që do të shkoni atje në Kinë. Kam besim në zgjuarsinë tënde, njëkohësisht edhe në aftësitë e tua dhe po ti bashkosh të dyja bashkë kam bindjen se do të m’i plotësosh kërkesat e mia atje. Shiko, bashkëpuno me ta se janë vëllezërit tanë veçse ne nuku jemi “verdhacukë” si ata, shfrytëzo mirë rastin se sot ne shtiremi si shumë të afërt me ta, por kohët mund të ndryshojnë dhe ata si të tjerët e presin menjëherë “havardarllëkun” që po tregojnë sot me neve. Dëgjove, dëgjova thuaj!
– Shoku Pilo, i them unë, – ata thonë se na kanë me të vërtetë vëllezër dhe ngrijnë lart në çdo moment parrullën që thamë më lart: “mësojmë nga njëri – tjetri” – “Ushiang – Shy e Shi”.
Ai m’u përgjigj: – More po lëri këto pallavra të them dhe shiko punën se si Jugosllavët, Rusët dhe Kinezët një janë, po mbylle gojën në rast se nuk do të ta mbyllin të tjerët. Shiko Xhavit, mu bë qefi kur erdha këtu në Kombinat sefte, mora vesh se ti ishe këtu një nga mjeshtrat më të dalluar në punë e kudo, prandaj më lind e drejta të shpresoj tek ty për punët që duam të bëjmë për të ardhmen. Bota ka ecur përpara dhe ky përparim konsiston në zhvillimin e një progresi të gjithanshëm me përpjekje e shpenzime shumë të larta, por ja që përveç rrugës së drejtë klasike, përdoren edhe mënyra të tjera që përfshihen në rrugë djallëzie si: Spiunazhi Industrial. Ne nuk kemi të drejtë të shajmë apo të përbuzim rrugën e drejtë apo atë të djallëzisë, ne të mundësojmë përfshirjen tonë në rrugën e përparimit duke u bazuar në mundësitë tona ekonomike dhe kaq, pavarsisht se përpjekjet tona ku përfshihen, në rrugën e parë apo të dytë, këtë po e bën e tërë bota. Unë personalisht po vras mëndjen dhe s’po e gjej si ka mundësi që pas përfundimit të uzinave, ata verdhacukët drejtuan prodhimin për aq kohë sa vërtetuan të gjithë treguesit tekniko – ekonomikë dhe i realizuan plotësisht sipas të dhënave në projektin e përgjithshëm. Ikën ata dhe e morëm ne me kuadër të përgatitur si në Kinë apo edhe këtu dhe nuk bëmë gjë. Çdo gjë doli vetëm me humbje sa se themi dot dhe më mirë pjesët e auto – traktorëve t’i blejmë jashtë se t’i prodhojmë këtu. Çfarë s’po bëj, çfarë s’kam menduar por më kot, pjesët e prodhuara nga ne janë po ato që prodhoheshin dikur në uzinën “Enver”, pa teknologji apo jepej yrneku (modeli) dhe bëhej prodhimi. Unë mendova që shyqyr shpëtuam nga ajo situatë por ja që s’qe e thënë të arrinim aty ku mendonim. Besimi im tek ty është i madh dhe ja ku e bazoj, mua s’më lejohet të flas kështu por ja që mi nxjerr shpirti tek ty, ky realitet po rrjedhon shpenzime të larta dhe të bën të mendosh që më mirë do jetë t’i importosh këto prodhime sepse faktikisht ne s’po arrijmë të marrim rezultatet e tyre as në cilësi e as në sasi veç humbjeve. Pra ç’bëmë ne? Një vërrë në ujë. Pra duam apo s’duam ne, ata janë më të zotë se ne komunistët dhe këtë fakt duhet ta pranojmë që ta ndreqim nesër për të ardhmen.
Këtë bisedë e besim që kurrë nuk e prisja aq më tepër nga një funksionar i lartë i asaj kohe, më la pa mend e fjalë.
Dëgjo me vëmendje. Tani atje në Kinë po bëhet Revolucioni Kulturor kundër tendencave dhe influencave perëndimore në kuadrot e tyre, sa të mbarojë dhe të arrij qëllimin ky Revolucion, ata për arsyet e tyre kanë sjellë aty në Llojang, një numër të madh intelektualësh specialist për profilin auto – traktor, ata janë vlera absolute tekniko – ekonomike e Kinës dhe thonë se izolimi i tyre është vetëm për ti ruajtur tani në këtë kohë të turbullt, fatkeqsisht ata janë me ide dhe mendime kapitaliste krejt të kundërtat me tonat, pra ta them ty në konfidenc se reaksionarët janë shumë më të zotë atje dhe në gjithë botën dhe e ripërsëris se duam a s’duam, duhet ta pranojmë.
Kërkesat e mia nuk përfshihen në marrëveshjen e specializimit tënd atje, ato shkojnë më larg dhe nëse arrin të miqësohesh me ndonjë prej tyre që njeh gjuhën italiane, do jetë suksesi ynë sepse kërkesat e mia për ty nuk përfshihen në këtë program, dhe ata me të drejtë do ta quajnë veprimtarin tënde, “Spiunazh Industrial” dhe na gjen belaja se ata na kanë në dorë dhe them që zgjuarësia jote, njohja e italishtes nga ana jote në lartësin e duhur, duhet të ketë sukses në kërkesat e mia.
Unë jam në një hall të madh, puna e dobët e jona, inkompetenca profesionale e kuadrove, organizimi me defekte e kategorizojnë prodhimin e përgjithshëm tonin në defiçitar. Veç lavdërimeve që të bëra ty, shiko se mos gjen ndonjë kinez të pakënaqur nga sistemi për ta vjelur për këto probleme, sepse edhe aty ka të pakënaqur si këtu dhe ju të pakënaqurit sikur e gjeni kollaj gjuhën, ti e njeh mirë gjuhën e reaksionit se je vetë reaksionar si ata, kërkoja atyre porosit që të dhashë, por vetëm në fshehtësi se ju shkojnë “tërr” nga ne, veç ruaju nga përkthyesit se ata jan spiunë e të fikin.
Në rast se ti dallon ndonjë gjë që ka leverdi për ne studjoje, kopjoje, konsultohu dhe me ta në emër të shoqërisë, gjoja si proletar, por natyrisht edhe me dobiçllëk se ata “djaj” nuku janë budallenj, vetëm kështu nëse do të arrish t’u marrësh ndonjë gjë. Merr, kopjo e bëj ç’të duash, këto dua nga ty dhe pikë. Harroi bisedat që bëre me mua, kështu po të porosis, qeshi, më zuri për faqe dhe më jep porositë: E di pse dua që dhe ti të shikosh nga këto gjëra, se si ty kam porositur edhe Robert Laperin dhe disa shokë të tij, por kam ca frikë nga ata se nuku do të më sjellin ndonjë gjë të madhe se janë ca si shumë skolastikë dhe e di që do të më ofrojnë mendime që kushtojnë shumë para dhe ne nuku kemi “të ndenjura” t’i bëjmë.
Dua që të shohësh se çfarë sekrete kanë ata që prodhimet e tyre paralele me tonat, flas për gjithë strukturën e prodhimit që përfaqësohet nga e njëjta teknologji, që dhe interpretohet në të njëjtat makina si dhe me të njëjtën përgatitje teknike e çdo gjë tjetër të barabartë ndërmjet kinezëve dhe ne, por ama kur vjen dhe bën krahasimin cilësor, ajo e atyre është ku e ku me tonën, por ama a e di se ç’do të thotë kjo? Do të thotë humbje të mëdha ekonomike për ne. Unë nuk e di por thonë se ata në provën që bënë këtu tek ne, vërtetuan nivelet tekniko-ekonomike të projektuara, atëherë, ç’të themi, që nuku kemi njerëz që të bëjmë punën e kinezëve? Këtë akoma nuku e besoj. Pra shih, kur të arrish konfidencë me ta, a ka diferencë tek i njëjti njeri niveli intelektual me aftësitë praktike dhe si e kanë arritur këtë që drejtuesit e tyre t’i kenë të dyja bashkë?
Kam mendimin meqënëse tani po ndërtohet uzina e re “Auto” dhe ti personalisht je njohur me planimetrinë e saj, shiko me kujdes se mos vallë meqënëse neve kemi një prodhim sasior më të vogël se ata, mundet që dhe tipet e makinave prodhuese që do të na japin, nuku janë të barabarta me të atyre në drejtim jo vetëm të kapacitetit të prodhimit në njësinë e kohës, por edhe në drejtimet e preçizionit, e ku e di unë ç’duhen tjetër, apo vëre re planimetritë e vendosjeve se edhe kjo gjë ka rëndësi për manovrueshmërinë e prodhimit, shiko se mos e kanë përsëritur atë budallallëk, kështu ti themi se nuk na leverdis ndryshe neve na sjellin torno – C 620 dhe ata për vete përdorin C 620 – A, ku e ku njëra me tjetrën, po ashtu edhe llojet e pajisjeve që përdorin për të njëjtën nomenklaturë prodhimi, a janë të barabarta?
Gjithashtu gjyko thellë duke patur parasysh probleme të kësaj natyre të zbulosh përse egziston kjo pabarazi cilësore, sepse na kushton shumë dhe e di që nganjëherë ke leverdi ti blesh aty nga ata se sa ti prodhosh këtu, kjo e keqe na ka zënë, shiko se dhe ti mos arrin të japësh një kontribut për këtë çështje të rëndësishme. Këto gjëra po i ngrejmë tani sepse tani i mësuam dhe po i shohim konkretisht sepse po na kushtojnë ca si shumë biles, nganjëherë është më e drejtë siç e thashë më parë, t’i blejmë atje se kemi më leverdi dhe t’i pezullojmë këtu, të mos gënjejmë vetveten se jemi edhe fukarenjë edhe hundëpërpjetë.
Të marrësh a të kopjosh ndonjë gjë të re që na hyn në punë si ndonjë përmirësim konstruktiv që kanë bërë ata në makineri të njëjta me tonat, qoftë edhe ndonjë linjë të re komplete, apo qoftë edhe ndonjë repart të ri që ti e sheh dhe e gjykon për perspektivën tonë, dmth të uzinave tona sepse ka mendime aty “lart në udhëheqje” që shumë shpejt mund të kalojmë në prodhimin serial të traktorëve apo motorave agregat, si dhe të nyjeve të ndryshme komplete sepse kështu e kërkon situata që jetojmë. Më vonë duam të arrijmë që të prodhojmë dhe automobilin dhe të tipeve perëndimore biles.
Dua të zbulosh se ku është sekreti që ata, kinezët pasi mbaruan ndërtim-montimin e uzinës sonë, e drejtuan vetë për 6 – muaj dhe në fakt i realizuan të gjithë treguesit tekniko – ekonomikë të projektuar dhe sapo ikën ata dhe e morëm ne prodhimin, ai u degradua në atë masë sa mund ta quajmë prodhim plotësisht defiçitar, u ul cilësia në nivele të palejueshme, sa u detyruam të rrisim sasinë e prodhimit dhe kjo po na ha kokën. Ja psh po të tregoj se fasho-llastikat që ata i prodhuan këtu, po më thonë përdoruesit se janë njësoj si ato kinezet që bëjnë 100.000 km, ndërsa ato tonat nuk bëjnë as 10.000 km, dmth ne duhet të prodhojmë 10 – herë më shumë për t’i arritur ata, hë pra a ia dalim dot? Të lutem shiko dhe hetoje këtë problem, se në këto raporte përfshihet i gjithë prodhimi ynë. Mos vallë teknologjia nuk është e njëjtë apo plan – vendosja e makinerive ndryshon? E ku ta di unë sekretin apo misterin e këtij problemi. Gjithashtu mundohu të kopjosh gjëra që na leverdisin dhe gjithnjë të kesh parasysh që ato linja apo makineri të përballohen apo të jenë brënda mundësive tona ekonomike të investimeve.
Po kaq e rëndësishme për mua është se ç’ndryshim konstruktiv më të përparuar i kanë bërë traktorit “DT 54” që e kemi me shumicë dhe që është në një moshë me mua, them se ata duhet ti kenë dhënë këtij traktori plak, vlera të reja bashkëkohore, nuk besoj që ata të kenë mbetur tek kjo vjetërsirë që i ka ikur koha, sepse thonë edhe se ata po punojnë që ta prodhojnë këtë traktor tonin DT – 75 kuaj fuqi me një motorr shumë më të mirë se ky që kemi sot, pa bërë investime të mëdha kapitale, prandaj mundohu mos arrin të kopjosh ndonjë gjë për ta përshtatur këtu, dhe shihe edhe këtë problem.
Të sugjeroj që të kesh gjithnjë parasysh mundësitë tona ekonomike si shtet, pra kjo do të bëj që të kufizosh dëshirat që të shpëtojmë nga kjo gjendje e varfër e primitive që kemi sot, që të arrijmë të rrisim nomenklaturën, cilësinë dhe sasinë e këtyre derdhjeve shumë të nevojshme.
Të kontrollosh sipas sektorëve tipat e makinerive që kanë ata dhe a janë njësoj me tonat siç thonë ata, meqë kemi të njëjtën teknologji prodhimi dhe a janë të njëjtat pozicionet e vendosura. Shumë i rëndësishëm është dhe sektori i fonderisë së gizës sferoidale sepse ky sektor zëvendëson me derdhje të gjithë detalet që sot farkëtohen në kovaçana me kosto e mundime të mëdha si, kollodokët, trupat e bjellave, boshtet me gunga, etj.
Shiko si të nxjerrim jasht fonderive me një përqëndrim modest sektorët e prodhimit të kaolinës se na zenë vend shumë brenda dhe ndosin ambjentin, por edhe duke i dhënë prioritet prodhimit në mënyrë industriale të kaolinës.
Shiko dhe për ndonjë sektor për prodhimin e unazave elastike se ky detal shumë i rëndësishëm prodhohet nëpër sheshe rastësore brënda fonderisë, pra duhen kushte më të larta pune.
Shiko mos kopjon dhe konvejer apo ndonjë sektor me shkallë mekanizimi më të lartë për transportin e brendshëm të prodhimit të fonderive si ai tokësor edhe ajror, sepse si shoh dot më karrocat e dorës apo rulgangët primitiv që shtyhen me dorë dhe transportohen me elektro – karo për tu magazinuar.
Shiko dhe për mekanizimin e një reparti të ri të Derdhjes Preçize të cilin duam ta ndërtojmë të ri me kushte më të larta prodhimi.
Shiko të kopjosh ndonjë furrë elektrike nja 2 – 2.5 T më moderne se këto që kemi.
Shikoju dhe “llaboratorët” apo thonë se kanë dhe ca mekanizma speciale si: sirena alarmi, automate takim – stakimi, ca llambushka që parandalojnë incidentet apo gabimet njerëzore.
Këto gjëra që po të kërkoj, jam i sigurtë që do t’i arrish dhe do të nderosh veten, mua dhe Shqipërinë…! E… e… si thua a ta mbyllim muhabetin?
Vura re se sa besim e shpresa kishte ai tek unë dhe duke më vënë në një detyrim shpirtëror që duhet të bëja çmos, për t’ia realizuar dëshirat e tij sepse, ishin shumë të nevojshme për ekonominë e vëndit. Iu angazhova se do të bëj të pamundurën për të justifikuar besimin që më dhe, gjithashtu do të gëzohemi për rezultatet që do të arrijmë së bashku sepse janë kërkesa apo detyra shumë të nevojshme.
Erdhi dita dhe u nisëm për në Kinë nëpërmjet Hungarisë e Rusisë, udhëtimi ishte shumë i gjatë por dhe shumë interesant, pamë një botë tjetër. Nuk e di si ti shpreh emocionet apo përshtypjet e ftohta që kishim kur u gjendëm në tokën kineze. Ishte me të vërtetë një botë tjetër “totalisht e verdhë” dhe nuk e mora vesh pse më ndodhi ashtu, mendoj se mund të kishte ndikuar ndoshta edhe parapërgatitja shpirtërore e formuar nën ndikimin e propagandës që bëhej nëpër librat dhe revistat për fëmijë në kohën e Italisë për Kinën, ku ata “kinezët e verdhë” me një mjekër të vogël me majë si “cjap” ashtu siç edhe ishin në fakt, ndodheshin gjithnjë në qendër të çdo poshtërsie, krimi apo intrige. Nuk e di se pse kjo paraqitje për ta ishte fiksuar në shoqëri, në familje e kudo, prandaj mendoj që këto do të kenë qënë edhe arsyet e kësaj përshtypje fillestare të miat, dmth e formuar krejt nga burime të propagandës italiane meqënëse ne jetonim me ta si në shoqëri e shkollë. Por në fakt nuk qe aspak kështu. Vërtet ishin po ata kinezë me mjekër të hollë e verdhacuk, por ishin krejt ndryshe. Si në çdo vënd tjetër në botë kishte edhe aty njerëz të mirë e jo të mirë. Larmia e jetës në Kinë ishte e pasur, kontrasti ndërmjet ultra – fukarallëkut popullor dhe shtresës pushtet – mbajtëse apo edhe atyre që shërbenin në “ushtri”, ishte shumë i madh, aq sa mund të themi pa ndrojtje edhe i paimagjinueshëm për ne europianët.
Të them të drejtën kur mbërrita në Kinë dhe fillova punë në Kombinatin e Autotraktorëve Tun Fan Hun (Lindja është e kuqe), u njoha me të gjithë sektorët e rekomanduar nga shoku Pilo, u habita nga profetizmi i tij i përpiktë dhe ndoqa udhëzimet dhe këshillat e tij. Në teknikë egzistonte një kontrast që mund të themi fantastik, ishte mundësia unikale në botë që të shihje realisht dhe biles në shfrytëzim real me kapacitet prodhimi të plotë, të gjitha stadet e zhvillimit ndër vite të shkuara e deri më sot. Por ne na interesonte Industria Mekanike. Aty pamë makina natyrisht primitive që para vitit 1900, nuk kishte gjë më të bukur se sa të shikoje në një sallë të përbashkët të punonin normalisht makinat primitive me ato bashkëkohore, ja psh. në një sektor të një fabrike tekstilesh të xhamit me bazë si lëndë të parë “ranën kuarcore”, ishte një torno që shërbente për tornimin e disa pllakave teknologjike të prodhimit, e cila ishte e vendosur në dy kate njëherësh, në katin e II – të ishte një rrotë e madhe me diametër 4 – metra me disa dalje anësore tamam si timoni i anijes që përshkohej nga një bosht që përfundonte në katin e I – rë, me një ingranazh në fund që vinte në lëvizje një sistem me dy shkallë ingranazhesh, për të rrotulluar një pulexhë me pesë shkallë shpejtësie që vinte në lëvizje një “torno” shumë antike të kulturës primitive kineze, që realizonte përveç pllakave që thamë më lart, edhe punime të tjera të mrekullueshme të natyrës artistike prej druri, alabastër, hekur i butë dhe çelik pa përmendur edhe baltën argjilore për enë karakteristike për eksport. E bukura ndër më të bukurat ishte se kjo torno punonte pa energji elektrike sepse, rrotën që thamë më lart e rrotullonin tre persona të zhvendosur për 120 , ndërsa poshtë punonte tornitori, pra gjithsej katër persona. Unë mendoja që ky fakt është një realitet i imponuar nga madhësia mbi një miliard njerëz të atij shteti të pangjashëm dhe unikal në botë, apo dhe nga shterpësia e sistemit komunist që njihet si sistem defiçitar dhe pyesja veten se si mund të jetojë ballë për ballë një torno antike si kjo që përmenda më lart, me një torno bashkëkohore të programuar gjithë elektronikë, vetëm se kinezët thonë se efektiviteti ekonomik i të dy këtyre tornove është shumë i përafërt, pothuaj i barabartë.
“Llogjikë kineze”…!
Pas disa vizitave në ambjente të tilla për të cilat unë kisha interes sepse lidheshin me detyrat që më kish ngarkuar shoku Pilo, u binda që ato do t’i realizoja më së miri. Për më tepër që ne kishim një ngjashmëri absolute si shtete në të gjitha planet dhe ishim në të njëjtën rrugë: “Shkatërrimi dhe Rindërtimi njëkohësisht”! Me shumë interes për t’u parë dhe studiuar nga ana ime ishin disa prodhime që përfshinin detale shumë të rëndësishme për Industrinë Mekanike, me cilësi dhe preçizion të lartë që çuditërisht ato prodhoheshin në kushte të një primitiviteti të paimagjinueshëm për ne “Europianët”.
Pasi u hyra thellë këtyre problemeve apo “sekreteve”, vura re se kjo eksperiencë do të më vlente dhe do të kishte sukses këtu në Shqipëri. Këta sektorë prodhues siç e quanin ata, bazën tekniko – mekanike, e kishin realizuar me mekanizma shumë primitiv nga më klasikët, po kaq interesante ishte se edhe kualifikimi i punëtorve që shërbenin në këta sektorë ishte shumë i ulët aq sa nuk mund të mendohej. Pra lind pyetja se si dilnin këto prodhime kaq të mira dhe të sakta? Po kaq e çuditshme ishte se këta sektorë prodhues ishin të instaluar nëpër anë të rrugëve automobilistike, sa për funksionimin normal të këtyre sektorëve, mjafton të kishte ndonjë vijë uji, kanalizim dhe ndonjë shtyllë elektrike. Vijueshmëria e prodhimit dhe cilësia e garantuar sipas parashikimit pa asnjë përpjekje nga administratorët “revolucionarë”, e kishin burimin në një të fshehtë të madhe të natyrës kineze. Ata ishin shumë të mbyllur dhe me një konspiracion shembullor, por për fat spjegimin ma tha një mik i imi i persekutuar, shoku “Tuan”. Këto baza prodhuese ishin materializuar nga teknikë dhe inxhinierë kinez me shumë eksperiencë, të kthyer provizorisht ose definitivisht nga emigrimi disa vjeçarë ose dhe që kishin lindur jashtë Kinës, si në Amerikë, Angli, Gjermani, etj. Shovinizmi i tyre bënte “mu…”!
Ata ishin autorë të këtyre sektorëve prodhues dhe qëndronin pranë prodhimit derisa bindeshin që aty ishte përvetësuar gjithçka sipas parashikimit. Nga këta “supermenë” interpretimi i prodhimit ishte thjeshtësuar në atë shkallë, sa nuk kërkonte fare llogjikë teknike, por duhej një disiplinë strikte në veprimet që përsëriteshin çdo ditë, javë, muaj e në vazhdim. Këta “majmunë prodhues” ishin më se të sigurtë aq sa për asnjë rast nuk kishte kurrë ndonjë devijim. Këtë e siguronte diktatura e pamërshirshme Aziatike – Kineze! Po jap një shembull për llojin e prodhimeve që realizoheshin në këto baza prodhuese. Ishte shumë interesant prodhimi i thikave për proçesin e diskimit të tokës në bujqësi pas plugimit, me derdhje fonderike me strukturë gize të bardhë. Këto disqe kishin diametrin rreth 700 – 750 mm me konfiguracion konkav dhe spesor apo trashësi rreth 5 mm në periferi, pajisur me dhëmbza me tehe të mprehta, jo pak e çuditshme ishte se në këtë bazë të “famshme” pas derdhjes ju bënin dhe trajtimin termik. Ky prodhim zëvendësonte me shumë sukses të njëjtën thikë diskimi e cila sipas proçesit teknologjik “zyrtar”, prodhohej tek ne si edhe aty në Kinë me llamarinë manganike dhe me stampim, pastaj kalonte në proçesin e kuposjes, trajtimit termik, prefjes dhe një nxirje me lëndë bituminoze (mos gaboj) për konservim cilësor.
Mrekullia ishte se kjo fonderi alla “kinezçe” ishte ndërtuar anës një rruge dytësore automobilistike, rrëzë një ure të vogël që kishte nën vete një rrjedhje uji tip rrëkeje, diku merrnin një fije kablli elektrik sa për një elektro – motor që vinte në lëvizje një ventilator për fryrje të kupilotit të shkrirjes dhe për ndonjë nevojë elektrike sekondare tjetër. Kupilotin e kishin realizuar nga bashkimi i disa fuçive karburanti 350 litërshe që përfshihej në standartet e provincës “Henan”. Ngarkimi i të ashtuquajturit kupilot bëhej me plane shkallë – shkallë të ndërtuara me kallama bambuje, ngarkesat ngriheshin deri në majën e kupilotit duke u hedhur nga shkalla në shkallë me lopatë. Përsa i takon cilësisë së prodhimit, diferenca e rezistencës ndaj konsumit, e krahasuar me disqet e stampuara prej llamarine manganike, ishte pothuaj e barabartë, ndërsa shpenzimet e prodhimit ishin mbi dy herë më të vogla në favor të këtyre me derdhje.
Me pamje e fakte të tilla ishte e mbushur e tërë Kina – komuniste, këto forma apo nivele u takonin popullit kinez. Pastaj vinte niveli i teknikës Ruse i cili përfaqësonte më së “miri” realitetin e komunizmit. Investimi Rus në Kinë ishte aq i madh sa nuk mund të imagjinohej, menjëherë njeriu mendonte si ka mundësi që një shtet “fukara” si Rusia, me bilanc ekonomik defiçitar e me humbje të pallogaritshme që rridhnin nga mania e përhapjes së komunizmit Rus në botë, të investonte kapitale marramendëse në ekonominë “llubi” kineze, por realisht për shtetet komuniste gjetja e këtyre fondeve nuk përbënte problem sepse siguroheshin nga diktatura e rreptë dhe ç’njerzore në kurriz të popullit të vet. Një infinit uzinash, fabrikash e kombinatesh të ndryshme mbushnin atë vend, të gjitha këto objekte me origjinë Ruse përfaqësoheshin në pamje të jashtme njësoj si Kombinati i Tekstileve “Stalin” në Tiranë. Përpara shkollës dhe Drejtorisë ishte vetëm monumenti i “Stalinit të madh”, përballë tij ai i Mao Ce Dunit dhe e njëjta arkitekturë e fasadës kryesore. Niveli teknik e teknologjik i këtyre objekteve ishte i njëjtë me ato që ndërtoi Kina tek ne me ndonjë progres shumë të vogël.
Por ata patën si shans kombëtar se shumë specialistë të ndryshëm me origjinë apo dhe nënshtetësi kineze, të cilët kishin lindur nëpër shtete të përparuara të botës, apo që kishin ikur si fëmijë që më 1949 në kohën që u dëbua Gomindani, u shkolluan dhe u specializuan në shtete të përparuara perëndimore, madje të nxitur dhe nga një ndjenjë shoviniste aziatike, bashkëpunonin me Kinën komuniste në forma nga më të ndryshmet, biles kishte nga ata që ishin rikthyer përfundimisht në Kinë, për të punuar me intensitet të madh që të modernizonin atdheun e tyre në nivele të larta botërore dhe shumë shpejt Kina duhej të zinte vendin që i takonte në botë, jo vetëm si shteti me popullsinë më të madhe, por dhe si populli me një histori të “lavdishme dhe hyjnore”…! Një nga format që përdornin për të arritur këtë përparim ishte dhe “pirateria teknike”, kështu e përdornin shprehjen kur blinin makina dhe pajisje moderne nëpër ekspozitat e përparuara botërore. Këto makineri çoheshin nëpër institute të posaçme për tu zbërthyer, skicuar apo edhe analizuar, dhe për tu hedhur pastaj në prodhim serial pa përfillur asnjë rregull botëror të tregëtisë apo “Patentimi” etj. Këtë shans ua jepte edhe mos qënia në OKB. (Organizata e Kombeve të Bashkuara).
I përmenda këto forma të punës në Kinë sepse përkonin me mundësitë që po krijoheshin nën frymën dhe rekomandimet ekonomiko – politike të tyre për Shqipërinë. Ata thonin se kjo ishte e vetmja mënyrë sot në kushtet e “rrethimit të dyfishtë imperialisto-revisionist”, për arritje të reja drejt “Lindjes së kuqe”, dhe nuk duhej kurrë të mendonim për ndonjë bashkëpunim me perëndimin, sepse ata veç të këqijave të tjera që ishin pafund, do të nxisnin dhe një dëshirë për revoltë kundër pushtetit komunist sepse e ndjenin që po jetonin ditët e fundit. Prandaj edhe unë u mbështeta në këtë stil pune pasi e mendova gjatë e me gjakftohtësi. Mu duk shumë interesante mënyra se si mi shtroi kërkesat Pilo Peristeri për të marrë apo për të “vjedhur” projekte në Kinë, ishte dhe përputhej me rekomandimet e kinezëve për progres, duket që ishim në të njëjtën linjë. Edhe unë siç bënin kinezët nëpër botë me të njëjtin stil pune fillova të kopjoj për 12 – 14 orë në ditë. Nuk mund të mohoj mbështetjen, përkrahjen dhe ndihmën e jashtëzakonshme të reaksionarëve kinezë (disa kinezë të persekutuar nga “Revolucioni Kulturor”), të cilët më sillnin vizatime në kalk dhe nganjëherë fshehtas, sepse nuk lejohej të merrja çdo gjë dhe i kopjoja po fshehtas, gjithnjë po nga origjinali. Ashtu si tha shoku Pilo, ashtu ishte me të vërtetë çdo gjë. Gjeta ata reaksionarët tradhtarë kinezë, që në kushte ilegaliteti të plotë më furnizuan me çfarë mu desh apo iu kërkova. U bëra “mjeshtër” në kopjim, vër letër kalk mbi vizatimet që më sillnin e tusho me stilograf deri në orët e vona të natës. Këtë gjë e profetizoi Pilo Peristeri që në Tiranë kur më tha se ju të pakënaqurit e gjeni kollaj gjuhën dhe pikërisht gjeta një nga këta që dinte me themel italishten dhe ishte shef në një grup kopjimi në këto llojë institutesh të specializuara për sektorin e Italisë.
Puna ime kopjuese konsistonte kryesisht në marrjen e makinave teknologjike më të përparuara se ato që kishin sjellë tek ne, kopjimi i dokumentacionit komplet për ndërtime të ndryshme industriale të formave konstruktive të reja dhe moderne, të panjohura deri atëherë në vendin tonë, si ato me konstruksione metalike e me veshje të jashtme me materiale të lehta, apo edhe sektorë prodhimi të ndryshme që mendoja se do të na duheshin në perspektivë, gjithashtu kopjova edhe fonderi komplete me teknollogji të reja, jo me dhera por me materiale vet-ngursuese apo dhe fonderi komplete për derdhje preçize dhe mekanizma të tjera fonderike që nuk egzistonin në Shqipëri dhe që shërbenin për prodhime të serive të mëdha, si konvejerë me vagona, konvejerë ajror, furra shkrirje me gjysëm përçusa, vinça urë të tipeve e kapaciteteve të ndryshme dhe, deri te njohuri që kishin të bënin me disa probleme të reja për traktorët tanë egzistues të përmirsuar për të cilët do të flas më poshtë. Pra me ndihmën bujare të reaksionarëve kinezë, realizova shumë gjëra dhe ashtu siç e deshi shoku Pilo, mbusha çantat me kopjimet e përpikta që më duheshin.
Kur u kthyem të them të drejtën u kënaqa jashtmase dhe e ndjeva veten të lumtur që i plotësova tërësisht kërkesat e Pilo Peristerit, sepse ishin të gjitha mundësitë që profetizoi ai që këtu në Shqipëri për t’u realizuar dhe e arrita, duke mos e zhgënjyer. Në bisedat e veçanta me mua, shoku Pilo më kishte kërkuar që unë të nxirrja dhe konkluzionin tim që rrjedhonte natyrisht nga realiteti i zhvillimit të prodhimit atje, nga bisedat me ata dhe çfar shihja konkretisht në zinxhirin e këtyre problemeve dhe ndoshta arrija të nxirrja arsyet e vërteta të negacioneve tona të prodhimit si në sasi, cilësi, etj. kur çdo kusht ishte i barabartë si atje edhe këtu. Ai kur dëgjoi nga unë se ç’kisha kopjuar në Kinë, ç’kisha “vjedhur” dhe angazhohesha t’i realizoja këtu në Shqipëri, u entuziazmua jashtmase dhe më përqafoi me puthje. Që në atë moment më uroi punë të mbarë dhe menjëherë më krijoi kushte pune ideale, më dha kompetenca të paimagjinueshme për atë kohë për të gjitha nevojat e punës që do të më lindnin në vazhdimësi, çdo gjë do ta administroja vetë pa përfillur njeri dhe do të kisha lidhje direkte vetëm me atë, gjë që ja u bëri të qartë të gjitha strukturave administrative në Kombinat e kështu më lanë të qetë. Më e rëndësishmja ishte se më la të lirë të vendosja vetë për sasinë e fuqisë puntore, të punonin jashtë orarit dhe t’i paguaja sipas mendimit tim. Kjo situatë që u krijua për grupin tonë ishte e paparë për atë kohë në vendin tonë ç’ka xhelozoi shumë kuadro nëpunësish. Shumë u munduan të më pengonin, por asnjëherë nuk arritën të më dëmtonin sado pak.
Dokumentacionin në letër që solla plot 32 kg, nuk e dorëzova në Arkivin e Kombinatit por e mbajta në shtëpi dhe e përdora me “Djallëzi kineze” për 20 vjet rrjesht 1971 – 1990…! Kështu që deshën, nuk deshën “shokët” e Drejtorisë, Partisë, Dikasterit apo edhe më lartë, të drejtoheshin tek unë sepse kishte momente që më vlerësonin më shumë se institutet tona. Shumë shpejt u bindën për vlerat e “projekteve kineze të kopjuara” që disponoja dhe u detyruan të më krijojnë mundësi që të udhëhiqja një grup relativisht të madh duke na quajtur “Grupi i mekanizimeve”. Grupi ynë varej direkt nga Drejtori i Kombinatit dhe teknikisht nga Kryeinxhinieri. Kjo lloj vartësie apo ky pozicion i privilegjuar në opinionin e përgjithshëm, më krijoi mua personalisht mundësi për të punuar i qetë, dmth të mos ngacmohesha më siç rekomandohej nga Partia, nga hallkat parazite dhe shumë me bela si: Organizata bazë e Partisë, Organizata e Rinisë, Bashkimet Profesionale, etj. Nevojat për grupin tonë erdhën gjithnjë në rritje, sidomos kur u prishën mardhëniet me Kinën, sepse mbi të gjitha humbëm kompensimet që na lëvronin ata për të plotësuar humbjet e njohura të buxhetit të shtetit. Pikërisht në këtë kohë kritike lindi edhe një hall tejet i madh që buronte nga megallomania e Partis sonë që donte t’i tregonte “botës”, se ne shqiptarët pavarësisht se u prishëm dhe u shkëputëm nga Kina, jemi të zotë të ecim përpara pa patur nevojën e mbështetjes nga jashtë, mjafton të shtrëngojmë rradhët rreth Partis sonë. Propaganda partiake i mëshoi shumë dhe me forcë të madhe këtij fakti, psh. në Industrinë Mekanike, Revolucioni Tekniko – Shkencor dhe mendimi krijues i punëtorëve, sigurisht i udhëhequr nga “Partia Novatore”, realizoi shumë arritje, në Kombinatin tonë për një kohë rekord u bë kalimi nga dy uzina për prodhimin e pjesëve të ndërrimit për traktorë dhe auto që na ndërtoi Kina këtu në Shqipëri, u kalua në Kombinat për prodhimin e traktorëve të markës shqiptare dhe shumë shpejt do të përfundonim atë të automobilave. Kjo propagandohej me shumë forcë të madhe sepse ky hov i punëtorëve “revolucionarë të revoltuar” nuk kishte të ndalur. Kjo nuk ishte gjë tjetër veç një “pallavër komuniste”!
Por si ndodhi mrekullia e realizimeve tona ku protagonist “fatkeq-mirësisht” qëllova unë, prandaj kush dëshiron sot të qesh apo edhe të tallet me të shkuarën tonë, le ta bëj, por kjo tregon se ai nuk e ka njohur plotësisht realitetin e asaj kohe të mallkuar. Tashmë dihej që grupet e punës sonë merreshin kryesisht me rikonstruksione dhe ndërtime të reja në Kombinatin tonë të Auto-Traktorëve, me qëllim që të përsosnim më tej teknikën e prodhimit egzistues dhe për ta çuar atë në nivele të reja bashkëkohore, dmth të përmirsojmë më tej të gjithë treguesit tekniko-ekonomikë që realizonim në këtë periudhë. Faktikisht volumet e punës që realizonim janë vlerësuar në maksimum si nga organet e shtetit ashtu dhe nga “Partia”, por ne nuk kemi rënë kurrë në pozita vetkënaqësie, sepse zbatimi i “fjalës së Partisë” ishte gjithnjë “Ligj e Detyrë” për ne. Por pavarësisht nga ky “entuziazëm” që po jetonim, na vjen keq të themi pakënaqësitë nga bashkëpunimi me njerzit tanë të Byrosë Teknike sepse vërejmë tek ata që kanë filluar të hiqen si shkenctarë, biles të nivelit të lartë, por fatkeqsisht ne e ndjejmë që ata nuk janë të tillë. Ata kur kanë ndonjë punë dhe na e japin për zbatim, na e paraqesin si një punë të nivelit të lartë shkencor dhe nuk pranojnë asnjë vërejtje apo diskutim për to nga ne sepse mendojnë që niveli ynë i përgjithshëm është i ulët. Pra duke parë këtë realitet mardhëniesh ndërmjet nesh, ne u bindëm se ata duan të na e bëjnë të qartë që shkenca është monopol vetëm i inteligjencës dhe ata janë zotërit e saj ndërsa ne, shegertët e tyre. Dimë gjithashtu se Partia i dënon këto qëndrime apo mendime të tyre dhe i konsideron si pjesë të jetës kapitalisto – revizioniste, sepse në sistemin tonë çdo gjë dhe deri tek Revolucioni Tekniko – Shkencor e bëjnë dhe e udhëheqin masat e gjëra të popullit me “Partin e Punës në krye”. Në fakt po të shohësh përbërjen e grupeve tona, aty militojnë në radhë të parë puntorë komunist, zanatçinj dhe mjeshtra në profesion, ata të gjithë ishin punonjës që tërë jetën e tyre e kishin shkrirë për ndërtimin e veprave që u realizuan në vendin tonë. Me keqardhje dua të theksoj se pavarësisht nga puna jonë shumëplanëshe me ta, për ti’ eliminuar këto sjellje dhe mendime të tyre, apo këto negacione, nuk kemi arritur akoma t’i fusim në rrugë të drejtë, por jemi të bindur se shpejt do arrijmë më të mirën. Përsa u takon problemeve të punës së përgjithshme shtetërore të sektorëve që na takojnë ne, po shohim konkretisht shumllojshmërinë e mjeteve në sektorët e transportit, ndërtimit, bujqësisë, ushtrisë, etj. sepse pas një kohe shfrytëzimi të caktuar pësojnë shkallë të ndryshme amortizimi dhe duhet patjetër të kalojnë në një shërbim rigjenerimi, i cili kërkon patjetër pjesë këmbimi të reja të cilat përfaqësohen nga një nomenklaturë me sasi shumë të madhe dhe njëkohësisht shumë të kushtueshme, e cila sot në pjesën më të madhe importohet, sepse Industria jonë nuk i përballon dot pavarësisht se i ka mundësitë teknike në të gjitha planet. Prandaj qeveria për zgjidhjen e këtij problemi iu drejtua të gjitha strukturave shkencore që të bënin një hap tejet të rëndësishëm dhe biles vet Kryeministri Mehmet Shehu, i cili mendonte se e njihte shumë mirë këtë problem, ju propozoi që të shihnin mundësinë që të bënin unifikimin e të gjitha llojeve të motorëve me madhësi të ndryshme, në një tip apo markë të vetme, dhe ai iu sygjeroi markën Fiat, por këto përpjekje duhet të bazoheshin patjetër në parrullën: “Me forcat tona”! Në funksion të kësaj situate u dha urdhëri që të bëheshin rikonstruksione në uzinat që kanë potencial mekanik, por baza kryesore për këtë revolucion teknik mbeti Kombinati ynë. Natyrshëm ky organizim dhe këto detyra u propaganduan me “ditirambe” të mëdha ku thuhej: “Ç’donte Partia bënte populli” por fatkeqësisht nuk u arrit të prodhohej Fiati, kështu që çdo gjë doli fiasko. Pjesëmarrja e grupeve tona në këto probleme të unifikimit të motorrëve si dhe rritjes së mundësive cilësore të prodhimit në KAT nuk kaloi pa luftë të ashpër ndërmjet të ashtuquajturve “shkenctar të socializmit” dhe neve punonjësve zanatçinj e jo bosh si ata: “Doktor – Profesorët” e socializmit. Grupi i shkenctarëve me në krye Dr. Pr. Fehmi Shehu me rekomandim direkt nga Kryeministri Mehmet Shehu, siç e kam thënë më lart, u bën zotër në Kombinat dhe mund të bënin apo realizonin çfarë të donin, çdo gjë i vihej në dispozicion menjëherë për të arritur objektivin që i kishin vënë për detyrë në Shqipëri. Por fatkeqësisht ata ishin krejt të paaftë të realizonin qëllimin për të cilin punonin. Një nga arsyet që shkaktonte këtë ngecie ishte se ata kurrë nuk kishin zënë punë me dorë në prodhim dhe ishin siç thuhej në gjuhën popullore “Elif – Matrak”. Ata ishin ngritur në pozita shkencore të larta dhe në pozita shtetërore vetëm për merita politike dhe besnikëri ndaj Partisë, merita që nuk vlenin për detyrat e ngarkuara, prandaj u bënë qesharakë në tërë opinionin shqiptar, përveçse i sollën edhe humbje të konsiderueshme ekonomisë së vendit. Por paralelisht me këta pseudo – shkencëtarë, për të njëjtin qëllim punonin edhe disa grupe të tjera që drejtoheshin nga njerëz jo më pak të rëndësishëm, por që kishin zgjedhur tipe të ndryshëm motorësh, psh. grupi i Ing. Mentor Zeraliu, Drejtor i NSHRAK (Ndërmarrja Shtetërore e Riparimit të Automjeteve të Komunikacionit) së bashku me Ing. Mërgim Korçën, eksperimentonin motorin Skoda, grupe të tjera motorin Ifa, etj. dhe nuk kurseheshin fonde për këto marrëzira, siç rezultoi në fund.
Ndërsa puna jonë rridhte me shumë sukses, shtypi i kohës, televizioni, dokumentarë të ndryshëm të Kinostudios, etj. propagandonin me superlative arritjet e grupeve tona, dmth të “shkenctarëve proletarë”. Kryevepra ishte Rikonstruksioni i traktorit “DT 54” i realizuar nga Rusët në Harkov me një motor të unifikuar për të gjithë mjetet bujqësore, SMD-7; SMD-14; etj. me tregues bashkohorë që për çudi baza e këtij motori ishte po Ruse dhe nomenklaturë e uzinës sonë “TN – 55”, por përmirësimi i teknologjisë materialit dhe konstruksioni kishte lejuar të rriste fuqinë motorike dhe karakteristikat në tërheqje. Rendimenti i traktorit tonë u karakterizua nga leverdi të jashtëzakonshme, një variant tjetër po të këtij motori e vendosëm me shumë sukses në kamionin Zis, po kështu dhe në një Zis Auto – Sond për shpim, fama e suksesi qe i jashtëzakonshëm.
Ky kopjim më rriti vlerën si Xhavit sepse u bë burim i sherreve në Qeveri, Institucione Teknike etj. Për çudi kjo situatë u kthye në një nder të madh për ne “shkencëtarët proletarë”, s’kishe ç’të bëje. Budallallëqet në atë kohë ishin aq groteske sa unë që paraqita ato vizatime të kopjuara, mu tha se për t’i hedhur ata në prodhim, unë duhet t’i firmosja si projektues për të mbajtur përgjegjësi, gjë që nuk më takonte. Kështu u bë dhe mua “kopjacin” pas sukseseve të punëve në vazhdim më dekoruan me “Urdhër Pune të Klasit të I-rë” dhe me “Çmim Republike”, pasi e materializova vetë nëpër mjete një kampion – model, mu ngarkua mua për t’ia dërguar shokut Enver Hoxha. Puna po ecte me shumë sukses duke realizuar të gjitha kërkesat e shokut Pilo, me përjashtim të Repartit të ri të prodhimit të Gizës Sferoidale të cilën e pezulluam në mes, sepse ndodhi në kohën që mua për “xhelozi profesionale” më nxorri në pension Drejtori i atëhershëm Hamit Shamku, antar i Komitetit Qëndror të Partisë, pasi shoku Pilo ishte larguar me kohë. Në ato momente të paparalajmëruara u trondita sa mu “shemb koka”, sepse kishim realizuar ndërtimin e repartit të ri, kishim sjellë teknologjinë moderne të gizës sferoidale nga Italia, e përkthyem dhe reparti i ri do të kishte aftësi prodhuese 1800 ton në vit. Pothuaj u çmenda nga keqardhja dhe në çast kthehem në shtëpi, dogja më pas në Lanë të tëra vizatimet e punës dhe puna u ndërpre menjëherë sa u shkatërrua totalisht më vonë. Ky rast i motorit tonë nxori në dritë bllofet dhe paaftësitë e Institutit të Mekanikës, “shkenctarëve” Fehmi Shehu, Mërgim Korça, Mentor Zeraliu, etj. që mendonin ta prodhonin Fiatin në Shqipëri si motor të unifikuar shqiptar por dështuan. Kur e hodhën në prodhim u bënë qesharakë përpara gjithë Shqipërisë. Pra, paaftësia dhe mbivlerësimi i vetes në tërë nomenklaturën shtetërore, ishin bërë realitet dhe konseguencat i paguante populli. Ata nuk kuptonin, kur ne nuk realizonim një motor me 13 – 14 kg / peshë për kuaj/ fuqi, si mund të hidheshim të imitonim prodhimin e një motori Fiat me 3800 – 4 kg / peshë për kuaj/ fuqi.? Kjo kontradiktë nuk e kishte të keqen tek niveli i teknikës së uzinës tonë e as tek aftësia e puntorëve të prodhimit, por e kishte tek aftësia e kuadrit drejtues, nëse do të ishte që prodhimi do të udhëhiqej nga kuadro të aftë, neve bënim çdo gjë pa asnjë diskutim. Këtë bisedë e kam ribërë edhe me mikun tim Hajredin Çelikun, që në atë kohë u bë Ministër i Industris kur një ditë më pyet që a e bëjmë dhe ne dot Fiatin në prodhim seri, dhe unë i përgjigjem që po të martohem unë me një grua shqiptare, bëjmë një djalë me emrin Fuat, por motorin Fiat se bëjmë dot kurrë, se këtë motor Fiat që kanë zgjedhur këta është 3800 kg/ kuaj.fuqi, dmth një motor Fiat 100 kuaj.fuqi peshon 380 kg, ndërsa DT – 54 mbi 10 kg pa kuaj/fuqi, dmth një motor DT-54 me 100 kuaj/fuqi peshon mbi 1 ton. Ne s’po realizojmë dot mirë DT-54, e jo Fiatin. E kështu u mbyll dhe ky budallallëk.
Fama e motorëve tanë u përhap në gjithë Shqipërinë derisa ndodhi ngjarja e vajtjes sime me maketin e drurit të motorit tonë tek Enver Hoxha, por që fatkeq – mirsisht nuk ndodhi, siç e kam shprehur pas dy muajsh ai vdiq për të mos u “ngjallur më”. Pas dështimit të tentativave progresiste, u turpëruam kudo. Drejtori i ri që erdhi në Kombinat ing. Llambi Gegprifti më bëri një vizitë kortezie në shtëpinë time si punonjës i dalluar. Ndërmjet të tjerave më tha se u ngutëm me inisiativat që morëm si për Fiatin, Ifën, Skodën; rikonstruksionin e kamionit Zis, etj. dhe tani kemi vendosur ta shtyjmë për ca kohë këtë problem të unifikimit të motorit shqiptar dhe të bëjmë ca rikonstruksione në teknikën e prodhimit për të përmirsuar aftësitë prodhuese sidomos në drejtim të cilësisë. Mua ky propozim më pëlqeu se isha vetë përgjegjës i grupit të rikonstruksioneve dhe kisha gjithë atë material në vizatime të kopjuara në Kinë, prandaj mezi prisja ti realizoja, për më tepër që kisha mbledhur rreth vetes zanatçi të mrekullueshëm që më jepnin garanci e siguri të plotë në zbatimin e kopjimeve. Ndërkohë unë e pranova me entuziazëm propozimin e shokut Llambi, por vetëm i kërkoja një gjë,i them se ju keni qënë Zv. Ministër i Mbrojtjes, ai ma aprovon me “PO” dhe unë e pyes: A ka mundësi të më gjesh një trup avioni – Rus “PD-2” (Podva) me dy fletë? Ka qenë?
– Po, – më tha, – kemi në filan depo të armatës. Po çe do? – më thotë i habitur.
– Dua të montoj një motor të ri me prodhimet tona të atij avioni dhe ta montoj në atë trup që do të më gjeni ju, ato avion janë dy vendësh dhe e dini që unë jam shofer i mirë, ngrihemi dhe bëjmë shëtitje nëpër Shqipëri. Kështu do të rrisim prestigjin profesional dhe do t’i mbushim mëndjen kujtdo seç jemi në gjëndje të bëjmë.
Ai më thotë: – Ik or budalla, do që të thyejmë qafën? Nuku bëjmë ne motorra aviacioni, eehhuu… sa larg është ajo ditë e lëri këto budallallëqe, teknika e prodhimit për ato lloj motorrësh është ku e ku me ne.
Atëherë i drejtohem unë si me habi: – Mor shoku Llambi a thua që ata në 1914 që është prodhuar ai avion në Luftën I Botërore, kishin teknikë më të mirë se tonat sot? Kur ne sot gëzojmë Laborator Makro e Mikro strukturë, bareno kordinative, glison, furra shkrirje me induksion e me hark, makinë për derdhje alumini me presion, etj. dhe nuk marrim dot prodhimin e tyre të 1914-ës, kur akoma kishin tornot me pulexha në tavan e xhiroheshin me rrypa me grapeta, çudi, çudi që s’keni besim. Për më tepër Fiati ka ftohje me ujë, ndërsa avioni ka ftohje me ajër, kaq të zotë të ken qënë ata?
Këtu më kthehet ai e më thotë: – E more, s’më ka vajtur mendja për këto krahasime, pa ma thuaj ti, ç’mendon?
– Vallahi s’di ç’të them!
– Atëherë do ta them unë që je kodosh dhe provokator i madh. Dhe kështu e mbyllëm bisedën bashkë.
Prandaj Mërgimi ta kërkojë paaftësinë në radhë të parë tek vetja dhe pastaj ta kërkoj atë tek të tjerët, sepse fatkeqësisht dhe ai është bashkë – autor i së keqes së kaluar, mandej të qep gojën. Së paku unë atë që pashë dhe mu duk më e përparuar, e bëra dhe ja ku i ke.
V.O. Mërgimi thotë një gënjeshtër që e prodhuam motorin e Skodës: 706 RT _ në K.A.T. dhe
Kombinati ishte i gatshëm ta prodhonte në të gjithë variantet. Motori që ata eksperimentuan në traktorin e provës ishte pothuaj i ndërtuar me pjesë origjinale dhe ndonjë pjesë e dukshme që i takonte pjesëve të jashtme. Pas shumë provash dështake u gjet ndonjë pjesë që mund të montohej, po kështu u bë dhe për pjesët e Fiatit që u montuan. Me shaka unë thoja atëherë për budallallëqet e eksperimenteve të “mender shkenctarëve tanë” që “Fiati nuk bëhet në Shqipëri, ne këtu mund të bëjmë vetëm “Fuatin”, po të martohet ndonjë nga bashkpunëtorët e grupeve me ndonjë Petrelse”. Por çuditërisht në vend që të mos e shkruajmë për të kaluarën tonë të zezë që të harroet në të ardhmen, ne bëjmë të kundërtën duke e ditur që ne ishim përgjegjës.
ARSYEJA ishte ajo që tham: PAAFTËSIA QË NUK U PRANUA KURRË!
Kështu humbi dhe shkenca jonë socialiste. U zhduk “Feneri Ndriçues” që Ndriçonte Gjithë Shqipërinë