Petrit R. Aliaj: NGA FOLKLORIZMI TEK VEPRIMI KOMBËTAR
Roli i diasporës shqiptare mes simbolikës kulturore dhe përgjegjësisë kombëtare
Prej shumë vitesh, identiteti i diasporës shqiptare është shprehur kryesisht përmes aktiviteteve folklorike, festave tradicionale dhe ceremonive kulturore. Këto forma kanë luajtur një rol të rëndësishëm në ruajtjen e lidhjes me kulturën dhe kujtesën kolektive. Megjithatë, kur përfaqësimi i një komuniteti mbetet i kufizuar vetëm në këtë dimension simbolik, ekziston rreziku që identiteti të reduktohet në folklorizëm dhe të mos shndërrohet në një fuqi reale organizimi shoqëror.
Ky kontrast midis simbolikës dhe realitetit bëhet më i dukshëm kur merret parasysh potenciali i jashtëzakonshëm i diasporës shqiptare. Miliona shqiptarë jetojnë dhe punojnë në ekonomitë më të zhvilluara të Europës, në Shtetet e Bashkuara dhe në Kanada. Ata kanë ndërtuar karriera profesionale, biznese dhe rrjete të rëndësishme shoqërore. Megjithatë, ky potencial nuk është përkthyer ende në një ndikim të strukturuar institucional apo në një zë të organizuar në nivel kombëtar.
Një nga arsyet kryesore lidhet me mungesën e politikave të qëndrueshme institucionale. Krijimi dhe më pas shkrirja e Ministrisë së Diasporës tregoi mungesë koherence, ndërsa samitet e organizuara nuk prodhuan struktura të qëndrueshme bashkëpunimi. Po kështu, Agjencia Kombëtare e Diasporës, e cila duhej të shërbente si qendër koordinimi për komunitetet shqiptare jashtë vendit, nuk ka arritur të ndërtojë as bazën më elementare të informacionit. Mungon një regjistër i përditësuar i shoqatave, dhe shumë prej tyre figurojnë vetëm në dokumente formale pa aktivitet real.
Partitë politike në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe Mal të Zi e kanë trajtuar diasporën kryesisht si një rezervë elektorale dhe jo si një partner strategjik, ndërsa aktivizimi i saj shpesh kufizohet në periudha zgjedhore.
Rasti i arbëreshëve në Itali tregon sesi identiteti mund të ruhet për shekuj falë kulturës dhe traditës, por edhe të dobësohet në mungesë të politikave mbështetëse. Për më shumë se pesë shekuj, identiteti arbëresh është ruajtur falë Kishës Italo-Shqiptare, gjuhës dhe traditës kulturore. Megjithatë, mungesa e investimeve në arsim dhe zhvillim lokal, si dhe mungesa e një marrëveshjeje dypalëshe Shqipëri–Itali për çështjet arsimore dhe kulturore, kanë sjellë tkurrjen e komuniteteve dhe largimin e brezave të rinj. Ligji italian 482/1999 nuk garanton mbrojtje reale dhe kërkon zgjerim për të njohur gjuhën shqipe si zgjedhje të dytë në shkolla.
Një tjetër shembull është ai i arvanitasve në Greqi, ku procesi i asimilimit ka qenë i thellë dhe i vazhdueshëm. Ndërsa elemente të kulturës arvanitase janë integruar në narrativën historike greke, vetë gjuha arvanitase është sot në rrezik zhdukjeje. Mungesa e politikave mbrojtëse dhe dokumentuese nga shteti shqiptar ka lënë këtë trashëgimi pa mbështetje institucionale.
Në këtë kontekst duhet parë edhe trajtimi i çështjes Çame. Edhe pse shumë parti politike deklarojnë mbështetje, ajo shpesh mbetet në nivel simbolik. Përkujtimet dhe deklaratat publike e mbajnë çështjen të pranishme në retorikë, por rrallëherë shoqërohen me iniciativa diplomatike të mirëstrukturuara. Kështu edhe një çështje me rëndësi historike rrezikon të mbetet brenda logjikës së folklorizmit politik.
Ndërkohë, plagë të hapura si represioni administrativ në Luginë, diskriminimi në Maqedoninë e Veriut dhe sfidat e shqiptarëve në Sanxhak mbeten jashtë axhendave diplomatike dhe politike.
Në këtë sfond, Federata Kombëtare e Shoqatave Shqiptare në Itali (FNAI) po krijon një model tjetër organizimi për diasporën, duke shmangur reduktimin e shoqatave në aktivitete folklorike dhe duke i orientuar ato drejt veprimit kombëtar. Në kuadër të këtij angazhimi, për muajt qershor dhe nëntor janë parashikuar dy konferenca: njëra për shqiptarët në Maqedoni dhe tjetra për gjuhën shqipe, në përvjetorin e Kongresit të Manastirit.
Deri tani, FNAI ka organizuar shtatë konferenca të rëndësishme, me rezoluta të përbashkëta me Fondacionin Çamëria “Hasan Tahsini”, Këshillin Kombëtar Shqiptar në Kosovën Lindore, Lidhjen e Historianëve Shqiptarë në Botë dhe institucione të tjera. Megjithatë, mungesa e ambasadorëve dhe drejtuesve të dikastereve nga trevat shqiptare tregon distancën e institucioneve nga çështjet reale të diasporës.
Diaspora shqiptare nuk mund të reduktohet vetëm në remitanca apo aktivitete ceremoniale. Ajo përfaqëson një kapital të madh njerëzor, profesional dhe ekonomik. Sfida e saj është të kalojë nga simbolika folklorike drejt një roli më të organizuar dhe më aktiv në jetën kombëtare. Kalimi nga folklorizmi tek veprimi kombëtar nuk është refuzim i traditës, por hap drejt maturimit të rolit të diasporës. Vetëm përmes organizimit, bashkëpunimit dhe një vizioni të qartë afatgjatë, diaspora mund të shndërrohet në një aktor i fuqishëm për zhvillimin dhe mbrojtjen e interesave kombëtare.
https://www.fjalaelire.com/post/petrit-r-aliaj-nga-folklorizmi-tek-veprimi-komb%C3%ABtar