Albspirit

Media/News/Publishing

RIZA DRISHTI, PERSONALITET I MADH USHTARAK, MUZEOLOG I SPIKATUR

Prof. Asoc. Dr. Zaho Golemi

(Kumtesë e mbajtur në respekt, nderim dhe mirënjohje për jetën dhe veprën, si dhe në 100-vjetorin e lindjes së Riza Tafil Drishtit (16.4.1926 – e mërkurë, 5.7.2006), shtetarit dinjitoz, ushtarakut, historianit të artit dhe kërkuesit shkencor; kontribues i shquar në ngritjen e 72 muzeve historikë ushtarakë në njësitë dhe repartet kryesore të Ushtrisë Shqiptare; kontribues në ngritjen e muzeve kombëtarë; hartues fjalorësh ushtarakë, terminologjikë dhe enciklopedikë; veprimtar shoqëror; autor i 16 librave, broshurave dhe revistave; autor i 28 skenarëve televizivë për armët, armëtarët dhe figura të shquara ushtarake; përkthyes i 31 librave dhe broshurave; ka botuar në 93 revista dhe 49 gazeta të ndryshme, nga 92 redaksi brenda dhe jashtë Shqipërisë; autor i 37 zërave enciklopedikë; autor i një ditari të mbajtur nga viti 1941–1996 në 3672 faqe; publikues për 6 dekada në 21 fusha të ndryshme).

*

Misionar dinjitoz në strukturat e mbrojtjes, kulturës, monumenteve dhe muzeve

Kur diskutojmë për një personalitet të kërkimit shkencor të lëmit ushtarak dhe një specialist dinjitoz të muzeve, nisemi nga elementët kryesorë që e përshkruajnë figurën e tij dhe, mbi të gjitha, nga ato që dikur kuadri dhe sot burimet njerëzore i quajnë “të dhënat biografike”. Ish-ushtaraku madhor Riza Drishti na e ka lehtësuar punën me “Kujtimet e një ushtaraku” (2026), publikuar nga familjarët e tij në bashkëpunim me Muzeun e Forcave të Armatosura, ku drejton i mirënjohuri Niko Kotherja. Kontribut për këto kujtime, në një përmbledhje prej 84 faqesh që dokumenton bindshëm jetën dhe veprimtarinë botuese të një shkencëtari shumëplanësh, ka natyrshëm i biri, Ylli Drishti, si dhe redaktori shkencor Andrea Llukani (historian, autor i 50 librave, përgjegjës i Sektorit të Menaxhimit të Koleksioneve në “Muzeun Historik Kombëtar”).

Riza Drishti erdhi në jetë në një mjedis arbëror me rrënjë nga antikiteti ilir i shqiptarëve. Vetë mbiemri Drishti e vërteton këtë, si një nga vendbanimet më të hershme ilire. Kushdo që ka jetuar epokën e gjysmë shekullit të kaluar ka ndeshur me një emër të nderuar e të respektuar, Riza Drishti, jeta dhe aktiviteti i të cilit përbënin një mision të heshtur, por mjaft rezultativ. Ai ka kryer një veprimtari pasionante për historinë ushtarake, për armët dhe armëtarët shqiptarë, për muzetë, për kulturën dhe muzeologjinë në përgjithësi. Është mjaft i njohur si personalitet ushtarak, kërkues shkencor dhe muzeolog, me interesa të gjera në 21 fusha të ndryshme. Riza Drishti ka shkuar përtej “normës së pashpallur” të kujtimeve, duke i vetëshkruar e vetëdokumentuar ato si rrallëkush, edhe në veprën “Ditari im” (1941–1996), në 3672 faqe.

Riza Drishti, në shënimet e përmbledhura biografike, shkruan se “është lindur në Shkodër më 16.4.1926 dhe mundi të arsimohej, pasi babai i kishte vdekur më 19.2.1931”. Rizai ka kryer shkollën fillore “Hadraj” (1931–1937) dhe “Rus-Haslikaj” (1937–1939). Për të blerë librat e shkollës dhe fletoret, shiste gazetat e kohës “Drita” dhe “Shtypi”. Në vitet 1938–1942 ndoqi studimet në Liceun e Shtetit të Shkodrës, që dikur quhej Gjimnazi i Shtetit. Më 18 tetor 1942 u nis nga Durrësi për në Brindisi me vaporin “Città di Catania”, një udhëtim i lodhshëm prej 10 orësh. Nga Brindisi u drejtua për në Milano me tren, në Komandën e Shkollës Ushtarake në “Corso Italia”, nr. 12, pranë katedrales “Il Duomo” dhe teatrit “La Scala”. Mësimet i filloi më 22.10.1942 deri më 10.12.1942. Për shkak të bombardimeve, Shkolla Ushtarake e Milanos u transferua në një qytet të vogël të Lombardisë, në Kremona, ku vijoi studimet deri më 10.7.1943, në një jetë ushtarake me disiplinë dhe rregull.

Dy muaj pas fitores mbi nazifashistët, më 12.2.1945, dërgohet për studime në Akademinë Ushtarake të Beogradit, në Jugosllavi, ku do të vijonte studimet e ndërprera në Itali. Më 2.3.1945 filluan studimet dyvjeçare në Beograd, ku kishte vetëm të rinj pjesëmarrës në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. Më 5 shtator 1945 fillon ristrukturimi i Akademisë në Shkollë Ushtarake të Këmbësorisë dhe, nga 58 studentë shqiptarë, 11 prej tyre u caktuan për t’u specializuar në shkolla të ndryshme ushtarake të BRSS-së, ndër ta edhe Riza Drishti. Kështu, më 13 prill 1946 u nis me tren nga Beogradi për në Bashkimin Sovjetik dhe, pas 10 ditësh udhëtim, mbërritën në Moskë e më pas në Tula, ku më 29 prill 1946 filloi studimet në Shkollën Teknike Ushtarake të Armëve. Në Tula u specializua si teknik për armët e këmbësorisë nga 23.4.1946 deri më 23.3.1948. Pushimet pas shkollës së Tulës (ish BS), i kaloi në Shkodër, por pa i përfunduar mirë, më 16.4.1948, me radiogram, përmes Garnizonit të Shkodrës, u njoftua të paraqitej pranë Komandës së Artilerisë të MMP-së, ku shërbeu nga 16.4.1948 deri më 7.2.1962, plot 14 vjet. Në strukturat e mbrojtjes kreu edhe kursin njëvjeçar të Shkollës së Partisë pranë Degës Politike të Ministrisë së Mbrojtjes Popullore në Tiranë, në vitet 1950–1951. Riza Drishti kujton me konsideratë të lartë periudhën e studimeve në Universitetin Shtetëror të Tiranës, në Fakultetin Histori-Filologji, në degën e historisë, që zgjatën 4 vjet (1.9.1957 – 28.6.1961), ku u diplomua “Mësues historie për shkollat e mesme”. Kjo diplomë nuk i shërbeu për mësuesi, por për kulturë të përgjithshme dhe për historinë ushtarake e muzeologjinë. Ai kishte vlerësim të veçantë për profesorët Bedri Dedja, Hasan Duma, Kristaq Prifti dhe Todi Dhamo, si dhe për shumë pedagogë të tjerë.

Detyra e kërkoi dhe Riza Drishti, i mirëpajisur me dije dhe disa diploma, shërbeu në Komandën e Artilerisë në Ministrinë e Mbrojtjes Popullore, në Degën e Armatimit të Ushtrisë Popullore. Falë kulturës së gjerë dhe njohjes së gjuhëve të huaja si italisht, rusisht, serbokroatisht, si dhe njohurive në anglisht, frëngjisht, gjermanisht dhe latinisht, u shndërrua në një personalitet të padiskutueshëm dhe një oficer të kërkuar.

Në vitet 1948–1975 shërbeu në disa struktura, si Komanda e Artilerisë e MMP-së, Komanda e Forcave Ushtarako-Detare, Instituti i Studimeve dhe Kërkimeve Ushtarako-Shkencore dhe Shtëpia Qendrore e Ushtrisë Popullore në Tiranë. Funksionet e tij kanë qenë të larmishme: shef i seksionit të depove dhe ofiçinave të artilerisë, shef i depove të ushtrisë, shef i seksionit të armatimit, inspektor i municionit dhe armatimit (1948–1962), si dhe shef i armatimit të komandës EUD-it nga viti 1962 e në vijim.

Por, përpara se të ishte ushtarak i përkushtuar dhe punonjës i denjë i kulturës, Riza Drishti ishte një familjar model. Ja si shprehet i biri i tij, Ylli Drishti: “Në këtë përvjetor të veçantë, në 100-vjetorin e lindjes së babait tim, Riza T. Drishti, e ndiej si një detyrim të thellë shpirtëror dhe një privilegj të rrallë të ndaj disa fjalë që burojnë nga dashuria, respekti dhe krenaria që kam mbajtur gjithmonë për të. Për mua, ai ishte para së gjithash baba, një figurë e qetë, e fortë dhe e drejtë, që më mësoi me shembullin e tij vlerat më të rëndësishme të jetës: ndershmërinë, përkushtimin dhe dashurinë për atdheun. Kujtimet me të nuk janë vetëm kujtime familjare, por janë pjesë e një trashëgimie shpirtërore që më ka formuar dhe më ka udhëhequr në çdo hap. Këto ndjenja nuk janë vetëm të miat. Ato ndahen po aq thellë edhe nga motrat e mia, Liri dhe Vjollca, të cilat e kujtojnë me të njëjtin respekt dhe mall babanë tonë, si një prind të përkushtuar dhe një shtyllë të fortë të familjes. Po kështu, dashuria dhe kujtimi për të jetojnë sot edhe te nipërit dhe mbesat e tij, tashmë të rritur, që e mbajnë gjallë figurën e gjyshit të tyre me përmallim dhe krenari, si një njeri që la gjurmë të thella në jetët tona. Por përtej lidhjes sonë familjare, ai ishte një njeri që ia kushtoi jetën me devotshmëri të plotë shërbimit ndaj ushtrisë shqiptare.”

*

Specialist i apasionuar i muzeumeve dhe një vlerë e shtuar e kulturës shqiptare

Është për t’u përmendur edhe një fushë tjetër e rëndësishme e punës së Riza Drishtit, sikurse është ajo e specialistit të muzeumeve. Edhe pse Riza Tafil Drishti ishte major i Ushtrisë Shqiptare deri sa u hoqën gradat më 1 maj 1966 dhe më tej mbeti nënkolonel (në rezervë), puna me muzeumet ishte pasioni i tij i veçantë. Në fakt, Riza Drishti ishte marrë me studime në fushën e prodhimit të armëve në Shqipëri dhe ishte pjesë e grupit të historianëve në realizimin e shumë muzeve kombëtare dhe atyre ushtarake në Shqipëri, në gjysmën e dytë të shekullit XX. Riza Drishti ka dhënë kontributin e tij në ideimin dhe ngritjen e 72 muzeve kryesore ushtarake në njësitë dhe repartet kryesore të Ushtrisë Shqiptare (1973–1982). Ai ka bashkëpunuar me Akademinë Ushtarake të Shtatmadhorisë (sot Akademia e Forcave të Armatosura) për hartimin dhe botimin e disa fjalorëve ushtarakë terminologjikë dhe enciklopedikë (1983–1988), si dhe ka mbajtur biseda, leksione dhe kumtesa në konferenca dhe simpoziume të ndryshme nga viti 1998 deri në vitin 2005. Ndërkohë, pasioni i tij për kërkimin shkencor vijoi deri sa ndërroi jetë më 5 korrik 2006, në moshën 80-vjeçare.

Në fushën e historisë ushtarake, një shkencë e njohur dhe e pëlqyer në auditorët ushtarakë dhe jo vetëm, historiani Riza Drishti, përgjatë viteve 1971–2003, botoi mjaft artikuj shkencorë mbi armët dhe armëtarët shqiptarë. Ai është shquar edhe në fushën e përkthimit të literaturës ushtarake, si edhe ka botuar libra, poezi, studime, fjalorë ushtarakë dhe terminologjikë. Disa nga botimet e rëndësishme të autorit janë: “Armët dhe armëtarët shqiptarë” (1976); bashkëautor në “Fjalori Enciklopedik Shqiptar” (FESH, 1985); bashkëautor në “Fjalori i termave të armatimit dhe municioneve” (1989); bashkëautor në “Fjalori Enciklopedik Ushtarak Shqiptar” (FEUSH, 1988); “Armët e kryengritësve shqiptarë në vitet 1909–1912” (2002); “Armëtari dhe konstruktori Jakup Haxhi Isuf Dibra” etj. Gjithashtu, nën penën e studiuesit dhe kërkuesit shkencor Riza Drishti u evidentuan për herë të parë disa personalitete dhe figura të shquara ushtarake evropiane me origjinë shqiptare, si: Gjergj Basta (1550–1607) dhe kolonelët shqiptarë Mërkur Bua, si dhe pjesëtarë të tjerë të kësaj familjeje, në shërbim të ushtrisë franceze (1485–1608). Edhe pse doli në pension me gradën “nënkolonel” në rezervë, nuk iu nda asnjëherë punës pasionante të kërkimit dhe të shkrimeve të vijueshme. Ai ishte prezent në shtypin ushtarak dhe më gjerë edhe për çështje të kulturës dhe të muzeumeve, veçanërisht për armët, të cilat janë kaq tërheqëse për shoqërinë shqiptare dhe për të gjitha moshat ngjallin kuriozitet të madh.

Për kontributin e tij, Riza Tafil Drishti është dekoruar me disa urdhra e medalje ushtarake, por edhe civile. Ndërkohë, është në nderin e strukturave të mbrojtjes, të kulturës dhe muzeologjisë që të mundësojnë vlerësimin me medaljet më të larta që jepen në Republikën e Shqipërisë, pse jo me “Medalja e Artë e Shqiponjës”, apo edhe me “Ylli i Madh në Urdhrin “Lisi Akademik”. Për punën e tij flet vepra e tij në albanologji, bibliografi, etnografi, folkloristikë, gjuhësi e filologji, histori ushtarake dhe histori të artit ushtarak shqiptar, kinematografi, leksikologji, memoristikë dokumentare, muzeografi, muzeologji, pedagogji civile dhe ushtarake, përkthim i letërsisë artistike, përkthim i letërsisë historiko-shoqërore, përkthim i letërsisë tekniko-ushtarake për armatim bashkëkohor, poezi, vjersha, poema, tekste këngësh, prozë artistike, publicistikë letrare, recensione shkencore, intervista, kritikë letrare, libra, albume, fotografi, artikuj, kumtesa shkencore etj. Të gjitha këto flasin, madje shumë fuqishëm, më shumë se heshtja institucionale në vendin tonë.

*

Dituria është një nga forcat më të mëdha që ka njeriu.

Për Riza Drishtin, fusha e kërkimit shkencor ka qenë disiplina që ka disiplinuar veten dhe ka kanalizuar dijet e shumta. Ai jetonte dhe punonte në mbretërinë e dijes. Prandaj gjykojmë se thënia e Eqrem Çabejit: “Shkenca kërkon përkushtim dhe durim të pafund” kishte gjetur njeriun e duhur tek i palodhuri Riza Drishti. Ai ishte lexues dhe bashkëkohës i Ismail Kadaresë dhe vetë Kadareja ka një përcaktim për njerëzit e ditur: “Dituria është një nga forcat më të mëdha që ka njeriu”. Në fakt, Riza Drishti e zotëronte këtë forcë të brendshme dhe të pashtershme. Ai ka publikuar 18 kumtesa, të cilat i kushtohen kryesisht problemit të armëve dhe armëtarëve shqiptarë, si dhe ushtarakëve të shquar me origjinë shqiptare. Janë artikuj e kumtesa të publikuara në Tiranë, Prishtinë, Gjirokastër, Amsterdam, Bukuresht, Londër, Pragë, Sofje, Pekin, Mynih, Berlin dhe Mantovë. Krijimtaria letrare-artistike e Riza Drishtit është botuar në përmbledhje librash, broshurash dhe revistash; ai ka përgatitur dhe lexuar në Radio Gjirokastra (1971) dhe në RTSH, në Tiranë (1976–1992), 28 biseda dhe skenarë televizivë, kryesisht për armët, armëtarët dhe figura të shquara ushtarake me origjinë shqiptare.

Ka përkthyer nga gjuha ruse dhe serbo-kroate në gjuhën shqipe 31 tituj librash dhe broshurash me përmbajtje letrare-artistike, teknike dhe historiko-shoqërore, por kryesisht për armët bashkëkohore në përdorim të Ushtrisë Popullore Shqiptare. Në përkthim, ndihmësja e tij ka qenë bashkëshortja e tij, Bukurie Ali Zoto, një bashkëshorte e denjë dhe grua e rrallë, e cila daktilografoi të gjitha përkthimet e Rizait. Sikurse e përshkruan në kujtimet e veta Riza Drishti: “..kishte raste që punonim deri në orët e vona të natës… na zinte gjumi duke përkthyer. Nga lodhja, Bukuria flinte me kokën mbi makinën e shkrimit, kurse unë mbi librin e vendosur në tavolinë”. Një jetë mbi libra, në interes të vendit dhe si misionarë në mbretërinë e dijes; prandaj meritojnë nderimin ndër breza. Ndërkohë, biblioteka e tij e skeduar arrinte në 1718 libra, ku përveç librave në shqip kishte edhe libra në italisht, latinisht, anglisht, gjermanisht, serbo-kroatisht, rusisht etj.

Për krijimtarinë letrare-artistike dhe kërkimore-shkencore, si dhe për pjesëmarrjen në konkurset e organizuara nga MMP dhe Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, Riza Drishti është nderuar dhe ka fituar pesë çmime të rëndësishme. Kjo veprimtari përfshihet në harkun kohor 1963–1973. Në fushën e publikimeve, ai ka botuar në 93 revista dhe 49 gazeta të ndryshme, ku krijimtaria e tij është publikuar nga 92 redaksi brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Riza Drishti është shquar edhe si mësimdhënës, si instruktor i jashtëm për problemet e armatimit bashkëkohor pranë ish-Shkollës së Bashkuar të Oficerëve “Enver Hoxha” në Tiranë, që në vitin 1949, si dhe pranë Institutit të Shkencave, shkollave të mesme të Garnizonit të Tiranës, në grupet e oficerëve dhe punonjësve civilë të MMP-së. Ai ka dhënë gjithashtu lëndën e gjuhës ruse në vitet 1949–1954.

Në vitet 1983–1997 ka përgatitur për botim në dorëshkrim pesë libra, por për mungesë të mjeteve financiare ato ende nuk e kanë parë dritën e botimit. Ndërkohë, ka shkruar kujtimet e tij, të cilat ua lehtësojnë punën studiuesve dhe kërkuesve shkencorë, bibliografëve, si dhe kanë nderuar kulturën ushtarake dhe muzeologjike shqiptare.

Riza Drishti ka përgatitur një studim për mundësinë e hapjes së Muzeut Kombëtar të Armëve në kalanë e Gjirokastrës, botuar në Tiranë më 1969 dhe materializuar në vitin 1971. Gjithashtu, ka publikuar një libër metodik, “Muzeumi, vatër e flaktë edukimi”, botuar në Tiranë më 1973. Kërkimi shkencor mbi veprën e Riza Drishtit nuk mund të kuptohet pa librat, broshurat, botimet dhe publikimet e shumta në dhjetëra gazeta e revista brenda dhe jashtë shtetit. Librat, kumtesat, recensionet dhe artikujt e tij janë botuar dhe përkthyer në 14 gjuhë të botës, si: anglisht, arabisht, bullgarisht, çekisht, frëngjisht, greqisht, gjermanisht, italisht, rusisht, rumanisht, serbo-kroatisht, spanjisht, kinezçe dhe, natyrisht, edhe në gjuhën shqipe.

*

Punonjës shkencor në Institutin e Studimeve dhe Kërkimeve Ushtarake të Ushtrisë

Mehmet Shehu: “Armët dhe armëtarët shqiptarë” e Riza Drishtit ngre lart prestigjin e popullit dhe të kombit shqiptar”. Thoma Delijana: “Riza Drishti, specialisti dhe studiuesi më i mirë i armëve në Shqipëri”.

Nga të dhënat arkivore, Instituti i Studimeve dhe Kërkimeve Ushtarake (ISKUSH) në Tiranë u krijua dhe funksionoi gjatë periudhës së regjimit të kaluar në Shqipëri, rreth viteve ’70 të gjysmës së dytë të shekullit XX dhe merrej me studime strategjike dhe ushtarake, përpunim doktrinash të mbrojtjes si dhe me kërkime në fushën e artit ushtarak popullor. Ishte një institut serioz dhe përmblidhte rreth vetes mendjet më të ditura të ushtrisë shqiptare. Riza Drishti natyrshëm ishte studiues dhe kërkues shkencor dhe e kishte vendin në këtë institut, ku punoi nga 6.1.1970 deri më 18.11.1970, pra vetëm për 10 muaj, si specialist dhe kërkues shkencor. Detyrën për të punuar në këtë institut ia komunikoi drejtori i Drejtorisë Politike pranë MMP-së, Hito Çako. Në atë kohë drejtor i Institutit të Studimeve dhe Kërkimeve Ushtarake ishte Sadik Bekteshi, i cili e caktoi të punonte në sektorin e Historisë së Artit Ushtarak, edhe pse Rizai kërkonte të thellonte studimin e armëve dhe të armëtarëve shqiptarë në shekuj. Ndërkohë kishte përfunduar librin “Armët dhe armëtarët shqiptarë”, edhe pas vërejtjeve të bëra nga recensentët që në vitin 1967 dhe nga Shtëpia Botuese “8 Nëntori”. Në 316 ditë pune në ISKUSH realizoi projekt-planin e studimit për “Historinë e artit ushtarak për Luftën Nacionalçlirimtare (1939–1945)”.

Në punën shkencore kishte edhe bashkëpunëtorë me vlerë si Elami Hado, Mina Mishaxhiu, me të cilin ishte shok shkolle që në Beograd, si dhe të tjerë si Thoma Xhixho, Vasil Kati, Skënder Begeja, Muharrem Kokomani, Xhavit Qesja etj.

Por për emrin Riza Drishti kishte kërkesa nga drejtori i Drejtorisë së Muzeve pranë Ministrisë së Arsimit dhe Kulturës, Kleanthi Dedi, i cili e shqetësonte vazhdimisht Sadik Bekteshin. Meqenëse kërkesa ishte imediate, e lejuan të aktivizohej përsëri pranë Ministrisë së Arsimit dhe Kulturës, duke e riemëruar në Shtëpinë Qendrore të Ushtrisë Popullore. Këtu Rizai pati mundësi të vijonte kërkimin shkencor më i pavarur dhe iu dha mundësia të lexonte edhe më shumë literaturë që i kushtohej Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, ndër të tjera edhe librat e autorëve anglezë si majori Xhulian Emeri “Bijtë e shqipes” dhe gjenerali Deivis “Aventurë iliriane”, por edhe autorë kubanë që kishin shkruar për luftën partizane si Che Guevara etj. Në Institutin e Studimeve dhe Kërkimeve Ushtarake, Rizai përgatiti një bibliografi për Historinë e Artit Ushtarak të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, si dhe disa broshura, të mbështetura edhe në të dhëna nga Enciklopedia Ushtarake Sovjetike. Ishte periudha kur kishte kaluar vështirësi nga zboret (fjalë që rrjedh nga gjuha ruse “сбор”-zbor, që përkthehet në shqip si: mbledhje, grumbullim, stërvitje, kamp stërvitor ushtarak etj).

Përvoja e fituar në ushtri dhe në kërkimin shkencor, edhe pse punoi vetëm dhjetë muaj në institut, e përgatiti për një punë edhe më të madhe dhe më cilësore në fushën e muzeumeve. Ai u bë pjesë e korifenjve të shkencës shqiptare dhe u përfshi në komisione me studiues të shquar si profesor Aleks Buda, Adem Sallaku, Kleanthi Dedi, Mantho Bala, Lumturi Përnaska, Besim Daja, Gani Strazimiri, Rrok Zojzi.

Në këtë periudhë pati rastin të takohej dhe të bashkëbisedonte me Mehmet Shehun, Beqir Ballukun, Hito Çakon, Petrit Dumen, Dilaver Poçin për çështje të ngritjes së muzeumeve kombëtare shqiptare. Riza Drishti u bë pjesë përbërëse e elitës së grupeve të punës për muzeumet, së bashku me Kleanthi Dedin, Gani Strazimirin, profesor Skënder Anamalin, Rrok Zojzin, Kristo Jotin, Miço Pepën. Seria e hapjes së muzeumeve kombëtare fillon me Muzeun Kombëtar të Armëve në Gjirokastër, ku Riza Drishti punoi gjatë dhe ishte pjesë e komisionit qeveritar. Më 29 nëntor 1971, në përurim morën pjesë Mehmet Shehu, Rrapo Dervishi, Nedin Hoxha, Thoma Delijana, Mantho Bala dhe shumë të tjerë.

Në Gjirokastër, Tiranë, Krujë dhe në të gjitha muzeumet e njësive dhe reparteve ishte dora, mendja dhe vizioni i Riza Drishtit. Nuk është e rastit që ministri i Arsimit dhe Kulturës, Thoma Delijana, para kryeministrit Mehmet Shehu e prezantonte si: “specialisti dhe studiuesi më i mirë i armëve në Shqipëri”. Ndërkohë, për një ndër librat më të mirë të tij, kryeministri shprehej: “Libri ‘Armët dhe armëtarët shqiptarë’ ngre lart prestigjin e popullit dhe të kombit shqiptar… jemi borxhli ndaj autorit, pasi vepra ka rëndësi kombëtare”. Libri u botua më 7 shtator 1976 nga Shtëpia Botuese “8 Nëntori” dhe mbetet i kërkuar edhe sot.

*

Produktiviteti i Drishtit në muzeume dhe “Rasti që favorizon mendjen e përgatitur”

Si përfundim, mund të themi se emrin dhe epokën nuk e zgjedhin njerëzit, por ata shkruajnë epokë për vlerat dhe mençurinë që tregojnë në jetën e tyre. Pikërisht një ndër njerëzit që shkroi, me thjeshtësinë dhe mençurinë e tij, një epokë të mbushur me djersë e punë të ndershme ishte Riza Drishti, një kontribues i apasionuar në sektorët e armatimit dhe të artilerisë shqiptare, por edhe një kontribues i spikatur në hartimin e mjaft punimeve me vlerë për historinë ushtarake, muzeumet dhe kërkimet shkencore, sipas interesit institucional të kohës.

Riza Drishti punoi shumë dhe nuk kërkoi kurrë çmime, vlerësime apo tituj. Puna dhe qasja e tij shkencore lidhen jo rastësisht me të diturin Riza Drishti, pasi Louis Pasteur thotë: “Rasti favorizon mendjen e përgatitur”. Dhe, në fakt, studiuesi Riza Drishti ishte një mendje realisht e përgatitur, një personalitet me cilësi të veçanta, këmbëngulës deri në fund për realizimin e shumë punimeve me vlerë, si në periudhën kur punoi në shërbim të Ushtrisë Popullore (sot FASH), ashtu edhe në periudhën kur u aktivizua në grupet e specialistëve për ngritjen dhe pajisjen me armë të muzeut të parë në Shqipëri kushtuar Luftës Nacionalçlirimtare Shqiptare (LANÇSH) në Tiranë, në vitin 1949; të Muzeut Kombëtar të Armëve në Kalanë e Gjirokastrës (përuruar më 29 nëntor 1971); të Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë, më 1981; si dhe të Muzeut Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Krujë, në vitin 1982.

Riza Drishti ishte një njeri dhe ushtarak me kulturë, tepër i komunikueshëm, argumentues dhe logjik, i përkushtuar dhe që mbajti mbi supe detyra të rëndësishme, duke e parë gjithmonë uniformën e blertë ushtarake jo thjesht si profesion, por si një mision. Disiplina, përgjegjësia dhe dashuria për vendin ishin pjesë e pandarë e qenies së tij. Ai ishte dhe mbeti, deri në frymën e fundit, një figurë e çmuar dhe e mençur në fushën e historisë ushtarake shqiptare, njohës dhe studiues i thellë i armëve dhe i traditës së armatimit shqiptar. Riza Drishti la pas një kontribut të vyer përmes shkrimeve, kumtesave dhe punës së tij në hartimin e fjalorëve terminologjikë ushtarakë. Një fushë tjetër, pak e njohur sot, është ajo që ai ishte bashkëpunëtor i shkëlqyer i teksteve të këngëve dhe mik me shumë kompozitorë shqiptarë, si Çesk Zadeja, Tonin Harapi, Pjetër Gaci, Avni Mula, Kozma Lara, Tahsin Oshafi etj.

Me një përkushtim të rrallë, ai kontribuoi gjithashtu në pasurimin e trashëgimisë sonë kulturore dhe historike, duke ndihmuar në pajisjen me armë të tre muzeve kombëtare dhe të 72 muzeve të reparteve të ushtrisë shqiptare, një vepër që mbetet dëshmi e dashurisë së tij për historinë dhe identitetin tonë kombëtar. Në çdo punë që realizoi, Riza Drishti la emrin e mirë, pasionin, përkushtimin, ndërgjegjen, ndershmërinë e një shtetari dinjitoz. Për gjithw punwn e bwrw, ai u “shpërblye” me lirim të parakohshëm nga ushtria.

Ai ishte dhe mbeti deri në frymën e fundit përfaqësues i denjë i vlerave të ushtarakëve shqiptarë në sektorë të veçantë. Nuk priste vlerësime apo dekorata nga “makineria e rëndë ushtarake” e kohës, nga Mbrojtja që gumëzhinte e deri te Kultura, Monumentet dhe muzeumet që bënin punë të heshtur e të padukshme, por me shumë vlerë për vendin.

Ajo që krijuan dhe lanë trashëgimi Riza Drishti dhe armata e artistëve të kulturës dhe muzeumeve është sot visari më i mirë që paraqet Shqipërinë në sytë e vetes dhe sidomos të turistëve që vijnë nga e gjithë bota. Përjetësi për ushtarakun, kërkuesin shkencor dhe muzeologun Riza Drishti, vlerë e kulturës shqiptare.

*

Burimet e studimit: Të dhëna nga arkivi familjar; Kujtimet e një ushtaraku, historian i Artit Ushtarak Shqiptar, Tiranë, 2026 (realizuar me rastin e 100-vjetorit të lindjes në bashkëpunim me Muzeun e Forcave të Armatosura); Riza Tafil Drishti, Kujtimet e një ushtaraku (shënime autobiografike, vëllimi I), Tiranë, 1994–16.4.1997; Riza Drishti, Armët e kryengritësve shqiptarë 1909–1912, Tiranë, 2002; Dr. Shk. Riza Drishti, Armëtari dhe konstruktori Jakup Haxhi Isuf Dibra (1878–Shkodër–1952); Riza Drishti, Armët dhe armëtarët shqiptarë, Tiranë; Riza Drishti, Armët dhe armëtarët shqiptarë në muzetë e Shqipërisë, Tiranë; Riza Drishti, Nga vendroja e ushtarit (përmbledhje me këngë dhe marshime ushtarake), botim i Drejtorisë Politike të Ushtrisë Popullore, Tiranë, 1971; Riza Drishti, “Armëtarët”, në Fjalori Enciklopedik Shqiptar, Tiranë: Akademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë, 1985; Riza Drishti, Armët dhe armëtarët shqiptarë në muzetë e Shqipërisë, Tiranë, 2018; Riza Drishti, Armët dhe armëtarët shqiptarë, Tiranë: Shtëpia Botuese “8 Nëntori”, 1976; Riza Drishti, “Muzeumi, vatër e flaktë edukimi”, Tiranë, 1973.