Albspirit

Media/News/Publishing

Ismet Hajrullahu: Një gomar për Parlament

Në Kosovë, zhgënjimi politik ka arritur kulmin. Opozita është e konsumuar, e shteruar, e shndërruar në një trup pa frymë që nuk arrin të artikulojë as një alternativë të besueshme. Deputetët, të ngulitur në karriget e tyre, duken sikur nuk kanë më asnjë lidhje me hallet e qytetarit. Ata janë kthyer në pjesë të një rutine të pakuptimtë, ku fjalët nuk kanë më peshë e as vlerë dhe veprimet nuk sjellin më asnjë ndryshim. Populli, i rraskapitur nga premtimet e pambajtura, e sheh Kuvendin si një arenë gladiatorësh ku më së paku flitet për hallet e popullit, por vetëm zëra të kota e xhepat plot. Ndërsa populli mbetet me gishta në gojë.
Në këtë realitet të zymtë, metafora e gomarit merr kuptim të veçantë. Gomari, një kafshë e thjeshtë, por e durueshme dhe e mençur në mënyrën e vet, do të ishte më i dobishëm për Kuvendin sesa një deputet i konsumuar. Gomari së paku nuk është i korruptuar, dhe nuk ka ambicie për pushtet. Deputeti, përkundrazi, është ngulitur në karrigen e tij si një figurë që nuk lëviz, që nuk dëgjon dhe që nuk kupton. Dhe kështu, Kuvendi shndërrohet në një vend ku budallenjtë bëjnë ligje, ndërsa qytetari mbetet i zhytur deri në palcë për shkak të pasojave të “gomarejve”.
Ky zhgënjim i qytetarit nuk është thjesht një ndjenjë kalimtare por është kthyer pjesë e përditshmërisë, një dhimbje që shkon deri në “veshët e Zotit”. Por Zoti nuk zbret në Kuvend dhe deputetët nuk ngrihen nga karriget e tyre. Ata janë kthyer si një mumje ku ndryshimi duket i pamundur. Dhe për më keq, opozita luan lojën e “budallait”, shoqëria civile perceptohet si e korruptuar, dhe populli mbetet i vetëm, i zhgënjyer, i braktisur.
Në këtë gjendje, pyetja e milionëshe është: a ka shpresë? Historia ka treguar se kur sistemi duket i mbyllur, shpesh lind diçka e re, një figurë, një lëvizje, një shpërthim i pakënaqësisë. Por sot, në Kosovë, duket sikur edhe kjo shpresë është e zbehur. Populli nuk beson më te politikanët, nuk beson te opozita, nuk beson te shoqëria civile. Dhe kur besimi humbet, mbetet vetëm ironia: më mirë një gomar në parlament, sesa një deputet që nuk zbret nga “gomarica”.
Ky është portreti i një Kuvendi të shndërruar në karikaturë, ku budallenjtë bëjnë ligje dhe populli “duartroket”. Një realitet i hidhur, por i vërtetë, që e kthen zhgënjimin në zemërim, dhe zemërimin në një metaforë të fortë: gomari si simbol i “mençurisë”, deputeti si simbol i budallallëkut. Politika kosovare mbetet e ngujuar në një karrige, duke pritur një ndryshim që ende nuk duket mjerisht ase në horizont.