Kastriot Kotoni: Diasporë unë të dua se më duhesh
I zgërlaqur në zakonin tim monoton të zapingut me telekomandën e televizorit, më tërhoqi Samiti për diasporën në Shqipëri. Mua më pëlqen çdo gjë e mençur dhe e mirë që bën çdo shqiptar për të mirën e Shqipërisë dhe kombit shqiptar, ndaj i kam përkrahur inisiativa të tilla për t’u parë me njëri tjetrin, për të qenë më pranë kujtdo që në mendje dhe në zemër i cili ka hallet dhe dertet e vendit. Kur një ditë të jemi forcuar si shtet e si komb të mos jemi kaq mosmirnjohës ndaj asaj pjese të popullsisë u bë apo është bërë ose do të bëhet dikushi në dhe të huaj, por kurrë nuk e ka mohuar atdheun e të parëve. Mall është sinonimi i çdo verbi apo logosi në shpirtin e tyre.
Kjo simbiozë e vetëdijes sonë ka hedhur rrënjë përpara se të lindëte kënga “Moj e bukura More”, “Sa kemi mall o moj e bukura Arbëri” qysh kur emigruam përpara pushtimit otoman arbërorët. Diaspora jonë ka shpikur me talentin e saj kombe pa histori, ajo ka bashkuar Italinë duke i dhënë mëndje dhe ide Garibaldit, e ka shkëlqyer si kurrë ndonjëherë në Stamboll, Greqi, Rumani, Bullgari, Iran, Palestinë, Izrael, Amerikë, Francë, Gjermani, Serbi e Kroaci, Kanada por edhe në Britani, Rusi e kudo.
Ne jemi një dashuri me kushte, sa herë kemi një histori dashurie apo urrejtje ndaj vetvetes. Vallë a mund të ishte ndryshe? Ec u thuaj historianëve e kulturologëve tanë, por të huajt që na kanë dashur pa paragjykime dhe interes, na e kanë thënë troç që të duash një vend si Shqipëria nuk është çudi, por që ta njohësh atë popull është sakrificë përtej dashurisë: ata shqiptarët tragjikët e Ballkanit janë në fakt yjnorët e Europës, diamantët e saj. Kur kjo ditë e madhe ka mbërritur që tashmë pa ngjyra politike, pa dallime krahinore dhe pa hilenë e statusit social mblidhen bijtë e shqipes nuk është pak! Janë mbledhur në shumë takime shqiptarët, por gjithmonë të ndarë, sepse diku ishte ekonomia që i ndante, diku ishte largësia dhe diku ishte më e keqja dhe më e papranueshmja “Lufta e ftohtë”. Por edhe në ato kushte, ata janë mbledhur për heroin tonë kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeun prijësin dhe figura jonë përbashkuese pa dallim.
Kombi shqiptar ka kaluar sfida të paimagjinueshme për kombe dhe popuj të tjerë, ndaj edhe ky Samit është pjesë e ndërgjegjes dhe vitalitetit të tij të jashtëzakonshëm. Ngritja jonë shpirtërore si komb, ka nevojë urgjente edhe për ngritjen tonë në çdo fushë të jetës dhe arritjeve më të fundit nga kombet e tjerë me të cilët jemi në konkurencë për përparim. Djemtë dhe vajzat që vijnë nga diaspora janë jehona e dhimbjes, krenarisë dhe shpresës sonë kombëtare. Kombi ju pret krahëhapur ku jeni ju modele suksesi, por njëkohlsisht duhet ta sillni atë model këtu në shqiptarinë tonë jo vetëm mendlrisht.
Arsyeja jonë për t’u mbledhur së bashku është më e madhe, më sublime o sot o kurrë, sepse diaspora jonë ka identitet kombëtar tejet të veçantë krahasuar me diasporat e vendeve të tjera. Jemi përballë sfidave ku lobingjet e metodat e vjetra që kanë përdorur diaspora të tjera janë modele të tejkaluara (demode).
Shkencëtarë dhe njerëz të fushave të artit e sportit, duhet të jenë përparësia e Samititt tonë, për t’u ndjerë jo vetëm të vlerësuar moralisht, por edhe materialisht. Të krijohet fondi i diasporës në mënyrë që të jemi më pranë saj dhe të më të vëmendshëm për arritjet e bijve dhe bijave të diasporës të cilët spikasin kudo nëpër botë.
Krijoni një mini “Shqipëri” për këta njerëz të shquar të kombit shqiptar, që të relaksohen, si në fushë det e në mal, për t’u shmallur me kombin amë. Krijoni lehtësira për biznesin e diasporës në mënyrë që të investojnë në atdhe. “PUSHTOJINI”, kryeqytetet e botës me qendra kulturore, ku të mblidhet diaspora. “Lopa e remitancave” që milej pa reshtur nga ministrat e financave në Shqipëri dhe majmte bankat e huaja, nuk do të zgjaste për shekuj, duhet edhe për këtë fakt të kishim një bankë shqiptare, në mënyrë që të mbronim veten nga inflacioni dhe të fuqizonim diasporën ekonomikisht, duke e futur me aksione ose në përqindje si biznesmenë strategjik.
Bijtë e bijat e këtij vendi e dinë më mirë se kushdo se ku i pikon çatia Shqipërisë! Korrupsioni nuk është ushqim i veçantë vetëm për shqiptarët, ai luftohet me frymën e konceptit e të bërit shtet jo vetëm me ligje, por edhe me njerëz që kanë ideale dhe dëshirojnë që kombi të përparojë. Dashuria për të ndërruar ca shqiptarë me ca popujt të tjerë me pahir në emër të ekonomisë dhe politikës së ditës nuk ka e nuk dihet të ketë! Mitrush Kuteli pati shkruar: “Atdheun duhet ta duash edhe kur ai të rreh”. Vendit i duhet çdo shqiptar i varfër apo i pasur jashtë apo brenda kufijve natyror.