Albspirit

Media/News/Publishing

Ruzhdi Gole: TËRTHORE-TËRTHORE


(poe-prozë)

Mbrëmja vajzërore endet,
shpupuritet ndër
gishtat hark,

tingujve plot th’llanza
gurgullon botëve
pa cak.

Vajzë grunjare, grua
me drapinj afshi
gishta ujërash.

Fajpafaj vet i rrxova
kërcinjtë e saj.
të ylbertë,

rr’xime të purpurta
në tjetër shtat
dinak dreq…

Jeta ia ngroh flatrat gruas…
ajo i përhap gjer tek qiejt.

*

Jetë jete ne… t’epërm’…
drita merakosej mos
t’i treteshin
sytë

trishtohej në t’errët.

Deti këndellej rrënjë e shpirt,
bota e qiejve ndonjëherë
vyshkej prej
qirinjve

prej yjeve më pak romantikë.

Gjithçka jetuam prej dashurie
grurë ëndrre jo cikmë verbër,
kthjelloheshin gjiret…
begatonin dhe
brengën.

Nga kjo brengosje asnjëherë e begatë
dashuruam ujvarën dhe terrën,
ciklonin e morëm vrap.

*

Hiçmo, ne pikël – pikël jetojmë
ndonjë ditë, plot mpak vrerët,

fenerët e gjinjve
t’atyre që sot
dashurojnë

dihasin tek të gjithë fenerët.

Mbrëmja vajzërore endet,
nata grua çmendet…

Ngjallet plot farëra nata,
hov dalldive, drobitjeve
mbi tehe, prangeza.

E njomë e rrudhët, më e freskët,
gjiret begatojnë
dhe brengën.

E uruara na ra fatit… Pash motin!
Na merren mendtë
ende dhe sotmit?

Me shenja e me nishane
me ngjarje e rrëfenja
caku na vuri kufi
cikmat, cermat.

Puqemi tani dhembshurisht.

Vajzërore mbrëmja endet,
nata tërthore – tërthore
mpreh drapinjtë
korr vranësirat
e epërme.

Si ngjallen sërish çdo bote hov:
mbrëmja me farëra endjesh,
Jeta çuditërisht belhollë?