Albspirit

Media/News/Publishing

Mevlan Shanaj: Ishte shkurt, kur ka ikur Naim Frashëri!

 

Nga viti 1959-1963 ishin vitet e adoleshencës që më kishte rrëmbyer Teatri Popullor me shfaqjet e përnatshme. Më kujtohen “Dragoi i Dragobisë”, “Halili dhe Hajria”, “Mbi tufan”, “Mbi gërmadha”, “Xhaxha Vanja”, “Othello”, “Votra e huaj”, “Majlinda”, “Toka jonë” “Revizori”, “Karnavalet e Korçës”, “Intrigë e dashuri”, “Rrëshqitja” dhe mbi të gjitha “Orët e Kremlinit” me qershinë mbi torte “Hamleti”, vepra që ende më shfaqen apo rikujtohen si Ezopi apo Arturo Ui! Këto tri të fundit në kujetësën time mbeten ndoshta veprat më të arritura në teatrin shqiptar!

Me Hamletin fillon në mendjen time madhështia e interpretimit. Naim Frashëri ishte në kulmin e tij. Me imazhin sugjestionues, zërin melodioz, trup atleti me plastikë të përsosur! Nuk besoj se mund të gjendet një i dytë me këto të dhëna natyrore si ai. Kishte fituar “fronin” e lavdisë! Artist i Popullit, Hero i Punës Socialiste! Këto impresione nuk i kisha vetëm unë!

Unë e ndjeva pranë më 1965 kur konkurova për aktor! Ne e adhironim në skenë mundoheshim ta imitonim, në ndonjë shpërthim të tijin, kishte temperamentin më ekspresiv të botës shqiptare! Sipas pëshpëritjeve nën zë rivaliteti i sukseseve bëhej me Kadri Roshin (këto komente ishin mes ne studentëve). Në kujtimet personale ndodhi që në mbrojtjen e diplomës “Pushkët e nënës Karrar” ta kishim pedagog i cili u përkushtua deri sa na nxori në skenë! I rreptë dhe me pasion! Një ëndërr dhe kënaqësi të ishe atudent i Naim Frashërit! Unë kisha rolin e heroit, rolin kryesor (e kishim disa të njëjtin rol) në kohët e fundit më erdhi një ftesë nga Kinostudio për kinoprova në “I teti në bronx”. Po kalonim një provë në skenë. Naim Frashëri vuri re një kalim timin sipas tij një provë më të qetë më kinematografike. U rrëmbye u ngjit në skenë dhe diçka demonstroi, “ja kështu duhet, më tha, jemi në teatër jo në film”! Ne kishim krijuar marrëdhenie të ngrohta dhe në përfundim më vuri notën maksimale! Unë u ndjeva dy herë krenar, nuk ishte e zakonshme të kishe vëmendjen e Naim Frashërit! Pasi kishim mbaruar u takuam një ditë rastësisht dhe unë siç je në atë moshë i them: Profesor, njerëzit komentojnë që nuk je më në kinema si te roli i Palit, te Skënderbeu! Ai ndali dhe më tha:

– Nuk e kupton?

– Jo, i them.

– Po është shumë e vërtet se te Pali isha i ri, nuk kisha këtë ekspeerincë, sot jam Artisti i Popullit, sigurisht kam tërë këtë bagazh, po kjo mangësi duhet kërkuar te regjisura jo te aftësia ime. Në atë film kisha regjisor! Po ty ku të kanë emëruar?

– Në Televizion, i them.

– Si more do vesh të punosh me mrokulla ti! Eja me mua, të shkojmë te shoku Fadil (Fadil Paçrami ishte sekretar i propagandës në komitetin e partisë së Tiranës) ti je artist për në skenë, skena është vendi yt.

U nisëm aty ku është selia e Partië Socialiste sot. Unë prita jashtë. Kur doli bëri një gjest si përrc me gojë. Nuk bëra gjë. Më tha shoku Fadil, mos më ngatërro me Thanas Nano, e ka kërkuar ai!

Më vonë kisha filluar dokumentarë në TVSH dhe me një grup artistësh në një ditë shkurti u nisëm në Tale të Lezhës për peshkim. U çudita tëra ata emra të famshëm u përveshën dhe u futën në llucë ende pa zbardhur të nxirrnin krimba për peshkim! U thashë, më çuditët me këtë gjest! Përgjigja ishte: Nuk vuan nga nervat! Isha së bashku me Stefan Gajo, xhironim me film 16 mm, duhet të ketë qenë fillimi i viteve ‘70 pasi më 1975, në moshën 52 vjeçare gjigandi i artit shqiptar iku. (Tani u kujtova se edhe poeti kombëtar Naim Frashëri ka ikur shumë i ri 54 vjeç)!

Peng që nuk arrita ta kem atë dokumentar me emrat e mëdhenj që ishin atë ditë. Naim Frashëri, Kadri Roshi, Pirro Mani, Prokop Mima, Mentor Xhemali, Hysen Pelingu!

Ishte shkurt, kur ka ikur Naim Frashëri.

Please follow and like us: