Albspirit

Media/News/Publishing

Nurie Emrullai: Vegim perëndimi

 

Dielli tërheq këmbët zvarrë pas perdes së kadifenjtë,

si aktori i dashuruar pas jetës,

që çdo natë e plagosin mu në zemër…

Kështu e zvarrisin duke lënë vraga gjaku nëpër qiell…

Hëna zhbërjen e tij në pah e vë…

Kur ajo mbushet e plotë ‒ zjarr

në gjakun e tij ajo pi,

atëherë ujqërit zgjohen e ulërijnë mbi mal.

Por, njerëz si ne ka plot,

që fundi i shfaqjes nuk i ngushëllon,

ndaj dëgjojmë se si një biçikletë e humbur

rënkon teksa malin ngjit përpjetë,

se si fëmijët zënë pilivesa në krua,

se si gjarpëri dikur bëhet lak i rritjes së tyre.

Terri me kamë i kanoset qiellit,

por çdo gjë mban anën e diellit,

drunjtë shumëfishojnë hijen e drunjëve të prerë

shtëpitë zmadhojnë katet ku dikur rronin njerëz,

lulet ulin kryet ndonëse trupin e kanë të këputur,

bari kërrus shtatin, rënduar nga vesa që fillon e del…

Njerëzit fillojnë pëshpërisin në shtëpitë e tyre,

sikur dikush po i përgjon.

‒ Nata ka veshë ‒ thonë ata…

Valëzohet jeta si hije që dridhet në prani të erës…

Valë⁓zohet, valë⁓zohet,

qielli bëhet det

dhe deti nxjerrë në breg,

ata që qiellin momentin e fundit shikuan,

qielli dhe deti peshkojnë nga njëri‒tjetri.

njëri ruan vërtetësinë,

e tjetri na bën gati për jetë…

‒ Shtt!

Të dëgjojmë ulërimin e diellit teksa zvarritet nëpër qiell.

Please follow and like us: