Artur Spanjolli: Ku je, pash at Zot, ku je?
Ku je, pash at Zot, ku je? Larg, kilometra
s të gjej dot, s’të kap, më s’të prek, më mirë,
të të kërkoj brenda vetvetes, t’i hap raftet e rëndë
të kujtesës, librin tënd ta shfletoj me tërë kujtimet,
si një raft rrobash, ta marr shallin tënd që ende aromën
e djersës tënde prej të moshuare bart, ta nuhas fort.
Tani ti je gjendje shpirtërore, je mungesa që
peshon në ndërgjegje, vrrjagë në asht, kur të kisha s’të kërkoja sa duhet,
kur s’të kam më dot s’të gjej, vallë nëpër mungesa
përtërihemi më fuqishëm, si një ulërimë e krisur
nevoje e kahershme? Ku je pash Zotin ku je?
Zëri yt i tingullt dhe i hollë si fill uji i freskët
çdo fjalë e jotja bekim ishte dhe kur fort e shtrëngoja
atë trup plot rrasht dhe lëkurë, ruheshe çuditshëm,
s’doje më të më shtrëngoje ndoshta? Apo vetmia
disi të kishte larguar nga unë?
Dyshim i përzishëm i çdo fëmije plangprishës?!
Kërrcisnin kockat fort, kisha frikë
se shkërrmoqeshe si trëndafil i tharë krejt
dhe sytë e përhimtë plot lëng trishtimi, heshtja
që zotëronte tek rrufisje kafenë.
Ku je, ku je? S’e di për besë.
Me ty iku edhe shtëpia ku flija, shtrati i butë
prehri yt ishte jastiku ku vija kokën, fare butë. Mund të
kem shumë gjëra në jetë, por miratimin tënd më kurrë
s’do ta kem. Ja kështu vdesim pak nga pak, në fillim
gjymtyrët, pastaj flokët, pastaj zëri, i tjetërkujt, pastaj aroma
pastaj fjalët, deri sa sytë, pak nga pak të fiken krejt
si i qiririt të trishtë flaka në muzg të jetës,
që nga fllad i lehtë tmerrshëm kërcënohet,
një jetë është shuar, asgjë më shumë
ndaj kozmosit as që i bëhet fare vonë.