Respublica: Të tre në çadër
Ilir Meta i është lëshuar një loje politike që i ngjan kumarit ku me një dorë vendos nëse rrënohesh ose fiton shumë. Në këtë lojë ku ai po arrikulon i vetëm tashmë potencialin për destabilizim, Meta jo pa qëllim po investon edhe profilin e Presidentit të Shqipërisë, ndonëse është ende i zgjedhur dhe jo i betuar. Paralajmërimi i tij i djeshëm për armatosje të popullsisë, nuk mund të lexohet në asnjë sens normal, përveç se si mesazh kërcënimin për kryeministrin. Ilir Meta si president është komandant i Forcave të Armatosura dhe nëse deklaron armatosje të popullit po na thotë se do ndjekë rrugën e Sali Berishës në vitin 1997. Është jo pa rëndësi që ai zgjodhi një qytet në Veri për ta lëshuar një mesazh të tillë.
Patjetër që nesër, nëse llogaritë do t’i dalin mirë, Meta president do ketë gjetur një batutë nga ato të vetat për të kaluar lumin dhe për të nisur avazin e moralizimeve. Deri më tani LSI-ja ka pretenduar se është forcë e stabilitetit, por sapo na ka prodhuar një president të paduruar dhe paragjykues për procesin. Në analogji Meta po ia kalon edhe Edi Ramës, i cili në vitin 2009, kur humbi zgjedhjet, nuk konsumoi rrugën e gjykatës për ankimim, por u lëshua në protesta ultimative me devizën “Hap kutitë ose largohu”. Asokohe deputetët socialistë qëndruan 5 muaj e 29 ditë jashtë parlamentit, duke kërcënuar se do të digjnin mandatet. Siç dihet asgjë nuk ndodhi, por në finale, opozita u tërhoq zvarrë në një grevë urie me një kauzë zgjedhjesh si kapital.
Meta po na thotë se përton të ndjekë edhe këto hallka, ai mendon se është më mirë të hapë depot. Në fakt ky qëndrim iracional ngjan të jetë teatër dhe se Meta që ndjen se objektivi për të dalë I pari në zgjedhje, si i vetmi rezultat që e shpëton në mes të dyve, është i pamundur dhe ndaj po luan diversionin. Ai ka goditur qëllimisht institucionin e presidentit me profilin e vet si politikan terreni, për të krijuar kushtet dhe termat e shkarkimit. Në eventualitetin e parregullsive në zgjedhje, mund të supozojmë se ngritja e zërit mund ta bëjë realisht të papranueshëm Metën si kryetar shteti dhe të çojë në shkarkim. Por në atë moment zotëria në fjalë do ketë kapitalin e kauzës së zgjedhjeve, në të cilën nuk është çudi të bashkohet edhe PD-ja nëse rezultati i saj është i ulët. Aktualisht Lulzim Basha i sapokthyer nga ShBA ngjan të ketë një kartë nën mëngë, ose po luan në një mënyrë të tillë duke krijuar distancë disi me kryeministrin me të clin bëri një pakt bashkëqeverisjeje.
Situata është e paqëndrueshme, e paparashikueshme dhe ajo mu për këtë arsye krijon pasiguri më shumë te pushteti i socialistëve parë nga perspektiva e objektivave të saj. Le të pranojmë se ndonëse fushata është e mirë, disa qëndrime të kryeministrit do të shënohen në raportin e OSBE-ODIHR; t’i bësh thirrje policisë të mbledhë vota është pak a shumë si të thuash unë do armatos popullin, por në krahun tjetër. Ky ballafaqim është jo pa rreziqe dhe tashmë LSI-ja e ka arritur një gjysmë objektivi kur ka rritur tensionin dhe ka shtruar çështjen e standardeve të zgjedhjeve. Në zgjedhje me standarde të shkelura është e vështirë të imagjinohet një koalicion PS-PD pasi kështu kjo e fundit do të humbiste atributet e një opozite serioze dhe të besueshme, do të konvertohej në një shtojcë elektorale të PS së që ka më shumë shanse të ketë avantazh ndaj saj. Koalicioni mund të pranohet vetëm si kalimtar dhe nën diktatin e matematikës parlamentare. Çdo llogari tjetër, që do të përmbyste pa arsye të qartë këtë që dëgjojmë të na thuhet sot, do të ishte artificiale dhe do deligjitimonte vetë produktin elektoral. P. sh., sot PS-ja po bën fushatë mbi tezën se u pengua nga LSI-ja për të bërë disa gjëra, ndaj këkon timonin e vetme për një mandat katër vjeçar. Por a ka garanci sot që nëse PS-ja i merr mandatet që i duhen nuk hyn në një koalicion nesër pa pyetur për atë që thotë sot? Si do të justifikohej kjo?
Nëse Meta dhe Basha kanë njëfarësoj pasiguri të mbijetesës politike, Edi Rama ka pasigurinë e termave me të cilat do të dalë nga zgjedhjet. Ai ka deklaruar se largohet nga politika nëse PS-ja nuk del forcë e parë, por kundërshtarët e tij kërkojnë më pak se kaq: ai të mos jetë më kryeministër. Ilir Meta nuk është Bujar Nishani, as Bamir Topi: mund të imagjinojmë iniciativa të presidentit nesër që e vënë në situatë lufte me qeverinë, pa harruar këtu dublimin e plotë në politikën e jashtme. Për këtë arsye Meta në presidencë është dhimbje koke. Nuk mund të përjashtohet që “kritika” e Pandeli Majkos ndaj Ramës për thirrjen e tij për policinë dhe ndjesa e këtij të fundit, të jetë një teatër i radhës për të presidencializuar si kandidat Majkon. I cili dje doli edhe me një opinion të vetin, shpërndarë në mediat pranë qeverisë, përmes të cilit bënte kritika “të arsyeshme” për “bombat e Metës”. Është e njohur se atë nuk e merr kush seriozisht, as Meta dhe as Rama, por në këtë rast kemi të bëjmë me një politikan që ka qëndruar gjatë në radhë(aftësi më vete kjo), çuditërisht ka ditur të heshtë, kur njihet për gjithfarë deklaratash dhe në fund ka treguar se Ramës nuk i prish punë.
Fushata duhet përshëndetur, por përdorimi i një gjuhe të caktuar, kujdesi për çdo zonë dhe hollësi, dëshmon se të gjitha palët kanë pasiguri nga perspektiva e llogarive të tyre dhe kjo pasiguri çon në sjelljen prej çadristi ku mund të thuash çdo gjë dhe paralajmërosh pa fund. Mjafton që kërcënimi të temperojë atë ekuilibër që do ta zgjidhë vota, por edhe miqtë e huaj.