Albspirit

Media/News/Publishing

Vendimi i plotë i KPK, si u shkarkua gjyqtari Fatmir Hoxha për pasurinë?

“Trupa gjykuese e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, me shumicë votash konkludon që për deklarim të pamjaftueshëm për kriterin e kontrollit të pasurisë, subjektit të rivlerësimit, z. Fatmir Hoxha, gjyqtar pranë 15 Gjykatës Kushtetuese, t’i jepet masa disiplinore e shkarkimit nga detyra”.

 

KOMISIONI I PAVARUR I KUALIFIKIMIT

Nr. 4 Akti Nr. 18 Vendimi

Tiranë, më 10.05.2018

V E N D I M

Trupa gjykuese nr. 3 e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, e përbërë nga: Xhensila Pine Kryesuese, Valbona Sanxhaktari Anëtare dhe Alma Faskaj Relatore, në prani tё vёzhguesit ndёrkombёtar, Z. John Leonardo, asistuar nga sekretare gjyqësore, Znj. Ina Serjanaj, më datë 07.05.2018, ora 11.00 dhe më datë 10.05.2018, ora 13.00, në Pallatin e Koncerteve, kati i dytë, zhvilloi seancën për shpalljen e vendimit mbi çështjen që i përket:

SUBJEKTIT TË RIVLERËSIMIT: Z. Fatmir Hoxha, gjyqtar pranë Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar në seancë dëgjimore nga avokati Z. Julian Mërtiri, me nr. Licence 3341, i pajisur me prokurë të posaçme nr. 357 rep., nr. 199 kol., date 04.05.2018.

OBJEKTI : Rivlerësimi kalimtar i subjektit të rivlerësimit

BAZA LIGJORE : Neni 179/b dhe nenet A, Ç, D, DH, E dhe Ë të Aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, miratuar me ligjin nr. 76/2016, date 22.7.2016 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8417, datë 21.10.1998 “Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë”, e ndryshuar; Ligji nr. 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”; Ligji nr. 44/2015 “Kodi i Procedurave Administrative të Republikës së Shqipërisë”; Ligji nr. 49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”, I ndryshuar.

TRUPA GJYKUESE E KOMISIONIT TË PAVARUR TË KUALIFIKIMIT,

pasi dëgjoi arsyetimin ligjor dhe rekomandimin e relatores së çështjes, Znj. Alma Faskaj, mori në shqyrtim dhe analizoi provat shkresore të paraqitura nga subjekti i rivlerësimit dhe përfaqësuesi i tij në seancë dëgjimore, avokat Z. Julian Mërtiri, për të provuar të kundërtën e rezultateve të hetimit kryesisht, si dhe shqyrtoi e analizoi çështjen në tërësi, si më poshtë vijon:

VËREN: RRETHANAT E ÇËSHTJES

  1. Fatmir Hoxha, është subjekt i rivlerësimit për shkak të funksionit të tij si gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese. Neni 179/b i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, të ligjit nr. 76/2016, date 22.7.2016 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8417, datë 21.10.1998 “Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar” dhe ligji nr. 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” (kёtu e mё poshtё referuar si “Ligji nr. 84/2016 përcakton se: “Të gjithë gjyqtarët, duke përfshirë gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë; të gjithë prokurorët, duke përfshirë Prokurorin e Përgjithshëm, Kryeinspektorin dhe inspektorët e tjerë pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë, i nënshtrohen rivlerësimit ex officio”.

Bazuar në nenin 14, pika 2 të ligjit nr. 84/2016 dhe në Rregulloren “Për procedurat e zhvillimit të shortit”, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (këtu e në vijim, referuar si Komisioni), ka hedhur shortin në datë 06.11.2017, nga i cili rezultoi se subjekti i rivlerësimit, i është nënshtruar procesit të rivlerësimit me përparësi, nga trupa gjykuese nr. 3. Menjëherë pas hedhjes së shortit, u administruan raportet e vlerësimit të hartuara nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave (kёtu e mё poshtё referuar si “ILDKPKI”), sipas neneve 30 – 33 tё ligjit nr. 84/2016; Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (kёtu e mё poshtё referuar si “DSIK”), sipas neneve 34 – 39 tё ligjit nr. 84/2016; dhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë (kёtu e mё poshtё referuar si “KLD”) , sipas neneve 40 – 44 tё ligjit nr. 84/2016.

Me vendimin nr. 01, të trupës gjykuese nr. 3, datë 30.11.2017, pas studimit të raporteve të sipërpërmendura të vlerësimit, të hartuara nga institucionet shtetërore, vendosi të fillojë hetimin administrativ të thellë dhe të gjithanshëm sipas nenit 45 tё ligjit nr. 84/2016, si dhe të caktojë me mirëkuptim si kryesuese të trupës, për këtë subjekt rivlerësimi, Znj. Xhensila Pine. Të gjithë anëtarët deklaruan mosqënien në kushtet e konfliktit të interesit. Më datë 19.03.2018, trupa gjykuese, me anë të vendimit nr. 03 vendosi: (i) të përfundojë hetimin paraprak kryesisht për subjektin e rivlerësimit, Z. Fatmir Hoxha, bazuar në relatimin mbi rezultatet e hetimit të paraqitur nga relatori i çështjes; (ii) të njoftojë subjektin e rivlerësimit se i ka kaluar barra e provës mbi rezultatet e hetimit, në bazë të nenit 52 të ligjit nr. 84/2016; (iii) të njoftojë subjektin e rivlerësimit për t’u njohur me provat e administruara nga Komisioni, në përputhje me nenin 47 të ligjit nr. 84/2016, neneve 45-47 dhe 35-40 të Kodit të Procedurave Administrative; (iv) të njoftojë subjektin e rivlerësimit mbi të drejtat që gëzon nga ligji në lidhje me deklarimin e konfliktit të interesit, të drejtën për të kërkuar marrjen e provave të tjera ose thirrjen e dëshmitarit, si edhe afatin brenda të cilit mund t’i ushtrojë këto të drejta.

Më datë 20.03.2018, me anë të postës elektronike, trupa gjykuese njoftoi subjektin e rivlerësimit mbi: (i) rezultatet e hetimit kryesisht; (ii) kalimin e barrës së provës sipas nenit 52 të ligjit nr. 84/2016 dhe të drejtën e subjektit që të sjellë prova pёr tё provuar tё kundёrtёn, nëse disponon, brenda 15 ditëve nga marrja e njoftimit me e-mail; (iii) njohjen me provat e administruara nga Komisioni, në përputhje me nenin 47 të ligjit nr. 84/2016, neneve 45-47 dhe 35-40 të Kodit të Procedurave Administrative, duke paraqitur kërkesë për njohje me dosjen brenda 15 ditëve nga marrja e njoftimit me e-mail; (iv) përbërjen e trupës gjykuese. Në datat 4, 10, 11, 20 dhe 26 prill 2018, subjekti i rivlerësimit, me anë të postës elektronike, dërgoi shpjegimet e tij së bashku me dokumentacion, të cilat u administruan nga trupa gjykuese.

Më datë 05.04.2018, trupa gjykuese, me anë të vendimit nr. 04, vendosi:

– Të pranojë në përputhje me nenin 49 pika 6 germa “a” të ligjit 84/2016, kërkesën e subjektit për marrjen e dëshmisë së një përfaqësuesi të Bankës Kombëtare Tregtare, të Z.V. N., administrator i shoqërisë “***” sh.p.k. dhe të Z.A. Z.

– Të refuzojë në përputhje me nenin 49 pika 6 germa” a” të ligjit 84/2016, kërkesën e subjektit të rivlerësimit për të depozituar në seancë dëgjimore një kopje të filmimit të dasmës së tij. Më datë 19.04.2018, trupa gjykuese, mori dëshmitë e Z. A. Z., përfaqësuesve të BKT-së Z. A. S. dhe Z. I. J., si dhe përfaqësueses së shoqërise “***” sh.p.k., avokate Znj. M. P. Më datë 30.04.2018, në përputhje me nenin 55 tё ligjit nr. 84/2016 , trupa gjykuese, me anë të vendimit nr. 05, vendosi të ftojë subjektin e rivlerësimit, Z. Fatmir Hoxha, dhe ta njoftojë me anë të postës elektronike, se seanca dëgjimore do të zhvillohet më datë 07.05.2018, ora 11:00 paradite, te Pallati i Koncerteve, kati i 2-të, Tiranë. Më datë 07.05.2018, u zhvillua seanca dëgjimore, në të cilën subjekti i rivlerësimit nuk ishte prezent, por u përfaqësua nga avokati Z. Julian Mërtiri, me licencë nr. 3341, i pajisur me prokurë të posaçme nr. 357 rep., dhe nr. 199 kol., datë 04.05.2018. Në përputhje me pikën 2 të nenit 4 të ligjit nr. 84/2016, në bazë të të cilit: “Komisioni dhe Kolegji i Apelimit janë institucionet që vendosin për vlerësimin përfundimtar të subjekteve të rivlerësimit. Vendimi merret bazuar në një ose disa prej kritereve, në vlerësimin e përgjithshëm të tri kritereve, ose në vlerësimin tërësor të procedurave.”, trupa gjykuese vendosi të përfundojë procesin e rivlerësimit për subjektin e rivlerësimit, Z. Fatmir Hoxha, bazuar në të tri kriteret e vlerësimit: kriterin e vlerësimit të pasurisë, kriterin e vlerësimit të figurës dhe atë të vlerësimit profesional.

BASHKËPUNIMI I SUBJEKTIT TË RIVLERËSIMIT SIPAS NENIT 48 TË LIGJIT NR. 84/2016

 

Gjatë të gjitha fazave të hetimit, trupa gjykuese ka komunikuar me anë të postës elektronike me subjektin e rivlerësimit, me qëllim vlerësimin e të gjitha fakteve dhe rrethanave, si dhe krijimin e bindjes së brendshme. Trupa gjykuese konstaton se subjekti i rivlerësimit ka qenë bashkëpunues gjatë të gjithë procesit, në përputhje me nenin 48 të ligjit nr. 84/2016.

PROCESI I RIVLERËSIMIT I KRYER NGA KOMISIONI I PAVARUR I KUALIFIKIMIT

Bazuar nё nenin 45, 49 dhe 50, tё ligjit nr. 84/2016, trupa gjykuese kreu hetim dhe vlerësim të të gjitha fakteve dhe rrethanave të nevojshme për procedurën e rivlerësimit, duke marrë në analizë (a) provat e dorëzuara nga vetë subjekti pranë ILDKPKI-së, nё Deklaratёn pёr rivlerёsimin kalimtar, Vetting; (b) raportin e dorëzuar pranë Komisioni nga ILDKPKI; (c) raportin e dorëzuar pranë Komisionit nga DSIK-ja, (d) raportin e dorëzuar pranë Komisionit nga KLD-ja, (e) provat shkresore/dokumentet të administruara nga organet publike dhe private në përputhje me nenin 49 dhe 50, të ligjit nr. 84/2016; (ë) deklarimet e subjektit të rivlerësimit me anë të komunikimit elektronik; (f) deklarimet e dëshmitarëve (g) denoncimet nga publiku; Në referim të dispozitave ligjore kushtetuese dhe ligjit nr. 84/2016, Komisioni i Pavarur I Kualifikimit në mënyrë të Pavarur dhe të Paanshme, ka kryer një proces të mirëfilltë kontrolli dhe rivlerësimi, që nuk bazohet dhe as është i detyruar nga përfundimet e paraqitura nga organet e tjera ndihmëse, siç përcaktohet edhe në vendimet nr. 2 dhe nr. 78, të vitit 2017 të Gjykatës Kushtetuese. Gjatë hetimit bazuar në dosjen përkatëse u ndërmorrën hapat si më poshtë:

– U administruan dokumente, nga organet publike, bazuar në nenin 50, të ligjit nr.84/2016.

– U administruan raportet e sjella nga ILDKPKI, DSIK,e KLD .

– U administruan deklarata, përgjigje dhe shpjegime nga ana e subjektit të rivlerësimit.

– U administruan dëshmi nga dëshmitarët e kërkuar nga vetë subjekti.

– U administruan 3 denoncime nga publiku.

– Nuk u dha mendim me shkrim nga vëzhguesi ndërkombëtar.

  1. PROCESI I RIVLERËSIMIT PËR KRITERIN E PASURISË

Vlerësimi i pasurisë nga ILDKPKI, deklarimi i subjektit të rivlerësimit dhe personave të lidhur, është dorëzuar në ILDKPKI, më datë 31.01.2017, në zbatim të ligjit nr. 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në republikën e shqipërisë”. ILDKPKI-ja, ka dërguar raportin e detajuar lidhur me vlerësimin e pasurisë së subjektit sipas nenit 30 -33, të ligjit nr.84/2016, ku konstatohet se:  deklarimi është i saktë në përputhje me ligjin;  ka burime financiare të ligjshme për të justifikuar pasuritë;  nuk ka kryer fshehje të pasurisë;  nuk ka kryer deklarim të rremë;  subjekti nuk gjendet në situatën e konfliktit të interesave Rivlerësimi i pasurisë nga Komisioni, si organ i legjitimuar nga Kushtetuta dhe ligji nr. 84/2016, për të bërë rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë, Komisioni, ka hetuar në mënyrë të pavarur çdo informacion dhe konkluzion të  institucionit të sipërpërmendur, ashtu sikurse të gjitha faktet dhe informacionet e marra nga çdo subjekt i së drejtës, në përputhje me nenet 45, 49 dhe 50 të ligjit nr. 84/2016, si dhe ka kryer një proces të plotë hetimor administrativ nga Komisioni, sipas dispozitave ligjore të kreut VII të ligjit nr. 84/2016.

Hetimi administrativ në lidhje me vlerësimin e pasurisë konsistoi në:

Verifikimin e vërtetësisë së deklarimeve në lidhje me gjendjen pasurore të subjektit dhe personave të lidhur; në verifikimin e burimeve të krijimit të të ardhurave dhe shpenzimeve, me qëllim evidentimin ose jo; të mungesës së burimeve të mjaftueshme financiare për të justifikuar pasuritë; në evidentimin ose jo të fshehjes së pasurive, deklarimeve të rremë apo konfliktit të interesit, parashikuar nga ligji nr. 84/2016, nga ku rezultoi se:

Mbi asetet e deklaruara nga subjekti në deklaratën e pasurisë në zbatim të ligjit nr. 84/2016:

PASURI TË PALUAJTSHME: Apartament banimi 2+1 me sipërfaqe totale 112.36 m², ndodhur në Rr. “***”, godina *** katëshe, shk. ***, ap. ***, Kati i ***, Tiranë. Çmimi sipas kontratës së sipërmarrjes me shoqërinë “***” sh.p.k., të datës 25.02.2011, është 140.450 euro. Pjesa takuese 50%.

  1. BURIMI I KRIJIMIT DEKLARUAR NË ZBATIM TË LIGJIT NR.84/2016:

1- Paga e subjektit – Paga e bashkëshortes.

2- Interesat e përfituara nga depozita bankare e bashkëshortes.

3- Të ardhura nga shitja e banesës në Shkodër.

4- Kredi lehtësuese marrë nga BKT, sipas VKM-së, nr. 600, datë 12.09.2007. Shuma e kreditimit është 5.000.000 (pesë milion lekë), me interes 4%, me afat shlyerje 22 vjet.

  1. NUK DEKLAROHET SI BURIM PËR KRIJIMIN E APARTAMENTIT NË RRUGËEN “***”, NJË HUA NË SHUMËN 28.500 EURO MARRË SHTETASIT Z. A.G.,

Në lidhje me burimin e krijimit nga hetimi i kryer nga Komisioni rezultoi se, në Deklaratën “Vetting”, subjekti i rivlerësimit nuk deklaron si burim për krijimin e apartamentit ne Rr. “***”, një hua në shumën 28.500 euro, marrë shtetasit Z. A. G., pavarësisht detyrimit ligjor të parashikuar në nenin 30 të ligjit nr. 84/2016 “Objekti i vlerësimit të pasurisë është deklarimi dhe kontrolli i pasurive, i ligjshmërisë së burimit të krijimit të tyre, i përmbushjes së detyrimeve financiare, përfshirë interesat private për subjektin e rivlerësimit dhe për personat e lidhur të tij.

(i) Në deklaratën periodike të interesave private të vitit 2011, subjekti i rivlerësimit deklaron një hua verbale në shumën 28.500 euro marrë shtetasit Z. A. G., (kunati), me qëllim shlyerje të një pjese detyrimi sipas kontratës së sipërmarrjes ndaj subjektit “***”sh.p.k..

(ii) Për shkak të marrëdhënies së huasë mes subjektit të rivlerësimit dhe këtij personi, me qëllim për të verifikuar ligjshmërinë e burimit të deklaruar nga subjekti për pasurinë e blerë në Rr. “***” në Tiranë, Z. A. G., u konsiderua si person tjetër i lidhur, në kuptim të nenit 3 pika 14 sipas të cilit “Persona të tjerë të lidhur janë personat fizikë ose juridikë, që duket se kanë ose kanë pasur lidhje interesi me subjektin e rivlerësimit, komisionerin, gjyqtarin ose komisionerin publik, që rrjedh nga një interes pasuror ose çdo marrëdhënie tjetër biznesi”.

(iii) Nga verifikimi i dokumentacionit në dosje, rezultoi se nga Z. A. G., nuk është depozituar asnjë dokument për justifikimin e ligjshmërisë së burimit të krijimit të pasurisë, të cilën ai e ka dhënë hua, subjektit të rivlerësimit, detyrim ky i përcaktuar në nenin 32 pika 4 të ligjit nr.84/2016 i cili parashikon se “Subjekti i rivlerësimit dhe personat e lidhur me të, ose persona të tjerë të lidhur, të deklaruar në cilësinë e dhuruesit , huadhënësit ose huamarrësit, nëse konfirmojnë këto marrëdhënie, kanë detyrimin për të justifikuar ligjshmërinë e burimit të krijimit të pasurive”. (iv) Për sa më sipër u mor dëshmia nga Z. A. G., i cili u paraqit pranë ambienteve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, ku dha deklaratën e tij, pasqyruar në procesverbalin e mbajtur, më datë 21.02.2018, në të cilën konfirmoi huanë e dhënë sipas deklarimit të subjektit të rivlerësimit.

(v) Këtij shtetasi gjatë marrjes së dëshmisë, më datë 21.02.2018, i është kërkuar dokumentacion provues për burimin e të ardhurave të dhëna hua subjektit të rivlerësimit. Nga ana e tij është deklaruar se ai nuk ka qenë i regjistruar pranë organeve tatimore, pasi nuk ka pasur ligj në atë kohë. Pyetjes se a ka paguar tatime, ai i përgjigjet “jo”, duke deklaruar përveç dokumentacionit bankar nuk ka asnjë dokumentacion tjetër për të provuar të ardhurat e tij.

1.2 Trupa gjykuese, më datë 20.03.2018, njoftoi subjektin se i ka kaluar barra e provës për të provuar të kundërtën, në përputhje me nenin 52 të ligjit nr. 84/2016, për sa më poshtë rezulton: “Në Deklaratën “Vetting” nuk keni deklaruar si një nga burimet e krijimit të kësaj pasurie borxhin e marrë nga kunati juaj Z. A. G., ndërkohë që në përgjigje të pyetjes së drejtuar nga ana jonë citoni: “Borxhi i marrë nga kunati im Z. A. G., në shumën 28.500 euro në shkurt të vitit 2011, ka qenë një nga burimet e përdorura për blerjen e apartamentit 2+1 i ndodhur në Rr. “***”, godina *** katëshe, shk. ***, ap. ***, kati ***, Tiranë”.

1.3 Subjekti i rivlerësimit, mё datё 04. 04. 2018 dhe në datë 10.04.2018, dёrgoi me anё tё postёs elektronike shpjegimet si mё poshtё vijon:

Në Deklaratën “Vetting” nuk deklaronte se një nga burimet e krijimit të pasurisë të apartamentit 2+1 e ndodhur në Rr. “***” Tiranë, është dhe borxhi i marrë nga kunati i tij Z. A. G., për shkak se në momentin e përpilimit të Deklaratës “Vetting”, e kishte shlyer me të ardhurat e familjes (paga e tij dhe e bashkëshortes), borxhin prej 28.500 euro, d.m.th., është nisur nga ky këndvështrim në momentin kur ka deklaruar burimin e krijimit të pasurisë. Gjithsesi, në deklaratat periodike vjetore të pasurisë të depozituara pranë ILDKPI-së (deklaratë që disponohet dhe nga KPK-ja) që nga viti 2012 e në vijim (deri në momentin e likuidimit të shumës së marrë hua), ka deklaruar vlerën e marrë hua, qëllimin e huadhënies (për blerje apartamenti), personin huadhënës (Z. A. G.) dhe shumën e likuiduar çdo vit.

1.4 Shpjegimet e pёrfaqёsuesit ligjor tё subjektit, avokatit Z. Julian Mërtiri, pёr kёtё aset gjatё seancёs dёgjimore, zhvilluar mё 07.05.2018. Në lidhje me pikën nr. 1 të rezultatit të hetimit paraprak, dhe faktin se nga Z. Fatmir Hoxha, nuk është deklaruar në Deklaratën “Vetting” si një nga burimet e krijimit të pasurisë për blerjen e apartamentit të banimit me sip. 112.36 m², i ndodhur në Rr.“ ***” në Tiranë, edhe borxhi i marrë nga kunati i tij (Z. A. G.), duke u konfirmuar ky fakt në përgjigjet e pyetjeve të bëra gjatë hetimit, sqarojmë faktin se ky borxh (prej 28.500 euro) është deklaruar rregullisht dhe me korrektesë në deklaratat periodike vjetore të pasurisë, të dorëzuara pranë ILDKPKI-së. Deklarimet janë bërë duke filluar nga viti 2012 (sqarohet se borxhi është marrë në shkurt 2011) dhe për disa vite rresht, derisa ky borxh është likuiduar, kjo përpara datës kur është plotësuar Deklarata “Vetting”. Në deklaratat periodike vjetore është deklaruar si borxh i marrë nga Z. A. G., ashtu edhe shuma të cilat i janë likuiduar atij çdo vit, për kthimin e shumës.

1.5 Arsyetimi ligjor dhe analiza e provave në lidhje me faktet dhe ligjin e zbatueshëm: Trupa gjykuese duke pasur parasysh (i) deklarimet e subjektit të rivlerësimit në “Deklaratën e Pasurisë për Procesin e Rivlerësimit Kalimtar, Vetting”; (ii) raportin e hollësishëm të ILDKPKI-së, deklaratat periodike dhe provat shkresore të administruara nga ILDKPKI-ja; (iii) provat shkresore të administruara nga Komisioni, sipas neneve 49 dhe 50 të ligjit nr. 84/2016, (iv) shpjegimet dhe provat e dërguara nga subjekti i rivlerësimit dhe avokati i tij gjatë hetimit administrativ, dëshminë e Z. A. G., arrin në përfundimin se:

  1. I) Subjekti ka pasur detyrimin e deklarimit të të gjitha pasurive të akumuluara ndër vite si dhe burimet e krijimit të tyre, deri në ditën e dorëzimit të Deklaratës “Vetting”.
  2. II) Mosdeklarimi është në kundërshtim me nenin 30 të ligjit nr.84/2016 dhe shtojcën nr. 2 “Formulari i deklarimit të pasurisë të cilat përcaktojnë se: “Objekti i vlerësimit të pasurisë është deklarimi dhe kontrolli i pasurive, i ligjshmërisë së burimit të krijimit të tyre, i përmbushjes së detyrimeve financiare, përfshirë interesat private për subjektin e rivlerësimit dhe për personat e lidhur të tij.

III) Z. A. G., nuk ka provuar me dokumentacion, burimin e ligjshëm i krijimit sipas nenit 32 pika 4 të ligjit 84/2016, sipas të cilit “Subjekti i rivlerësimit dhe personat e lidhur me të, të deklaruar në cilësinë e dhuruesit, huadhënësit ose huamarrësit, nëse konfirmojnë këto marrëdhënie, kanë detyrimin për të justifikuar ligjshmërinë e burimit të krijimit të tyre.

  1. IV) Pretendimi i subjektit te rivlerësimit sipas të cilit huaja e marrë nga shtetasi Z. A. G., nuk është deklaruar për shkak se në rastin konkret, huaja ka qënë e shlyer në momentin e dorëzimit të Deklaratës “Vetting”, është i pambështetur në ligj, pasi bie në kundërshtim me nenin 30 dhe shtojcën 2 “Formulari i deklarimit të pasurisë”, të ligjit nr. 84/2016. Trupa gjykuese vlerëson se subjekti i rivlerësimit, si gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, e ka pasur mundësinë dhe detyrimin e njohjes, interpretimit dhe zbatimit të dispozitave të mësipërme. Trupa gjykuese arrin në përfundimin se subjekti i rivlerësimit nuk ka dhënë shpegime të besueshme për burimin e krijimit të parave të marra borrxh nga Z. G., sipas nenit D pika 3 të aneksit të Kushtetutës.

Subjekti i rivlerёsimit ka bërë deklarim të pamjaftueshëm për borxhin sipas kriterit të kontrollit të pasurisë referuar pikës 3 të nenit 61 të ligjit nr. 84/2016, dhe parashikimeve të nenit D pika 3 të Aneksit të Kushtetutës.

2.TË ARDHURAT NGA PAGA E SUBJEKTIT DHE BASHKËSHORTES SI BURIM

PËR KRIJIMIN E APARTAMENTIN E RR. “***”:

2.1 Në vitin 2011 të ardhurat neto vjetore të deklaruara, huamarrja dhe kursimet, kanë qenë më të vogla se pagesat dhe shpenzimet e kryera.

2.2 Sipas treguesve financiarë pasqyruar në tabelën e mëposhtme rezulton se, në vitin 2011, vlera prej 1.752.123 lekë, pjesë e totalit të shpenzimeve dhe pagesave të këtij viti, nuk justifikohet nga të ardhurat nga paga, huamarrja e deklaruar dhe kursimet e mbartura.

Analizë financiare Viti 2011

Shpenzime & pagesa Të ardhura , hua neto & ndryshim likujditetesh Përshkrimi Vlera në lekë Përshkrimi Vlera në lekë Pagesë kësti apartament 7.085.430 Hua neto (28.500eu-3.900eu) 3.417.678 Shpenzime mobilimi 2.500.000 Të ardhura neto paga 1.725.565 Shpenzime jetese në vit 640.000 Ndryshim likuiditet gj. (01.01.2011- 31.12.2011) 3.330.064 TOTAL 10.225.430 TOTAL 8.473.307 Shpenzime dhe pagesa të pajustifikuara nga të ardhurat, huatë dhe kursimet 1.752.123

Shpenzime jetese në vit 640.000

Ndryshim likuiditet gj. (01.01.2011- 31.12.2011) 3.330.064

TOTAL 10.225.430 TOTAL 8.473.307

Shpenzime dhe pagesa të pajustifikuara nga të ardhurat, huatë dhe kursimet 1.752.123

2.3 Trupa gjykuese nr. 3, më datë 20.03.2018, në përputhje me nenin 52 të ligjit nr. 84/2016, njoftoi se i ka kaluar barra e provës për të provuar të kundërtën, si vijon:

-Bazuar në Deklarimin periodik të vitit 2011 dhe analizën financiare, duket se ka një diferencë midis situatës financiare reale dhe asaj të deklaruar. Bazuar në analizën financiare, duket se Ju së bashku me bashkëshorten tuaj nuk keni pasur të ardhura të mjaftueshme të ligjshme për të bërë të mundur shlyerjen e detyrimeve tuaja gjatë këtij viti. Subjekti i rivlerësimit, mё datё 10.04.2018, 20.04.2018 dhe 26.04.2018, dёrgoi me anё tё postёs elektronike shpjegimet e tij si mё poshtё vijon:

2.4 Sipas një tabele, keni pasqyruar rezultatet e shpenzimeve të vitit 2017 dhe në analizë të fundit konkludoni, për shumën 1.752.123 lekë, shpenzime të pajustifikuara për vitin 2011. Ai solli në vëmendje, se është dekretuar si anëtar i Gjykatës Kushtetuese, me dekretin nr. 6672, datë 06.09.2010, të Presidentit të Republikës së Shqipërisë

2.5 Ai shpjegoi se siç rezulton dhe nga deklarimet periodike nga viti 2003 e në vijim të pasurisë, ka pasur në pronësi me bashkëshorten shtëpinë ku ka banuar. Banesa në Shkodër ka qenë e arreduar për të bërë një jetesë normale.

2.6 Ai shpjegoi se përmes njerëzve të tij këto pajisje janë shitur pjesë-pjesë në kohë dhe në vende të ndryshme, duke filluar nga shtatori i vitit 2010 dhe deri në mesin e vitit 2012. Siç ndodh rëndom për shitjen e arredimeve e plaçkave të shtëpisë marrëveshja mes palëve bëhet gojarisht dhe nuk ndodh që mes tyre të plotësohen kontratë shitblerje, apo të jepej mandat. Meqenëse shitja e sendeve të luajtshme të (banesës) është bërë pjesë-pjesë e ndaj personave të ndryshëm, këto shitje nuk janë deklaruar dhe të ardhurat e përfituara prej tyre kanë shërbyer dhe për të plotësuar vlerën e arredimit të banesës që kam blerë në Tiranë.

2.7 Edhe në shitjen e banesës në Shkodër 1+1 (65 m²) ai shpjegoi se ka shitur vetëm 4 muret e shtëpisë (me përjashtim një kondicioner në guzhinë, kondrabufe në aneks, dhe vaskën në banjë). 2.8 Subjekti shton gjithashtu se për shkak të rrethanave specifike të familjes ka qenë i detyruar të banojë përgjithësisht në familjen e prindërve por edhe të vëllait në Pukë dhe Tiranë. Shpjegimet e pёrfaqёsuesit ligjor tё subjektit, avokatit Z. Julian Mërtiri, për sa më sipër gjatё seancёs dёgjimore, zhvilluar mё 07.05.2018:

2.9 Në lidhje me pikën nr. 7 të rezultateve të hetimit paraprak dhe analizën financiare për deklarimet periodike për vitin kalendarik, konkretisht në 2011, nga ku është konstatuar nga Komisioni se të ardhurat e subjektit të rivlerësimit, Z. Fatmir Hoxha dhe të bashkëshortes së tij nuk kanë qenë të mjaftueshme për të bërë të mundur shlyerjen e detyrimeve në këte vit, ju sqarojmë se:

2.10 Për vitin 2011, pretendohet një diferencë shpenzimesh, në shumën prej 1.752.123 lekë. Subjekti i rivlerësimit ka shpjeguar në mënyrë të detajuar se kjo vlerë i përket sendeve të luajtshme dhe orendive shtëpiake të cilat janë blerë prej tij për apartamentin ku ka jetuar në qytetin e Shkodrës, nga viti 2002 dhe deri në vitin 2011, vlera e të cilave është shtuar në vite, në përputhje me kushtet dhe nevojat e familjes në qytetin e Shkodrës.

2.11 Z. Fatmir Hoxha, është dekretuar si anëtar i Gjykatës Kushtetuese, në datën 06.09.2010, dhe ka nisur ushtrimin e detyrës, më datën 04.07.2011, duke filluar që nga ai moment gradualisht përgatitjet për zhvendosjen e tij nga qyteti i Shkodrës në Tiranë. Pjesë e këtij procesi ishte dhe shitja, pjesë-pjesë e në kohë të ndrysheme e pajisjeve dhe orendive shtëpiake, të tilla si: sobë zjarri druri, sobë gatimi me furrë me korent dhe gaz, sobë ngrohjeje me gaz, lavatriçe, frigorifer, ekspres kafeje, televizor, divanë dhe tavolinë mesi. Bibliotekë me kënd pune, kënd televizori, tavolinë buke, akuarium i madh, krevat, dollap e komodinë, piktura, biçikleta, zbukurime, bateri e madhe me sistem inverteri për shkak të ndërprerjes dhe mungesës së shpeshtë të energjisë elektrike, etj. Këto sende, për shkak të natyrës së tyre, janë shitur pjesë-pjesë, në kohë dhe në vende të ndryshme, duke filluar nga shtatori i vitit 2010 dhe deri në mesin e vitit 2012. Shitja e tyre nuk është bërë bazuar mbi kontrata shitblerjeje apo mandate, pasi përfituesit e tyre kanë qenë individë, bazuar në një dakortësi verbale me ta.

Arsyetimi ligjor dhe analiza e provave në lidhje me faktet dhe ligjin e zbatueshëm: Trupa gjykuese, duke pasur parasysh (i) deklarimet e subjektit të rivlerësimit në “Deklaratën e Pasurisë për Procesin e Rivlerësimit Kalimtar, Vetting”; (ii) raportin e hollësishëm të ILDKPKI-së, deklaratat periodike dhe provat shkresore të administruara nga ILDKPKI-ja; (iii) provat shkresore të administruara nga Komisioni, sipas neneve 49 dhe 50 të ligjit nr. 84/2016, (iv) shpjegimet dhe provat e dërguara nga subjekti i rivlerësimit dhe avokati i tij gjatë hetimit administrativ, arsyeton se:

2.12 Trupa gjykuese vlerëson se shpjegimet e sjella nga subjekti i rivlerësimit për të justifikuar mungesën e burimeve financiare të ligjshme për të justifikuar pasurinë në shumën prej 1.752.123 lekë, për vitin 2011, nuk kanë përmbushur kriteret e pikës 3 tё nenit D tё Kushtetutës, qё përcakton se: “Subjekti i rivlerësimit duhet tё shpjegojë bindshёm burimin e ligjshёm tё pasurive dhe tё tё ardhurave. Pasuri të ligjshme për qëllimet e këtij ligji konsiderohen të ardhurat që janë deklaruar  dhe për të cilat janë paguar detyrimet tatimore. Elemente të tjera të pasurisë së ligjshme përcaktohen me ligj.”

2.13 Trupa gjykuese i vlerëson pretendimet e subjektit lidhur me të ardhurat e padokumentuara dhe të padeklaruara si të pabazuara në prova e në ligj, dhe në kundërshtim me nenin D, pika 3, të aneksit të Kushtetutës si dhe me parashikimet e ligjit nr. 8438, datë 28.12.1998 “Për tatimin mbi të ardhurat” të ndryshuar, sipas të cilave, të ardhura të ligjshme janë të ardhurat për të cilat janë paguar detyrimet tatimore. Si të tilla këto të ardhura nuk duhet të merren në konsideratë.

2.14 Deklarimet periodike të pasurisë për periudhën 2010-2012, janë bërë duke fshehur të ardhurat, në kundërshtim me parashikimet e ligjit nr. 9049, datë 10.04.2003 “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë” neni 4 sipas të cilit subjekti ka pasur detyrim ligjor reflektimin e të ardhurave (ndonëse pa vlerë të deklaruar).

2.15 Trupa gjykuese vlerëson se subjekti i rivlerësimit ka paraqitur prova të paplota dhe arrin në përfundimin se të ardhurat kanë qenë të pamjaftueshme për të justifikuar shpenzimet në bazë të provave të administruara dhe në bazë të bindjes së saj të brendshme.

  1. INTERESAT E PËRFITUARA NGA DEPOZITA BANKARE E BASHKËSHORTES TË DEKLARUARA SI BURIM PËR KRIJIMIN E APARTAMENTIT NË RR. “***”

3.1 Depozita e bashkëshortes së subjekti të rivlerësimit në BKT, është krijuar në vitin 2003. Vlera e kësaj depozite në fund të këtij viti ka qenë 330.000 lekë. Nga hetimi dhe analiza financiare e kryer për këtë depozitë, si burim për krijimin e pasurisë, rezultoi se në deklarimin periodik në vitin 2003, subjekti nuk ka deklaruar llogarinë depozitë të bashkëshortes nr. *** në BKT në lekë, me shumë të depozituar 330.000 lekë, deri më datë 31.12.2003.

3.2 Nga hetimi dhe analiza financiare e kryer trupa gjykuese, më datë 20.03.2018, njoftoi subjektin e rivlerësimit se i ka kaluar barra e provës për të provuar të kundërtën, në përputhje me nenin 52 të ligjit nr. 84/2016, për sa vijon:

– Bazuar në Deklarimin periodik në vitin 2003, subjekti nuk ka deklaruar llogarinë depozitë të bashkëshortes nr. *** në BKT në lekë, me shumë të depozituar 330.000 lekë deri në datë 31.12.2003.

3.3 Subjekti i rivlerësimit, mё datё 04.04.2018, dёrgoi me anё tё postёs elektronike shpjegimet se viti 2003 ka qenë viti i parë i deklarimit të pasurive, dhe mos deklarimi i depozitës së bashkëshortes në deklarimin periodik të vitit 2003 ka qenë lapsus, i cili është korrigjuar në deklaratën e vitit 2004 duke dhënë detaje për shumat e depozituara dhe vitin. Shpjegimet e pёrfaqёsuesit ligjor tё subjektit, avokatit Z. Julian Mërtiri, gjatё seancёs dёgjimore, zhvilluar mё 07.05.2018, si mё poshtё vijon:

3.4 Theksohet fakti se deklarimi i pasurisë në vitin 2003, është hera e parë e kryerjes së përmbushjes së këtij detyrimi ligjor nga të gjithë subjektet e ligjit të miratuar rishtazi në atë kohë, me nr. 9049, date 10.04.2003, “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe disa nëpunësve publikë”. Në kushtet e një ligji dhe detyrimi të ri, kryerja e një lapsusi të tillë, ka qenë një veprim i cili, ashtu siç ka konstatuar edhe vetë Komisioni, është korrigjuar pa asnjë pasojë menjëherë në vitin pasardhës (2004) e në vijim. Vetë ILDKPKI-ja e ka konstatuar të rregullt dhe të ligjshme deklarimin ndër vite të bërë nga Z. Fatmir Hoxha, duke paraqitur edhe konkluzionin përkatës në këtë drejtim. Në lidhje me pikën nr. 6 të rezultatit të hetimit paraprak, që ka të bëjë me mosdeklarimin e llogarisë (depozitë bankare) të bashkëshortes së subjektit të rivlerësimit në deklarimin periodik të pasurisë në vitin 2003 (për vlerën 130.000 lekë) dhe deklarimin e saj në vitin pasardhës 2004 (për vlerën 330.000 lekë), Z. Fatmir Hoxha ka dhënë sqarimin e tij, duke e cilësuar këtë si lapsus dhe duke kërkuar të vlerësohet i tillë nga Komisioni. Arsyetimi ligjor dhe analiza e provave në lidhje me faktet dhe ligjin e zbatueshëm:

3.5 Subjekti i rivlerësimit ka kryer fshehje të shumës së 330.000 lekëve në deklaratën e tij vjetore të pasurisë për vitin 2003, gjendje e depozitës së bashkëshortes së tij në llogarinë nr. *** pranë BKT-së, në kundërshtim me pikën 3 të nenit 61 dhe pikën 5/c të nenit 33, i ligjit nr. 84/2016.

3.6 Subjekti i rivlerёsimit ka bërë deklarim të pamjaftueshëm dhe nuk ka dhënë shpjegime bindëse në lidhje me të ardhurat e pamjaftueshme, për të justifikuar shpenzimet e vitit 2003 për kriterin e kontrollit të pasurisë, referuar pikës 3 të nenit 61 të ligjit nr. 84/2016, dhe parashikimeve të nenit D pika 3 të Aneksit të Kushtetutës.

3.7 TRUPA GJYKUESE KONSTATON SE:

  1. i) Ka deklarim të pasaktë dhe jo në përputhje me ligjin për burimin e krijimit të kësaj pasurie, pasi në Deklaratën “Vetting” nuk është deklaruar si burim huaja e marrë shtetasit A. G. në vlerën prej 28 500 euro,
  2. ii) Subjekti i rivlerësimit nuk ka provuar me dokumentacion, burimin e ligjshëm I krijimit, të shumës së marrë hua shtetasit A. G., në vlerën prej 28 500 euro, sipas nenit 32 pika 4 të ligjit nr. 84/2016,

iii) Ka mospërputhje midis shumës së të ardhurave dhe shpenzimeve për vitin 2011 në masën që shpenzimet tejkalojnë të ardhurat me 175,521,23 lekë, shumë e cila nuk është shpjeguar në mënyrë të arsyeshme,

  1. iv) Subjekti i rivlerësimit ka fshehur duke mos e deklaruar shumën prej 330.000 lekë, gjendje në llogarinë depozitë të bashkëshortes nr. *** pranë BKT në deklaratën periodike vjetore të vitit 2003. Pёr këto arsye trupa gjykuese arrin nё pёrfundimin se subjekti i rivlerёsimit nuk ka arritur një nivel tё besueshёm nё vlerёsimin e pasurisё sipas parashikimit tё nenit 59/1 gёrma a, tё ligjit nr. 84/2016.

TRUPA GJYKUESE PËR TE VËRTETUAR FAKTET DHE RRETHANAT, ADMINISTROI NGA INSTITUCIONET DHE VETË SUBJEKTI:

1 Shkresë kthim përgjigje, nr. *** prot., datë 29.02.2017, nga OSHEE;

2 Shkresë kthim përgjigje, nr. *** prot., datë 22.02.2018, nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile;

3 Shkresë kthim përgjigje, nr. *** prot., datë 29.01.2018, nga Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave;

4 Shkresë kthim përgjigje, nr. *** prot., datë 05.02.2018, nga Ministria e Drejtësisë;

5 Shkresë kthim përgjigje, nr. *** prot., datë 22.12.2017, nga ZVRPP Tiranë;

6 Shkresë kthim përgjigje, nr. *** prot., datë 26.01.2018, nga ZVRPP Tiranë;

7 Shkresë kthim përgjigje, nr. *** prot., datë 18.12.2017, nga ZVRPP Shkodër;

8 Shkresë kthim përgjigje, nr. *** prot., datë 10.01.2018, nga ZVRPP Shkodër;

9 Shkresë kthim përgjigje, nr. *** prot., datë 08.03.2018, nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve;

10 Shkresë kthim përgjigje,nr. *** prot. dt 09.01.2018, nga shoqëria “***”;

11 Shkresë kthim përgjigje, nr. *** prot., datë 09.01.2018, nga shoqëria “***” sh.p.k.;

12 Shkresë kthim përgjigje, datë 15.02.2017, nga notere Xh. B.;

13 Shkresë kthim përgjigje, datë 15.02.2017, datë 27.02.2018, nga notere Xh. Br.;

14 Shkresë kthim përgjigje, datë 21.02.2018, nga notere A. M.;

15 Shkresë kthim përgjigje, nr. ***, datë 14.02.2018, nga noteri A. S. K.;

16 Shkresë kthim përgjigje, nr. *** prot., datë 22.12.17, nga BKT;

17 Shkresë kthim përgjigje, nr. *** prot., datë 17.01.2018, nga BKT;

18 Shkresë kthim përgjigje, nr. *** prot., datë 01.02.2018, nga BKT;

19 Shkresë kthim përgjigje, nr. *** prot., datë 12.02.2018, nga BKT;

20 Shkresë, nr. *** prot., datë 24.01.2018, nga BKT;

21 Shkresë kthim përgjigje, nr. *** prot., datë 16.04.2018, nga BKT;

22 Shkresë kthim përgjigje, nr. *** prot., datë 03.05.2018, nga BKT;

23 Shkresë kthim përgjigje, nr. *** prot.,datë 26.12.2017, nga Banka Credins;

24 Shkresë kthim përgjigje, nr. *** prot., datë 11.12.2017, nga Raiffeisen Bank sha;

25 Shkresë kthim përgjigje, nr. ***, datë 7.12.2017, nga NBG Bank;

26 Shkresë kthim përgjigje, nr. *** prot., datë 29.12.2017, nga Intesa San Paolo Bank;

27 Shkresë kthim përgjigje, nr.prot ***, datë 19.01.2018, nga ProCredit Bank ;

28 Shpjegime dhe materiale shoqëruese të dërguara nëpërmjet postës elektronike nga subjekti i rivlerësimit Z. Fatmir Hoxha, më datat 04.04.2018, 10.04.2018, 11.04.2018, 20.04.2018 dhe 26.04.2018, pas dërgimit të rezultateve të hetimit;

29 Përgjigje dhe materiale shoqëruese të dërguara nëpërmjet postës elektronike nga subjekti i rivlerësimit Z. Fatmir Hoxha, më datë 16 shkurt 2018, në përgjigje të pyetësorit të 2-të të Komisionit;

30 Përgjigje dhe materiale shoqëruese të dërguara nëpërmjet postës elektronike nga subjekti i rivlerësimit Z. Fatmir Hoxha, në përgjigje të pyetësorit të 1-rë të Komisionit;

31 Procesverbal, datë 21.02.2018, për marrjen e dëshmisë nga z. A. G.;

32 Procesverbal, datë 19.04.2018, për marrjen e dëshmisë nga përfaqësuesit e BKT-së, Z. A. S., dhe Z. I. J.;

33 Procesverbal, datë 19.04.2018, për marrjen e dëshmisë nga përfaqësuesja e “***”, Znj. M.P.;

34 Procesverbal, datë 19.04.2018, për marrjen e dëshmisë nga shtetasi Z. A. Z.;

35 Dokumenta të dorëzuara pranë Komisionit, nga përfaqësuesja e shoqërisë “***” sh.p.k., Znj. M. P.;

36 Parashtrimet e avokatit Z. Julian Mërtiri në seancën dëgjimore, të datës 07.05.2018;

  1. PROCESI I RIVLERËSIMIT TË KONTROLLIT TË FIGURËS

Kontrolli i figurës nga Drejtoria e Sigurisë së Informacionit të Klasifikuar (DSIK) ka kryer kontrollin e figurës së subjektit të rivlerësimit, me anë të verifikimit të deklarimeve dhe të dhënave të tjera, me qëllim që të indetifikonte nëse subjekti i rivlerësimit ka kontakte të papërshtatshme me personat e përfshirë në krimin e organizuar, sipas parimeve dhe kushteve të parashikuara në nenin DH të Aneksit të Kushtetutës dhe ligjit nr. 84/2016.  Për këtë qëllim, DSIK-ja ka dërguar një raport me shkresën nr. *** prot., datë 02.11.2017, i deklasifikuar me vendim të KDZH, nr. 8, datë 08.01.2018, për subjektin e rivlerësimit në përputhje me nenin 39 të ligjit nr. 84/2016, ku ka konstatuar përshtatshmërinë për vazhdimin e detyrës së subjektit të rivlerësimit Fatmir Ismal Hoxha.

 Në përfundim të veprimeve verifikuese të kryera, në përputhje me pikën 2 të nenit 39 të ligjit nr. 84/2016, Grupi i Punës ka konstatuar përshtatshmërinë për vazhdimin e detyrës të subjektit të rivlerësimit. Rivlerësimi nga Komisioni, si organ i legjitimuar nga Kushtetuta dhe ligji nr. 84/2016 për të bërë rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë, ka hetuar në mënyrë të pavarur çdo informacion dhe konkluzion të institucionit të sipërpërmendur, ashtu sikurse të gjitha faktet dhe informacionet e marra nga çdo subjekt i së drejtës, në përputhje me nenet 45, 49 dhe 50 të ligjit nr. 84/2016. Nuk rezultuan elemente që të vërtetojnë ekzistencën e kontakteve të papërshtatshme me personat e përfshirë në krimin e organizuar, sipas parimeve dhe kushteve të parashikuara në nenin DH të Aneksit të Kushtetutës Trupa gjykuese arrin nё pёrfundimin se subjekti i rivlerёsimit ka arritur njё nivel tё besueshёm nё kontrollin e figurёs sipas parashikimit te nenit 59/1 germa b, të ligjit nr. 84/2016.

  1. PROCESI I RIVLERËSIMIT TË KRITERIT ETIKO-PROFESIONAL

Vlerësimi i aftësive profesionale nga Komisioni është bazuar në:

– Raportin për analizimin e aftësisë profesionale të subjektit të rivlerësimit, të kryer nga Inspektoriati i KLD-së.

– Informacionin e marrë nga burime të ligjshme.

– Kriteret e vlerësimit të parashikuara në nenin 71 e vijues të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Sipas raportit të KLD-së kanë rezultuar këto problematika:

Në çështjen nr. B-F. 58 prot., datë 11.11.2013, regjistrimi, që i përket kërkueses: B. F., me objekt: “Shfuqizimi si antikushtetues të vendimeve, nr. 596, datë 25.04.2013, të Gjykatës së Lartë, nr. 266, datë 17.09.2010, të Gjykatës së Apelit Vlorë dhe nr. 22, datë 04.02.2010, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Berat”, e përfunduar me vendimin, nr. 58, datë 04.03.2014.

– Nga analiza e vendimit të arsyetuar nr. 58, datë 10.04.2015, rezulton se ai është marrë me shumicë votash. Sipas procesverbalit të votimit, gjyqtari Z. Fatmir Hoxha ka votuar kundër, por vendimit nuk i është bashkëngjitur mendimi i pakicës.

– Ka shkelje të ligjin nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, neni 72 përcakton mënyrën e marrjes së vendimit dhe shpalljen e tij, në pikën 8 të të cilit parashikohet se: “Gjyqtari që mbetet në pakicë ka të drejtë të arsyetojë mendimin e tij, që i bashkohet vendimit dhe botohet bashkë me të”.

Në çështjen nr. A-12 prot., datë 03.05.2013, që i përket kërkuesit: A. B. dhe subjekteve të interesuara: A. A., L. K., A. K., S. K., E. K., R. M., dhe AKKP Tiranë, me objekt: “Shfuqizimi,  si antikushtetues, i vendimit nr. 00-2011-863(241), datë 12.05.2011 i Gjykatës së Lartë”, e përfunduar me vendimin nr. 58, datë 05.12.2014.

– Vendimi është shpallur i arsyetuar. Nga marrja e vendimit, më datë 24.10.2013, gjer në shpalljen e tij, më datë 05.12.2014, ka kaluar 1 vit, 1 muaj e 11 ditë. Vendimi që është arsyetuar me vonesën më të lartë, prej 1 vit, 1 muaj e 11 ditë, ka qënë çështje voluminoze nga pikëpamja e akteve, me të cilën është disponuar me vendim themeli. Megjithatë, kohëzgjatja prej 1 viti, 1 muaj e 11 ditësh është dukshëm e paarsyeshme (shih dosjen nr. 2), që cenon standardin për një proces të rregullt ligjor, referuar nenit 42 të Kushtetutës dhe nenit 6 të KEDNJ.

– Arsyetimi me vonesë i vendimit, prej 1 vit, 1 muaj e 11 ditë, cenon standardin për një process të rregullt ligjor, referuar nenit 42 të Kushtetutës dhe nenit 6 të KEDNJ.

– Në tri rastet e tjera, vendimi gjyqësor është shpallur pas 7 muajve e 17 ditëve nga marrja e tij, pas 3 muaj e 7 ditëve dhe pas 1 muaji e 21 ditëve.

– Në asnjë rast nga 5 dosjet e vëzhguara, nuk është dokumentuar të ketë pasur vonesë të shkaktuar nga anëtarët e trupit gjykues në nënshkrimin e vendimeve gjyqësore. Në çështjen nr. P-5 prot., datë 25.03.2014, regjistrimi, që i përket kërkuesit: P. B. dhe subjektit të interesuar: Prokuroria e Përgjithshme, me objekt: “Shfuqizimi si antikushtetues i vendimit nr. 203, datë 12.06.2013, të Gjykatës së Lartë”, e përfunduar me vendimin nr. 35, date 01.06.2015.

– Gjykimi në Gjykatën Kushtetuese ka zgjatur 1 vit 2 muaj e 6 ditë. Ndërsa nga data e marrjes së dosjes nga relatori, më datë 26.03.2014, gjykimi ka zgjatur 1 vit 2 muaj e 5 ditë. Te kjo kohëzgjatje ka ndikuar koha e paarsyeshme për shpalljen e vendimit gjyqësor, që ka cenuar procesin e rregullt ligjor të garantuar nga neni 42 i Kushtetutës dhe nenit 6 i KEDNj-së. Trupa gjykuese vlerëson se në bazë të të gjithave rrethanave dhe kushteve të mësipërme, parregullsitë e konstatuara në organizim nuk janë të asaj natyre dhe asaj shkalle, sa që të cenojnë aftësitë profesionale të gjyqtarit dhe të mund të cilësohen në një vlerësim me mangësi të rivlerësimit në përgjithësi në kuptimin dhe në nivelin që e kërkon ligji për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë prandaj në tërësinë e Kriterit Etiko-Profesional, subjekti i rivlerësimit konsiderohet “i aftë”. Trupa gjykuese arrin në perfundimin se subjekti i rivlerёsimit ka arritur një nivel minimal kualifikues në vlerësimin e aftësive profesionale sipas parashikimit të nenit 59/1 germa c të ligjit nr. 84/2016.

PËR KETO ARSYE:

Bazuar në procesin e rivlerësimit për tri kriteret e vlerësimit (vlerësimit të pasurisë, kontrollit të figurës dhe vlerësimit të aftësive profesionale), veç e veç, si dhe të marra së bashku, referuar analizës së sipërcituar, për secilin nga kriteret e rivleresimit, trupa gjykuese e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, me shumicë votash konkludon që për deklarim të pamjaftueshëm për kriterin e kontrollit të pasurisë, subjektit të rivlerësimit, Z. Fatmir Hoxha, gjyqtar pranë Gjykatës Kushtetuese, t’i jepet masa disiplinore e shkarkimit nga detyra, në bazë të nenit 61 pika 3 e ligjit nr. 84/2016, Trupa gjykuese e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit në bazë të nenit 55, pika 5, të ligjit nr. 84/2016, pasi u mblodh në dhomë këshillimi, në prani edhe të vëzhguesit ndërkombëtar, në bazë të nenit 58, pika 1, germa “c” të ligjit nr. 84/2016, dhe me shumicë votash, bazuar në pikën 3 të nenit 61, të ligjit nr. 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”

V E N D O S I:

  1. Shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, Z. Fatmir Hoxha, gjyqtar pranë Gjykatës

Kushtetuese.

  1. Vendimi i arsyetuar, me shkrim, u njoftohet subjektit të rivlerësimit, Komisionerit Publik dhe vëzhguesve ndërkombëtarë brenda 30 ditëve, pas përfundimit të kësaj seance dëgjimore dhe publikohet në faqen zyrtare të internetit të Komisionit, në përputhje me pikën 7, të nenit 55, të ligjit nr. 84/2016.
  2. Ky vendim ankimohet pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit nga subjekti i rivlerësimit dhe/ose Komisioneri Publik 15 ditë nga data e njoftimit të vendimit të Komisionit. Ankimi depozitohet pranë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

U shpall në Tiranë më 10.05.2018

Xhensila PINE: Kryesues

Valbona SANXHAKTARI            Alma FASKAJ

Anëtar                     Kundër                        Relatore

 

Sekretare gjyqësore: Ina Serjanaj

 

MENDIM PAKICE

Si anëtare e trupës gjykuese, nuk pajtohem me përfundimin e arritur nga ana e kolegëve të shumicës (shumica) në rastin e shqyrtimit të rivlerësimit për subjektin e rivlerësimit Z. Fatmir Hoxha, për arsyet e mëposhtme. Sa i përket pasurisë: Apartament banimi me sip. 112,36 m2, ndodhur në Rr. “***”, Tiranë, nga ana e shumicës argumentohet se subjekti i rivlerësimit nuk ka deklaruar si një nga burimet e pasurisë borxhin e marrë nga personi tjetër i lidhur A.G në shumën 28.500 euro. Nga të dhënat e hetimit paraprak ka rezultuar se huaja është marrë në shkurt të vitit 2011 dhe është deklaruar në përputhje me ligjin në të gjitha deklaratat periodike vjetore nga ana e subjektit të rivlerësimit, duke filluar nga viti 2012, deri sa kjo hua është shlyer krejtësisht. Në të tilla rrethana, duke qenë se njëri nga burimet e krijimit të apartamentit, pra huaja e shumës së parave të marrë nga shtetasi A.G., është shlyer përpara datës së deklarimit në formularin e Deklarimit “Vetting”, ky shkak është zëvendësuar me të ardhurat e përfituara nga ana e subjektit të rivlerësimit kështu ai nuk ka ekzistuar në çastin e deklarimit në formularin e Deklarimit “Vetting”. Në këto kushte, mospërfshirja e një burimi që ka ekzistuar më parë, por që është shlyer dhe nuk ekziston më në momentin e deklarimit në formularin e Deklarimit “Vetting”, duke qenë se deklarohen vetëm pasuri ekzistuese, mendoj se nuk përbën shkak për fshehje të pasurisë apo deklarim të pasaktë në kuptim të nenit “D” të aneksit të Kushtetutës të Republikës së Shqipërisë, si dhe sipas nenit 30 e vijues të ligjit nr. 84/2016. Lidhur me ligjishmërinë e të ardhurave, të cilat zoti A.G., i kishte dhënë hua subjektit të rivlerësimit, ai u paraqit pranë ambienteve të Komisionit ku dha deklaratën e tij sipas së cilës konfirmohej huaja e dhënë sipas deklarimit të subjektit të rivlerësimit. Ai deklaroi se këto para ai i ka pasur në bankë dhe kjo ishte e dokumentuar. Në lidhje me konstatimin e arritur nga ana e shumicës në vendimin e saj mbi gjendjen e të ardhurave në raport me detyrimet për vitin 2003 dhe vitin 2011, shpreh bindjen se fakti që për vitin 2003 dhe vitin 2011 vlera e shpenzimeve të subjektit të rivlerësimit dhe bashkëshortes së tij, ka qenë më e madhe se ajo e të ardhurave, nuk do të thotë automatikisht se kemi të bëjmë me një deklarim të rremë apo fshehje të ardhurash, sikundër është konsideruar nga shumica. Siç vërehet në dosjen e subjektit të rivlerësimit ai ka deklaruar se pas vitit 2011 ka kryer arredimin e shtëpisë së tij e cila i ka kushtuar rreth 2.500.000 lekë, (vlerë kjo e deklaruar nga vetë subjekti i rivlerësimit) shumë e cila në vlerësim të fakteve dhe dokumenteve të administruara në dosje, nuk duhet konsideruar se është shpenzuar e gjitha në vitin 2011. Subjekti i rivlerësimit ka deklaruar në thëniet e tij se ai gjatë viteve 2010-2012 ka shitur pajisjet e shtëpisë së tij në Shkodër dhe këto para kanë shërbyer për shpenzimet e kryera për blerjen e paisjeve dhe arredimin e shtëpisë së re. Po ashtu edhe në deklarimin e pasurisë së vitit 2012, që i referohet vitit 2011, subjekti i rivlerësimit nuk ka deklaruar arredim shtëpie me vlerë mbi 500.000 lekë. Nga leximi në tërësi i deklarimeve të subjektit të rivlerësimit, si dhe materialeve të disponuara në dosje, të krijohet bindja se këto shpenzime janë kryer në vijimësi nga viti 2011-2014 dhe se vendosja e vlerës prej 2.500.000 lekë të deklaruar nga vetë subjekti i rivlerësimit si shpenzime në vitin 2011 është e gabuar dhe nuk mund të sjellë pasojën e pretenduar nga shumica. Përsa i përket minusit të gjendjes së të ardhurave në raport me detyrimet, për vitin 2003, shuma është irrilevante dhe subjekti ka deklaruar se ka mbuluar ato me para të mbledhura në dasmën e tij.  Vlerësimi i shumicës lidhur me të ardhurat e padokumentuara dhe të padeklaruara si të pabazuara në prova e në ligj, dhe në kundërshtim me nenin D, pika 3, të aneksit të Kushtetutës si dhe me parashikimet e ligjit nr. 8438, datë 28.12.1998 “Për tatimin mbi të ardhurat” të ndryshuar, sipas të cilave, të ardhura të ligjshme janë të ardhurat për të cilat janë paguar detyrimet tatimore dhe si të tilla këto të ardhura nuk duhet të merren në konsideratë, mendoj se është i pabazuar pasi askush nuk ka detyrimin për të paguar tatime për paratë e fituara nga shitja e sendeve personale, paratë e fituara nga dasma, apo kur ai ka deklaruar se ka jetuar përgjithësisht në familjen e prindërve e të vëllait në Pukë. Në çdo rast konstatimi i shumicës se të ardhurat kanë qenë të pamjaftueshme për të justifikuar shpenzimet në bazë të provave të administruara dhe të bindjes së brendshme, nuk mund të çojë në asnjë nga shkaqet e paraqitura në nenin 61 të ligjit nr. 84/2016. Vlen për t’u theksuar edhe fakti se koha është e largët dhe se kushdo mund të ndodhet në pamundësi për të kujtuar/justifikuar shpenzimet në këto vlera, kur behët fjalë për një kohë të shkuar prej 15 vitesh. Në nenin 61/1 të ligjit nr. 84/2016, nuk përmendet si shkak për dhënien e masës disiplinore të shkarkimit nga detyra, ai i mosmbulimit të shpenzimeve në raport me të ardhurat e ligjshme, por përkundrazi parashikon si shkak kalimin e dyfishit të pasurisë së ligjshme. Për sa i përket konstatimit të arritur nga ana e shumicës në vendimin e saj mbi mosdeklarimin e llogarisë së depozitës së bashkëshortes së subjektit të rivlerësimit në momentin e hapjes, shpreh bindjen se bëhet fjalë për një harresë materiale, e cila është e korrigjueshme dhe në fakt është korrigjuar në vitin pasardhës. Ajo ç’ka ka rëndësi në këtë drejtim është ligjshmëria e pasurisë dhe përligjja e saj në raport me të ardhurat e subjektit të rivlerësimit. Nisur nga rrethanat e faktit dhe të dhënat e administruara çmoj se në rastin konkret nuk kemi të bëjmë me një mosdeklarim të një pasurie, por me një harresë, pra me një gabim material të ndodhur pa dashje. Në rastin konkret, ndryshe nga vendimi i arritur nga shumica, bazuar në provat e analizuara, nuk vlerësoj se ndodhemi përpara një pasurie të paligjshme e të padeklaruar. Z. Fatmir Hoxha ushtron funksion e gjyqtarit prej 25 vitesh, nga dokumentacioni i administruar në Komision mbi vlerësimin e figurës dhe aftësive profesionale vërehet se ai ka mbajtur këtë detyrë me përgjegjësi dhe paanshmëri. Karriera e tij ka qenë në ngritje dhe duket se ai e ka ushtruar detyrën me përkushtim. Gjyqtari Fatmir Hoxha ka në pasurinë e tij vetëm një apartament në Tiranë të blerë në vitin 2011 për vlerën 140.000 euro, për të cilën ka ende borxhe të pashlyera. Ai do të mund të bëhet pronar i kësaj banese vetëm në vitin 2034. Eshtë për t’u vlerësuar gjithashtu fakti se Z. Fatmir Hoxha ka treguar vetë për vlerën e lekëve që familja e tij ka shpenzuar për sistemimin dhe akomodimin e shtëpisë ndër vite, shifra të cilat përkojnë me vlerat e tregut si dhe çmimi i blerjes së banesës së tij, është në harmoni të plotë me çmimet e tregut të banesave. Të ardhurat totale të tij për 15 vitet e deklarimit kapin vlerën e 29.4 milionë lekë. Për sa më sipër, shpreh bindjen e bazuar në provat se subjekti i rivlerësimit, Z. Fatmir Hoxha, nuk ndodhet në rastet e parashikuara nga neni 59/2 i ligjit nr. 84/2016. Niveli i konstatimeve në lidhje me pasuritë, vlerësimin e figurës dhe vlerësimi profesional, i marr në tërësinë e tyre nuk plotësojnë kriteret dhe shkaqet që përligjin marrjen e masës disiplinore ekstreme të shkarkimit nga detyra të subjektit të rivlerësimit, prandaj duhej të gjente zbatim neni 59/1 I ligjit nr. 84/2016. Në fakt, nga ana e shumicës nuk u evidentua dhe u argumentua në mënyrë të qartë lidhja shkakësore që duhet të ekzistonte ndërmjet konstatimeve të bëra nga ana e shumicës në lidhje me vlerësimin e pasurive të subjektit të rivlerësimit, në raport me shkaqet dhe kriteret e parashikuara shprehimisht nga neni 61, pika “1” e ligjit nr. 84/2016, titulluar “Shkarkimi nga detyra”. Për të njëjtën arsye, nga ana e shumicës nuk është evidentuar dhe argumentuar lidhja shkakësore që duhet të ekzistojë midis gjetjeve në lidhje me pasuritë e subjektit të rivlerësimit dhe shkaqet e kriteret që parashikon neni 61, pika “3” e ligjit nr. 84/2016, apo shkaqet dhe kriteret që parashikon pika “5” e po këtij neni, duke qenë se mungon lidhja e shkeljeve të konstatuara me pasojën e parashikuar shprehimisht nga dispozita në fjalë që ka të bëjë me cenimin e besimit të publikut dhe të pamundësisë së provuar për të plotësuar mangësitë përmes programit të trajnimit. Kjo dispozitë zbërthen përcaktimet kushtetuese të parashikuara në nenin “Ë” të Aneksit të Kushtetutës, prandaj arsyetimi në lidhje me këtë dispozitë përbën jo vetëm një detyrim ligjor, por edhe një detyrim kushtetues të parashikuar shprehimisht nga pika “1” e nenit “Ë” të Aneksit të Kushtetutës. Për këtë arsye, në pajtim me parimin e proporcionalitetit dhe parimin e gjykimit të drejtë, kam mendimin se duhet të zbatohej neni 59, pika “1” e ligjit nr. 84/2016, duke u vlerësuar në tërësi të gjithë përbërësit e vlerësimit për subjektin Z. Famir Hoxha. Në këto rrethana, duke pasur parasysh faktin se nga provat e shqyrtuara dhe nga deklarimet e bëra në seancën dëgjimore, krijoj bindjen se subjekti i rivlerësimit, Z. Fatmir Hoxha, ka krijuar një nivel të besueshëm për vlerësimin e pasurisë, ka krijuar një nivel të besueshëm për vlerësimin e figurës, si dhe ka krijuar një nivel të mjaftueshëm profesional, prandaj në vlerësim të të gjithë përbërësve të vlerësimit, krijoj bindjen se shumica nuk duhet të kishte disponuar shkarkimin nga detyra të këtij subjekti, por konfirmimin e tij në detyrë.

ANËTARE

Valbona SANXHAKTARI

 

http://kpk.al/wp-content/uploads/2018/06/Vendimi-Fatmir-Hoxha.pdf

 

Please follow and like us: