Albspirit

Media/News/Publishing

Emil Asdurian: Domosdoshmëri mbijetese

Image may contain: horse and outdoor
Domosdoshmëri mbijetese

Alfonse Karr: Sa më shumë që gjërat ndryshojnë, aq më shumë mbeten njëlloj.

Pas Kopernikut, pa thënë ndonjë gjë të re, ish Darvini që i dha dërmën njerëzimit, pikërisht dhe në radhë të parë për atë se si e shihte ai veten në marrëdhënie me gjithësinë q’e rrethon. Boshti ku mbështetej u thërrmua si rërë dhe nga bir i zgjedhur perëndish, aq sa për të zbrisnin në Tokë, qendrën e gjithësisë, për t’i mbarsur gratë herë si mjelmë qafëgjatë dhe herë si shi, në një kope mëkatare pa fre. Ndaj më pastaj, u dërgoi Mesian t’i kthente në emër të dashurisë atje ku ishin duke u larë njollën mbetur nga mollë e Evës. Darvini i ktheu ata nga të shëmbëlltyrës hyjnore në rëndomtarë të parëndësishëm edhe pse mend kishin të shisnin. Ç’mend, kur s’bëjnë më shumë se kushërinjtë e tyre primatë, se veten dinë ta dallojnë përpara pasqyrës. Por dhe me të flasin e grinden si me gjithë të tjerët. Se dhe atë ç’shohin e marrin për të vërtetë. Sipas kësaj teorie ende të pabesuar plotësisht, s’ka specie as më të larta dhe as më të ulta, mjaft të mbijetosh dhe je në piedestal, njëlloj i vlefshëm sa një milingonë a vemje, molusk a balenë.
Bash për këtë, grekët e lashtë, të ardhur dhe ata në ato troje, si të gjithë në Amerikë, ishin emigrante, siç ende vimë, sapo dalim në jetë të ulërimë se s’dimë ku dhe kush jemi, s’kishin asnjë të drejtë të tjeret t’i quanin barbarë. Ne, shqipot jemi ende këtu të pahumbur, qysh atëherë, në trojet e Trojës sonë të djegur dhe të stërdjegur dhe flasim të njejtën gjuhë dhe mbajmë mbi kokë po atë plis pas tremijë e ca vjetësh. Në fund të fundit, të mbijetosh do të thotë, në radhë të parë të mashtrosh vdekjen. Dija rren të mbijetojë. E vërteta po ashtu! Kush mbet, fitoi-kush vdiq, humbi për jetë. Kaq thjesht. Uliksi kurrë s’u dënua nga askush për ç’bëri në Trojë, por për synë q’i kreu Polifemit!

Në evolimin shoqëror, që pa asnjë dyshim edhe pse i ndryshëm në kohë zgjatje a veçori të tjera teknike, disa lloje, dhe nuk janë pak, në vend që “të shkojnë përpara”, të kthehen nga elefant në balenë, (mendohet se kanë një paraardhës të përbashkët), përzgjedhin të kthehen pas, bëhen më të thjeshtë, zhvillojnë çatallë të ngulen në zorrë, koka u kthehet në gojë, humbin sytë dhe thithin ç’përtyp viktimë e gjorë! Aty në errësirë vetëmbarsen ose ashtu të majmë presin t’u sjellë fati ç’u duhet të pjellin veten!

Ka dhe nga ata që mbetën siç ishin për miljona vjet, ka ende peshq të tillë nga ata, të cilët si ne, hanë ç’të munden dhe ç’gjejnë. Omnivorë (gjithngrënës)! Në thelb, të gjithë jemi ç’hamë. Të gjithë një farë! Shembuj shoqërorë për këtë ka plot! Ndërsa Anglia, Franca e Gjermania u rritën me revolucion a evolucion në lloje të reja, nga feudalizmi, në kapitalizëm, në imperializëm industrial, lëkurën ndëruan dhe mendjen, ca ndoshta rritën brirë a kokë minotauri, në perandori buajsh shtypën me thundër, ca të tjerë nën Turqi si dhe nën Romën Auguste mbetën siç ishin. U hoqën sikur u besuan të gjitha feve që ua sollën dhe iu falën vetes. Dodona s’ish më kot fillesa e të gjithave. Gënjeshtra e vogël, si vjedhja e vogël me llokma e korbave nga kufomat me ose pa zot, “rrëmbe dhe ik fshihe” ndihte njëlloj të mbijetoje! Aq të forta ishin këto veçori sa u bënë pjesë e brendëshme e pandarë e trashëgimisë gjenetike të sojit, në trup dhe mendje, si njeri-njesi apo grup-komb. Faj i të parëve!

Kush do ta mendonte që Hungaria e Huniadit, e përzgjedhura e BE-së do të katandisesh kështu? Ajo q’ish për t’u marë shembull në luftën kunder komunizmit Rus, para dhe pas rënies së Murit! Nga të parat që kreu reformat politike dhe ekonomike dhe hyri aty ku i takonte me meritë të pacenuar! Tani, helas, një shtet mafioz postkomunist, diktaturë, me ligj “kundërshpifje”, pa investime të huaja, pa gjyqësor dhe media të pavarura, raciste, me sulme ndaj grupeve të caktuara, persekutime politike, me kontrol të plotë njëpartiak të të gjitha institucioneve shtetërore, e sigurtë në pandryshueshmërinë e pushtetit të saj, buzë greminës!* Sieg Heil!
Dhe në këtë rrugë nuk është e vetme, ka të tjera që po e ndjekin nga pas, shtete komuniste mafioze pa ligj të paligjshme!
Arsyet sigurisht lidhen me Katovicën!
Regjimi i Vjetër, “ancient regime” s’iku kurrë, disa mendojnë, se janë po ata njerëz “që ndërruan lëkurë, por nuk ikën kurrë”, por do të thoja më shumë se të gjitha kanë faj, të gjithë me mendësinë e përbashkët fisnore! Dhe përderisa asgjë nuk ndodh pa arsye dhe kjo e fundit ka shkaqet e saj, që pa dyshim varen nga nxitja e shpërblimit! Disa prej tyre janë:
• gërshetimi i sferave publike me ato private, me marrëveshje prapa skenave midis partive madhore politike duke lejuar burimet dhe njerëzit të lundrojnë lirshëm nga “tregu i lirë” në shtet dhe anasjelltas, me korrupsion të ndërsjelltë.
• mos pranimi i liberalizmit eknomik dhe atij politik, dy çështje krejtësisht të ndara në demokracitë perëndimore, pjeserisht kjo nga dështimi i reformave ekonomike të viteve ’90-të, pa përmendur atavizmat e sistemit piramidal shoqëror të komunizmit, ku shteti është përgjegjës dhe burim për gjithçka! Shteti mbeti treg dhe tregu shtet. Tëpkë si më parë.
• Mafia, ka rregullat e veta. Vendimet s’merren asnjëherë në dritën me diell ku mund të shihen dhe gjykohen, por në hije si hijena, me qeshje dhe ngërdheshje dhe thikë pas shpine! Shpërblim sipas besnikërisë dhe jo sipas meritës, ndëshkim i pamëshirë për mosbindje. Shokë Byroje shokë lufte! Gratë po ashtu ndajnë pushtetin dhe shtetit si në shtrat!

Puna Jonë, Cosa Nostra**, pavarësisht nga prejardhjet e ndyshme të emrit, mafia, përveç të tjerave, përmban dhe cubin e pabesë, krenarin mendjevetëkënaqur, me kryet në qiell dhe pse jeton në guva të errëta, lindi nga një nevojë mbijetese! Të gjitha mafiet kanë në thelb, sipas përcaktimit, i cili buron vetiu nga historia e tyre, një strukturë dhe kod-kanun të përbashkët, të shkruar dhe të pa shkruar, për të kryer “punet e tyre”, në një shtet i cili nuk mundet të shtrije pushtetin e tij mbrojtës tek të gjithë! Pa përmendur varfërinë e tejskajshme që vazhdon të pjellë vjedhje, “një kothere për vete”! Por këto s’janë më! Mafia u shtri dhe u përhap bashkë me sëmundjet e tjera infektive, nën dhe, si lakuni urithësh, kudo në botë sa arriti me kultin e saj sado primitiv deri në majat më të larta të shoqerive të dhe pa “zhvilluara” dhe mbijetoi si “farë e keqe” ashtu thjesht pa shume teori! Tani ka shtete që presin gojë hapur të vjedhin një copë nga torba e madhe e ndihmave, ndërkohë që fshehurazi shesin ç’të mundin në tregun e nendheshëm, fëmijë, vajza, kënaqësi, organe e gjymtyrë! Aty përballe në shesh të burrave dhe nëse nuk je si ata shpejt a vonë do të bëhesh, ndryshe nuk mbijeton dot apo kot që jeton, së dhe për të dalë jashtë, do duhet t’i paguash!

Nuk ra tërmet! Të paktën nuk thanë gjë ata q’ishin atje, por as mediat dhe FB-ja! Atëherë ç’ndodhi? Ç’u shkrepi ukrainasve të qetë të ngriheshin më 2014 në Revolucionin e Dinjitetit* dhe të rrëzonin qeverinë e korruptuar? Mirë ishin, nuk qe se atje ku ishin, në çdo shtresë të shoqërisë nuk vidhnin ndopak për t’i mbushur diçka më shumë rrogës! Për çfarë dinjiteti bëhej fjalë? Ndoshta, për atë të Lirisë, për të vendosur për lumturinë tënde, apo për një shtet të ri, vërtet të popullit siç pritet prej shekujsh të jetë! Fijet e vjetra të së shkuarës lehtë s’të lënë t’i këputësh! Por dhe ato nuk kërkojnë tërmete të thyejnë nëmën e vjetër:
“Se sa më shumë gjërat ndryshojnë, aq dhe më mbeten njëlloj”.

(Ky shkrim nuk aludon për asnjë ngjarje dhe njerëz të vërtetë në vende të tjera, veç atyre të përmendura më lart).
———————————————————-
*POSTCOMMUNIST MAFIA STATE, The Case of Hungary, by Bálint Magyar, CEU Press 2016, ISBN 978-615-5513-54-1
**STORIA DELLA MAFIA, Dalle origini ai giorni nostri, Salvatore Lupo, DONZELLI EDITORE, 2004, ISBN 978-88-6036-604-7

Please follow and like us: