Albspirit

Media/News/Publishing

Frank Shkreli: KUSH PO E HUMB SHQIPËRINË?

Frank Shkreli: Ibrahim Rugova, Vetitë e një Burrështeti | Gazeta ...

Frank Shkreli

 

Kjo nuk është kritika ime e parë dhe shpresoj të mos jetë as e fundit ndaj të bëmave dhe të pa bëmave tuaja sot dhe të paraardhësve tuaj diplomatë të vendeve demokratike në Tiranë, gjatë këtyre 30 viteve post-komunizëm në Shqipëri. Nuk e bëj këtë me ndonjë qëllim të keq, por e bëj sepse jam njeri i lirë në Amerikën time të dashur, i cili ia do të mirën dhe të njëjtën liri e begati edhe Shqipërisë, atdheut të paraardhësve të mi.

Po shikoja ditët e fundit diplomacinë tuaj ecejake (shuttle diplomacy) në Tiranë, siç quhej dikur, me grupe të ndryshme të kësaj klase politike shqiptare për arrijtjen e një marrëveshje për reformën zgjedhore. Nuk mund t’u besoja syve – a thua kemi të bëjmë me një krizë botërore të përmasave të një lufte që kërcënon paqen dhe stabilitetin, jo vetëm në një vend siç është Shqipëria, por në një rajon të tërë, siç zhvillohej dikur diplomacia ecejake e diplomatëve perëndimorë në Lindjen e Mesme ose udhëtimet e Henri Kisingerit për t’i dhënë fund luftës së Vjetnamit – midis armiqëve, nga një kryeqytet në tjetrin.

Por, kjo që po ndodh këto ditë në Tiranë nuk mund të konsiderohet e tillë, megjithëse duket si e tillë. Sot për sot, Shqipëria është në paqe, megjithëse me një “demokraci” tepër të brishtë dhe rajoni duket në paqë, të pakën tani për tani. Është e vërtetë se në këtë rast kemi të bëjmë me një klasë politike që kundërshtarët politikë, bashkatdhetarë të tyre, i konsiderojnë armiq, por ata nuk po luftojnë për shkëmbim territoresh, por për të kontrolluar sistemin zgjedhor, me qëllim që ta ruajnë pushtetin për vete, për partitë e tyre dhe për miqtë e vet. Njoftohet se grupet e kundërta negociuese shqiptare nuk pranojnë të takojnë njëra-tjetrën në zyrat e shtetit të pavarur shqiptar, por – falë armiqësive të tyre ndër-personale dhe politike — detyrohen të zhvillojnë bisedime në një truall asnjanës, siç është Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë. Turp më të madh nuk ka. Se çfarë sinjali duhet të jetë ky për klasën politike, për popullin shqiptar dhe për vetë diplomatët që i organizuan këto bisedime, vetëm një Zot e di. Një gjë e tillë ndodh, normalisht, vetëm kur zhvillohen bisedime midis palëve armiqësore, për t’i dhënë fund ndonjë lufte ose për të nënshkruar ndonjë armëpushim, kur palët nuk bien dakort të takohen në territorin e njërës ose të tjetrës palë. Por, Shqipëria nuk është në prag të luftës dhe diplomatët perëndimorë nuk janë në nivelin e Henri Kissingerit – megjithëse në një vend të vogël si Shqipëria edhe mund ta konsiderojnë vetën si të tillë. Kjo nuk është diçka e re. Kemi të bëjmë me një klasë politike që për 30 vjet vazhdon të luajë të njëjtën lojë me shqiptarët, po se po, por edhe me diplomatët perëndimorë në Tiranë, përfshirë edhe këta të sotmit. Kjo klasë politike i ka futur edhe diplomatët e huaj aty ku i do politika shqiptare – në një cikël të fëlliqtë të moçaleve politike shqiptare prej më shumë se një shekulli – të një politike shekullore otomano-sllavo-komuniste, nga e cila nuk po mund të dalë dot, madje as me ndihmën e ndërkombëtarëve perëndimorë.

Tashti, të nderuar diplomatë të huaj në Tiranë, me gjithë qëllimet e mira që mund të keni për të luajtur një rol pozitiv për arritjen e një zgjidhjeje të këtij lëmshi politik – reformën në drejtësi dhe reformën zgjedhore – lëmshi po bëhet gjihtnjë e më i madh çdo ditë para syve tuaj — dhe të cilit çdo ditë e më tepër nuk po i gjendet filli – ju tashti, doni e s’doni, jeni bërë pjesë e këtij problemi. Kjo klasë politike ëshët e juaja. Në të vërtetë, ju e kini krijuar, jo ju sot, por të gjithë ata para jush gjatë 30 viteve të kaluara. Ta gëzoni!  Por, duhet të jeni të vetdijshëm se edhe ju jeni përgjegjës për gjendjen e krijuar, megjithëse pas tri vjetësh, këto probleme do it’u kaloni pasardhësve tuaj, pasi në qoftë se vazhdoni kështu, asgjë nuk do të ndryshojë në Shqipëri – ashtu siç kanë bërë paraardhësit tuaj, pas largimit të tyre në detyra të reja diplomatike.  Këto janë probleme të vjetra dhe metoda të vjetra të diplomatëve perëndimorë në Tiranë për të zgjidhur poblemet politike midis partive politike, të cilat ju po i ricikloni pothuaj me të njëpjtit politikanë shqiptarë — kanë dështuar në një mënyrë të mjerueshme gjatë tri dekadave, sepse politikanët shqiptarë kanë qenë dhe janë mjeshtra për të manipuluar sistemin e tyre politik, me qëllim që të qëndrojnë me dekada në pushtet, me ndihmën e ndërkombëtarëve. Në të vërtetë, Kryeministri i vendit po punon për planet e vitit 2030.

Diçka duhet të ndryshojë në mendimin e perëndimorëve karshi zhvillimeve në Shqipëri, në qoftë se dëshironi të shkohte përpara me vlera perëndimore, jo gjysmake. E Buono për Albania!  Nuk shkon më kështu. Mendimi se, ruajna Zot, e prishim pakëz këtë model të deritanishëm politik, me gjithë të metat e tij që, besoj, se ju i shihni, por për të cilat heshtni vazhdimisht, jo vetëm Shqipëria, por i mbarë rajoni destabilizohet e atëherë na dalin probleme më të mëdha – nuk qëndron.  Vendet vërtetë demorkatike ka më pak të ngjarë të shkaktojnë probleme brenda ose jashtë vendit. E kam dëgjuar shpesh se stabiliteti është prioritar, se ç’bëjnë politikanët shqiptarë në Shqipëri dhe grindjet e konfliktet me njëri-tjetrin s’ka rëndësi. Bëjmë sikur nuk shohim se ç’po ndodh, heshtim, por ama duhet të zgjedhim të preferuarin tonë me të cilin duhet të merremi gjatë qëndrimit tonë në atë vend, nëherazi duke mos përfillur ankesat dhe problemet e shoqërisë shqiptare. Në fund të fundit, shikoni, Tirana duket si një metropol evropian, e përparuar, me pallate të larta, pjesën tjetër të Shqipërisë ta hajë dreqi!  Shpresoj të mos mendoni ashtu, të nderuar diplomatë! Dilni pak jashtë Tiranës dhe komunikoni me popullin. Shikon se si jetojnë.  Jam i sigurt se do të bindeni përse shqiptarët duan të largohen jashtë vendit, sikur Shqipëria të ishte në luftë.

Megjithëse Shqipëria është e vogël, nuk mund të jeni të kënqur që në punën tuaj të vlefshme diplomatike, si përfaqësues të vendeve mike të shqiptarëve, të përzgjidhni atë ose ata politikanë shqiptarë me të cilët të merreni — varësisht nga periudha dhe rrethanat historike — me të cilët mund të punoni, madje edhe në kurriz të demokracisë dhe lirive për shqiptarët, me arsyetimin e vetëm – ruajtjen e stabilitetit në vend. Stabiliteti në vend ruhet më së miri me këmbngguljen për krjimin e një sistemi  vërtet demokratik të qeverisjes dhe jo me përkëdhelje të njërit ose të tjetrit politikan ose qeveri.

Kjo klasë politike pretendon se dëshiron të bëhet pjesë e Bashkimit Europian dhe ne (ndërkombëtarët) pretendojmë se i duam të futen në BE, por jo pa i plotësuar standardet e Bashkimit Europian. Gjatë viteve këto standarde dhe kushte vetëmsa janë shtuar, me keqësimin e gjendjes poliitke dhe të drejtave të shqiptarëve. Ndër to janë kryesore reforma në drejtësi dhe reforma zgjedhore.  Në të kaluarën, zgjidhjet që i janë imponuara kësaj klase politike nuk janë zbatuar fare ose janë zbatuar në mënyrë të pjesshme dhe përkohësisht.  Se çfarë i bind ndërkombëtarët se kësaj rradhe do jetë ndryshe, vetëm ata e dinë.  Një marrveshje për reformë në zgjedhje edhe mund të arrihet midis palëve gjatë ecejakeve dimplomatike në Tiranë këto ditë, por zbatimi i saj nga palët nuk do të ndodhë.

Të nderuar diplomatë, realisht, si mund të prisni një zbatim të një marrëveshjeje –edhe në qoftë se ajo arrihet nga palët të cilat refuzojnë të bien dakort për një vendtakim në tokën shqiptare? Për këtë të jeni të sigurtë. E atëherë, a do heshtni apo do bëheni pale, duke akuzuar njërën ose tjetrën parti ose individë të caktuar për shkeljen, për vjedhjen dhe për zgjedhje jo të drejta, natyrisht, sipas oreksit dhe atmosferës politike të momentit në Tiranë.

Përse Shqipëria, anëtare e NATO-s dhe aspirante për t’u bërë anëtare e BE-së, trajtohet në këtë mënyrë nga ndërkombëtarët, 30 vjet pa rënies së komunizmit, është e pashpjegueshme për mua. Vlerat dhe standardet perëndimore janë të qarta dhe të barbarta për të gjithë ata që duan t’i zbatojnë ato. Nga njëra anë. Tiranës zrytare i kërkohet plotësimi i kushteve dhe standardeve evropiane për t’u bërë anëtare e BE-së, por në takime, si këto ditë në Tiranë, ndërkombëtarët mund të imponojnë një marrëveshje që mund të jetë në kundërshtim, të pakën me frymën, në mos edhe me vetë vlerat dhe standardet evropiane të zgjedhjeve.

Përfaqësuesit ndërkombëtarë në Tiranë nuk duhet të marrin anën e njërës ose tjetrës palë politike në konfliktet e tyre, sidomos kur është e qartë se ndërkombëtarët, siç është provuar deri tani, nuk janë të aftë të influencojnë situatat në vend, për më mirë dhe kur asnjëra palë nuk është ideale për t’u mbështetur. Në qoftë se ndërkombëtarët vazhdojnë me një politikë të tillë, atëherë, herët ose vonë, njerëzit me të drejtë do të bëjnë pyetjen: Kush e humbi Shqipërinë?/ylliria press/

Please follow and like us: