Albspirit

Media/News/Publishing

Vargje poetike nga Mustafa V. Spahiu

 

 

PRANVERA ME BAJRAK

 

Pranverë e re je nisur me bajrak,

Portave po troket me: trik – trak;

Si vogëlushe me gishta në gojë, e

Tollumbacja të iku me gjithë tojë.

 

Pranverë e re zogjët t’ngjatjetojnë,

Sqepash t’vyeshëm folet i riparojnë;

Ditëlindjen ia urojnë trëndafilit – e,

Lauresha i nis mesazhe trishtilit…

 

Pranverë e re – nusëron pranverë,

Shtatë diellna – ndezur fenerë!..

Ti që ke fytyrë nënore – të mirë,

Na mëso NEVE – si me të thirrë?

 

Pranverë e re nisur në shtegtim,

Papritur je futur në shpirtin tim…

Merrmë t’i shoh stolit paskëtaj;

Me okarina lulet kur rriten n’maj.

 

Pranverë e re amëso me bukuri,

Poeti n’çdo stinë ndjen një rini…

Gonxhesh kot i kërkoi dëshirat!

Jap thesare për ditët më t’mirat.

 

Pranverë e re qenke larë me vesë,

Kur qiellit hëna derdhën shpresë!

– Vek pa yrnek – t’endi para agimi,

Pranverë e re zemrash rritet g’zimi.

 

Pranverë e re sa je gazmendare…

Dhe brengat e jetës i harron fare,

Në mëngjes kur flakëron dielli,sa

Ëmbël ne këndojmë qeshet qielli.

E premte, 12 mars 2021, në Dardaninë Ilire.

 

NGJARJE E NDODHI

 

Ndodhin e ndodhin dhe ndodhin:

Rrënjët ngulitur thellë në qiell, e

Gjymtyrët mëtojnë deri në diell,

As degë përpajash nuk t’lodhin!

 

Ngjarja ndodhinë breshkë përmbi

E mbanë morr t’zi, si një dekoratë,

Kreshnik i përgjakur as pa ispatë;

Asgjë s’dëgjohet në zbraztësi, se

 

Fat e rrisk mbërthyer me shushonja

Pa kaluar kënetë, kredhur në moçal,

S’jam i zoti as të katrithem n’mal, më

Presin gojëhapur, sygjak tri ulkonja!

 

Dhëmbët i skërmisin vrer jargaviten,

Duhmë e tyre ajrin vrer ma rrallojnë,

Ngulmojnë n’mua turr t’më sulmojnë;

Me njëra-tjetrën çudi ç’po ngrafiten!

 

Ngjarjen e ndodhinë t’i bëjë kronikë?

Sizif për faqe shkëmbi mbështetem,

Para kuçedrave dilemë mos t’jepem,

S’lejoj plagë as gjakun tim pikë, pikë!

 

Me pështymë ua mbuloj tërë fytyrën,

Më mungon ogurmadhe një xixë zjarri;

Shkrep rrufeja fatit tim i ecën zari,dhe

Gjuhë e tyre n’çast e ndërron ngjyrën!

 

Tragjeditë i njoh moti nëpër bjeshkë,

Deshën ime jetë t’mbyllej me flijime!?

Në vatër t’mos kishte më lindjesime,

Ulkonjat gjetën zavall, u dogjën eshkë.

E premte, 12 mars 2021, në Dardaninë Ilire.

              

BEDENI I VETMISË

 

Përtej vetmisë s’ka fshat tjetër,

As harqe urash mbi lumë t’vdekur

Mendja vete ku brenë miza hekur;

Kot pushtoi kêshtjellë më t’vjetër.

 

Kalorës m’kurajoz mbi kalë bedevi[1]

Vetmisë së rërës gjarpron si litar, e

Prushi të ndjek prapa si një zagar…

Shikoj veten vëngër me sytë e mi!

 

Ëndërroi – oazën – e amshueshme,

Ngarenda në dete dhe në troje, e

Pelin gjerba – askund mjalt’e hoje,

Sëmbon plagën – e padurueshme!

 

Bedeni i vetmisë si s’paska fund?

Uratat po m’kthehen n’mashtrime,

Me shtrezet e bukurisë n’mallkime

Çdo dallgë shortet dot s’m’i tund.’

 

Kali vrapon – kapton në shtegtime,

Trëdafilat e mbushura çurg me lotë,

S’jam i pari t’përbirohem në botë, si

Halil Garria që flatronte për flijime!!!

 

Pas përrallave s’dua për të fjetur

Morti gjumin e ka vëlla ose motër!

Rrisk t’tillë si bukë n’sofër- Du(a)

Rimin – rrugën duhet për t’gjetur!

E enjte, 18 mars 2021, në Dardaninë Ilire.

 

 

PËR TË NJOHURIT

  (Miqtë s’gjenden as me llupë)

 

 

Çudi, dy guralecë bashkë s’po i leni-

Duke i ndarë nga të pabërat e mia!

S’kam forcë t’iu fal, n’idilë siç jeni-

Vazhdoni sulmin, si ju ronit magjia, e

 

Unë po mirrem me art m’cyt qetësia,

Ndalnie tërbimin, or demon t’mallkuar!

Pështyj përbuzje – m’pëlqen pleqëria;

N’vetminë time të jam sa m’i rehatuar!

 

Një urti dendur përsëritet atje n’Dibër,

Thonë: “medet, ‘ipi qeni mbi sixhade!”

T’dehur mirë, merrnie lexoni ndoj’ libër;

Shekujt ndërrohen, jeta e juaj s’ka vade.

 

Më prisni n’pusi – kaptova monopatit!

Është e kot, mos iu ka lindur-“gjeniu?”

Def, ngrehni armët – pa ikur prej fatit;

Gjak hienash keni ose gjak prej njeriu?

E mërkurë, 22 maj 2019, në Dardaninë Ilire.

 

 PËR VETEN… DIÇ CIRKON

 

N’asnjë mënyrë fare s’dua të mburrem,

Me misërnike jam rritur-m’duket saora…

Në tjera këmbësh ende s’dua t’thurrem,

Ninullat e nënores m’janë të arta kurora.

 

Zjarr ndeza shpirtin pa pasur djallëzinë,

Si gjithë bota pata halle plot, ore, mik! –

Për fshatin pranverova tërë dashurinë, e

Për besën e vërtetë u bëra melankolik!

 

Atit tim s’ia shpërdorova as katandinë,

Me djersët çurg shkrojta gjë me vend.

Dinsëzët m’shanin: “braktise poezinë,

T’i po këndon vetëm për shpirtin tënd!”

 

T’ndërtosh këngë, si me lugë një bunar,

Kovën e rimave e nxjerrish me mundim!

Pasioni t’fut mademesh për ndoj’thesar;

Metaforat të bëhen kallo djegin sëmbim.

 

Të “dashur” vargjet s’i kam mendjelehta,

Nuk sjellin namë – qoftë larg as tmerr, dhe

Dalin n’mejdane – janë purpur të vërteta,

Mos vrani mendjen – unë jetoj me nder…

E enjte, 23 maj 2019, në Dardaninë Ilire.

 

 DIMËR LUBI 1955/56

(Jam dëshimtar okular, vjeç 8, kl. dytë)

 

Dimër t’hëngërt acari acarisht!

Etërit i futën lëvozhgës s’lajthisë,

Një mauzerkë u shit 25-të herë –

I 26-ti e bleu litarin-kokën’lak!!!

 

Dëborë të mallkoftë bardhësia!

Burrar zbathur fytyrat nga veriu..

Mustaqet duaj thekre rrinin lakuriq,

Çirrej udbashi Misha Stojillkoviç!

 

Zezonë e vrerosur – çaxhëlëmerisht!

Urdhër ekzekutiv – n’sllavoserbisht:

– Donesite sva orudia, topov’i tenkovi,

– Jebem vama sve majke ballistiçke![2]

 

Zërat e ngjizur i nxjerrte veriu i egër:

– I kemi dorëzuar pas luftës më 1945!

– Po gnjeni, ore shiftarë të mallkuar!

Plevica e tavanet i keni plot me armë.

 

Dimri heqamë – tërbohet si shqehët!

Hafijet shqipfolës’i qen ecin sokaqesh.

Milicët iu venë pas nuhasin zagarçe-

I sogjojnë syvëngërt shtëpit dollma.

 

Dëbora nepërkë i ngjok nën këmbë!

Grumbull i fusin n’odë t’Ahmet Gegës.

Fëmijët dridhen në barqet e nënave…

Paloudbashi ziosh çirret si egërshanë.

 

Dimër, dhunë, torturë, sharje t’therta!

Fshatarët sjellin t’vjetra, t’ndryshkura;

Armë t’sulltan Abdyl Hamitit gjakatar…

– Tërbohet zemërhiena Stojillkoviç!!!

 

– Jo, jo, jo! Armë të Luftës së Dytë,që

Kur luftonit me aradhat tona partizane,

Ju ballista të “Shqipërisë së Madhe!”

Do t’thithim gjak e qumësht të çdo nëne!

 

Trimërisht jehoi zëri i Rexhep Arifit:

– Po na jemi milet i po këtij hyqmeti!

– Jo, ju s’jeni lojal t’Jugosllavisë; do

– Jo iu shpërngulim dhèut’Anadollit.

 

Dimër i egër – kallkan si ai Siberian,

Nxënësit s’mbanin mësim, këndim

Lotët e mësuesve na miklonin faqet;

Mbi banga dajaku dërrasa me emra!

 

Oxhaqet tymosnin me unat urrejtje!

Aksioni i grumbullimit të armëve,qe

I “suksesshëm” me vrasje e vrragë!

Erdhi pranvera! Pasoi verë e thatë…

 

Dielli përcëllonte – Qielli gurëkali,e

Lumi pinte ujin etshëm grykëtharë!

Sofra shtrohej vetëm 24 orë n’ditë,

Jetonin shqiptarisht plisabardhë…

E hënë, 18 shtator 2017, në vendlindje.

 

[1] bedevi, a (ar.) specie e rrallë kuajsh të shpejtë me dy palë qepallash që iu shërbejnë beduinëve të shkretëtirës së Saharasë.

[2] Sharje sllavoserbisht:

“Sillni të gjithë armë, topat e tanket

“Ua q…. juve të gjitha nanat e ballistëve”!

Please follow and like us: