Albspirit

Media/News/Publishing

Maurice Blanchot: duke pritur filozofikisht VDEKJEN!

Maurice Blanchot: duke pritur filozofikisht VDEKJEN!

MES HIÇIT ABSOLUT DHE KRIZWS NERVORE…

 

Skënder SHERIFI

 

Po e ndaj këtu me ju, një ndër eksperiencat e mia, më delirante dhe ekstravagante në Paris, me zotin Maurice Blanchot (filozof, kritik dhe romancier francez, limit për psikiatri?) i cili në një mënyrë me siguri mjaft margjinale, sekrete, misterioze, sepse ishte personalitet i mbyllur e absolutisht jo komunikativ apo showmen, siç janë zakonisht figurat e mëdha franceze, në një reprezentim teatror permanent, para një publiku Iks apo edhe hipotetik. Mirëpo, janë të mësuar ashtu, e kanë në ADN dhe ju duhet për të luajtur, për të aktruar, se përndryshe, nuk bën!… Pak kush e ka imponuar heshtjen në tavolinat e shoqërive elitare parisiane, pos ky vet dhe Samuel Becketti. Mirëpo, Blanchot ka qenë edhe më radikal, sesa zoti Mandiargues, ka ndikuar së paku 10 deri në 20 vite në konceptet mbi letërsinë dhe filozofinë franceze (po themi mes vitëve 1950 dhe 1960). Motorri i tij, karburanti ideologjik, ka qenë VDEKJA… me një nihilizëm ekstrem të paparë. Bota e tij shpirtërore mund të përmblidhet me këto fjalë: Fjala minimale, ose më mirë heshtja… hiçi dhe asgjësia, sepse asgjë nuk ka rëndësi, nuk ka përjetësi dhe është automatikisht e destinuar për t’u zhdukur dhe për t’u harruar, marrëdhënia e komplikuar me shkrimin: pse duhet me shkruar? Raporti i mishëruar mes shkrimit dhe leximit, përmes një lexuesi që është super i implikuar… dhe siç ju thashë më parë, deri në heshtjen, zhdukjen dhe vdekjen përfundimtare, të cilën e presim si një çlirim apo një shpëtim.

Natyrisht, është një autor tërësisht margjinal dhe i panjohur fare nga publiku i gjerë francez, porse i respektuar dhe disa herë i adhuruar apo i idolatruar si guru apo si tip modeli, nga një minoritet intelektualësh, të cilët përmes rrjetave të influencës që kanë pasur në Paris e krijonin modën dhe reputacionin e Filanit apo të Fistekut.

Në Paris, me të piketuar dhe celebruar 10 persona emblematikë të duhur, emra që i njeh çdokush dhe të cilët e gëzojnë një autoritet të padiskutueshëm në kryeqytet, duke e ditur që ata persona e kanë automatikisht një ndikim gjigand dhe vendimtar të thellë mbi shoqërinë kulturore elitare… ka mbaruar muhabeti… do jesh një Yll referencial mjaft i përmendur, pavarësisht se kush të lexon apo nuk të lexon, sesa do shitesh apo jo nëpër librari? Pra, rëndësia jote matet me idenë: a na ka sjellur zoti Maurice Blanchot diçka të re tepër speciale, autentike dhe origjinale, në fushën e mendimit filozofik, kritik dhe analitik apo në fushën e krijimtarisë letrare?  Mjafton me kaq, edhe nëse e kanë lexuar vetëm 200 veta në Paris! Pra, kriteret do lidhen me përmbajtjen e veprës, peshën dhe rëndësinë eventuale të saj e jo me bumbardimin publicitar në Top Channel, të zotit Ermal Mamaqi, kloun apo bufon publik, tani i metamorfozuar në shkrimtar, filozof, teolog dhe sociolog… kishit me thënë, që jemi para Michel Foucault, Jean Baudrillard, Michel Serres apo Edgar Morin… në një moment, i thua vetes: a jam në realitet apo në një delirium psikik?

E pra, nuk kam asgjë kundër atij personi personalisht, ngaqë më duket bile djalë simpatik, në përshtypjen e parë… mirëpo nuk mund të pranohet ky stil konfuzioni permanent i çdo zhanri dhe i çdo fushe, përmes një komunikimi publicitar të tepruar, gati prostitucional. Tani, problemi thelbësor është që tek ne, askush nuk e thotë qartë, nuk i demaskon këto lloj posturash false dhe dezinformime, të cilat janë në fakt manipulime… dhe çdokujt prej nesh i dukën këto dukuri krejt normale.

E drogojnë një popull me seriale turko-latine mizerabël dhe tani ai popull dikur pas 10 vitesh, do mendojë spontanisht, që ky qenka kulmi i kinematografisë botërore dhe do e refuzon kategorikisht, për mos me thënë do pshurrë pamëshirësisht në Antonionin, Mizogushin, Cassavettes, Jean Vigo, Bergmanin, Elia Kazanin, Orson Welles, Andrei Tarkovskin, etjerë…! Kështu eliminohet gradualisht çdo kulturë!

Kulmi dhe referenca e këngës, janë në Kosovë dhe Shqipëri: atë çka shihet në kanalet televizive muzikore, ditë përditë… duke e injoruar komplet gjithë historinë gjigante të muzikës rock, soul, jazz, argëtuese apo elitare në botë. Pra, rroftë muzika bazike dhe ritmike binare, e klubeve, e plazheve dhe e diskotekave. Muzika tallava, e Pikë!

Tani, kur më tha Seghersi: “Të pret javën që vjen Maurice Blanchot te shtëpia e tij… shko e takoje, se do jetë interesant ai konfrontim mes dy natyrave të kundërta… a ke lexuar diçka, ti Djalë”

-Po, po, 3 libra, ku e shpallos depresionin e tij tragjik! A mos jam si Don Kishoti duke luftuar me mullinjtë e erës? Por mos u shqetëso fare, Pierre… do rezistoj, siç kanë rezistuar gjyshërit tanë nëpër bjeshkët malësore, me krenari dhe dinjitet. Mos harro që jam djali yt shpirtëror dhe djali i Shpend Sherifit nga Valbona, i cili ka qenë Von Karajani i Odave të Brukselit, me Mërgatën e Qyqeve dhe nuk guxoj me këtë CV për të dështuar.

Dhe i vajta tek dera e tij, në një banesë  të Parisit 4, mjaft qendror, dikund afër Place des Vosges, ku ka pas banuar Viktor Hugo, gjeniu i letrave franceze. I rashë ziles tek zoti Blanchot… Sinqerisht, nuk e dija se çka do më priste, edhe pse e kisha idenë se çfarë lloj personazhi është? Kur e ripleqëroj sot me distancën kohore, i them vetes: me na pas pa ose filmuar dikush i jashtëm, do na kishin internuar të dyve në spitalin e famshëm parisian Saint-Anne, në sektorin e Psikiatrisë dhe do ishte një teatër absurd ‘life’ krejt falas dhe spontan, çka nuk do e kishte imagjinuar as vet Becketti apo miku im Ionesco, ose hipoteza e tretë: – Një delirium provokativ dadaist, sa për ta shokuar krejt dynjanë!

E çeli zoti Maurice derën dhe më tha:

Mirëdita zotëri, kush jeni dhe pse më pengoni, hup e mos të ju shoh!

Më falni zotëri Blanchot, por jam Skënder Sherifi, poeti albanez dhe më ka dërguar miku ynë i përbashkët Pierre Seghers tek ti për një vizitë. A ka folur me ju paraprakisht në telefon? Kam ardhur këtu tek ju, si mik potencial!

Nuk më kujtohet, por me leni rehat, se nuk ju njoh dhe nuk dua vizitorë të huaj në shtëpi. Nuk jam sëmurë… A jeni doktor, bandit i ardhur për të më vjedhur, torturuar… pse keni mbrri tek unë? Zhdukuni sa më parë, se jam duke e kultivuar heshtjen dhe po e pres vdekjen… a më kuptoni! Më lini rehat, se po e thras policinë… A keni ardhur këtu, për të më destabilizuar?

Cool my friend, se po më dhimbesh. Ke nevojë për një seancë meditimi tek nëna Xhevahire, për ta bërë ndonjë zikër me disa dervishë të kulluar!

Nuk e di se çka jeni duke thënë… tek jeni një i krisur tragjik dhe patetik. Çudi që ju kanë lënë me shëtitur në liri… a po më largoheni nga shtëpia? Nuk besoj në asgjë, a more vesh dhe mos u lodhni fare me mua, se nuk do nxirrni asgjë prej meje. Po kush ju ka dërguar këtu e pse? Për të më spiunuar, provokuar apo dhunuar? Kthehuni sa më parë në xhunglat e Albanisë dhe ma harroni përfundimisht emrin. Do ia them dy fjalë Pierre Seghersit… për çfarë arsye të ka dërguar tek unë? Do jetë një plan makiavelik, me siguri!

Oh mik, i dashur Moris, ke pak problem me mend dhe me memorie, siç duket. A mos ke përjetuar ndonjë traumë, kur keni qenë fëmijë? A ta thras mikun tim Jacques Lacanin, për një konsultim me ju! Zbrit në tokë, o burrë… Kam ardhur me të takuar si mik dhe tek ne nëpër alpet veriore, sipas traditave kanunore: miku pritet me respekt, por jo me sjelljet e një deliranti gjysmë psikotik. Çfarë halli ke? Do ju hakmerresh frustrimëve të tua?

Nuk të njoh ti zotëri, nuk dua me të pa, as me të takuar. M’u largon nga shtëpia. Nuk e di se për çfarë misioni ke ardhur tek unë… Po kush je saktësisht dhe pse më vjen mua, një aventurist nga Albania tek shtëpia, kur dëshiroj me qenë komplet i izoluar, në heshtje totale dhe duke e pritur vdekjen time të ardhshme. A nuk e kuptoni që po më pengoni…? Mëshirë, mëshirë, ndihmë!

Zotëri Blanchot! Le t’i kapim gjërat për së mbari, një nga një duke e ndjekur kronologjinë normale. Mua, më ka çue Pierre Seghersi tek ti për një vizitë miqësore, okay? Pra, me të takuar ty si person dhe si autor i madh dhe origjinal, i inteligjencës franceze nihiliste dhe depresive. Dakort! Tani, leja një shans këtij takimi për t’u zhvilluar, le të takohemi fillimisht siç duhet dhe si burrat e Malësisë, sipas rregullave të humanizmit shqiptaro-planetar e tani pastaj mundesh me menduar lirisht çka të duash mbi mua, për të më sharë dhe denigruar pa problem. Por unë e kam për mision me të takuar miku im.

Dhe e kam për zakon për ta çuar misionin tim deri në fund, se është çeshtje parimi dhe respekti ndaj vetvetes dhe ndaj Pierre Seghersit. A po më kupton?

Ju tek jeni edhe më i plasaritur në mend dhe në një gjendje të rëndë post komatike, sesa kam pas menduar… Nuk po ju kuptoj në esencë, por pasi po insistoni aq shumë, a më takuat këtu para derës time. Tani, a mundeni për t’u zhdukur se më keni lodhur dhe po e prisja vdekjen, kur më erdhët ju si lugat dhe provokator për të ma prishur qetësinë dhe koncentrimin. Pse, nuk keni ndejtur në Albanie, por na keni ardhur këtu në Paris, për të na çregulluar komplet dhe prishur terezinë?  Kush ju ka paguar për këtë punë? Çfarë shërbimi ju ka dërguar e pse pikërisht tek unë?

O mik: a vuani nga deliri i persekutimit? Po pse i keni këto fiksime? Keni probleme paranoje apo skizofrenie? A keni praktikuar ndonjë meditim oriental? E çka është kjo punë e juaja, në lidhje me vdekjen si obsesion?

Shiko zotëri Sherif apo Iks, se nuk ju njoh… jam duke e pritur vdekjen, a po më kupton? Dua me dialoguar direkt me vdekjen time, me e programuar gjer në detaje, me e menduar, filozofuar gjer në sekondën e fundit, me e përjetuar i koncentruar në maksimum… për të mos e lënë për të më marrë ashtu befas me surprizë. Dua ta shoh sy ndër sy, kur do më vjen dhe për t’u konfrontuar direkt me të, në një luftë apo dialog titanesk… a po më kuptoni? Prandaj, çdo gjë e jashtme, sikurse vizita e juaj, telefonatat, detyrimet shoqërore, takimet, mua më pengojnë, më destabilizojnë dhe më nxjerrin nga koncentrimi im, nga heshtja dhe izolimi, se tani kam për mision prioritar vetëm vdekjen dhe më duhet për t’ia kushtuar gjithë atë energji që më ka ngelur… e jo me humbur kohën kot me ty, si një përfaqësues i çmendurisë ballkanike.

Ha… ha… ha… po pse, zoti Blanchot… ti e përfaqëson harmoninë apo ekuilibrin përendimor, sipas teje? Ne, me të vërtetë, jemi të frakturuar dhe të mjegullosur, por e pranojmë dhe e menaxhojmë, nganjëherë, edhe e ironizojmë atë realitet atavik. Kurse, ti me plot seriozitet dhe solemnitet dhe pa asnjë distancë kritike, je në një delir absurd të paparë. Ne bile e kemi atë kapacitet për ta shndërruar absurditetin tonë në vepër arti, sikurse Milan Kundera me librin “La Plaisanterie – Shakaja” ose Dritëro Agolli «Shkëlqimi dhe rrënia e shokut Zulo” ose tek “Pallati i Ëndrrave” të Ismail Kadaresë, ose tek veprat kryesore të Franz Kafkës. Por ti vetë, zoti Moris, nuk e ke fare atë aftësi. Sepse je i zhytur në atë kaos tragjik dhe e kultivon ti vetë gjithë atë delir absurd, si ushqim të përditshëm. Nuk e ke fare atë distancën e autorëve të shteteve të Lindjes, të cilët kanë qenë të detyruar me zigzaguar mes censurave dhe totalitarizmit komunist. Jeni si fëmijët e përkëledhur, zoti Blanchot, me plot defekte dhe kapriço borgjeze, që janë për mua, gati lukse artistokratike.

A po më leni në qetësi zoti Sherif, për ta pritur vdekjen si njeri i koncentruar dhe i vetëdijshëm. Jam në etapën e fundit të jetës sime… nuk dua zhurmë e as pengesa. Vetëm qetësi… Njerëzit dhe aktivitetet e jashtme më irritojnë!

Okay, mirë… po vi edhe unë dhe po e pres vdekjen me ty, atëherë! Le ta përjetojmë së bashku këtë eksperiencë unike… diçka speciale dhe ekstreme, edhe për mua. Shyqyr, që nuk më sheh familja ime, se do ishin sëmurë!

Hajde Sherif, hyr, merre një karrigë, ulu në këtë qoshe dhe mos fol fare, asnjë fjalë, a more vesh, nuk dua me ta dëgjuar zërin… heshtje dhe koncentrim total.  Po dialogojmë me vdekjen, po e presim… okay… jemi dakort!

Pa problem Moris, do e presim së bashku si burrat, stoikisht si aziatikët, si personazhet e mitologjisë greke në Odisenë… Ja vlen, sepse Becketti e priste Godonë, i cili nuk vinte kurrë, ndërsa ne po e presim së paku vdekjen, e cila me siguri do na vijë dikur! Pra, ne jemi dikushi, jemi heronj të kohërave moderne apo jo? Si thoni?

A po e mbyllni gojën more idiot, nuk mund të ndaleni pa folur, si gjithë ata të Shteteve të Jugut… e keni të kultivuar zhurmën dhe sipërfaqësinë e gjërave.

Në thelb, nuk e ke keq miku im… Jemi të abonuar në spektakël dhe në lojëra rolesh kolektive. Nuk e kemi kultivuar thellësisht botën intime individuale. Kemi qenë gjithmonë në shërbim të dikujt: ose tek një i huaj, si të shitur, ose të një kauze, ideologjie, shpesh herë absurde, e cila na ka larguar komplet nga vetvetja, ose në shërbim të materializmit dhe të pasurisë ekonomike… pra, po zoti Blanchot… çdoherë jashtë vetvetes dhe shpirtit tonë sekret! Por unë, si eksepsion, kam dalur prej asaj skeme intuitivisht dhe fatmirësisht. Bile, çuditem me veten, sesi e kam arritur këtë lloj revolucioni radikal! Sepse është mjaft lehtë për ta thënë në teori, por jo aq evidente për ta realizuar në praktikën jetësore të përditshme. Qetësia dhe meditimi janë fusha misterioze.

Tani, heshtje komplet, të lutem … silenzio dhe le ta presim vdekjen, okay?

Më fal zoti Blanchot: a e keni një gotë verë të kuqe?

Pse të kuqe? Jeni komunist? E kam një konjak të vjetëruar, që ma ka pas ofruar një mik i ngushtë, zoti Jacques Derrida, a e njihni?

Po, po, e njoh… ai e ka pas shpërbërë komplet filozofinë, ndërsa unë, Poezinë.

Na sillë çka të duash, se truri do benzinë miku im…

Unë ha në minimum, se jam aset, si fakirat indianë… e urrej ushqimin.

Po e di, e urren çdo gjë, duke filluar me jetën. E urren tokën, njerëzit, diellin, dritën, natyrën, veten… po çka të ka bërë jeta, miku im Blanchot? Pse e ke gjithë atë urrejtje, pse do për t’u hakmarrur ndaj saj, pse e ke zgjedhur vdekjen? Kjo është një vuajtje e madhe për ty, një tragjedi e thellë!

E çka po të duhet ty, ajo punë? A mos jeni psikolog, rrëfimtar? Më takon mua ajo punë… a ta presim seriozisht vdekjen apo jo, ose dil prej shtëpie?

Miku im, është hera e parë që dikush me nivelin tënd kulturor ma thotë një idiotësi të tillë dhe po më vjen keq, sepse ti i beson asaj punë. Po kush rri me orë, me ditë dhe me vite, si ti, duke pretenduar që po e pret vdekjen, për t’u ballafaquar direkt me të, sy ndër sy dhe për ta pasur një dialog konstruktiv me të? Kjo është tamam një skeç humoristik për të vdekur duke qeshur…

Vdekja vjen si pika e fundit e jetës, për ta përfunduar një udhëtim, një histori, një film jetësor tokësor, për ta vendosur fjalën “The Ens – ose pikën e fundit” dhe me kaq ka mbaruar filmi yt personal dhe intim… pikë! Dhe dihet që do vjen si suprizë, pa leje as paralajmërim, por do vijë për të na marrë në orën dhe sekondën që është e shkruar dhe e programuar dhe aty, nuk ka fare kohë për shumë dialog, as filozofi, miku im… sepse ka ardhur fundi i procesit jetësor dhe do shuhet çdo gjë, do fiket drita dhe ditën e mirë. Pra, vdekja do ta ketë gjithmonë për ne si qenie të gjalla tokësore, fjalën e fundit, pikën e shenjëzimit të fundit dhe do e konkludojë jetën tonë, si çdo jetë njerëzore, me një pikëpyetje të pa përgjigje, me një enigmë, me një mister dhe një sekret.

Pra, nuk ke se çka pret, as se çka dialogon… se nuk do ja len askujt atë shans.

Na duhet me jetuar me atë pjesë sekreti dhe misteri, me atë pikëpyetje?

Tek ne mund ta shprehë atë gjë, edhe një plak malësor i pa shkollë!

Po ku i dinë ti të gjitha këto punë? Jeni një komb filozofësh? Unë kam këtë program timin, për ta pritur vdekjen, në një ballafaqim jetësor ultim. A të pengon kjo gjë? Pse nuk e vazhdon programin tënd në Mesdhe duke u rrezitur me disa femra përreth?

Nuk më pengon o mik, por më dhimbesh, sepse jeni në një rrugë të gabuar.

Doni me zotëruar çka nuk zotërohet, sepse ashtu është krijuar jeta tokësore, me ligjet e Zotit apo të Natyrës dhe ti pretendon për t’i thyer… Kjo tregon që je me një ego të sëmurë gjigante, një megalomani demoniake, e fshehur brenda një pseudo modestie false, një krenari absurde dhe pa themel… Kjo është si me thënë unë tani “dua ta posedoj formulën mbi sekretin e jetës, e gjallërive tokësore”… pra, me ja marrur atë të drejtë Zotit apo Natyrës, kurse na ka krijuar ne tokësorët, qeniet njerëzore me plot limite, dhe kufi fizik dhe mendore. Ju ndoshta nuk e kuptoni, se mund të shkojmë deri në një pikë apo kufi të caktuar, miku im Blanchot… por jo më andej, se përndryshe, do flakosemi si IKARI që i është afruar për së tepërmi diellit. Edhe truri ynë e ka një limit, apo jo… a funksionon vetëm me 10 apo 20 për qind të kapacitetit të tij biologjik. Tani, të gjitha këto ligje, sipas teja, a na kanë ardhur kot? Për qejf do kisha fluturuar tani si shqiponjë dhe do e kisha pa vetën në Hënë apo në Mars! Pra, ka gjëra të mundura apo të pamundura, të arritshme apo të pa arritshme. Mund të jetojmë dhe 1 milion vite, i nderuar Moris, por do e kemi gjithmonë një plafon, një kufi, një limit, përtej të cilit nuk do mundemi për të shkuar, sepse na është komplet e ndaluar dhe na është e paraprogramuar, e shënuar që në fillim, në përbërjen tonë fizike, biologjike. Kemi lindur me këto kufizime, për të mos shkuar më larg se kjo pikë e caktuar! Dhe na duhet për ta pranuar dhe me zbritur me këmbë në tokë, me qenë pak më modestë…

Nuk më intereson fare modestia, e dua absolutën, kontrollin total mbi jetën time, eliminimim e parazitimeve të jashtme toksike. Nuk jam në zhurmë apo tollovi permanente, sikurse ju të Jugut, që nuk e duroni 1 minutë heshtje.

Të kuptoj zoti Blanchot dhe e ke pjesërisht me të drejtë. Por nuk ekziston ai kontroll absolut mbi jetën, siç po thua ti, sepse së pari, i kemi disa kufi që ti përmenda më parë dhe së dyti, jemi së paku 50 për qind të ushqyer nga bota subkoshiente, të cilën nuk e njohim fare dhe e cila ngelet e huaj apo si enigmë brenda nesh. Pra jetojmë me atë mister, me atë iceberg të padukshëm, por që është pjesë enigmatike e jona. Ti, a i ke lexuar sikurse unë, për t’iu përgjigjur hallëve të mia intime, psikoanalistat e mëdhenj botërorë? Gjithkush e do në ëndrrën e tij ideale, absolutën, perfeksionin, harmoninë hyjnore, urtësinë sublime dhe divine, bukurinë marramendëse… dhe artistët madhorë, më shumë se çdokush… lexoje Rembonë, dëgjoje Mozartin, Maria Callas, Miles Davis, shikoje Vermeer-in, Rembrandt-in… Porse janë gjëra të pa arritshme!

Por, mund t’iu afrohemi deri dikund… porse do ngelim çdoherë të paplotësuar, të papërkryer, të pakënaqur 100 përqind, se siç duket, jemi të ndërtuar qëllimisht ashtu nga fuqia superiore. Ti, nuk e pranon, por e ke gabim miku im. Ti nuk e zotëron as vetminë tënde deri në fund, as asgjësinë ose hiçin ekzistencial. Sepse, kur e filozofon thellësisht: edhe ai hiç është diçka?

Ma definon asgjësinë në një mënyrë të qartë zotëri Blanchot? Cilat janë konturet e saj? Nuk do mundesh, se t’i shpalosi disa kundër argumente,  o i nderuar mik. Po ashtu, nuk i besoj ‘ateizimit radikal 100 për qind’ se më duket posturë false, e pamundur. Se prapë, kur thua ‘nuk besoj në asgjë’, siç thonin marksistët, edhe ajo asgjë e tyre, është diçka… Pra, në botën e gjallë dhe të lëvizshme, nuk mundet me ekzistuar fjala apo koncepti ‘asgjë’ sepse për mua, ngelet vetëm diçka misterioze akoma e pa emëruar! Kaq! Vrima e zezë, pafundësia kozmike, lindja dhe vdekja e yjeve… e plot të tjera dukuri astronomike, që i studiojnë shkencëtarët… janë sot për sot enigma kozmike misterioze, çudira, pikëpyetje, sepse nuk e kanë akoma një përgjigje, por dikur do ta kenë pjesërisht… Mirëpo, jo çdo gjë, Mister Moris… sepse, në jetën tonë tokësore, sa të ketë njerëz mbi këtë tokë, aq të bukur dhe të shëmtuar, me fajin tonë dhe po ashtu tëndin: do na ngelin deshëm apo nuk deshëm disa pyetje pa asnjë përgjigje… dhe nuk duhet që ta mundojmë trurin kot, aty ku nuk ia vlen. Kemi lindur dhe do vdesim të gjithë me një pjesë enigme dhe misteri… dhe ndoshta do na vijnë disa përgjigje pas vdekjes tonë, por kush e garanton? Le t’i besojmë më mirë misterit tonë… Kemi nevojë edhe ne për përralla sikurse fëmijët. Por dije që një pjesë e shpjegimeve do na shpëtojnë!

Ti ke nevojë, sepse je një adoleshent i vonuar, i cili përqesh dhe ironizon çdo gjë. E merr jetën për lojë, kurse është tragjike… Kur do rritesh, zoti Sherif?

Kurrë, se më irriton pseudo-serioziteti pompoz i të rriturve, posturat e tyre false, kinse dinë çdo gjë, kurse në realitet, nuk e zotërojnë të dhjetën e asaj  që e pretendojnë. Ju, më dukeni mua mjaft tragjik dhe patetik, me iluzionet që i ushqeni… Po miku im, jeta është aty si një dhuratë që na është ofruar, për ta shijuar, kuptuar, vnue në pyetje, por së pari për ta gëzuar dhe përjetuar, se jemi vetëm kalimtarë, udhëtarë këtu dhe koha na kalon super shpejt, sa çel dhe mbyll syrin… dhe kur e konstaton fundin është tepër vonë. Po, zotëri, e marrë jetën si një lojë, një komedi dhe një tragjedi, fifty-fifty, si një film, si një aventurë njerëzore, gjeografike, fizike, emocionale dhe mendore… dhe dikur vjen fjala FUND, pa e përfunduar fare gjithë çka kemi pasur mendjen për ta përfunduar. Por duhet me ia dorëzuar atë Jetë, atij që na ka ofruar, ndoshta Zotit, Natyrës, fuqisë superiore, me kaluar përtej i papërkryer, e jo siç thua ti, asgjësisë, miku im (se nuk ka asnjë sens, ajo punë)! Fillon dhe mbyllet një cikël, qarkullon dhe lëviz një energji, transformohet, metamorfozohet në diçka tjetër, kalon këtu dhe aty, por nuk dihet qysh, sepse aty, jemi në misterin e gjërave, në epiqendrën e gjenezave krijuese… e jo në idiotësinë e nihilistëve.

A të gjithë albanezët janë sikurse ti? A mundesh me heshtur dhe me e pritur me mua vdekjen në këtë karrigë? Asnjë fjalë, a more vesh, more i shkretë?

Më erdhi për të qeshur me gaz, por u mbajta stoikisht. Isha i ulur në atë karrigë, që ma rikujtonte Ioneskon në teatrin absurd, mikun tim rumun francez, me plot humor.

U koncentrova si budistët, duke tentuar për ta zbrazur trurin tim komplet, prej çdo ideje, dëshire, ëndrre, për të mbrri në atë vakuum, në atë boshësi totale, ku zhurma më e vogël të tingëllon sikurse tupani i çiganëve në vesh. “Shet Up”, Mister Sherifi, i thashë vetvetes dhe prit vdekjen me këtë të luajtur mendsh. E shikoja Maurice Blanchonë, ulur në një tjetër karrigë në këndin tjetër të dhomës, si një Mumie, në prag të dekompozimit. Tentoja për ta kuptuar, për ta deshifruar, për t’ia prekur pak intimitetin, misterin e tij ekzistencial, për ta pa se çka fsheh pas posturave dhe maskave nihiliste, se cila është dhimbja e tij tokësore, a mos ka lindur dallash, a mos ka pasur problem me nënën e tij, me babain… pse ka mbrri në këtë shkallë tragjike duke qenë lexues i palodhshëm dhe nihilist radikal, i thirrur nga Thanatosi ose pulsi i vdekjes, kurse unë, isha i thirrur nga Fellini, në cirkuset romake i rrethuar me disa klouna, popull vital, madona dhe kurva, ose nga Marcel Pagnoli, për ta pi një ‘Pastis’ në një tarracë të Provancës në Bregun e Azurit, dhe luajtur «Petanka – ose gogulla» me fshatarët dhe peshkatarët e rrethinave, nën një diell gjeneroz, ca femra sublime  që u flontonte fustani nën erë, mes koncertit të gjinkallave. E kam kuptuar në një moment, sepse ka eksploduar i mjeri Vincent Van Gogh në këtë atmosferë verbuese, ngaqë vinte nga errësirat e veriut, qielli gri i ngarkuar me re të zeza dhe i ngopur me shira, kanalet depresive, qeniet e mbyllura që qarkullojnë si mekanikë të pa shpirt.

Pra, i dehur në ektrem nga drita, dielli, ambientet e jugut, i shkreti piktor, nuk e ka përballuar. Si unë nëpër Bjeshkët e Nicës me Italinë përballë, në gjithë atë lartësi dhe bukuri sublime, gati irreale, isha në një kulm mbi 2000 metra, ku ishte një peizhazh panoramik kilometrik gjigant jashtë çdo fjale… poshtë ishin retë e shtruara si një tapi kotoni, leshi, mëndafshi, si një borë e bardhë… nuk e pajshe fare tokën, as fundin dhe më kapi një emocion i rrallë, disa dridhje, pulse enigmatike, diçka që më tërhiqte dhe më ftonte për t’u zhytur të poshtë, në atë tepi resh sublime, rreth atij peizhazhi hynor… sa për të qenë edhe unë pjesë e atij perfeksioni, e asaj bukurie,  e asaj pafundësie apo përjetësie dhe u zgjova, me idenë, a të kërcej apo jo? Por e kisha një shok përreth dhe më brriti duke më thënë: “Skënder, kujdes, kthehu prapa, se forca gravitacionale është e rrezikshme dhe e fuqishme…” dhe nuk e di pse, por instinkti më rikthej në realitetin dhe në kufirin tim tokësor. Porse, në atë moment, më duket që e kam kuptuar një enigmë, një sekret të jetës njerëzore. Sesi lëvizin brenda nesh pulset, energjitë, sesi shprehen dhe sesi duhet për të reaguar?

Tani jam që një gjysmë ore, duke e pritur vdekjen, ulur në këtë karrigë me një farë Maurice Blanchot… Kush e beson? Me më pas pa babai im, do më kishte internuar ose pushkatuar në ora 6 të mëngjesit, çka do e kisha pranuar, me kusht që me na pas pikturuar Francisco Goya, që të jetë si dëshmi artistike për dikur më vonë. I thashë vetës: “Po pse, më ka çuar Pierre Seghersi, te ky njeri jashtë çdo norme normale”?

Për të më provuar dhe studiuar me siguri, për ta ditur se deri ku mund të shkoj. Po, është një farë shkolle dhe ia vlen me siguri më tepër sesa Universiteti i Prishtinës.

Kur je ashtu si çapini i palëvizshëm dhe i ulur fiks në një vend, në një heshtje radikale, pa asnjë fjalë dhe super i koncentruar në boshësi dhe me syrin që regjistron dhe analizon çdo gjë përreth teje… koha të duket e pafundme dhe 10 minuta të ngjajnë sikurse ke kaluar 1 orë! Mirëpo, dikur pas një gjysmë ore të mirë, shpërtheu zoti Blanchot nga nervat, filloi për të brritur dhe sharë me zë të madh dhe erdhi në një mënyrë krejt të papritur deri tek unë, akoma ulur në karrigen time, për të ma shtrënguar fytin me duart e tij të molisura… Waou, what’s happend here?

Çka do me thënë kjo punë? Po çka është duke ndodhur këtu? Çka e ka gjetur këtë njeri? A mos e pickoi një gjarpër Kobra, apo një insekt helmues i amazonisë?

Bullshit, më duhet për të reaguar me kujdes dhe me pjekuri si burrat! Se po na vjen policia parisiane dhe do na qet punë dhe telashe… dhe do i vjen raporti policor pastaj edhe Pierre Seghersit… dhe ku me e ditur sesi do reagojnë babai im ndaj meje? Jam super i privilegjuar në Paris dhe tani me ma sabotuar atë qendrim, Maurice Blanchot është diçka tepër e rëndë për mua… Pleqëroje këtë situatë delirante, zoti Sherifi… thirre Muharrem Bajraktarin, Ali Binakun, Avdyl Qerimin, Nezir Spahiun, Nik Sokolin dhe vendos se çka me bërë me këtë filozof të çmendur?

Imagjinojeni këtë histori të paparë në një spektakël teatri! Ha… ha… ha…

E perceptoj nënën Xhevahire duke më thënë: “Mos u frikëson fare, se e ke Zotin me vete dhe gjithë Baballarët e Shqipërisë… Sheh Ahmed Shkodrën, Azreti Pirin, Sheh Xhemajlin, Sheh Mehdinin, Dervish Luzhën, Rexhep Belin, Sheh Rashidin në Marok”.

Thank you nëna Xhevahire… merre një kafe turke! Dhe po ua përshruaj pak skenën.

Sherif, jeni i djallëzuar, i rrezikshëm, më keni droguar, hipnotizuar, destabilizuar, keni një energji satanike, nuk e di se ku jam as kush jam…? Britma dhe sharje, kriza… më duhet për t’iu mbytur, a e kuptoni, se kështu do shpëtojë edhe shoqëria. Pse keni ardhur, për të më shkatërruar, kush ju ka dërguar? Kush jeni dhe nga dreqin vini… duhet të zhdukeni nga Franca për gjithmonë. Jeni një guru, një magjistarë i pamëshirshëm. Kam marrur mësysh.

Më fal zoti Blanchot … por a mundeni për të m’i hequr duart tuaja nga qafa?

Jo, se më duhet për t’iu mbytur, a e kuptoni? Më keni destabilizuar… e pse?

Ngadalë, o zotëri Moris, ti ke lindur i destabilizuar, nuk të kam bërë asgjë, i ke të gjitha këto në imagjinatën tënde, se ti ashtu e interpreton, e mendon dhe pastaj e beson… si kinezët e Mao Ce Dungut, apo ruset e Stalinit që u besonin rrenave të tyre, duke i përsëritur me qindra herë. A ishim të ulur të dy në një karrigë, duke pritur vdekjen? Tani, të lutem miku im, jeni plak dhe filozof i njohur këtu në Francë, por m’i heq duart nga qafa dhe mos më detyron me të brutalizuar, se unë i dua dhe i respektoj parimisht moshat e pjekura. Okay?

Po çka më ka ndodhur pra, dhe ti kush je? Çka më keni bërë? Magji, shejtani, marabutizëm albanez, sehire?

Asgjë miku im, por qetësohuni… kam qenë ulur përballë teje, siç më keni propozuar ju. Por dikur keni shpërthyer në irracionalitet komplet… e pse? Ndoshta i keni interpretuar energjitë, valët dhe atmosferat negativisht? Tani, çdo gjë është në rregull… ja mora me delikatesë të dy duart rreth qafës sime dhe ia vendosa rreth trupit të tij… ja fërkova ballin, fytyrën dhe e shtrëngova qetësisht, duke e ditur shumë mirë, që i urren kontaktet fizike.

Porse nuk reagoi… ju stabilizua frymëmarrja dhe filloi për të lotuar, duke thënë: “Nuk e di se çka ka ndodhur me mua, jam i frikësuar nga vetvetja dhe nga ju”? Dhe duke e pa dëshprimin e tij gjer në atë shkallë, sinqerisht m’u dhimb ai njeri… dhe e mora kohën e duhur për ta stabilizuar. Ishte për mua, detyrë humane. I thashë me zë të ulët neutral si Zvicra, që i pastronte parat e nazistëve nëpër bankat e saj… “Eja këtu dhe të ulemi të dy qetësisht dhe miqësisht në këtë kolltuk, po marr diçka në frigorifer për të pi, okay…eja”!

Tani duke qenë ulur pranë tij, në një kolltuk për 3 veta, i propozova intuitivisht: Shtriji këmbët në këtë karrige mbi këtë jastëk, ma jepni dorën tuaj të majtë, mbylleni komplet sytë, rrini në gjendje meditative apo kontemplative, si në një seancë relaksacioni… okay, zoti Moris? Dhe tani, ose heshtni pa problem ose shprehuni, atë çka ju vjen ju spontanisht në mend, pa filtrim fare, pra vetëm veproni lirisht si të doni.

Dhe çuditërisht m’i pranoi të gjitha kushtet pa  i diskutuar fare, ngaqë tani ‘autoriteti’ pas krizës së tij, kishte kaluar nga ana ime dhe detyrimisht e pranonte. Mirëpo, më erdhi super mirë… se e dija që do ta ketë një efekt për më vonë. Mund të them që kemi qëndruar ashtu pa folur me siguri rreth 40 minuta, saqë edhe mua më zuni një farë kllape.

Dikur i çeli sytë dhe më tha: “Zoti Sherif, tani e ndiej vetën mjaft mirë dhe të lehtësuar. Jeni psikolog? Në të cilin kabinet veproni? Faleminderit shumë… Me ju kam hezituar gjithmonë mes të çmendurit total dhe gjeniut të rrallë?  Po kush jeni saktësisht, e çka është ai popull… a janë të gjithë filozofë dhe psikologë sikurse tij … keni diçka special më duket në Albanie?  Mundesh për të ardhur kur të duash tek unë, por me anoncim dhe paralajmërim 2 javë përpara se kam shumë angazhime intelektuale të shkallës së lartë. Aurevoir Sherif! Ah, na ka ndodhur një aventurë e paparë … a jeni dakort. Tani, jemi të lidhur për gjithmonë së bashku me një energji misterioze tokësore dhe mbitokësore.

Po, zoti Blanchot, e vërtetë, mirë e keni… diçka na ka lidhur së bashku. Porse duhet debatuar dhe shpjeguar. Nganjëherë, polet e kundërta komunikojnë dhe e kanë një lloj tërheqje njëri ndaj tjetrit.  Kemi përjetuar forcat racionale dhe irracionale, dritën dhe hijen, gëzimin dhe idhnimin, ferrin dhe parajsën e Sartrit… nuk është çkado dhe nuk i jipet çdokujt ajo mundësi. Ka qenë e shkruar dhe është bërë sebep miku jonë Seghersi! Nuk e di saktësisht se çka të kam sjellur, Moris, por do ta kesh kujtim të përjetshëm nga unë? Bile të falënderoj përzemërsisht, për atë çka më ke sjellur edhe ti me botën tënde ultra speciale, sepse sinqerisht ka qenë sfidë e madhe për mua, ka qenë diçka gati destabilizuese, por për fat, e kam një strukturë të fortë tokësore dhe malësore dhe e kam universin tim të theksuar për t’u përgjigjur. Përndryshe, mos me qenë aspak i përgatitur, je një personalitet tepër i rrezikshëm. E pse? Sepse, gjithë ai nihilizëm i yti aq radikal, ajo energjia e zezë tepër dëshpëruese për një person pak delikat dhe i pavendosur, që mund të luhatet shpejt këndej dhe andej, mund ta çojë drejt depresionit dhe vetëvrasjes. Pra, jeni një shkollë autorësh dhe filozofësh francez që e zhvilloni këtë univers të pashpresë fare, dhe asgjësinë totale, me atë përgjigjen përfundimtare: zhdukja radikale…

Atherë imagjinojeni efektin që mund të keni tek Rinia franceze apo evropiane.

Unë nuk mund t’ia këshilloj çdokujt, pa kujdes as përgjegjësi, leximin e gjithë veprimtarisë të juaj. Por, mua më ke pasuruar me një botë, që nuk e kam pas njohur dhe përjetuar më parë dhe me një eksperiencë sinqerisht befasuese, e cila për fatin tonë, na u përfundua mirë dhe me sukses reciprok. A je dakort?

Po, Sherif, edhe ti më ke humanizuar gati jashtë dëshirës time koshiente dhe cerebrale, por nuk kam mujtur me të rezistuar… e ke një humanizëm ngjitës, si sëmundjet infektuese. Ja vlen kontakti me ty, por është super i lodhshëm dhe i komplikuar… më ke harxhuar tepër energji… Mos harro se isha duke   e pritur vdekjen dhe ma ke çrregulluar komplet programin tim paraprak.

Ndoshta, zoti Blanchot, por më në fund, je pasuruar me diçka të re, pra, ke fituar diçka, apo jo? Dhe a ja ka vlejtur për ty? Pastaj, harroje, o burrë atë fiksim me vdekjen… leri gjërat që të vijnë krejt natyrshëm. Mos i prit, mos i programon fare… Prite, jetën, diellin, qejfin, ndonjë gjellë gastronomike, një masazh me një tailandeze, një birrë me mua në një tarracë të Parisit… okay?

Vdekja vepron dhe avancon për çdo minutë, a po e sheh, kemi vdekur të dy duke folur së bashku këto 2 orë e gjysmë, por pa dhimbje, pa stërmundim të kotë. Pse duhet ta ngarkojmë trurin tonë pikë së koti me atë gjë, tepër misterioze dhe pa ndonjë përgjigje. Kush na erdhi për të na thënë se çka ndodhi pas vdekjes? Këtu është çështje besimi, mund t’i formulojmë disa hipoteza personale, por jo më tepër! Unë i kam të miat dhe ti të tuat!

Ditën e mirë… do vish për të më folur për vendin tuaj Albaninë?

Po, po… mirë u pafshim, i dashuri mik tokësor!

Tani, më duhet për t’ua dhënë disa informacione biografike dhe bibliografike mbi Maurice Blanchot, se krejt kot nuk e ka lënë një gjurmë intelektuale në sferën kulturore franceze. Por edhe ky, si shumë të tjerë, është një margjinal madhor!

Miku im Moris (pa e ngatërruar me cigarën Philip Morris ose me vizatuesin e librave Lucky Luke) ka lindur në një fshat të humbur të Francës, Quain (Devrouze) në Saône et Loire. Siç ua kam thënë në fillim, në aspektin kulturor ka lënë një gjurmë, sepse ka qenë emër referencial, së pari në Francë dhe pastaj në botën amerikane (SHBA) nëpër kampuset e universiteteve madhore amerikane dhe vepra e tij, ka ndikuar çuditërisht, ndoshta nga radikaliteti i saj, tek ai grupi i intelektualëve prestigjiozë, i cili është quajtur përtej Atlantikut – «The French Theory» me disa autorë, filozofë, psikologë dhe sociologë, të cilët kanë propozuar një vizion analitik të botës, përmes një teknike dekonstruktiviste, ultra kritike, pastaj edhe strukturaliste, ose fenomenologjike, etjera… por me atë idenë bazë të dekonstruksionit të çdo mendimi teorik, çdo shkolle, çdo rryme e institucionalizuar… çka më ka lënë gjurma edhe mua personalisht (pra, mos me u pajtuar lehtësisht dhe me vendosur çdo gjë në pyetje, me e gjetur kundra-punktin, çelsin e të gjitha paradokëseve, për ta pa se çka qendron dhe çka nuk qendron, ku gjendet pika e ekuilibrit? … çka e kërkon një integritet intelektual, gati të pakompromis dhe të pamëshirshëm) dhe tani, ajo shkollë franceze, që amerikanët e kanë emëruar «The French Theory» ka dominuar prej nga vitet 70 dhe aq më tepër 80 dhe deri në vitet 2000, në të gjitha fushat e inteligjencës nëpër universitetet e famshme amerikane, ku disa profesorë francezë kanë dhënë leksione dhe janë trajtuar gati si yje ose si Guru. Kemi emra të famshëm, bile disa prej tyre i kam pas njohur edhe unë në Paris, sikurse Gilles Deleuze, Jacques Derrida, Félix Guattari, Simone de Beauvoir, Louis Althusser, Jean Baudrillard, Michel Foucault, Claude Lévi-Strauss, Julia Kristeva, Jacques Lacan, Jean François Lyotard… ndërsa në Amerikë, liderët janë Judith Butler, Stanley Fisch, Edward Saïd, Richard Rorty, Frederic Jameson… pa e harruar Ali Hajdarin, Mehmet Ramën dhe Hajrullah Sahitin, dekonstruktivistët alternativë të odave të Brukselit, që kanë tundur Berlin-in.

Ideja qendrore që i lidh të gjithë është përafërsisht kjo, sipas pleqërisë time në Kullën e Hoxhëve të Junikut, ku ka qenë disa kohë i strehuar edhe Azem Bejta me Shote Galicën… Ta dëgjojmë 5 minuta Dervish Shaqen dhe Feriz Krasniqin!

Kritika e subjektit në fjalë dhe e vazhdimësisë historike, rileximi i thelluar dhe kritik i Freud-it, i Nieçës dhe i Heidegger-it, kritika e kritikës, dhe e traditës filozofike gjermane, çka do të thotë, një lloj rileximi ose ri-interpretimi i ri i filozofisë ( përmes metodës të ré franceze)

Kurse në pozicionimet e tij politike dhe shoqërore, Maurice Blanchot, ka qenë tepër i errët, kontradiktorë, komplet i paqartë, dhe mund të them lirisht, i pa sinqertë. Duke notuar mes bashkëpunimit aktiv me ektremin e djathë nacionalist dhe racist, në kohën e Mareshal Petain-it, brenda një qeverie pro naziste gjermane, ndërsa Charles de Gaulle – e bënte thirrjen e tij të famshme, në Londër me 18 qërshor 1940 për t’i ftuar francezët në rezistencë aktive kundër Hitlerit. Ka qenë antikomunist dhe anti-parlamentarë. Ka punuar nëpër institucione, në shtyp dhe në botime, komplet  të financuara direkt nga regjimi pro nazist, i Vichy-së. Mirëpo, nga ana tjetër, duke qenë i afërt me atë pushtet kolaboracionist, do me thënë krejt qartë, tradhëtarë ndaj kauzës kombëtare franceze (të cilën e përfaqësonte De Goli) i ka ndihmuar disa miq të ndjekur nga ai regjim dhe i ka strehuar apo shpëtuar nga deportacioni dhe më vonë kampet. Do me thënë, i ka bërë disa gjeste humane pozitive si individ. Dikur, më vonë militon aktivisht kundër luftës së Algjerisë, dhe në maj 1968, prononcohet kundër Charles de Gaulle-it dhe iu afrohet lëvizjeve të majta pro komuniste. Tani, ku qëndron sinqeriteti, ku qëndron kalkulimi, hipokrizia dhe oportunizmi? Kjo është një pikëpyetje e madhe, që nuk mund ta zgjidhim këtu! Porse ja ka kushtuar gjithë jetën e tij letërsisë, mendimit intelektual dhe heshtjes… kjo është diçka krejt autentike!

Tani, unë nuk jam për të gjykuar njerëzit aq lehtë, pa fakte dhe dëmbe madhore. Sepse, nisem nga ideja e ndershme: po në të njejtat kushte ekstreme dhe delikate, gatë një pushtimi të huaj të dhunshëm dhe totalitar… a do kishim qenë edhe ne aq dinjitozë dhe të moralshëm dhe si do kishim vepruar konkretisht? Sinqerisht, nuk i dihet… prandaj, nuk duhet për t’u ngutur për t’u prononcuar definitivisht mbi disa persona, jo pse i kanë pasur disa defekte apo ligësi evidente. Duhet për ta pa, së pari, si prioritet, a i ka bërë dikujt Iks keq apo dëm, ose a ja ka pa dikush sherrin? Natyrisht, që mund ta ndjekim në disa raste interesin tonë dhe mund të veprojmë si oportunistë… por duhet ta shohim kontekstin, deri në të cilin kufi veprojmë dhe a i bëjmë dikujt tjetër dëm apo jo? Edhe pse mua, në thelb nuk më pëlqejnë fare këto lloj sjelljesh, sepse jam i edukuar në principe, në parime, në dinjitet, krenari dhe në burrërri… porse, e kam një shkallë tolerence në brendësinë time ndaj të tjerëve.

Maurice Blanchot lind me 22 shtator 1907, nga një familje borgjeze. Është i shenjës Virgjëresha në horoskopin perëndimor dhe Dhi në horoskopin kinez… ha… ha… ha…

Babai i tij është një katolik tradicional i kultivuar dhe pronar i madh tokash nëpër Francë. Punon si profesor dhe edukator me fëmijtë e familjeve elitare të borgjezisë dhe artistokracisë franceze dhe natyrisht e inicion djalin e tij në art dhe në kulturë.

E studion filozofinë në Strasbourg dhe gjermanishtën. Shëtit me një shkop luksi me kokë prej argjenti… Merret me grupin «Action Française», një lëvizje mbretërore, ultra nacionaliste e ekstremit të djathtë, degë e shtëpise apo familjes orleaneze (nga Orléans), ndërsa ne merremi me Zogun dhe me Abaz Kupin në Shqipëri. E takon në Alzacë, zotin Emmanuel Levinas, filozof i famshëm me origjinë lituaneze, por hebrej i lindur në Kaunas dhe i cili, si babai im, ishte në atë kohë monarskst. Ngaqë, ishte i vetmi mik i tij i afërt, që kishte dhe me të cilin komunikonte lirëshëm dhe pa shumë protokoll, duke e pasur para sysh, që Morisi, është një personalitet atipik mjaft i veçantë dhe i vetmuar, e familjarizon me letërsinë franceze, sidomos me Marcel Proustin, dhe Paul Valérynë, autorë më klasikë dhe ultra cerebral, sepse nuk ka shumë prirje për aventurat eksperimentale dadaiste dhe surrealiste. Ndërsa, miku lituanez e frymëzon me të gjithë filozofët gjerman, të cilët i njeh perfekt. Në vitin 1928, e lexon librin emblematik të Martin Heideggerit: «Être et Temps» ose «Qenia dhe Koha – Sein und Zeit » dhe ajo vepër është një lloj elektroshoku për të, një shkundje intelektuale e thellë dhe e përjetshme. Diplomohet në Sorbonë në vitin 1930, duke e propozuar si temë: “Koncepti i dogmatizmit tek Skeptikët”.

Më vonë i vazhdon studimet e Mjekësisë në spitalin e njohur Saint-Anne, me një specializim në neurologji dhe psikiatri… çka sipas eksperiencës time personale me të, nuk e ka ndihmuar aq shumë. Bile habitem sot, me atë konstatim, që shumë figura prestigjioze të kulturës dhe të artit në Francë, kanë pas studiuar Mjekësinë, çka më duket shumë larg botës së tyre krijuese… por është një dukuri interesante.

Pas vitit 1931, Maurice Blanchot bashkëpunon me revistat e të djathtës konservatore dhe të rrymave pak më ekstreme, sikurse «La revue universelle – Les cahiers mensuels –  Réaction pour l’ordre et le Journal des débats» ku propozon artikuj informativë dhe kritika letrare. Do bëhet bile edhe kryeredaktor i kësaj të fundit, deri në mbylljen e saj në vitin 1944. Me Jean Pierre Maxence dhe Thierry Maulnier, Maurice Blanchot-ja e fuqizon bukur shumë të djathtën nacionaliste franceze, e cila do ketë shumë hapësirë dhe do ta shtrijë influencën e saj, gjatë atyre vitëve. Në vitet 1936-1937 bashkëpunon aktivisht në revistat e reja të këtyre dy shokëve të tij Maxence dhe Maulnier «Combat – dhe l’Insurgé» në të cilat do e luftojnë ashpërsisht të majtën franceze dhe zotin Léon Blum. Miku ynë Moris, ua propozon 2 shkrime në javë dhe e mbivlerëson autorin e djathtë të njohur francez Charles Maurras, të cilin e konsideron si një referencë madhore për unitetin nacional francez dhe propozon bashkimin e të gjitha lëvizjeve të djathta brenda Hekzagonit.

Më vjen për të qeshur, sepse jemi me vite dritë larg, botës time anarshiste, e pra, e kam pasur një lidhje të fortë dhe të çuditshme me atë njeri. Këto, janë misteret e dialogut njerëzor, pikërisht nëse ngelet njerëzor në thelb, pa ia imponuar të tjetrit idetë e tua. Porse, në jetën praktike, është diçka tepër e rrallë dhe e komplikuar për t’u realizuar. Kur e mendoj sot me distancën kohore: kam qenë dhe jam akoma sot, eksepsionalisht i hapur, kurioz dhe tolerant në thelb, i sigurt në vetvete, në çka jam unë me universin tim intim, por m’intereson për t’i njohur edhe të tjerët që nuk janë sikurse unë dhe nganjëherë në antipodët e mia, 1 milion kilometra larg me distancë. Për ta pa se kush janë dhe si mund të dialogohet pozitivisht me ta, çka mund të shkëmbejmë tek e fundit, çka na ndan dhe çka na bashkon? Ndoshta, ngaqë jam kurioz dhe humanist në shpirt. I them vetës, «A mos ka diçka njerëzore te çdo njeri, edhe më i shemtuari, çka nuk ja falë aspak poshtërsitë e tij, sipas meje, por le t’ia gjejmë atë pjesën njerëzore nëse e ka dikund”? Pastaj, e kam atë forcë dhe atë karakter në vete të lindur, atë liri ekstreme të ofruar si dhuratë e Zotit… dhe e di mirë që askush në botë, nuk m’i ka ndryshuar bindjet e mia esenciale. Kam ngelur në vijat e mëdha ai që kam qenë prej nga mosha 14 vjeçare, kur kam pas filluar për të shkruar… e sot, po i afrohemi 70-shit! Po pra, kam ndejtur gjithë jetën time, me çfarëdo njeri apo personaliteti klasik, barok, surrealist, dadaist, ekspresionist, abstraksionist, neorealist, naturalist, strukturalist, dekonstruktivist, ekzistencialist, absurd, tragjik, nihilist, diellor, provokativ, delirant, kokainoman, hashishoman, erotoman, sado-mazokisht, fetishisht, situacionist, maoist, komunist, trotskist, fashist, nacionalist, zogist, blokist, liberal, homoseksual, pedofil, narkoman, incestoman, bohem, borgjez, aristokrat, proletar, fshatar, kloshard, kapitalist, internacionalist, milioner dhe miliarder, mizerabilist, depresiv, romantik, bitnik, rrok dhe pop, rap dhe slam, soul and jazz, eksperimentalist dhe avanguardist, epik dhe rapsodik… dhe gjithë kjo ka qenë për mua një përvojë jetësore, e cila nuk mund të paguhet me lekë, as me çfarëdo shkolle apo diplome universitare. Sepse, të gjithë këto specje njerëzore, të afërta apo të kundërta me mua, dikund më kanë pasuruar, inspiruar dhe konsoliduar në bindjet e mia personale autentike. Kanë qenë një lloj pasqyre, ku e kam pa vetën dhe të tjerët në një mënyrë pak më objektive dhe jo si shpeshherë tek ne shqiptarët, me 100 paragjykime absurde, të kota dhe të pa argumentuara. Unë, së paku, jam ballafaquar dhe konfrontuar me njerëz, ashtu siç kanë qenë dhe kam mësuar diçka prej tyre. A po e shihni edhe juve tani… Zoti Maurice Blanchot ka qenë komplet antiteza ime, me vite dritë larg universit tim. Me logjikë, asgjë nuk do më lidhte me atë lloj njeriu dhe nuk do u takonim kurrë. Por sot, sikurse dje, e falënderoj babain tim shpirtëror Pierre Seghersin, që m’i ka propozuar gjithë këto takime, të cilat kanë qenë të gjitha edhe provime personale, sfida, jo aq të lehta për t’i menaxhuar me sukses. Bile këtu me Blanchot kemi qenë në prag të eksplodimit dhe të dështimit absolut. Por, më kanë shpëtuar ato antenat e mia speciale, ai zëri i brendshëm i lashtësive shqiptare, jehona e Valbonës, fjalët e pleqëve nëpër Oda, lutjet e nënës Xhevahire, fryma dhe porosia e të parëve.

Imagjinojeni, një tip që shpërthen papritmas në një krizë irracionale dhe që vjen me të kopur duke t’i shtijë thonjtë në fyt… është situatë e rëndë ekstreme, prej të cilës duhet që të nxirresh diqysh… ose me dhunë, me boksa dhe shqelma (çka nuk shkonte me një plak dhe një figurë intelektualë, por as nga edukata bazë që kisha) ose me diplomaci alla Sherifi, porse nuk kisha shkuar në shkollat e Makiavelit, të Çurçillit apo të Mitterranit. Pra, me Blanchot kemi qenë shumë afër incidentit, i cili mund të ishte edhe tragjik… çka nuk më ka ndodhur me askënd tjetër në Paris dhe pra, kam përjetuar gjithëfarë eksperiencash ekstravagante, por me plot humor, cinizëm dhe provokacion, brenda një lloj lirie të pakufi, një kurioziteti dhe një pafajësi fëminore (hajde, e ta provoj, kot e për qejf, pa u implikuar vetë shpirtërisht apo emocionalisht, si aktor siperfaqësor, por më tepër si spektatorë dhe analist i vetvetes dhe i situatës që po m’ofrohet… dhe ta shoh se çka do ndodh, a ja vlen, apo nuk ja vlen… çka më ka sjellur mua personalisht, ajo eksperiencë përtej normales?) sepse, gjithë puna, ishte për mua, për të mos u dëmtuar psiqikisht, për ta ruajtur me çdo kusht dhe në çdo situatë ekuilibrin, mendimin kritik dhe humorin.

Le t’i rikthemi me biçikletën e Eddy Merksit, që ka fituar disa herë xhiron e Francës, te biografia e mikut tim Moris… ku në dreqin, e lamë?… se ma ka pas premtuar një tepsi me flijë, me një kos shtëpie biologjik, mbesa e jonë Bute Gjonbalaj. Bravo, se ke nderuar fisin Krasniqe dhe Kelmendi!

Në vitin 1940, pas 8 vitëve shkrim dhe modifikim, e përfundon librin (pseudo roman filozofik që nuk është fare roman në thelb) «Thomas l’Obscur – Tomasi i errët, i turbullt, i pakuptueshëm» të cilin e boton tek Gallimard. Libri i referohet Heraklitit, filozofi grek presokratik, por edhe librit të autorit anglez Thomas Hardy, i botuar në vitin 1895 dhe pastaj në Francë në vitin 1901 me titullin: “Jude l’obscur – Judi i errët apo i turbullt” i cili përmes aventurave të Judit, një autodidakt komplet i shthurrur, e kritikon martesën dhe institucionet fetare dhe e predikon lirinë seksuale, të drejtën e grave dhe të meshkujve për të sprovuar aventurat e tyre dhe për t’u divorcuar nëse ju konvenon. Vepra krijon një skandal publik deri në atë shkallë, ku peshkopi anglez i qytetin Exeter e djeg veprën në publik. Autori Thomas Hardy, i traumatizuar nga reagimet ndaj veprës së tij, e len përfundimitisht romanin dhe gjatë viteve që i kanë ngelur do merret vetëm me poezi. Kurse, më vonë në vitin 1914 vjen autori D.H. Lauwrence, për ta rihabilituar këtë vepër – Judi i errët – me një ese analitike të botuar dhe disa vlerësime mbi Thomas Hardy-në. Mirëpo, në librin e Maurice Blanchot-së, personazhi i Tomas-it, është neutral, i ftohtë, gati i pa personalitet të caktuar, nuk dihet asgjë mbi të, përpos emrit, është i fragmentuar… dhe libri fillon me një frazë enigmatike: “Toma ishte ulur dhe shikonte detin”… dhe më vonë – mendoj, pra nuk ekzistoj – e kundërta e René Descartes.  Bile 10 vite pas, në 1950, riboton një tjetër version të ri të këtij romani… i cili është ndoshta vepra më emblematike e zotit Blanchot. Jemi në një Njerëzim të dëshpëruar dhe të coptuar, ku çdokush prej nesh është i zhytur në mërzinë, mungesat dhe vetminë e thellë afektive. Në vitin 1940, do e mbështet Mareshalin Pétain, duke bashkëpunuar përsëri në disa revista të djathta nacionaliste sikurse: «Aux écoutes dhe jeune France». Por paralelisht, Morisi, do e ndihmojë Paul Lévy (autor dhe drejtor organi shtypi me emër evident hebrej) nga persekutimet naziste dhe vishiste franceze, po ashtu edhe Emmanuel Levinas-in, me familjen e tij. Në ato vite, e takon autorin e njohur francez Georges Bataille dhe shoqën e tij, Denise Rollin, me të cilën do e përjeton një aventurë cerebralo-erotike.

Gjorgji ia lexon veprën e tij «Eksperienca e mbrendshme – L’expérience intérieure» duke i thënë, që ka qenë pjesërisht e frymëzuar nga libri i juaj «Tomasi i errët» dhe libri botohet në vitin 1943 te Gallimard, me një ribotim të modifikuar në vitin 1954. Pastaj, në vitin 1944, Maurice Blanchot rikthehet në fshatin e tij në Quain, ku do deklaron: “Kam shpëtuar kot, se ishin duke më pushkatuar gjermanët dhe e kam pa vdekjen me sy… dhe tash e pas, më përcjell kudo që do shkoj, jam si një kufomë e gjallë”! Nuk dihet natyrisht sesa është e vërtetë, se nuk ka dëshmi të tjera mbi këtë fakt, porse kur e kam pas takuar unë, mund ta konfirmoj që ishte duke jetuar intimisht me vdekjen e kolisur në tru. Mirëpo, tani pas vitit 1945 dhe Luftës së Dytë Botërore, fitimi i aleatëve dhe humbja e nazizmit hitlerian… problem i madh: çka me bërë me gjithë këta bashkëpunëtorë të regjimit pro gjermanë të Mareshalit Pétain, sidomos në sferat intelektuale dhe artistike të Francës dhe si me i trajtuar?

Kush do pushkatohet si shembull për zi, kush do burgoset, si tradhëtar dhe kolaboracionist, kush do shpëtojnë përmes disa mbështetjeve miqësore të forta?

Ka qenë një periudhë mjaft delikate dhe perverse në thelb. Dhe çuditërisht, Maurice Blanchot, do dalë nga kjo vorbull dhe do shpëton, ku me e ditur pse? Do e mohojë angazhimin e tij aktiv pro Pétain dhe ultra nacionalizmin e djathtë… dhe tani, do pranohet si kritik letrar madhor dhe anëtar kryesor i skenës letrare franceze.

Në vitin 1945 do jetë anëtarë i çmimit të kritikëve, bashkë me Marcel Arland, André Billy, Jean Grenier, Emile Henriot, Robert Kemp, Frédéric Lefèvre, Gabriel Marcel dhe Jean Pauhlan… dhe i çmimit La Pléiade bashkë me Joé Bousquet, Paul Eluard, Albert Camus, André Malraux, Raymond Queneau, e Jean Paul Sartre, shumica prej tyre, personalitete të majta. Imagjinojeni tani, se çfarë kërcimi radikal, nga një ekstremi në tjetrin, si t’ishte diçka krejt normale! Por i ka funksionuar… dhe mbaroi muhabeti me aq… nuk i ka kërkuar askush prej tyre më tepër llogari, së paku morale! Dhe tani, miku im nihilist do bashkëpunojë me revistat revolucionare të majta dhe anti-kolonialiste, sikurse: “Combat – Les Lettres françaises – L’Arche” – e themeluar nga autori i njohur André Gide në Alger në vitin 1944 – Jean Amrouche dhe Jacques Lassaigne – dhe pastaj – “Les Temps Modernes” – e themeluar në vitin 1945 nga filozofi i famshëm ekzistencialist Jean Paul Sartre dhe shoqja e tij Simone de Beauvoir, ikona e librit – Seksi i dytë, i cili konsiderohet akoma sot, si një ndër manifestet bazë të kauzës feministe. Po ashtu shkruan edhe në revisten filozofike të krijuar nga miku i tij Georges Bataille në vitin 1946 – «Critique».

Nga viti 1947 distancohet bukur shumë nga Parisi, ku e mban një apartament të vogël për çdo rast, por jeton më tepër në Èze sur Mer, nga regioni i Nices, nëpër alpet maritime, ku isha unë dikur i mbyllur në qelizën numër 32, të Monastirit të Saorges për 30 ditë meditim, me disa fretër, që më zgjonin në ora 6 të mengjesit për t’i kryer lutjet e para të ditës dhe iu përgjigjesha me një kovë ujë mbi krye. I thashë drejtorit – “Shiko, miku im… para orës 10, nuk i përgjigjem askujt, as gjyshit tim me u zgjuar nga varri… kam biologjinë e artistit, okay?  Pas kafes dublo ekspres, do vi me prashitur me ju në kopsht, për të mbjellur ca perime”.

Morisi e vazhdon veprën e ti, pa asnjë të dhënë biografike dhe e boton romanin e tij të fundit -«Le très haut” – Shumë e larta… në vitin 1948, ku e përshkruan një murtajë në një vend të caktuar, tamam si Albert Camus në veprën e tij të famshme «La Peste» dhe reagimet e njerëzve, duke e ditur që ajo epidemi mund ta simbolizojnë çdo fuqi pushtuese totalitare sikurse fashizmin apo komunizmin, një invadues i huaj, etjera. Pra notojmë mes urretjes, bashkëpunimit, dëshpërimit, spiunimit, dhunës, perversitetit, hipokrizisë, moralizimit, besimit në diçka superiore dhe madhore… Bile titulli – “i larti” ka diçka biblike, sepse në Ungjill i thotë engjëlli Marisë: «Djali i të mbi lartit – pra, i Zotit, le fils du très haut” … porse, Maurice Blanchot e refuzon çdo kategorizim dhe e konsideron që libri është vepër në vete, pa nevojë etiketimi. Blanchot thotë «libri nuk i takon asnjë zhanri, i takon vetëm letërsisë»!  Jam mjaft dakort me të, sepse, edhe mua më kanë pas irrituar me kohë, zhanret, kategoritë, familjet, grupet, etiketimet, sepse instinkti im më drejtonte spontanisht nga liria absolute ekstreme dhe e pa limit dhe diçka më shtynte spontanisht, për të dalë nga të gjitha kuadratet dhe kornizat e saktuara. Pastaj, e boton në vitin 1957, “Le Dernier Homme”, roman meditativ dhe filozofik, ku përmes 3 personazheve fiktive kryesore, Maurice Blanchot i shpreh të gjitha pyetjet dhe shqetësimet e tij mbi ekzistencën njerëzore mbi këtë tokë. Me kaq i jep fund romanit dhe boton vetëm disa tregime, një studim mbi Lautréamont dhe Sade, të botuar në vitin 1949 dhe një volum të dytë të teksteve të tij kritike, i cili quhet: “Pjesa e Zjarrit – La part du Feu” po ashtu në 1949. Rikthehet në Paris pas vitit 1957 dhe lidhet me Robert Antelme, shoqin e Marguerite Duras, një rezistent francez, i cili ka shpëtuar nga kampet naziste të tmerrshme në Dachau dhe Buchenvald. Tani Maurice Blanchot hyn gradualisht në heshtje dhe në një lloj vetmie, e cila i duket esenciale. Takon shumë pak njerëz, përpos Durasin, Antelmin dhe Dionys Mascolo, me origjinë italiane, eseist, rezistent dhe militant komunist, i cili është po ashtu dashnori i autorës Marguerite Duras, amatore e njohur e erotizmit europiano-aziatik, dhe e hamshorëve të rastit, tek banesa e saj rue Saint-Benoit, ku pasi që i rashë ziles për ta pi një kafe me të, më erdhi poshtë tek dera komplet e dehur në ora 14 pasdite… dhe më tha: “keni ardhur për të më kërcyer, zotëri”? dhe i thashë: “Jo, me filozofuar dhe me ndarë pleqëri”! Më tha: «Më fal, por herën tjetër, se më duhet për të fjetur”! Okay, buena note, signora!

Kanë marrë pjesë të gjithë bashkë me Presidentin francez François Mitterrand, në një lëvizje të rezistencës. Dhe e kanë pas ruajtur atë farë miqësie besnike së bashku, edhe kur ka qenë 14 vite në Elizé, duke e dirigjuar shtetin. I donte me të vërtetë njerëzit e artit dhe të kulturës, ngaqë e konsideronte vetën si një autor i dështuar dhe i kufizuar, në krahasim me talentin e lindur të atyre autorëve, që ai vetë i konsideronte si gjigantë dhe super të kompletuar. Më kujtohet kur e ka pas marrur me vete, si shoqe, autoren aventuriere dhe të droguar Françoise Sagan, në një vizitë presidenciale zyrtare në disa shtete të Amerikës Latine dhe i thoshte stafit të tij – mos harroni për ta furnizuar me kokainë, aq sa ka nevojë… por në një moment, arriti gati në prag të overdozës dhe e ka pas marrur komplet ai në dorë shërimin dhe trajtimin e çështjes së saj, ngaqë na u alarmuan disa media franceze (po çka po ndodh me Françoise Saganin, e cila është duke e shoqëruar Presidentin tonë francez në një udhëtim zyrtar?) dhe ju tha  – “Mos u lodhni, se është shumë më mirë dhe e kemi punën nën kontroll … është autore madhore, shoqja ime dhe lexojani më mirë librat, se do ju hanë kalukënxha”! Kurse Maurice Blanchot e firmos Manifestin e 121-shit, mbi të drejtën për ta refuzuar për t’u angazhuar direkt në luftën e Algjerisë. Në vitet 1960 propozon krijimin e një reviste letrare ndërkombëtare (La Revue Internationale) të cilën do e mbajë gjer në vitin 1964, me idenë që të jenë prezentë gjithë autorët botërorë me eksperiencat e tyre respektive, me një kryqëzim përvojash dhe historish të ndryshme, të cilat do e pasurojnë pa tjetër letërsinë. Autori francez i njohur por margjinal, Louis Réné des Forêts dhe Vittorini do jenë shtyllat e revistës dhe nganjëherë do jenë prezentë edhe Italo Calvino, Roland Barthes, Michel Butor apo Günter Grass.

Në vitin 1962  botohet vepra e tij emblematike – «L’attente, l’oubli – Pritja dhe harresa» ose teoria e shkrimit fragmentar, të coptuar. Imagjinoni logjikën e veprës së tij gati radikale «qysh kur ka pas filluar për të pritur? Kur e ka ndjerë veten të lirë për të pritur, duke e humbur gradualisht dëshirën për diçka precize, për të mbrri deri në fundin e dëshirës për çdo gjë ekzistuese. Pra, pritja fillon kur nuk ka asgjë për të pritur, bile as fundin e pritjes. Pritja mohon dhe e shkatërron atë që është duke e pritur. Se më në fund, pritja nuk pret asgjë”! Ja pra, kush është zoti Blanchot?

Më thoshte: “Duhet me ikur nga origjina e jonë për t’u bërë vetvetja… ose – për mua shkrimtari nuk ka biografi, sepse jeta e tij nuk më intereson fare… ka vetëm vepra, nëse i ka”? M’u ka dashur pak kohë, për t’i analizuar qetësisht këto nocione. Në çdo gjë, ishte i mprehtë dhe radikal, i pamëshirëshëm, mjaft anti-human, komplet jashtë botës emocionale apo afektive, kështu që më detyronte për ta marrur pozicionimin e kundërt, për ta provokuar dhe dhunuar deri dikund, por në mënyrën time, duke shpresuar që do e pranon, pa dalur mendsh… ishte çështje dozash! Por më kanë ngelur disa gjëra akoma në tru, sepse ishte aty për të zveshur dhe për t’i hequr totalisht iluzionet e fundit, shpresat mbi diçka, për të përballuar me hiçin tënd nudo… pra, diçka deri dikund mjaft sadiste në aspektin psikologjik dhe intelektual. Prandaj, nuk e imagjinoj një student të ri dhe të papjekur, të pa eksperimentuar, apo ndonjë të kompleksuar plot dyshime dhe frustrime, para një personaliteti të tillë, sikurse Maurice Blanchot… sepse është si me shkuar në një seancë masakrimi moral dhe shpirtëror, deri në një shkallë, ku nuk do ta rimarrësh vetveten për shumë kohë, ose ndoshta edhe kurrë! E kam menduar atë çështjen e origjinës: ai vinte nga një rreth borgjez, katolik tradicional dhe rigoroz, konformist dhe natyrisht të djathë, mos edhe më ekstrem… me çdo gjë të kodifikuar dhe të ritualizuar, si në ushtri.

Kështu që natyrisht, me atë farë bagazhi atavik familjar, me ato lloj gjenesh do shkonte spontanisht nga lëvizjet e tipit fashist, ultra nacionalist dhe racist dhe do bëhet kolaboracionist (angazhimi i tij si gazetar dhe opinionist i dëgjuar). Mirëpo, dikur do i shoh ai vetë rezultatet praktike të asaj ideologjie politike, progromet, kampet, padrejtësitë, masakrat, internimet… dhe pas çlirimit në vitin 1945: jam i sigurt, që ai vet e ndien veten fajtor të pafalshëm dhe e vuan shpirtërisht atë gabim fatal, të angazhimit të tij në rrugën e gabuar. Dhe patjetër, pret që do ta dënojnë me vdekje si tradhëtar dhe bashkëpunëtor i regjimit pro nazist ose që ta burgosin dhe e pranon me atë anën katolike të trashëguar, sepse duhet për ta paguar fajin.

A ju kujtohet episodi kur ishin gjermanët gati duke e pushkatuar në fshatin e tij, porse nuk ndodhi… Dhe tani, prapë nuk po ndodh asgjë dhe po e lirojnë, si të ishte i pafajshëm nga çdo dënim, kurse ai vetë e di super mirë, që nuk e meriton atë trajtim tepër të favorshëm, sepse është fajtorë tragjik dhe që diqysh duhet për ta paguar atë faj… por qysh? Kjo është dilema e Maurice Blanchot-së… plaga e tij jetësore. Pra, origjina ime familjare, më çoi për ta zgjedhur rrugën e gabuar fashiste.

Dhe tani, pasi që shpëtova, po i largohem radikalisht asaj origjine muti, për ta gjetur përfundimisht vetveten… ose «kush jam unë Maurice Blanchot-ja, si individ?  Çka dua, çka mendoj, çka synoj, çka më tërheq… pavarësisht familjes dhe origjinës time”? Dhe tani, automatikisht shkon për ta përqafuar ekstremin tjetër të majtë, komunist, trockist, majin 68, anti kolonializmin… pra, gjithë çka e kundërshton angazhimin e tij fillestar dhe familjen e tij ose origjinën! Por e sheh që edhe ky lloj pozicionimi është ekstrem, pak i sforcuar dhe i ekzagjeruar dhe më në fund, e zgjedh vetminë, heshtjen, asetizmin, radikalizmin intelektual, asgjësinë dhe vdekjen, e cila e çliron përfundimisht nga gjithë këto kontradikta themelore. Dhe unë isha pasqyra e tij akuzatore në një mënyrë indirekte, por edhe kujtesa apo dëshmia e një humaniteti të harruar. Tani, po e kuptoj më mirë, se çka na ka pas lidhur dhe pse ka dashur për të më zhdukur, por edhe për të më afruar? I thoja edhe unë vetes, por jo në mënyrën e tij aq radikale: «me pas qenë besnikërisht i afërt me rrugën e familjes apo të origjinës sime malësore dhe kanunore dhe me ju pas përmbajtur me çdo kusht atyre rregullave… nuk do isha bërë kurrë Skënder Sherifi, i sotit, nuk do mend. Por dikush tjetër Iks… me siguri një tip i rëndomtë brenda tufës, pa ndonjë veçansi!

Pra, e kuptoj mjaft mirë mendimin e Morisit! E ka me të drejtë, por jo deri në atë shkallë radikale, sepse unë e kam ruajtur moralisht dhe shpirtërisht një lloj besnikërie ndaj origjinës sime familjare dhe po ashtu ndaj gjenezës etnike. Edhe pse, kam evoluar në një mënyrë individualiste me rregullat e mia personale dhe brenda lirisë së lirë, në botën europiane, duke iu larguar natyrisht komplet ligjeve familjare apo kodeve të origjinës… sidomos në Paris, nuk u bënte fjalë! Por i kam ruajtur dhe respektuar në kujtesë, në bagazhin tim kulturor dhe i kam aplikuar nëpër Oda me shqiptarët tradicionalë dhe zakonorë. Këtu është dallimi mes meje dhe Blanchot-së. Por, ai e ka mirë kur thotë, që për të qenë 100 përqind vetvetja, duhet për t’i ikur origjinës, për të dalur nga familja, fshati, qyteti, shteti dhe për ta parë botën, për ta sprovuar gjëra të tjera të reja. Prandaj, shumica prej nesh janë akoma tepër të kufizuar, të parashikueshëm dhe shumë provincialë, se ju mungon horizonti, dimensioni multikulturor internacional. Dhe kur disa eksepsione e kanë për fat, porse është diçka e rrallë… e kanë shpeshherë kundër gjenezës dhe origjinës së tyre, të cilën e kanë fshirë komplet nga kompleksi, me idenë që ajo pjesë e tyre shqiptare është nul, e pavlefshme, primitive dhe që nuk bën fare për ta përmendur, porse duhet për ta shlyer komplet prej kujtese. Tani, do jemi europianë dhe amerikanë, si ata të Londrës dhe të Los Angjelesit dhe do veprojmë sikurse ata dhe pikë! Dhe pikërisht aty qëndron për mua problemi, mungesa e ekuilibrit, vakumi identitar shqiptar, defiçiti kulturor kombëtar, flotimi në diçka virtuale por të pa definuar dhe e cila nuk korrespondon fare me çka jemi ne, në esencën tonë familjare dhe shqiptare. Jemi modernë dhe të kohës… PO! Të talentuar individualisht… PO! Kemi suksese këtu dhe aty, si persona privatë… PO! Mirëpo, nuk jemi të strukturuar dhe të pozicionuar qartë si Komb, si Popull shqiptar dhe jemi vetëm Klona, Klouna cirku, aktorë të shoqërisë së spektaklit, qenie virtuale moderne në dukje, por në realitet pa ndonjë memorie apo histori precize të caktuar… pra kopjojmë shumë mirë atë çka e shohin dhe adaptohemi për mrekulli, por pa qenë kurrë në esencë 100 përqind vetvetja dhe autentik në botën tonë thelbësore… mirëpo edhe në kopjim, duhet ditur që nuk ju afrohemi aziatikëve, që janë kryemjeshtra të çdo kopjimi planetar, porse ata e kanë të ruajtur, të incizuar dikund, të arkivuar nëpër biblioteka dhe institucionet e tyre, një kujtesë, një traditë dhe një histori milenare, në të cilën,           në asnjë mënyrë, nuk pshurrin sikurse ne… porse e ruajnë dhe e mbajnë prapë si referencë të tyre me krenari, edhe pse nuk e aplikojnë fare sot nëpër qytete dhe megalopole siç janë Tokyo apo Shangai, ngaqë preferojnë edhe ata për t’i kopjuar amerikanët… por historinë e kanë prezente kudo nëpër muzeumet dhe tempujt e tyre. Kurse ne: më thoni, ku e kemi?

Tani në vitin 1968, Maurice Blanchot takon Jacques Derrida, Gilles Deleuze, Roland Barthes dhe Sim Smajlin, xhanndar i Zogut nga fshati Pecmarkaj. Merr pjesë në sfilatat dhe bisedimet e Komitetit “Autorët dhe Studentët” dhe në vitin 1969, e boton një vepër tjetër emblematike: “L’entretien infini – Bisedimi i pafundshëm” ku i ka mbledhur të gjitha tekstet analitike të viteve 1953 – 1965… dhe në vitin 1980 “L’écriture du désastre – Shkrimi i katastrofës, apo i rrënimit”.

Libri i tij narrativ i fundit do botohet në vitin 1994, me titullin: «L’instant de ma mort – ose Momenti i vdekjes time». Do izolohet aq më shumë… boton aty këtu ndonjë vepër kritike me analizat e tij mbi autorët apo filozofët. Dhe në 2001 boton veprën “Une voix venue d’ailleurs – Një zë i ardhur nga një sferë tjetër” ku ka shkrime të tij mbi Michel Foucault, Louis René des Forêts, Paul Célan, etjerë … Tani pozicionohet në favorin e të drejtave të popullit hebrej dhe për të drejtat ligjore të çifteve homeseksualë ose kundër ligjeve të mëparshme Pasqua-Debré. I avancuar në moshë, e mban lidhjen akoma me 3 – 4 shokë kryesorë, siç ishin Emmanuel Levinas, Robert Antelme, Dionys Mascolo dhe Jacques Derrida. Vdes në moshën 95 vjeçare në vitin 2003 dhe varroset në Mesnil Saint-Denis në regjionin e Yvelines, ku pushon edhe vëllai i tij arkitekt René Blanchot. Në veprimtarinë e tij, pa hyrë fare në detaje, i kemi 15 libra që mund të klasifikohen fiktivisht si romane apo tregime të shkurtra. Porse janë vepra alla Blanchot… me filozofi, autobiografi, autofiksion, introspeksion, mendime dhe analiza, kështu që ana e tyre narative është më tepër minimal, apo krejt formale. Pastaj, në fushën poetike dhe analitike të eseve studimorë ka botuar rreth 25 vepra. Për shembull mbi Markezin e Sades, Lautreamoni, Michel Foucault, Henri Michaux, Joel Bousquet, Franz Kafka… Nuk do i numërojmë të gjithë artikujt që i ka pas botuar nëpër gazetat dhe revistat e djathta dhe të ekstremit të djathtë nacionalist. Mirëpo, duhet ditur që janë shkruar disa libra ese studimorë mbi veprimtarinë letrare dhe kritike të zotit Maurice Blanchot dhe kot nuk janë shkruar… Kjo e tregon rëndësinë dhe ndikimin që ka pasur vepra e tij në rrethet kulturore franceze gjatë disa viteve. Paradoksi i tij, sikurse i disa të tjerëve është që ka qenë një figurë dominante, por edhe margjinale në sferat kulturore. Por konkretisht, janë shkruar imagjinojeni rreth 60 vepra studimore mbi këtë autor… ja disa prej tyre, që mund t’i gjeni vetë nëpër biblioteka: Roger Laporte – Bernard Nowl – Pierre Madaule – Georges Préli – Henri Meschonnic – Françoise Colin – Daniel Dobbels – Anne Lise Schulte Nordholt – Christophe Bident – Jean Philippe Miraux – Jacques Derrida ( me 2 vepra analitike ) – Manola Antonieli – Philippe Fries – Marlène Zarader – François Dominique – Thomas Régnier – Laurent Dubreuil – Eric Hoppenot – Daniel Willems… etjerë.

Në panteonin e tij letrar, referencat kryesore, autorët me të cilët ka dialoguar, për nga veprat e tyre… kemi romantikët gjermanë me Hölderlin dhe Rilke, po ashtu edhe filozofët gjermanë me Heideggerin, Hegelin dhe Nieçen, pastaj kemi Marcel Proust, Stéphane Mallarmé, Paul Valéry, Franz Kafka, Sade, Lautréamont, Antonin Artaud dhe Henri Michaux. Kurse tek rrethi shoqëror, me njerëzit që i ka takuar dhe me të cilët ka shkëmbyer diçka me vlerë, kemi René Char, Jean Pauhan, Jean Paul Sartre, Michel Leiris, Pierre Klossowski, Michel Foucault, Louis René des Forêts, etjerë …

Kjo është gjurma që e ka lënë ky njeri në jetën e tij në Francë, por edhe në rangun ndërkombëtar. Unë ja kam pas lexuar shkrimet kritike dhe një pseudo roman… Sinqerisht, më ka pas impresionuar radikalizmi dhe nihilizmi i tij, gjithë ajo energji e zezë dhe ajo tërheqje ndaj hiçit, asgjësisë dhe ai obsesion ose fiksim ndaj vdekjes.

M’u ka dashur kohë për ta kuptuar arsyen, apo çelsin e atij lloj qendrimi tepër auto shkatërrues, por duke e ndërtuar paralelisht një vepër mjaft të konsoliduar?

Ishte disa paradoksale… “çdo gjë e meriton zhdukjen dhe duhet të zhduket, por unë po vazhdoj për të lënë sa më shumë gjurma dhe dëshmi”! Pastaj, me ka pas befasuar ajo ironi ekzistenciale, si të ishte diçka e shkruar nga lart. Pse të gjitha këto personalitete të frymëzuara nga negativiteti, absurdi, asgjësia, pritja boshe, hiçi, vdekja, shkatërrimi, zhdukja, shlyera e çdo shprese apo iluzioni… Njerëz të cilët na propozojnë një botë komplet të zezë e cila të çon automatikisht, nëse nuk je super i fortë dhe i përgatitur mirë, gjer në depresion dhe vetvrasje: pse kanë jetuar të gjithë aq gjatë, përmbi moshës 80 vjeçare dhe disa jo larg 1 shekulli, mbi 90 vjeç?

E kam përshtypjen që ky ka qenë ndoshta vetë dënimi i jetës ndaj tyre, me atë idenë: “A jeni ju ata që e mohoni, e shani, e përbuzni, e kritikoni jetën që zoti apo natyra ua ka ofruar si dhuratë për të ndërtuar diçka pozitive… a jeni ju ata që pshurrni mbi të dhe që ju propozini njerëzve për t’u zhdukur dhe për t’u autoshkatërruar, ngaqë asgjë mbi këtë tokë, nuk vlen dhe kjo jetë është komplet boshe, absurde dhe e kotë, sipas jush… Okay: pra, kjo jetë, do ju dënon të gjithëve për ta jetuar në depresion dhe dhimbje apo torturë mendore kronike gjer në fund dhe sa më gjatë… kështu, që do jetoni si mumje gjer në moshën 80 – 90 vjeçare dhe do e paguani mirë faturën tokësore ndaj kësaj jete, të cilën e urreni”! Kështu, e kam kuptuar unë rrugëtimin e tyre… sepse, më rikujtohen mirë të gjitha ato figura madhore që i kam pas takuar në Paris. Mirëpo, duhet pranuar që me Maurice Blanchot kam përjetuar diçka të rrallë dhe tepër speciale, që natyrisht do e mbaj në mend për gjithmonë. Waouw, çfarë lufte titaneske dhe gati heroike, kur e rimendoj sot! Porse kam ruajtur atë gjurmë, atë kujtim dhe atë mësim madhor prej tij, duke qendruar në esencë, si gjithmonë, vetvetja… Kur jam rikthyer tek Pierre Seghersi dhe ia kam shpjeguar në detaje gjithë çka ka ndodhur mes nesh… ka qeshur dhe lotuar nga gëzimi, duke më përqafuar me admirim, duke më thënë: “Bravo të qoftë, ti djalë… je i vetmi tip në botë, që ka arritur ta destabilizojë Maurice Blanchot… je i madh, poet i lindur, jam krenar që të kam me vete dhe ta heq kapelën… me çka mund ta mbaroj qejfin tani, sepse ke harxhuar me siguri një energji kolosale”.

Po mirë e ke, Pierre… a të shkojmë në një klub jazzi dhe t’i marrim disa meze me pak verë? Më duhet një stazh tek Dervishet e Turqisë apo të Iranit, tek Tibetianët apo Indianët, nëpër tempujt dhe kopshtet japoneze, në një stan me bagëti dhe ca çobanë nëpër Bjeshkët e Valbonës, për t’u pastruar nga të gjitha këto toksina parisiane, me gjithë këta të çmendur gjenialë dhe për të rilindur me një energji diellore të re… Përqafime, zoti Maurice!

Mos na nxiej edhe botën tjetër, qysh na ke nxi tokën, a more vesh? Adios Amigo!

 

Me datën 1 shkurt 2023 në Bruksel   –   nga një farë Skënder SHERIFI dikund në Mars.

Si homazh ndaj Blanchot, ta dëgjojmë “Rekuiemin” e Mozartit! SILENZIO…

 

 

Please follow and like us: