Albspirit

Media/News/Publishing

Neviana Shehi: NËNA

 

Sa herë afron ora

që unë të ik

Nëna ime vendos në fytyrë

një pamje vranësire dhe i arratisen fjalët.

 

Vete e vjen nëpër shtëpi

dhe nis të fshijë sendet

që i kish fshirë pak më pare.

 

Shtihet e qetë

por me bisht të syrit

ndjek lëvizjet e pamëshirshme

të orës në mur

vrapin e akrepave

dhe kambanat monotone të kishës përballë.

 

Ia dëgjoj rënkimet e fshehta

dhe e di se ç’mendon në ato caste.

 

Sa herë që vjen koha të iki

Nëna rikthehet pas në kohë

dhe nis t’i mallkojë orët

që shpejtojnë kohën

dhe i afrojnë ndarjet…

Please follow and like us: