Albspirit

Media/News/Publishing

Behar Metohu: Bankierja

 

Tregim

 

Erjola kur zbriti nga makina, atë mëngjes të bukur maji, kujtoi fjalët e mamasë në mbrëmjen e djeshme vonë. Ajo e kishte porositur t’i blinte ilaçet e tensionit. Hyri me nxitim në zyrë dhe vuri re se çdo gjë ishte në vendin e vet, si çdo mëngjes. Dhoma e ajrosur pas larjes dhe marrjes së pluhrave, lulet pranë xhamave të dritareve të mëdha, nga ku dukej qartë çdo lëvizje në rrugën përtej, i jepnin ndjesinë e një dite të re dhe plot energji. Ishte ora 8:30 dhe ajo e dinte si zakonisht do të thërriste dikush në telefon nga vartësit e saj. Ajo hodhi një shikim të shpejt telefonit mos kishte ardhur ndonjë mesazh. Pulla e kuqe e mesazheve kishte kapur shifrën pesë. Por e la mbi tavolinë telefonin duke menduar se do të vonohej për të raportuar pak më vonë me qendrën mbi situacionin ditor dhe njohjen e statistikave të ardhur nga drejtoria qëndrore.

Zilja e telefonit e shkëputi nga leximi. Ishte një numër i panjohur për të, prandaj u shqetësua. Njësia bankare, ku ajo kishte disa kohë që ishte emëruar me detyrën e drejtoreshës, përmbante një personel të kualifikuar dhe moshë të re.

Zilja ra për të dytën herë duke rishfaqur numrin e panjohur mbi ekranin e bukur të celularit, ku në të kishte një foto të mamasë me një buqetë me lule të, cilën ja kishte dhuruar për ditëlindjen e saj.

– Alo!- hapi telefonin ajo dhe një zë të panjohur dëgjoi. Ishte zëri i një gruaje.

– Mirëmëngjesi! Më falni drejtoreshë Erjola jeni?

– Po,- u përgjigj ajo duke hedhur sytë përtej xhamave blu nga ku vështroi rrugën, e cila gjallëronte në atë ditë të bukur maji.

– E di që në këtë orë ju jeni e zënë me punët e fillimit të ditës, por do të më falni.

– Nuk ju kuptoj – zonjë tha ajo pak e nervozuar!

– Doja t’ju takoja, por nuk e di kur. Ashtu kam një hall që nuk mund të pres gjatë të lutem.

Ajo u bë gati t’i thoshte diçka, por ajo e ndërpreu:

– Më fal bijë, nëna jote ma dha numrin tënd të telefonit.

– Po, – u përgjigj ajo! – Ora 12:00  mund të takohemi.

– Faleminderit bijë. Aty do të jem në 12 pa një çerek.

– Do të më falni tani më duhet të shkëputemi bashkë. Mirë u takofshim.

– Faleminderit, bijë…

Biseda u mbyll dhe ajo u çua nga tavolina dhe iu afrua dritareve blu nga ana e rrugës.

* * *

Takimi ishte i shkurtër. Gruaja që morri në telefon qëndronte pranë vendit ku priteshin klientët për ankesa. Ishte topolake me fytyrën e lodhur nga vitet, ku rrudhat mbulonin tërë pamjen. Ajo takoi oficerin e shërbimit duke i treguar emrin. Ai ngriti telefonin dhe bëri një mesazh, të cilin e përcolli menjëherë. E futi në xhep dhe iu drejtua gruas së moshuar.

– Zonjë mund të hyni, – dhe e shoqëroi atë deri tek zyra e drejtoreshës.

Ajo me hapa të drojtura u fut brenda dhe ndali tek dy kolltukët e bardhë, të cilët ishin pranë një tavoline elegante me suprinë, po ashtu të bardhë ku qëndronte e ulur një vajzë me flokët e zeze me baluke. Vajza ngriti kokën dhe duke buzëqeshur i tha gruas:

– Mirë se erdhët. Uluni ju lutem!

– Falemiderit, – tha gruaja dhe ashtu duke mbledhur trupin u ul e ndrojtur në njerin nga kolltukët dhe me sytë që shprehnin frikë e përqëndroi vështrimin tek vajza që u ul në kolltukun tjetër përballë saj.

– Si jeni zonjë?- pyeti drejtoresha.

– Ju jeni vajza e Vasilikës?

– Po, mamaja më tha se keni punuar bashkë në kombinat shumë vite më parë.

– Ç’të të them moj bijë?… Halli më solli këtu tek ju në këtë moshë.

– Jeni e mirëpritur! Gëzohem që po njihemi. Mund të flisni zonjë, – tha drejtoresha duke i dhënë dorën gruas që vështronte plot ndrojtje dhe me frikë.

Drejtoresha e re dikë telefonoi me një thirrje,në çast. U krijua një moment heshtje e shkurtër. Ato u panë në sy.

Gruaja uli sytë dhe filloi të lëvizte duart. Ajo futi njerën dorë në xhep dhe nxorri një kuletë të vogël. E hapi dhe me dorën që i dridhej nga pak nxorri një kartë. E vuri mbi tavolinë dhe me zërin e mekur i tha:

-Dikush më ka vjedhur paratë, moj bijë. Kjo është karta e bankës. S’më ka ndodhur kurrë një gjë e tillë.

Ajo gati sa nuk ngashëreu së qari, por ndjeu se dera e zyrës u hap dhe e përmbajti veten. Një vajzë solli dy shishe me ujë dhe i la mbi tavolinë bashkë me dy gota.

– Do pini kafe zonjë?- i tha drejtoresha.

– Jo faleminderit, mjafton uji,- tha ajo dhe uli përsëri kokën e mërzitur.

Drejtoresha iu afrua edhe më pranë duke tërhequr kartën mbi tavolinë. I hodhi një sy dhe pastaj ju drejtua gruas.

– Violeta…?

– Po, – tha gruaja me gjysmë zëri.

– Po mund të më shpjegoni më shumë?- tha me një zë paksa më të vendosur, por edhe më të butë.

Gruaja u mbështet tek kolltuku dhe me shami fshiu, dy pika lot që i shkan papritur.

-Në qoftë se mundeni,- ndërhyri drejtoresha. Sytë e saj ju ngulën fort mbi portretin e gruas dhe sidomos mbi lotët e saj të mbetur sadopak në mollzat e reshkura.

Gruaja ngriti kokën dhe vështroi diku mbi tryezën e bukur që shkëlqente në bardhësinë e saj dhe e përhumbur iu muarrën mendt. Dukej e pashpresë, e befasuar dhe e tronditur si në pafundësinë e një oqeani, nga ku shihte gjëra të çuditshme dhe misteriozitet të paskrupullt. Ajo ishte hutuar dhe nuk po lidhte asnjë fjalë duke e bërë situatën edhe më të paqartë dhe të tensionuar:

– Zonja Violetë, mund të më shpjegoni se si mund të ketë ndodhur, që ju kanë ndërhyrë në  llogarinë tuaj? – theu heshtjen e gjatë Erjola.

– Nuk e di, moj zemër! – dhe ngashëreu më fort në një dënesë vuajtëse. – Unë prandaj kam ardhur këtu. Kërkoj ndihmën tuaj!

– Ju keni njoftuar policinë?

– Jo, – ia ktheu me nxitim. – kam frikë. Kam shumë frikë..

– Do të shqyrtojmë rastin tuaj nga Departamenti i Sigurisë. Po të jetë e nevojshme ju duhet të bëni kërkesë policisë së shtetit që çështja të kalojë më tej në hetime më të thella.

Drejtoresha  heshti pak dhe e ndjeu se do të kërkonte pak kohë, që biseda të bëhej më e qartë për situata të tilla. Prandaj u ngrit ngadalë në këmbë dhe duke ecur pak në drejtim të gruas së ngurrosur në tronditjen e saj lemerritëse shkrirë me lotët e pa tharë, i tha duke i venë dorën lehtë mbi sup:

– Në rrethana të tilla na detyron ligji të bashkëpunojmë me policinë!

– Po unë kam frikë shumë, sepse… – i ngeci arsyetimi  dhe i kapi dorën e vendosur mbi sup të Erjolës. Ia shtrëngoi fort dhe duke e parë me sytë e saj të lodhur, që i shkëlqenin nga lotët, buzët filluan ti lëviznin më tej duke vazhduar:

– Unë jam fatkeqe…  shumë fatkeqe. Që kur më vdiq burri më filluan hallet. Biznesi që kishim disa vite me tim shoq e mbylla dhe ato para i kisha dhe i kam këtu tek ju, por  një pjesë janë rrëmbyer. Isha në Itali tek ime bijë për tre muaj. Kartën debit e kisha lënë djalit në shtëpi. Përdorja Credi Card. Nuk e di ku kam gabuar. Ndoshta…- dhe heshti. – Nuk e di çfarë ka ndodhur, por kur u ktheva dhe e përdora bankomatin për të tërhequr, pash që shuma kishte ndryshuar dhe jo pak, por frikshëm. Janë 20 mijë euro bijë të zhdukura… Kam frikë… kam shumë frikë… Dikush më kontrollon, – vazhdoi ajo e përhumbur. – Djali m’u betua se njëherë kishte tërhequr pak… nuk e di, o zot!

Midis tyre ra një heshtje, e cila u thellua. Drejtoresha hodhi sytë nga eukalipsi pranë xhamave të dritareve.

– Duhet të hetojmë, – është e vetmja rrugë, e cila duhet bërë nga Departamenti ynë i Sigurisë dhe me kërkesën tënde gjithashtu edhe me policinë e shtetit e organe të tjera,- tha drejtoresha e bankës.

– Unë do t’iu pres, por me shumë ankth, duhet të më kuptoni.

Gruaja u ngrit në këmbë dhe iu drejtua me vështrimin e lodhur drejtoreshës:

– Bëj më të mirën e mundshme, ti ngjash nënës tënde. Ajo bënte çudira në punë dhe të gjithë e donim. Faleminderit bijë, – dhe u bë gati të ecte në drejtim të derës.

– Do të bëjmë të pamundurën, që të gjendet personi që ka kryer këtë akt, – tha prerë, por me një zë të ulur Erjola.

Ato u ndanë tek dera. Ajo eci nëpër hapësirën midis personelit të bankës dhe publikut që ndodhej aty.

*  *  *

Kaluan disa ditë dhe Erjola priste një raport të detajuar nga hetimi. Ato ditë punonte intesivisht pasi konumikimi me njerëzit, por edhe aktiviteti i bisnesit të qytetit metropol të Tiranës ishte në rritje. Sezoni turistik i pranverës ishte hapur dhe turistë të huaj shtoheshin nga dita në ditë. Por, ndërkohë edhe njerëzit nga Tirana dhe qytetet e tjera po planifikonin pushimet që ishin mjaft afër. Moti ishte ngrohur dhe lulet e pemëve dhe kopshteve kishin shpërthyer. Njerëzit kishin hequr veshjet dimrore dhe të pranverës së vonuar duke i zëvendësuar me këmishat e bluzat e holla verore. Lëvizjet nëpër Tiranë ishin gjallëruar mjaft.

*   *  *

Ajo hapi telefonin dhe zërin e gruas e dalloi menjëherë.

– Mirëmëngjesi – dëgjoi fjalët e saj.

– Mirëngjesi zonja Violetë!

Ajo përsëriti të njëjtat fjalë, me të, që prej disa ditësh ishin kthyer në refrenin e mëngjeseve të atij maji duke cenuar freskinë e ngjyrat me një ankth të çuditshëm. Ajo kujtonte fjalët e mamasë dhe këshillat e saj që të ishte e kujdesshme me vartësit, kolegët, bashkëpunëtorët  dhe me klientët.

Violeta, hyri në atë maj, në jetën e saj, si një rast i rrallë e ndoshta i papërsëritshëm, prandaj ankthi po e shoqëronte çdo mëngjes dhe sidomos kur në ekranin e celularit shfaqej gati çdo ditë emri i saj.

Pas disa ditësh e njoftuan se po vinte inspektori i policisë së rajonit dhe ajo duhej të ishte në zyrë. Ajo la celularin mbi tryezë dhe mornica i erdhën në trup. Hodhi një sy ekranit të kompjuterit dhe në rubrikën shënime ditore shkruajti: Inspektimi i Policisë- ora e pritjes.

Lëvizi nga tryeza dhe aty pranë kolltukut, ku kishte qëndruar Violeta, kujtoi shtrëngimin që i kishte bërë supit të saj, që tundej lehtë nga ngashërimi, lotët që i fshinte me shaminë e saj të bardhë, karta bankare, që ndodhej mbi tryezën e mesit dhe premtimi i saj për t’a ndihmuar që të zbulohej e vërteta e ngjarjes.

Ajo u pa në pasqyrën e vogël dhe rregulloi pak flokët me dorë. Nuk e dinte nëse emocionet po rishfaqeshin. Ishte hera e pare pas disa muajsh të punës së re, që përballej me një situatë të tillë. Dhe absurdi lidhej edhe me nënën e saj. Nuk donte ta turpëronte atë. Ajo i ishte lutur disa herë në telefon që ta ndihmonte shoqen e saj të rinisë.

Trokiti te dera dikush. Ajo ktheu me rrëmbim trupin nga pozicioni i dritareve dhe tha:- Hyni.

Inspektori, që priste, ishte një burrë mbi të tridhjetave, i gjatë, me flokët e zinj të qethur dhe krehur me kujdes, të jepte përshtypjen serioze të një zyrtari me rëndësi dhe kur u ndodhën përballë i buzëqeshën njeri-tjetrit me kërshërinë e dy të panjohurve, që takohen për herë të parë. Të dy elegantë dhe rastësisht me veshjet e zeza të kostumeve në mjedisin e rrethuar me tavolina, kolltukë, dollapë e rrafte elegante të bardha, të zyrës ngjallën një kontrast tërheqës. U ulën përballë me njeri-tjetrin në kolltukët e pritjes.

– Mirë se vini zoti Ardian!

– Si jeni drejtoresh Erjola? Si po shkojnë punët?

– Mirë shumë mirë.

– Kam ardhur për çështjen e Violetës. Nesër do t’iu vij zyrtarisht relacioni me shkrim mbi hetimin e kësaj ngjarjeje. Por, paraprakisht kërkoja të bisedonim se na duhet bashkëpunimi me ju, pasi kemi mësuar nga Violeta, që ajo është edhe një shoqe e vjetër e rinisë e mamasë suaj. Ndoshta ndonjë detaj për karakterin e saj, apo elementë shtesë për hetimin mund të na ndihmonte mjaft.

– Patjetër,- ia priti ajo, – por, do të thoja, se nëna ime ka kohë që e ka shkëputur shoqërinë me të, nga rrethanat e jetës. Ajo na gjeti, po nuk e di se si. Gjithsesi kjo pak ka rëndësi. Ajo grua duhet ndihmuar, pasi vë re një panik të madh, që e ka mbërthyer dhe çdo ditë më telefonon e shqetësuar pa masë.

– Ajo jeton vetëm me djalin e saj, të cilin e ka pa punë dhe beqar. Vajzën e madhe të martuar me familjen e saj e ka në Itali, prej shumë vitesh në emigrim. – vazhdoi inspektori. – Për momentin dyshimet bien mbi djalin, por në tërheqjen e shumave gjatë një periudhe dy mujore nuk shfaqet asnjëherë djali i saj.

– Po si ka ndodhur? – ndërhyri ajo.

–  Në disa pika bankomatesh, shfaqet një femër e veshur asnjëherë me rroba të njëjta. Ka qenë periudha e dimrit dhe gjithmonë ka mbajtur kapuç në kokë dhe syze të errta. Tërheqjet e parave janë bërë vetëm natën ku vështirësia e identifikimit është më e madhe. Punë profesionale grabitësish.

Ai mori nga tavolina një gotë dhe e mbushi me ujë. E ktheu shpejt dhe vazhdoi:

-Për detaje më të hollësishme do t’i lexoni nesër në relacionin hetimor ku tregohen edhe pamjet filmike. Ju lutem duam më shumë ndihmë nga ju për të finalizuar këtë histori.

Ai u ngrit në këmbë dhe duke hedhur sytë nga tryeza e punës së  drejtoreshës, pa një foto pranë monitorit të kompiuterit. Një grua të moshuar dhe Erjolën.

– Mamaja juaj ? – buzëqeshi inspektor Adriani.

– Po, – tha ajo e çorientuar. Pikëpyetjet ishin të shumta dhe e kapur në befasi, nuk po dinte çfarë të vazhdonte nga biseda.  – Po, po është ime më dhe bëri një buzëqeshje të lehtë.

Ajo ndjeu për herë të parë peshën e madhe të përgjegjësisë kundrejt marrëdhënies me klientin, por jo vetëm. Shteti, në ato momente, ishte më i pranishëm se kurrë në jetën e saj. Një situatë të tillë kaq zyrtare dhe familjare të mpleksur nuk e kishte përjetuar kurrë.

– Mirupafshim dhe punë të mbarë, – përshëndeti inspektori i policisë.

– Mirupafshim, faleminderit dhe ju gjithashtu,- u përgjigj disi e hutuar.

Ajo doli deri tek praku i derës së zyrës dhe pa të zhdukej nëpër korridor ai. Ajo u kthye tek tryeza e punës dhe duke mbajtur kokën ulur ra thellë në mendime, por vizualisht i shfaqej femra me kapuç dhe syze të errta pranë bankomateve. Ajo ngriti kokën dhe sytë i ndeshën buzëqeshjen e nënës së saj në foton pranë.

*  *  *

Raporti i policisë ishte shumë i qartë dhe i përmbledhur duke detajuar gjithashtu të gjitha ditët e lëvizjeve të shumave të tërhequra dhe orët përkatëse. Ishte bashkangjitur edhe një usb me pamjet filmike dhe fotove të personit, që kishte tërhequr shumat nga disa bankomate në Tiranë.

Ajo rrëmbeu telefonin dhe gjeti numërin e Violetës. U mat ta telefononte, por më pas u tërhoq. Doli nga zyra dhe shkoi tek makina e saj. Ajo ju afrua lagjes ku banonte Violeta. Ajo e telefonoi atë dhe i kërkoi ta takonte tek lokali poshtë shtëpisë.

-Dua të takoj djalin tuaj Violetë, – i tha ajo duke pirë kafen me të.

Violeta hoqi menjëherë nga buzët filxhanin e kafesë dhe me sytë e shqetësuar e pyeti duke e parë me kureshtje.

– Pse?!

– Dua ta pyes për disa gjëra.Apo është i angazhuar?

– Jo, jo është i lirë. Ja ta telefonoj.

Ajo e telefonoi, por ai nuk pranoi të vinte në atë moment.

– Shkojmë bashkë e takojmë, – i tha Erjola. Ato u nisën në drejtim të ish-Bllokut. Aty tek një nga lokalet qëndrore u takuan. Ledio ishte i gjatë dhe fytyrëqeshur. Ai u tregua xhentil sapo pa nënën e tij.

– Çfarë do merrni? – tha Ledio.

– Një ujë, asgjë tjetër, – u përgjigj Erjola.

– Është drejtoresha e Bankës, nxitoi ta njihte Violeta. Kërkon të flas me ty.

– Gëzohem që po takohemi, – tha qetë djali.

Ai ishte rreth të 28-ave dhe akoma qëndronte i papunë. Fitimet e biznesit të prindërve kishin qenë burimi i të ardhurave për plotësimin e nevojave. Simpatik dhe plot tatuazhe në krah e në qafë, të krijonte idenë e një artisti, por në fakt ai vetëm sa i adhuronte këngëtarët dhe mundohej të takonte e të shoqërohej me ta. Me një kitare, të cilën e kishte pranë, herë pas here këndonte edhe nëpër rrugët e qytetit edhe për të fituar ndonjë lekë. Qetësia e jashtme në fytyrë mbulonte tallazin e shpirtit të trazuar prandaj këngët e dashurisë i këndonte më shumë.

– Ju këndoni? – tha Erjola e habitur për këtë fakt.

– Po, – u përgjegj shkurt dhe preku telat e kitarës si për ta konfirmuar.

– Dukeni se jeni i dashuruar, besoj?- tha me një farë guximi Erjola.

Ai tundi kokën me dyzim.

– Vajza që doni nga është? –  vazhdoi guximin e saj drejtoresha.

Po, jam i dashuruar me këngët e dashurisë, ato i njoh më mirë,- dhe qeshi.

-Po ndonjë vajzë dashuron?- këmbënguli përsëri drejtoresha.

Ai heshti nuk foli dhe u bë më serioz. E vështroi me kujdes Erjolën për të kuptuar nëntekstin

– Jo!

– Ke rënë në dashuri? – dhe qeshi ajo kësaj radhe.

– Po, por dështoi. Tani i jam kthyer këngës së dashurisë dhe atë dua më shumë. Të gjitha vajzat janë njësoj.

Ai mori kitaren dhe i ra telave si për të shprehur lidhjen me të.

Violeta e shikonte të birin me keqardhje dhe i kërkoi të fliste me drejtoreshën.

– Ka ardhur për ato… më kupton, për lekët  që na kanë vjedhur, –  i tha ajo të birit.

– E gjetën kush ishte vjedhësi?

Ai menjëherë la kitaren tek karrigia bosh dhe u bë i vëmendshëm.

– Me ndihmën tënde do ta gjejmë, – i tha drejtoresha!

– Po të dija gjë unë kisha njoftuar i pari policinë.

Erjola hapi celularin dhe kërkoi në galerinë e fotove. Një foto, e gjeti dhe e hapi sa ekrani i telefonit. Ishte një vajzë me syze të errta dhe një kapuç të bardhë me topth të kuq, e veshur me nje pallto të kuqe. Ai rrotulloi celularin për t’ia treguar djalit. Ai hapi sytë dhe pasi i fërkoi edhe njëherë me duart u çua në këmbë dhe gati sa nuk i morri celularin !

– E njeh?- i tha Erjola.

Ai kërkoi ta shikonte më nga afër fotografinë.

-Jo! Hera  e parë që e shoh,- por fytyra i humbi buzëqeshjen dhe vështrimin e qetë. Ai u bë serioz dhe vështronte me shumë vëmendje Erjolën.

Dielli i fortë ndriçonte mbi fytyrën e bardhë të saj, që shkëlqente dhe flokët e zinj rrezëllinin. Bukuria e saj e goditi fort dhe më shumë se sa fjalët e saj, që po rrotulloheshin mbi njerëz të panjohur. Ai  u mahnit nga serioziteti dhe këmbengulja e saj për të dal diku, për të pastruar një mjegullnajë, që ishte thjesht në mendjen e saj.

– Banka jonë ka nivel të lartë sigurie dhe çdo tentative për akte grabitje dështojnë,- vazhdoi ajo dhe vuri syzet e errta për t’u mbrojtur nga rrezet e forta  të diellit. Por, duhet bashkëpunim për të dal tek e vërteta. Kisha një pyetje të lutem Ledio.

– Po?!

– Ju e mbanit me vete gjithë kohën kartën, që ju kishte lënë mamaja, kur iku në Itali?

– Për kë kartë po flisni?

– Atë që ju la mamaja…

Ra një heshtje për një moment, por kamarieri u duk pranë tyre duke i pyetur nëse kërkonin ndonjë gjë tjetër më shumë.

– Jo nuk e mbaja me vete, pasi tërhiqja rrallë. Mamaja më kishte lënë aq të ardhura për tre muaj.

– Dikush ka përdorur kartën e mamasë në dijenin tuaj. – tha papritur drejtoresha.

Në tavolinë midis tyre ra përsëri heshtje. Djali po mendohej, por nuk kujtonte gjë. I heshtur plotësisht dhe serioz ai mbylli sytë duke u munduar të sillte ndër mend të gjitha ngjarjet që kishin ndodhur nga fundi i dhjetorit deri në mars.

Violeta filloi të shqetësohej dhe paniku e kapi përsëri. Ajo shikonte të birin që mbante sytë mbyllur dhe krahët e kryqëzuara përpara. Tatuazhet në krah ishin pika ku ishin mbërthyer sytë e saj. Ndërsa Erjola i shikonte të dy me kujdesin që tregonte, kur numëronte apo bënte llogaritë në bankë.

– I ke dhënë dikujt kartën time, bir?

– Jo nënë, – të betohem që jo. Madje pas vitit të ri… -heshti pak,-… pasi kaluam natën e Vitit te Ri e vura tek vendi dhe nuk kisha nevojë ta prekja më.

– Ju po thoni, se keni kaluar Natën e Vitit të Ri, – ndërhyri drejtoresha,  – po me kë?

Ai u ngrit nga tavolina rrëmbimthi duke i thënë mamasë dhe Erjolës: – Unë nuk jam në hetuesi këtu. S’kam çfarë të tregoj më.

Ai mori kitaren dhe u drejtua për tek kamarieri për të bërë pagesën. E ëma e ndoqi nga pas, kur ai doli nga lokali.

– Ti ke ndryshuar shumë. Nuk po tregohesh i sinqertë dhe nuk po bashkëpunon për të treguar çfarë mund të ketë ndodhur. Ajo po mundohet të na ndihmoj. Unë i kërkova ndihmë sepse është e bija e një shoqes sime. Dhe ti s’ke pse të sillesh kështu. Mos na turpëro.

– Mirë nënë, po përshëndetem me të.

Ai iu drejtua tavolinës ku ishin ulur.

– Mirupafshim drejtoresh. Më vjen keq, por nuk ka për t’u gjetur kurrë e vërteta. Në djall vafshin ato… Mirupafshim.

Erjola u ngrit në këmbë dhe i zgjati dorën. Ajo duke i buzëqeshur i tha:

-Kam bindjen se po i afrohemi shumë të vërtetës.

Ai tërhoqi fort kitaren pas trupit dhe i tundi kokën me mirësjellje e mosbesim duke shtrënguar pak buzët.

 

*   *   *

Nata kishte rënë e qetë në Tiranë dhe rrugët ishin pastruar nga ecjejaket e kalimtarëve. Ajo doli në ballkon dhe për herë të parë pas kaq kohësh kërkoi të pinte një cigare, në vetmi, diku në një cep të tij. Rrugët po pastroheshin nga punonjësit e shërbimit.

Nuk e zinte gjumi. Asaj i mbetën të ngulitura fjalët e Ledios “në djall vafshin ato”. Pse ai nuk mërzitej për humbjen e parave? Pse ai u ndrrua në fytyrë, kur pa foton e vajzës me kapuçin e bardhë? Pse ai u largua nga lokali pikërisht, kur ajo këmbënguli se me kë e kishte kaluar natën e Vitit të Ri? Pyetje pas pyetje me vetveten pas atij takimi dhe gjërat po shikoheshin në shumë variante. Mos ishte nën kërcënim djali nga ndonjë bandë e lidhur me të dhe kishte frikë të tregonte? Mos vajza që kishte tërhequr paratë nëpër bankomate ishte pjesë e kësaj bande dhe e kishte mashtruar si e dashur? Po pinin e kartës si e kishte mësuar ajo? Konfuziteti i medimeve me tymin e duhanit e turbulloi shumë, duke i sjell dhimbjen e fortë të kokës nga pas. Piu pak ujë dhe u shtri në dhomën e gjumit. Mamaja ishte afruar dhe e pa të shqetësuar.

– Pse nuk po të zë gjumi bijë?

– Ja tani do fle mama. Natën e mirë dhe fiku dritën e ambazhurit.

Koka e rënduar nga mendimet dhe qetësia e natës hynë në dyluftim.

 

*  *  *

Melodia e radio-orës e zgjoi nga gjumi. Rutina e çdo mëngjesi mbulohej nga kjo melodi e lehtë optimiste duke zgjuar dëshirën për të aktivizuar gjithçka në qënien e saj. Hapi sytë dhe i buzëqeshi dritës së agimit që po ndriçonte dhomën. Makinat që lëviznin nëpër rrugë ishin më të qeta atë mëngjes. Ndërkohë që po i hapej goja morri celularin u shtriq dhe rrotulloi pak trupin në shtrat për t’u rehatuar pak. Dëgjoi melodinë e hapjes së telefonit dhe pas pak dy tre goditje të forta njoftimi të mesazheve. Sytë i ngelën tek mesazhi telefonik me emrin e Violetës. Ajo afroi celularin dhe lexoi: “Ju më sëmurët mamanë… Mos e telefononi më ju lutem,na lini të qetë”.

Ajo u ngrit me rrëmbim nga shtrati dhe u vesh nxitimthi. Iu kthye celularit për të bër thirrje, por mendoi ta bënte më vonë. Doli nga shtëpia dhe duke puthur mamanë i tha: – Do ha mëngjesin sot jashtë.

Hypi në makinën e saj dhe mori drejtimin për në shtëpinë e Violetës. Rrugës telefonoi në numërin e saj disa herë, por nuk mori përgjigje. Mesazhi zanor njoftonte se telefoni ishte i mbyllur. Nuk dinte çfarë të bënte. U detyrua dhe telefonoi Adrianin, inspektorin e policisë. Ajo i shpjegoi atij gjithë situatën që nga dita e djeshme dhe i kërkoi të merrte vesh se ku ndodhej Violeta. Pas një ore inspektori bëri telefonatë Erjolës. Ai i tha: – Zonja Violetë ndodhet në spitalin universitar “Nënë Tereza”, në repartin e kardiologjisë. Ajo ka pësuar atak në zemër… – belbëzoi e tronditur. – Faleminderit Ardian… Po shkoj atje.

Ajo ktheu timonin në drejtim të rrugës që të dërgonte drejt spitalit dhe shtoi shpejtësinë. Kur mbërriti aty pasi parkoi makinën pa dy makina të policisë që prisnin tek shkallët kryesore. Ndjeu të rrahura të forta në zemër. Çfarë po ndodhte?! Ajo donte t’i telefononte inspektorit të policisë, por ndryshoi mendje. Nga lart nga shkallët po zbrisnin dy policë, të cilët kishin mbërthyer Ledion dhe po e shoqëronin drejt makinës. Ajo iu afrua atyre dhe donte ti thoshte: “Lëreni se ai nuk ka faj”. Ledio pa Erjolën dhe ndali ecjen e tij. Policët vështruan përpara dhe panë se ajo po vinte në drejtimin e tyre. Djali ishte i vrenjtur në fytyrë dhe këmisha ishte e zbërthyer. Sytë i kishte gjak dhe kur shkëmbyen vështrimet ai i tha asaj: – “Të gjithë femrat janë njësoj….” shfryu ai dhe vazhdoi në drejtim të makinës së policisë me duart e lidhura dhe i shoqëruar nga dy policët.

 

*  *  *

Pas dy ditësh ajo i telefonoi përsëri inspektorit të policisë: – Kam nevojë të flas me ju zoti Adrian.

U takuan në rajonin e policisë. Ai e falenderoi për ndihmesën, që ajo dha në informacionin e ri.

– Ai është përgjegjës për grabitjen, – tha inspektori.

– Jo i ndërgjegjshëm, por i mashtruar – ndërhyri drejtoresha. Ai i ka besuar verbërisht nga dashuria.

– Ai nuk ka raportuar në polici pasi grabitësja ka shkëputur të gjitha marrëdheniet me të dhe për më tepër e ka torturuar psikologjikisht mamanë e tij, Violetën në mbrëmjen e asaj dite të takimit me ju,- shpjegoi inspektori. – Duhet të vërtetojmë nëse grabitja është bërë në bashkëpunim apo jo. Ju lutem na duhet përsëri ndihma juaj në zbërthimin e kësaj pike, – shtoi me një zë të vendosur Adriani.

Ata u panë drejpërdrejtë në sy për të kuptuar më mirë njëri-tjetrin, por mbi gjithçka për të vendosur një urë të vërtetë e të plotë bashkëpunimi.

– Ai duhet të jetë i lirë nën kontroll, – tha Erjola dhe nxori një cigare për ta ndezur, – sepse nuk ka asnjë provë konkrete për bashkëpunimin.

– Jam ok me ju, – tha i qetë inspektori.

Ata dolën të dy jashtë në kopshtin e komisariatit për të pirë cigaret.

 

* * *

Disa ditë më vonë, ajo, kur hapi celularin rreth orës 11 të mëngjesit  pa mesazhin: “Ai sapo është futur në spital…”. Ishte inspektori që e njoftonte.  Ajo papritmas buzëqeshi padashje dhe sikur u çliruar nga një barrë e rëndë.

– Sonila hajde pak në zyrë, – i foli nga telefoni shefes për shërbimin e klientit. Ajo i la një porosi për mbylljen e një raportimi financiar dhe duke buzëqeshur paksa e mbushur me një energji diellore të majit të bukur, i tha plot ëmbëlsi: – Ma dërgo në email, kur ta përfundosh, që ti hedh një sy, se kam për t’u vonuar dhe ndoshta shihemi nesër, e dashur Sonila.

– Ok, drejtoreshë Erjola mund të ikni pa merak, – iu përgjigj shefja e shërbimit ndaj klientit dhe u largua nga zyra e saj.

Drejtoresha hapi celularin dhe i shkruajti një mesazh inspektor Adrianit: ”Tani po nisem”.

Ajo  doli nga banka me hapin e vendosur duke përshëndetur disa nga punonjësit që i dilnin përpara.

Ajri i ngrohtë i kënaqi shpirtin, ndërsa po i drejtohej makinës së saj. Kur shtypi pedalin e gazit papritur kujtoi fjalët e tij. “Të gjithë vajzat janë njësoj…”.  U pa pak në pasqyrën e makinës si për të vërtetuar thënien e tij. Ku qëndronte njësojshmëria? Ëhë, ia bëri me vete dhe qeshi.

Makina kaloi pranë hotelit të ri Interkontinental dhe u kthye majtas për të marr rrugën e spitalit.

Nga xhami i dhomës së reaminacionit mjekët lëviznin pa pushim. Ajo iu afrua hyrjes dhe bëri pak tentativë të futej. Një vajzë e re e shërbimit u shfaq aty dhe e ndaloi.

– Kërkoj Violetën, një grua të moshuar, e cila ka pak kohë që ka kaluar një sulm në zemër, – tha ajo me nxitim.

– Ka dalë prej dy ditësh që këndej. Eshtë në dhomat e pavionit nën mbikqyrje për një trajtim të mëtejshëm.

Kur hyri tek pavioni ajo e shoqëruar nga një tjetër infermiere vuri re se në këmbët e krevatit qëndronte Ledio. Ai ishte i ulur në një karrige dhe me shpinën nga hyrja nuk e pa ardhjen e Erjolës. Ajo e kuptoi se do të ishte një situatë e vështirë, por ndoshta mundësia më e mirë për t’u ritakuar me të.

Ajo ishte me sytë gjysmë të mbyllur, por ndjeu lëvizjen e Ledios dhe i hapi menjëherë. Fytyra e saj buzëqeshi, kur pa siluetën e Erjolës, ndërsa Ledio ktheu kokën i befasuar. Ai pa drejtoreshën që mbante në dorë një buqetë me lule dhe u ngrit menjëherë nga karrigia.

– Mirë se erdhe moj bijë, – tha papritmas Violeta. – Të kam menduar gjithë këto ditë.

– Si je Violetë ?- pyeti Erjola dhe i la buqetën me lule në komodinën pranë kokës.

– Jam mirë, kështu thonë edhe mjekët. Tani po pije ilaçet, që më kanë dhënë.

Erjola i kapi dorën e rudhur të Violetës e ia fërkoi më butësi duke hedhur vështrimin në sytë e saj. Fytyra i buzëqeshte.

– Them se do të më kaloj çdo gjë,- vazhdoi ajo.

Ledio vazhdonte të ishte i habitur, por i heshtur dhe i qetë. Ai u bë paqësor me buzëqeshjen e nënës, por gjithësesi shikonte me një dyshim Erjolën. Një mjek hyri në dhomë. Ai pa se ishin bërë shumë të pranishëm tek e sëmura. Ai tha me një zë të shqetësuar.

-Ju lutem orari i vizitës ka mbaruar. Duhet qetësi.

Ai këmbënguli që Violeta të ishte e qetë që nga ai moment. Një infermiere e re dhe e bukur iu drejtua Ledios dhe i kërkoi, që duhej të largohej pa merak, se do të kujdesej për nënën e tij.

Ata u gjendën në korridorin e pavionit pranë dhe nuk po lëviznin. Ai po shikonte tashmë i vrenjtur Erjolën dhe i tha: – Ju kam shkruar një mesazh që mos e shqetësosh nënën time. Më vjen keq, por prania juaj e shqeteson atë.

– Ashtu ?! – prandaj fytyra e nënës suaj buzëqeshi, kur më pa?  – I thërrisni ndërgjegjes suaj se çfarë keni bërë atë mbrëmje pasi u takuam me nënën tuaj? Po sherri… që e bëtë atë në këtë gjendje?

– Çfarë…?  Ju keni biseduar me policinë,  që më arrestuan dy ditë kot?- ngriti zërin djali dhe iu afrua duke e parë me kuriozitetin e habinë se si ajo kishte informacion për keqtrajtimin, që i kishte bërë nënës atë mbrëmje.

– Ju nuk e dëgjuat, kërkesën e saj për të ndihmuar mbi atë çfarë ka ndodhur me bankën? Ajo më është lutur mua që t’iu ndihmoj duke shfrytëzuar miqësine e vjetër me mamanë time. Por edhe kjo pak ka rëndësi. Ti nuk e shikon vuajtjen dhe dëshpërimin e saj, përveç ankthit që po kalonte për çfarë ndodhi? Ti qëndrove i  ftohtë madje e shtove situatën e pikëpytejeve.

– Po policia, çfarë kërkonte në spital për të më marrë mua në pyetje? – e ndërpreu  Ledio fjalën e saj.

– Sepse…  ti po fsheh mjaft gjëra.

Heshtja që ra papritur midis tyre u bë një mundësi reflektimi për Ledion. Ai nuk po kthjellohej. Ngjarjet nga dhjetori deri në maj kishin qenë aq të shpejta dhe dramatike për të, sa që kur i solli ndërmend, po ndjente se çfarë dobësie kishte në karakterin e tij. Ai ndjeu se ishte ndoshta i paaftë të komunikonte me të tjerë dhe të merrej vesh. Kështu kishte ndodhur edhe me Rozën? Prandaj e braktisi ajo? Apo, ajo është shkaktarja e gjithçkaje që po e shkatërronte?

Ajo kishte hyrë në jetën e tij si papritur, atë ditë të bukur vjeshte kur këndonte me kitarën e tij pranë liqenit dhe ajo i kishte hedhur një sasi parash, që askush nuk ja kishte bërë më parë, kur kishte kaluar aty dhe ku në një stol qëndronte e dëgjonte kitaren e tij pranë bustit të Francesk Radës. Iu kujtuan ditët e para dhe më pas deri në prag të Vitit të Ri, ku kishin qëndruar bashkë në shtëpinë e tij për herë të parë. Ai shfrytëzoi ikjen e mamasë në Itali dhe lidhja e tyre tashmë kishte marrë një dimension tjetër. Pastaj atij iu kujtua se si ajo i ishte dorëzuar atij atë mbrëmje magjike, që nuk kishte për ta harruar. Ju kujtua se birrat qe kishin blerë ishin mbaruar dhe ai kishte dalë për të blerë të tjera dhe kishte lënë të vetëm në shtëpi Rozën…

– Po, po ti akoma fsheh shumë gjëra, – dëgjoi zërin që kumboi në korridorin e spitalit.

Ai u përmend dhe e pa në sy Erjolën, e cila ishte afruar aq shumë sa u tremb kur ndjeu frymëmarjen e saj, pas një pshehrëtime plot lodhje dhe dëshpërim.

– Po, ndoshta unë duhet të kujtohem për diçka, – tha ai me zërin e ulët dhe vuajtes duke vështruar bukurinë e veçantë të drejtoreshës së bankës që rezellinte nga ndriçimi i fortë i diellit në dritaren e korridorit të spitali. – Po a mund të më ndihmosh të lutem?- i tha ai papritmas asaj.

– Urdhëro, po ju dëgjoj, – tha ajo dhe i preku krahun, ku ai mbante një çantë.

– Dua të shkojmë bashkë në shtëpinë time, nëse ti mundesh ta bësh këtë gjë. Dua të tregoj diçka.

– Po mund ta bëj. Të ndihmoj unë, – tha ajo e vendosur pa asnjë ndrojtje, duke e parë drejtpërdrejt në sy,  – shkojmë.

Kur ishin në makinë ajo hapi celularin dhe shkruajti një mesazh për Adrianin. “Po shkojmë tek shtëpia e Violetës”. Ledio filloi të dyshojë diçka, por mesazhin e quajti si diçka rutinë të një drejtuese banke.

Ata u ndodhën në shtëpinë e Ledios pas njëzet minutash. Ishte një apartament ndërtuar gjatë kohës së diktaturës, por e rregulluar dhe e pershtatur me sende dhe objekte të viteve të demokracisë. Ajo vuri re se shtëpia ishte e mbajtur mirë dhe me shije. Kishte zbukurime të ndryshme, nga tantellat dhe qilimat me orendi deri dhe objekte pikturash dhe skulpturash. Ai e falenderoi, që ajo pranoi të vinte aty. Tek dhoma e tij, ajo vuri re kitaren, të cilën e kishte varur në një mbajtëse pranë një këndi librash. Ledio ishte një djalë që kishte lexuar mjaft letërsi dhe veprat e artit ishin pasioni i tij.

– Ju jeni vajza e shoqes së mamasë sime. Dhe ju respektoj për përkushtimin që po bëni për ne, – filloi të flas Ledio. – Ndoshta tani që ndodhem këtu jam më i mundshëm të kthjellohem.

– Po Ledio,- tha Erjola, – ne jemi edhe moshatarë dhe duhet të respektojmë njeri-tjetrin pavarësisht pozicioneve që kemi. Të lutem më trego pse më solle në shtëpi?

– Nuk duhet të më keqkuptosh, – shtoi ai. – unë kam gabuar rëndë pikërisht këtu në këtë dhomë. E shikoni atë raftin pranë librave?

– Po, – tha ajo.

– Aty në këtë raft midis librave në një kuti kisha kartën e debitit të mamasë. Aty, mendoja, se ishte shumë më e sigurt se sa në sirtarët me kyç apo në kasafortë. Unë nuk e përdorja fare kartën pasi lekë kam patur gjatë gjithë kohës. Mamaja nuk më ka lënë kurrë pa lekë. Ajo para se të ikte në Itali më la një shumë të konsiderueshme, sa që nuk kisha nevojë të përdorja këtë kartë.

– Po mirë ku do të dalësh me këtë? – pyeti Erjola.

– Atë natë të vitit të ri unë dola nga shtëpia, isha i dehur dhe shkova tek lokali poshtë shtëpisë për të marrë edhe nja dy shishe birre, pasi i kishim mbaruar. Në shtëpi lash vetëm Rozën, vajzën që dashuroja. Kisha tre muaj që e kisha njohur dhe atë natë vendosëm të ishim bashkë. Por, mendja nuk më shkonte kurrë tek ajo.

– Po pinin si e mësoi ajo që mundi të përdorë kartën?

– Po, edhe për këtë mund të them. Karta ishte e futur në këtë kuti. Nga prapa kishte këto katër shifra. Ai e morri kutinë dhe e ktheu pas. Ajo pa vërtetë katër shifra.

– Unë e përdorja rrallë për të mos thënë fare, ndërsa mamaja e kishte si një kartë rezerve, që do të na shërbente ne në momente të vështira pavarësisht se ku ndodheshim. Kjo shërbente edhe si mundësi që të mos humbte duke e mbajtur me vete. Për të mos e harruar pinin e shënuam në këtë kuti nga pas.

Ata heshtën të dy.

– Gjatë kësaj kohe, që ti shoqëroheshe me të, ajo ka ardhur përsëri në shtëpi?

– Po shumë herë, – tha ai me drojtje dhe kokën ulur, – derisa ajo iku një ditë dhe nuk u ndje. Celularin ajo e mbylli dhe numri mbeti i padisponueshëm. Kur erdhi mamaja unë isha në gjëndjen e dëshpërimit dhe nuk rrija shumë në shtëpi.

Ai u ul në divanin pranë raftit të librave duke e ftuar edhe atë të shlodhej. Ajo nxorri paktën e cigareve dhe ia drejtoi një edhe atij.

-Ju kërkoj ndjesë drejtoreshë Erjola. Do të shkoj tani vetë në polici. Faleminderit për ndihmën tuaj.

Ai mori kitaren dhe lëshoi tingujt e parë të një melodie melankonie. Sytë e tij ishin përlotur dhe fjalët e këngëve i dilnin nga shpirti si kurrë ndonjëherë. Shpesh kishte ndërpreje të shkurtëra. Ata u panë në sy me njeri-tjetrin duke pshehrëtirë e mos besuar të vërtetën e sapozbuluar. Tymi i duhanit kishte mbuluar dhomën, ndërsa tingujt e kitares depërtonin mes atij pështjellimi. Pas dy orësh Ledio shkoi në polici.

*  *  *

Ajo frenoi pranë vendit, ku kishin lënë takimin dhe vuri re se makina e zezë e inspektorit ishte parkuar dhe ai e priste aty. Sapo pa ardhjen e saj, ai doli nga makina dhe ju drejtua asaj me një lëvizje përshëndtëse të dorës.

– Ke shumë që pret?- i tha ajo duke e parë në sy e qeshur në lirësinë që i sillte ngrohtësia e dielli të fortë dhe shkëlqimin në fytyrën e saj bardhoshe e kontrastuar  nga flokët e zinj.

Ai vetëm buzëqeshi dhe i tha: – Në çdo kohë që të vije do të prisja.

Ata morën drejtimin nga lokali aty pranë. Zogjtë e majit këndonin më bukur se kurrë në atë ditë pranverore.

Tiranë, më 19 maj 2023.

 

 

Please follow and like us: