Albspirit

Media/News/Publishing

Kristaq Balli: PORTRETET UNIKE TЁ PIKASOS NGA GJON MILI

Gjon Mili nuk i përket vetëm shpërthimeve të dritës stroboskopike, novacioneve dhe zhvillimeve teknike, teknologjike e artistike në këtë fushë fotografimi. Ai që e ka zhbiruar e studiuar gjerë dhe thellë edhe në gjinitë e tjera, mund të pohojë me bindje të plotë se mjeshtri ynë është gjithashtu një prej fotografëve portretistë më të famshëm jo vetëm në Amerikë, por edhe në botë. Kërkimet në këtë gjini fotoartistike janë në të vërtetë zbulime në thellësi të një deti koralor, plot perla të çmuara… Vetë Gjon Mili, në këtë aspekt është treguar modest, kur na ka treguar për to në kujtimet e veta, por, në fakt, ai vetëm sa të kureshton, të nxit e të fton që të gjurmosh e eksplorosh për ato që ai nuk i ka thënë. Madhështia, të befason me thjeshtësinë e saj.
“Duket se gjithë jetën unë kam lexuar portrete…” (Gjon Mili Photographs & Recollection, 1980,p.176,f.140) Nga ana tjetër Zhan Pol Sartri konfirmonte se “ Mili ju kap të gjallë … si peshkun në rrjetë…Nqs ai (Gj.Mili – K.B.) ju bën një pjesë të koleksionit të tij… ai do t’ju ketë studiuar, ai do t’ju ketë njohur plotësisht.” (Jean Paul Sartri, në paraqitjen e ekspozites në Paris 1946,1971)
Në fototekën e tij gjejmë qindra portrete të këndvështrimeve, teknikave e teknologjive të larmishme të personaliteteve të shquara amerikane e botërore në të gjitha fushat e artit, sportit, shkencës, historisë, politikës, modelingut, showbizit, etj.
Një aspekt i veçantë i këtyre fotove është fakti që veç tiparit estetik, fizik, psikologjik e inspirues të realizimit të tyre, me këto personazhe atë e lidhte zakonisht një ngjarje që kish lënë mbresa, një njohje e veçantë e çastit, një histori artistike a humane, një situatë humori, afërsie, apo zhbirimi psikologjik dhe, në të tilla raste, Gjon Mili e kishte “gjakun të ëmbël” sepse ishte shumë i afërt, i çlirët, plot humor, i sinqertë e komunikues për t’u miqësuar e për të stisur situata të përshtatshme fotografimi.
Kudo që ai ndodhej, me synimin për të marrë një portret me pëlqimin, apo jo të personazhit, ai provonte situata shumë të ndërlikuara emocionale, kërkuese, zhbiruese, krijuese… Ai donte ta rrëmbente portretin në momentin e përshtatshëm, në momentin deçiziv (“decisive instant”- Henry Cartier Bresson).
“Unë vlerësoj më shumë portretin kur fytyra e subjektit
përballet me mua por është e lirë dhe e shkujdesur… Në se fotografi përballet me subjektin gjithmonë shumë mirësisht ose luan me mençuri me të, ai duhet, nga intuita dhe veprimi, në mënyrë shumë të rafinuar të fitojë çdo mundësi të nxjerrë një portret që pëshkruan sa më mirë subjektin si njeri që ai e njeh… Pavarësisht nëse bëhet një portret, i cili nënkupton një qëndrim të ndërgjegjshëm nga ana e subjektit, ose bëhet një fotografi e sinqertë kur subjekti nuk është në dijeni, qëllimi im themelor është të krijoj karakter. Unë e vlerësoj më shumë portretin kur subjekti përballet me mua, sidomos kur është i çlirshëm dhe i çiltër. Duke pasur emocionin, subjekti mund të bllokojë fotografin… Ka subjekte që duken se nënçmojnë veten para kamerës. Të tjerë që mendojnë se e dinë saktësisht se si duhet të duken, por nëse fotografi e përballon subjektin me aq butësi apo përputhet me zgjuarsinë e tij, ai duhet, me dredhi dhe veprim, duke shfrytëzuar mundësinë, të nxjerrë imazhe që përshkruajnë më së miri subjektin siç e njohin njerëzit. Mënyra se si ai kontakton me subjektin e tij, e çliron nga pengesat e tij, i tejkalon mendjemadhësinë e tij, është masa e aftësive të tij profesionale. Nëse personazhi shpirtërisht ndihet i dëshpëruar, a i rënduar, ose nëse është i paqtë dhe i lumtur, fytyra, sytë, lëvizja e gojës, vija e trupit do ta tregojnë atë. Ajo që duket të jetë thellë nën lëkurë është njeriu…” (Gj Mili, Photographs & Recollection, 1980, p.140)
Portretet e Gjon Milit janë portrete karakteri. Detalet bëjnë diferencën. Sipas Milit, në çdo subjekt artisti duhet të zbulohet tipari kryesor dominues, apo i përveçëm i shfaqjes së tij.
Një shembull i gjendjes së vegullt e të tendosur emocionale ishin momentet kur Gjon Mili tentonte të bënte portrete fotografike të Pablo Pikasos. Përveç se artist figurativ, Pikaso ishte vetë edhe një fotograf i regjur, intuitiv dhe i njihte mirë rregullat e fotografimit sipas mënyrës së tij të perceptimit modernist, kubist. Po ashtu ai ishte një nga artistët e fotografuar më shumë se çdo artist tjetër. Këto ia shtonin Gjon Milit akoma edhe më fort trysninë ndaj raportit profesional që ai duhej të kish me Pikason. Andaj ai shprehet se … “Unë e gjeta veten të përfshirë, siç ndodh shpesh me njerëzit që punojnë me të (Pikason – KB), në një përvojë të paparashikuar krijuese.” (Gj.Mili; Picasso’s Third Dimension, f. 10).
Përshtypjen e parë mbi portretin, fizikun dhe personalitetin e Pikasos, Gjon Mili e përshkruan kështu: “I thekur nga dielli, tullac e i zhveshur, përveç një palë mbathjesh të zbërdhylura me ngjyrë kaki, ai kapardisej si një mbret i Detit të Jugut (I mungonte vetëm një lule prapa veshit për të kompletuar një portret në karakter).” (Gj. Mili: Picasso’s Third Dimension, f. 30. ) Ky vegim imagjinate i dha nxitjen Milit që t’i bënte atij në kopshtin e Vallarius foto-portretin tors shumë të njohur “Pikaso me lule në vesh”, i cili është edhe një nga kryeveprat e Gjon Milit. “Mili vendosi një lule mbi veshin e majtë të Pikassos dhe e ndriçoi atë me një dritë të kuqëremtë për të rikrijuar përshtypjen e parë të artistit, që nga krenaria dukej si një pirat me lëkurë ngjyrë bronzi i Ishullit të Detit të Jugut. Ai e gjeti Pikason në një plazh të Golfe-Juan në Rivierën Franceze të rrethuar nga admiruesit, duke zotëruar mjedisin me veshjet e shkurtra.” (The Old Men of Modern Art, Photographed By Gjon Mili: LIFE, December 12, 1949, pp. 87-92)
Edhe portretet e tjera, sidomos ato me fjollat e tymit të cigares mbi fytyrë, jo veç për qëndrimin energjik, impozant dhe thellësinë personalizuese, por sidomos për karakterin, botën e tij të brendshme, autoritetin psikologjik dhe përqëndrimin e shigjetimin depërtues të vështrimit të tij enigmatik drejt fokusit të lentes. “Kur … vendosni fillimisht aparatin në fushëpamje, ai ngul sytë aty dhe nuk i shqit. Duket një përqëndrimi karakteristik – ‘një shprehjeje çuditërisht ngulmuese’, të cilën Fernande Olivier, shoqëruesja (muza) e tij e parë, e evokon në kujtimet e saj. (Gj.Mili: Picasso’s Third Dimension”, 1970,f. 38.)
“Nuk është ndonjë mburrje, kur gruaja e tij Zhaklin pohon se ‘Pikaso është një çudi, një diell, një dëshmi.’ Energjik, brilant dhe i paparashikueshëm, Pikaso është enigmatik, yjor. …Ёshtë i pamohueshëm magnetizmi i tij, nuk mund t’i shmangeshe ndjenjës së gravitetit gjatë prezencës së tij. I gjallë si gjithëherë, pikëpamjet dhe lëvizja mbeteshin të pandryshuara.” (Gjon Mili: Pikaso’s Third Dimensions, p. 36)
Ndërkaq gjatë shplodhjeve midis seancave të fotografimit, Gjon Mili ndjente se situata ndryshonte.
“Pushimi vjen pa paralajmërim. Disa përplasje të papërfillshme, një kthim në bashkëbisedim, ose një mendim i papritur që shkrepte në mendjen e tij, e shpërqëndronte atë. I gjallëruar me shpejtësi dhe i plotësuar në gjeste, fytyra e tij përshkohej nga një shprehje fluturake; ai ishte pothuajse i pakapshëm për t’u fotografuar… Duke u përpjekur i nervozuar të parashikoje çdo lëvizje të tij, veçse do mashtroheshe dhe ndjenja e bashkëpunimit do të sfumohej… Momenti ngacmues, shpresa regëtitëse kur je gati të paktën ta kapësh atë – një telash i vërtetë, i cili të bën të padurueshëm, gërnjar…Duke u zgërdheshur pa të keq, sytë e tij vallzojnë me dinakëri.
Kështu, lëviz papritur, sikur i vendosin një kapistall, dhe me keqardhje, thotë butësisht: ‘Unë asnjëherë nuk e kam arritur atë që kam synuar që herën e parë’ “. (Gj.Mili: Picasso’s Third Dimension, 1970 f. 40.)
“Pas këtij konfrontimi të shkurtër e të atypëratyshëm, Pikaso më ofroi këtë shënim në fund të faqes rreth procesit të fotografimit: ‘Kjo është e vetmja mënyrë; shkrep, shkrep mijëra, të mbeten disa. ’ ” (Gj.Mili: Picasso’s Third Dimension, 1970 f. 42.)
Mënyrën se si Pikaso e vlerësoi punën krijuese fotografike të Gjon Milit e tregon ndoshta më mirë fakti që një vepër të tij kubiste instalacioniste në dru e karton – “Autorportret” ai e ka realizuar mbi imazhin e një portreti fotografik që Gjon Mili i ka bërë atij në vitin 1967 në Notre-Dame-De-Vie. Këtë vepër Gjon Mili e ka vendosur në ballinën e veprës madhore të tij kushtuar Pikasos – “Picasso’s Third Dimension”.
Gjatë punës krijuese intensive dhe marrëdhënieve të gjata miqësore Gjon Mili formoi bindjen se “Pikaso e njihte me imtësi topografinë e fytyrës së vet dhe mund të krijonte karakterin e tij me shumë pak përpjekje. Ai është portretisti më i mirë i vetes së tij.” (Gj. Mili: Picasso’s Third Dimension, p. 183)
Gjon Mili është një nga fotografët që, gjatë dy takimeve me të, i ka kushtuar Pikasos shumë foto e portrete njërin më të bukur se tjetrin. Bashkë me “Vizatimet me Dritë”, ato mbeten në fototekën e Gjon Milit dhe në atë të Pablo Pikasos, por edhe në trashëgoiminë botërore jo vetëm si vepra të mirëfillta artistike unike e universale, por edhe si shprehje e materializuar e një bashkëpunimi shumë të suksesshëm midis dy artistësh të famshëm.
Please follow and like us: