Tonine Hido: Mes krenarisë, dhimbjes e përgjegjësisë qytetare

Këndëvështrim për librin e Shpëtim Emirit: MOJ GJIROKASTRA “PA VULË”!
Një dhimbje e thellë, ndjeshmërie të sinqertë për jetën e vendlindjes së tij Gjirokastrës, e shtyn autorin e satirës dhe humorit, Shpëtim Emirin të jetë kaq i rreptë me veten dhe të tjerët, si shkaktar të drejtëpërdrejtë a tërthoraz për këtë dramë të kohëve.
E shtyn (figurativisht) t’i heq simbolin e krenarisë vulosur shekujsh qytetit të gurtë, ta lësh pa simbolin e vet duket si t’i heqësh identitetin: s’ka pasaportë, s’e njeh, s’e pret dhe s’e përcjell askush, duke pyetur kush je? Nga je? Ku shkon? Identiteti është vet zemra e gjithkujt dhe gjithçkaje.
“Moj Gjirokastra pa vulë” titullohet ky vëllim i poezisë satirike të autorit Shpëtim Emiri, duhet pohuar bindshëm sipas meje që në rradhën e peste të krijimeve të tij , ka rritje tepër cilësore në të gjitha përmasat. Kur t’a lexoni shpresoj do t’i shtoni vlera më të shumta ideo-artistike nga çpo mundohem të trajtoj unë në parashtrimin tim modest.Them keshtu, sepse satira dhe humori janë garnitura të forta të mendimit të thellë në gjykimin e krijuesit, por gjithë libri më duket një publicistikë politike, sociale, e cila denjësisht përmbledh dhjetra emisione televizive, mendime të analistëve, politikanëve, komunikime të qytetarëve të thjeshtë, është thjeshtë një sintezë e shqetësimeve të kohës sonë.
Ndryshe nga katër librat e mëparshëm e të tjerë që rrijnë zgjuar u desh në mendimet krijuese për botime të reja prej autorit, në këtë përmbledhje serioze lexohet qartë këndvështrimi logjik, ndjekja e arsyetuar e dhimbjes së tij qytetare për qytetin e gurtë dhe atë që lexohet pas tij, duke provokuar kështu ndërgjegjien e secilit e të gjithëve bashkë për ç’ka ndodh realisht, të dokumentuar në çdo plagë të qytetit, Gjirokastrës me “Vule”… me një identitet të spikatur shkruar dhe njohur shekujsh.
Edhe pse larg prej dekadash, arsye studimi, shërbimi, banimi familjar, Shpëtim Emiri s´është larguar “kurrë” nga jeta, kujtimet, gëzimet, shqetësimet e familjes së tij të dashur siç dëshmohet edhe në këtë libër interesant e “cingrisës” në shumë drejtime për çdo kategori njerëzish. Sepse “Vulën” e vendlindjes e ka marrë me vete, në punë e në jetën e tij dinjitoze plot qytetari, për t’a nderuar atë siç e do tradita.
Libri është i kompozuar në tri pjesë. Në pjesën e parë të poezive satirike autori ndjen e përcjellë dhimbje të thellë ngaqë vendlindja e tij me “Vulë” plagoset çdo ditë nga mendjefyçkët drejtues, qoftë vendas indiferentë që kanë ngushtuar kuptimin e jetës së tyre nën një frëngji të vockël, të vockël fare, ku s’mbetet vend për askënd përveç fitimit material.
Zënë ngushtë nga kjo frëngji ogurzezë humoristi nuk mundet, nuk duhet, nuk i lejohet të heshtë. Si të heshtë kur i fshihni “Vulën” identitetin e vendlindjes, vlerat shekullore, kur është biri i denjë i këtij qyteti?! Kurrsesi!
Më kujtohet thënia e të pavdekshmit Mater Luter King “njeriu vdes kur hesht në kohën që duhet të flas”…
Prandaj autori Emiri si njeri i mendimit të kualifikuar, si ndërtues i të mirës, e ndan skenën e librit të tij: ne realitetin e sotëm vallë një kështjellë vlerash historike, morale, shoqërore të djeshme, prej së cilës qyteti dhe vet Shpëtimi kanë vulën e njohur dhe të çmuar tejembanë.
Mendimi i qartë, racional si në matjet inxhinierike “matematikisht” e shtyn qetësisht të barazlargohet nga interesa të ngushta të të tjerëve, nga amullitë partiake politike, të cilat metaforikisht i quan në poezinë hyrëse “kashtë e madhe në të korra”. Barazlargimi ka ballë detyrën qytetare si intelektualë, të japë mendim të pjekur pa mllefe të çastit duke ecur me kujdes në çdo shkallë të vargut , të figurës, të fjalës, gjer në pikësim të dhembjes së tij.
Për këtë autori stivon “bëmat” shkatërrimtare që çuan në maj të keqen , për t’i shkulur “Vulën“ e ndritur të shekujve qytetit të gurtë. Përse e bën? Për ata lexues e degjues që nuk e kanë prekur së afërmi këtë ”Vulë” por vetëm kanë dëgjuar si adresë, si etiketë e lakmuar në katalogun e vlerave kombëtare. Për vendas të larguar hershëm apo hidhur gjatë kohëve, për ata që përjetojnë dita ditës këtë rënim. Për veten e gjithë të tjerët, ky libër është klithmë, dhimbje, për çdo prag, sokak, sepse na takon të gjithëve të jemi mirënjohes për çka na ka dhënë shekujsh vendlindja atdheu ynë.
Në këtë mision qytetarie, intelektuale, patriotike humoristi Shpëtim Emiri nuk na bën aspak për të qeshur, me satirën e hidhur gjëmthi në parashtrimin e problemeve që therrin ndërgjegjien e secilit. Ai thërret të djeshmen e këtij qyteti që e lavdëruan dhe vulosën për ta çuar adresë gjerë në UNESCO si vlerë e trashëgimisë kulturore, pronë botërore.
Skaneri i reflektimit, për gjithçka që ndodh përmes një vet permbajtjeje tepër të lakmuar shtyn autorin të jap shëndetin e hershëm të qytetit i cili ndonëse “Gurë Gurë” ka ushqyer një monument të tillë me” Vulë”, sipas rëndësisë të ngjyrimit të kësaj vule. Më të qenësishmet vlera morale, qytetarie, fisnikërie, sepse tani Gjirokastra kjo sojlie /prishte prokopinë përdije/ libra nderi në çdo shtëpi/ krenohej me diturinë, përballte varfërinë……
I rendit autori sipas vlerave: i rëndomti pas të mjerit… Librarinë e kishin në ballë . Vlerë tjeter e “Vules”… Të parët burra të mençur dhe me shpirt prej nikoqiri, dhe sot dhimbja?
Pazari pa librari si shtëpi pa katandi/ e varfëruar pa kokë/ pasuria bërë trok.
“Qytet pakokë- qytet qënie pa kokë” si mund të kuptohet gjithçka pas kësaj… Dhimbja e këtij qyteti me hapa… pa dashur humb simbolin mbetet si muzikë pa solin.
Me doemos i duhet të mbahet diku; jo veç në njerëzit e ditur e në jetën plot sqime , banorë të heshtur por që mllefin e mbledhin kazan, po vlerat historike? Kur Çeçua kishte biçak ajo në vetull të merrte gjak… Lemeria e autorit thërret, kjo demokraci rrëmuj e shtyu e nxorri në udhë… megjithatë s’eshtë qaraman që dorëzohet lehtë pa i dhënë vetes rrolin e flamurtarit të ndryshimeve. Tërthoraz ai e bën këtë thirrje krahëgjithë intelektualëve, patriotëve, gjirokastritë kudo që ndodhen: Emri yt s’hidhet në erë/ ky emër herët ka lerë/lindi tokë me Arbërinë/që të sillnin Shqipërinë. Me diapazonin e gjerë të kulturës dhe traditës lokale dhe kombëtare autori qëllimisht ka përqasur nënkuptueshëm patriotë dhe rilindas të shquar, gjurmelënës në ndërgjegjien e brezave, që provokojnë ndjesinë se ne jemi e duhet të mbetemi vazhdues të idealeve dhe rrugës së tyre pa kthim në shërbim të kombit, atdheut.
Nga ana ideore por edhe kompozicionale pjesa e parë të kujton vargjet flamur dhe himnin shëmbullues të Vaso Pashes, me: E mjera Shqypni/ kush të ka qitë me krye në hi? Ti ke pas qenë një zonjë e rëndë/ burrat e dheut të thirshin në anë/ ke pas shume të mira shumë begati / Ti ndër gjithë shoqet ke qënë më e mira… Po sot, Shqipëri, më thuaj si je? Ashtu si lisi i rëzuar për dhe sot je më cerrulë….e nuk të ka mbetur as famë as besë/ vet i ke prish me faqe të zezë…
Shpëtim Emiri ka groteskun e dhimbshëm kur thotë për bypass-in e Gjirokastrës: kjo kala bederënda/ është marrë veç nga brenda /bëhen sot kohë të reja / s’ka nevojë për beteja /mund të merret dhe nga poshtë / me bypass e ndukur osh, turistët mos të mundohen para këmbëve t’u afrohet. Ky grotesk i vargut të fundit i ngjan sipas meje dhimbjes së Migjenit kur thotë: Merrni këtë shtatore për fëmijën e ngrirë nga të ftohtë në kasolle / çojeni në qëndër të qytetit dhe kushtojani ndonjë ministri a deputeti…
Qoftë groteskut të Fishtës në damkosjen e qeverive të kohës duke mbetur opozitar i përjetshëm i çdo padrejtësie dhe rënimi, qoftë te Konica “Doktor Gjilpëra” pa përmendur autor të kohëve tona. Prandaj dhimbja e autorit Emiri në pjesën e parë të librit nënvizon për Gjirokastrën: Ç’e do buza i dridhet / dhe në gjoks zemra i hidhet/ kur armiqtë janë harruar/nga miqtë ndihet e rrethuar!
Këtu ndalet me një forcë shëmbulluese kur armiqtë e vërtetë janë harruar, sepse rrethohemi nga “miqtë” dhe maliqtë kundër ligjit; ndaj këtyre personazheve absurde paradoksalisht të pamëshirshëm, që gërryejnë trupin e këtij qyteti të gurtë jo metaforikisht, por me invetar bëmash e gjëmash: ditë javë muaj vite… si falanga së të keqes që duhet t’i ndalim, t’u bëhemi mure në rradhë të parë prej njerëzve të mençur dhe të dhembshur ndaj vendlindjes dhe atdheut brenda dhe në diasporë.
…Zoti Shpëtim të më falësh për telefonatën disi të acaruar që i’u bëra sapo mbarova së lexuari librin duke ju thënë: po ejani ju të votoni këtu. Ishte fjala në kuptimin e gjerë që roli i intelektualëve dhe mendimi qytetar i vyer të kenë vendin e parë për mirëqeverisjen dhe ruajtjen e traditës që trashëguan, kjo u duk edhe në alunimin pas ndërhyrjes së Zotit Riza dhe intelektualëve të tjerë për bypass-in.
Ndoshta ndjej thellësisht çdo fjalë e çdo varg dhe e kuptoj çiltër Shpëtim Emirin në trajtimin që i bën çështjes në fjalë, duke më krijuar në vetvete një perceptim sa madhështor aq edhe fluid, pasi nuk e di sa janë me “mua” në këtë çast: më duket se autori ka marrë në krahë “Vulën” , se nuk mund t’a hedh siç bënë barbarët modernë të tranzicionit, e ka marrë vulën për ta ruajtur ashtu sikundër besimtarë të devotshëm fshehën kryqe dhe simbolet, këmbanat dhe objektet e kultit, të shkundura dhunshëm nga revolucionarët e diktaturës më 1967 se “ feja opium për popullin duhet varrosur” me një aksion vandal…
Përballë këtyre kolosëve të një krahu a një tjetri (siç e kupton secili vetë) autori Shpëtim Emiri rritet para meje me “Vulën” në krahë, jo s’e mburret si përfaqësues peshë rëndë në rradhën e intelektualëve më në zë të këtij vendi. Aspak. Është kultura e tij e përjetuar si jetë, si frymë, si nderim, si tempull i shenjtë i traditës lokale, familjare, kombëtare; kjo kulturë shpirtërore si jetë përdoret mjeshtërisht në përmbajtjen dhe stilin e vargjeve të autorit po kaq i këndshëm si naracion i besuar që mund të preket, shikohet, si përjetim i përdishmërisë. Ky narracion me gjetje perfekte sipas meje ndalë secilin dhe të gjithë nën një pasqyrë reflektimi me pyetjen: A mund ta lëmë qytetin t’i shkulin shpirtin e qëndresës së shekujve? “Vulën” po ju them bërtet qetësisht me vargun therës gjer në grotesk autori. Përqas në mendime frymëzuese të lidhjes së shpirtit qytetar me shpirtin e atdheut dhe të kombit, të mendimtarëve të mëdhenj: Çajupi, Fishta, Konica, Mjeda, Migjeni duke i dhënë përgjigje pozitive me përpjekjen dhe veprat e tyre se Shqipëria do të bëhet.
Me ç’kuptoj në vargjet e tij autori këtë rënkim ogurzi të kohës nuk e pranon si fundin e çdo gjëje. Me ndershmëri qytetari me angazhim përmes fjalëve dhe qëndrimit të paangazhuar partish larg tangeteve hipokrite të pushtetarëve të çdo ngjyre ai është krahë çdo gjirokastriti dhe çdo shqiptari, për të dalë nga foletë e klloqitjes në kolltuqe pushtetesh të pamerituara, për të hequr varëset e fjalëve dhe të ligjëratave fallse për atdhedashurinë, djersën, e punën e pakursyer dita ditës, gjoja në shërbim të popullit.
Është kundër të gjithëve, është kundër atyre që kanë prerë biletën për të ikur sipas shiut zgjedhor.
Në pjesën e dytë ku përmbahet shtetformimi autori si njohës që bashkëjeton e studion çdo situatë jep mendime për dukuritë e 30 viteve tranzicion; për ligjin grabiqtarë të pronave që solli vëlla vrasje, për bëmat që vazhdojnë gjykatave pa gjetur drejtësi; për ata që drejtojnë vendin majtas e djathtas për të paangazhuarit indiferentë duke vënë në dukje se të paaftët që drejtojnë vendin mbështetur nga njerëz pa ideale, pa identitet të vërtetë vlerash janë shkakëtar së të keqes, plagën e emigracionit, hallet e moshës së tretë, lotët e nanave, plakjen e popullatës, injorancën e kudogjendur i fshikullon me dhimbjen e thellë dhe kjo e ben të dali jashtë vetes së tij; jashtë etikës së komunikimit, jashtë fjalorit dhe sqimes që e dallon në qytetarinë tradicionale, në fjalorin e zgjedhur dhe të nderuar për të gjithë. E bën Shpëtim Emirin të jetë me një fjalor të ashpër, të përdorë zhargonin e rrugaçërisë, çka nënkupton se koha e rrugaçëve këtë gjuhë ka.
Përqasa këtë zhargon tek Fishta… sundojnë dohajna doshkllaba… (hajdutë ca hajdutë ca llafazanë injorantë).
Me dhimbjen e groteskut për tregtarët e shumë flamujve siç kishin bërë të mëdhenjtë e sipërpërmendur për situata të ngjashme ndonëse me distancë dekadash e shekujsh autori është i pamëshirshëm; arma e kthjelltësisë intelektuale që e ka formuar gjenetikisht qytetarinë e vërtetë në gjithë komponentët, i japin Shpëtim Emirit të drejtën e Zotit për t’i shtruar gjërat siç janë, pa mikluar askënd me një qartësi të ftohtë prej filozofi popullor. Fjalori befasues dhe syri konstant i njeriut të mirë nuk do t’i detyrojë të tjerët por i vë në pozita vetëqortuese, vetëpromovuese, vetëangazhuese.
Pjesa e kaosit që solle në “Zotërinjtë e rinj me kapele moderne” është një gjetje e lakmuar për të dhënë forcën e përgjithësimit, vulën e kohës, shqetësimet dhe dukuritë e saj; kjo sipas meje është edhe ndër misionet e letërsisë ruajtja e identitetit, në çfarëdo gjinie që e trajton. Sidomos për satirën politike në këtë libër më duken gjetje perfekte situatat dhe realizimi: gjeta situatën “ku thërret kiameti” ta mar vesh sot bota sesi ngrihet shteti… ç’ka ngjarë gjerë më sot ka qënë një hata… premtim me bujë ikën avulluan / le t’a mar vesh bota shtetin e formuam/ villnin me karar, villnim sa të duam/kursimet e miletit do t’i hedh në rrugë / kokrra oligarkësh do të vër në punë… Futja punë e madhe… Shteti jemi ne / Sudja do na ngjallet. Për merak shtojini burgjet t’ua nxënë gjithë zullumet.
I papajtuar me situatat autori çmon se Shpëtimi vjen nga kreu: Kur kjo shtresë politike të jetë fshirë dhe tjetër farë si kjo të mos ketë mbirë!
Në pjesën e tretë “Rruga drejt BE” autori është i vëmendshëm për raportin e shtetit, publikut, me ndërkombëtarët siç kemi shikuar përherë Shpëtimin nga jashtë, jo me identitetin e merituar por si lypes. Satira është e dhimbshme: “BE-ja po na pret”, thonë me krahë hapur/Krahë hapur, vërtet, ama me derë mbyllur/na i thonë ashiqare, mos të na vijë hidhur!
Mungesa e vetëdijes dhe përpjekjeve për të shkuar me vlera në familjen europiane është dhënë veç dhimbjes që kuptohet, edhe mendimi për dashamirësinë dhe çiltërsinë e vërtetë të ndërkombëtarëve… duhet vetë të na ndukin për dore… dera e BE-së mbyllur me 40 dryna…
Arrin dhimbja që shungullon me groteskun në vargjet me “Biberoni” “Prapë Ballkani” me nje qortim për të huajt: Europa mendjen t’a ndaj/t’i lëj kaligrafitë…./ kockëballkanin edhe sot/të gjitha e mbajnë në grykë!
Autori me këtë realizëm përmes forcës së mendimit dhe të shprehjes them se ka arritur plotësisht qëllimin për ruajtjen e qytetit , për identitetin lokal dhe kombëtar, për angazhimin syçelur dhe zemër hapur ndaj vlerave të vërteta për të qënë çdo ditë në opozitë me veten dhe me të tjerët dhe e shprehur më mirë nën një vlerësim dhe ftesë për protestat e popullit , të protestojmë, sot nuk dimë / si të fjetur, si të mekur / Ky vyrtyt njerëzish të lirë / shpirt protesta e racës sonë e mos vallë krejt na është shuar? Jo / komunizmi na i ka ndërruar.
Shpëtim Emiri nuk mund të mbetet qaraman i zakonshëm siç bëjnë të strukurit qosheve mendje indiferencë; pa u bërë flamurtar i ndryshimeve të pritshme na i ka dhënë rrugët, mundësitë, shpresat, edhe në dy titujt ”Arsimi dhe Kultura”, “Kultura dhe Dija”, të cilat i quan dy krahë të shqiponjës, dy mbështetje të një ure, që provokojnë mendimet e drejtuesve të aftë e të përgjegjshëm. Për freskim të situatës së rënduar “Vula“ që ka marrë me vete është aty, mes njerëzve të mirë, miqve dhe shokëve, vyrtyteve dhe traditave të gjirokastrës, të cilat zënë vend më vete në vargjet gazmore të Ali Zot Emirit, në kujtim të Dritëro Agollit, për miq dhe shokë me vlera , që bashkëudhëtojnë në misionin e letersisë përmes satirës dhe krijmtarisë së tyre; kështu rruga është e hapur, “Vulën” me duart tona thotë poeti ta vëmë te vendi. Na kujton thirrjet e Çajupit tek “Shqiptar”, të Pashko Vasës te “O moj Shqipni”, të Fan Nolit te ”Anes lumenjëve”, të Migjenit te “Kanga e rinise” e të tjerë krijues të sotëm tejembanë kufirit me shpresën dhe synimin e vetëm konstant: të ruajmë dhe të lartesojmë identitetin tonë lokal dhe kombëtar në vetëpërsosje dhe rrugëtim të përbashkët .