Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj: Rreth librit të Ilia Zhulatit “Hapja e Perdes së Hekurt”
Në kujtesën politike të shekullit XX, marrëdhëniet shqiptaro-amerikane mbetën një plagë e hapur për dekada, një histori e ngërthyer mes izolimit dhe kërkimit për dritë. Libri i Dr. Ilia Zhulatit “Hapja e Perdes së Hekurt” është më shumë se një dëshmi personale; ai është një rrëfim historiko-diplomatik, një udhëtim që zbërthen prapaskenat e procesit të rivendosjes së marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara në vitet 1985-1991. Duke u mbështetur mbi përvojat e tij si diplomat dhe studiues, Zhulati sjell një dëshmi autentike të një kapitulli të rëndësishëm të historisë sonë më të re.
Një jetë mes dijes dhe diplomacisë
Autori, Dr. Ilia Zhulati, lindi në vitin 1947 në Grabovë të Përmetit. Ai u formua fillimisht si gjuhëtar dhe më pas si diplomat, duke përfaqësuar Shqipërinë në misionin e saj pranë Kombeve të Bashkuara në Nju Jork gjatë viteve 1983-1987. Pas ndryshimeve politike në vend, ai ndoqi studime të thelluara shkencore në universitete të njohura si Wisconsin-Madison, Sorbona në Paris dhe Aarhus në Danimarkë, duke u bërë një nga zërat më kompetentë të gjuhësisë dhe studimeve shqiptare jashtë vendit. Vepra publicistike dhe shkencore e tij është e pasur, por libri “Hapja e Perdes së Hekurt” mbetet ndoshta më personalja dhe më tronditësja në aspektin historik.
Një takim që ndryshoi historinë
Në qendër të librit qëndron figura e profesorit të njohur shqiptar-amerikan Charles Moskos, një personalitet i jashtëzakonshëm i sociologjisë ushtarake në SHBA. Takimi i parë mes Zhulatit dhe Moskos në New York, në vitin 1985, u shndërrua në pikënisjen e një misioni diplomatik të heshtur: afrimin e dy kombeve të ndara prej afro gjysmë shekulli. Moskos, bir emigrantësh nga zona e Gjirokastrës, ruante lidhje të thella shpirtërore me Shqipërinë. Vizita e tij e parë në atdhe në vitin 1984 e tronditi-nga njëra anë bukuria e vendit dhe popullit punëtor, nga ana tjetër izolimi dhe varfëria e skajshme. Kjo kontrast e shtyu të angazhohej personalisht për të ndërtuar ura komunikimi mes Tiranës dhe Uashingtonit.
Takimet e tyre në Nju Jork, Vjenë, Paris e Tiranë nisën të përgatisnin terrenin për një proces të ndjeshëm diplomatik, i cili kërkonte jo vetëm diplomaci klasike, por edhe guxim politik. Zhulati tregon me realizëm se politika e asaj kohe ishte një terren i rrëshqitshëm: çdo hap i gabuar mund të konsiderohej tradhti nga regjimi i Tiranës.
Roli i Ramiz Alisë
Libri ndriçon edhe rolin e Presidentit Ramiz Alia, figurë shpesh e paragjykuar në historinë politike shqiptare. Zhulati dëshmon se Alia mbështeti me vendosmëri afrimin me SHBA-të. Në prill të vitit 1990, ai dërgoi Zhulatin në Vjenë për të finalizuar kontaktet dhe më 15 mars 1991, më në fund, u nënshkrua memorandumi që rivendosi marrëdhëniet diplomatike midis dy kombeve. Një erë e re nisi të frynte për Shqipërinë.
Struktura e veprës
Libri është i organizuar në dhjetë kapituj, të cilët ndërthurrin kujtimet personale me analiza historike: Trashëgimia ilire dhe identiteti kombëtar; Rruga e arsimimit dhe karakterit personal; Hapat e parë drejt diplomacies; Tri vite ndëshkimi në Hanin e Hotit; Shërbimi në OKB; Erërat e ndryshimit në Shqipëri; Nga anarkia tek demokracia; Emigrimi dhe sfida e lirisë; Aleanca e pasigurt me Perëndimin; E ardhmja e pasigurt e Shqipërisë.
Vepra është e shoqëruar me një fond të pasur fotografish që e bëjnë rrëfimin edhe më bindës e dokumentar.
Vlera e librit
“Hapja e Perdes së Hekurt” është një tekst i çmuar për diplomacinë shqiptare moderne. Nuk është thjesht kujtimi i një protagonisti; është një histori e një epoke, një libër i shkruar me gjuhë të pastër, të rrjedhshme, dhe me integritet intelektual. Zhulati sjell dëshmi reale për një kohë të vështirë, kur fjala diplomaci kërkonte jo vetëm inteligjencë dhe kulturë, por edhe trimëri. Ai tregon se historia ndërtohet nga individë me vizion, si Charles Moskos, dhe me përkushtim kombëtar, si vetë autori.
Në fund, ky libër nuk është vetëm një dëshmi e së kaluarës, por edhe një thirrje e qartë për të ardhmen: marrëdhëniet Shqipëri-SHBA janë një vlerë strategjike që duhet ruajtur e zhvilluar. Historia nuk duhet harruar, sepse ajo është busulla që na orienton në detet e paqarta të së ardhmes.
Në këtë kuptim, vepra e Ilia Zhulatit nuk është vetëm për t’u lexuar-është për t’u studiuar dhe për t’u vlerësuar si një gur themeli në historinë e diplomacisë shqiptare.