Fatmire Duraku: Tiktaku i heshtjes
Rrjedh në ëndërr
Rrjedh nëpër mua
Pa ujin që e pija
Pa ëndrrat për ty
Lumë i tharë i lotit tim
Pikë dhe ik nga zjarri i vet
Pa ditur si tret koha
Si sillet rrota
Rrjedh në ëndërr
Pa ëndrrat e mia
I bërë zgjim
I këngës së heshtur.
II
Ai lumë që ik nga unë
Fluturon në krahët e dëshirës,
Digjet imagjinatës
Vërshon arat, kopshtet
Dhe prapa lë lymin
Ende i njëjtë ai vetë
Me fisnikërinë e shpirtin epik
Me shpirtin lirik
E vizaton ëndrrën
Ndërsa e vërteta vjen nga uji
Nga besimi fiktiv i urtisë së rrjedhës
Të rrjedh nëpër mua
Pa ujin që e pija
Bëhet prapë etje gjaku
E këngës së heshtur.
As ëndërr më
Mes meje e hënës
As ëndërr më
Sa larg meje je
E dhembja afër
Në mua
Pik gjak
Si ta zvogëloj botën
Që të mund të të prek
T`i shëroj plagët tua
Plagët e mia
Sa larg meje je
E dhembja afër.
Hëna bie në dritare
Hëna bie në dritare e zbehtë
Të jesh sa më afër vetes
Në urë ndërmjet bregut e bregut
Ndërmjet dritës në qiell kaq sa në ujë
Të ikësh nga gjërat që s` preken
Për t`u kthyer prapë dhe kaq shumë
Në mjeshtër të imagjinatës
Të të mos humbësh mes pylli
Të zgjohesh në sytë e kaprollit
Të të mos harrosh nga vjen
Ja kjo është udha që do ta kalosh
Për të ndërtuar figurën e besimit
Vargun për lirinë e atdheun në vijat
Që nuk ndërrojnë kurrë.
II Lulja e gjakut
Të thurësh atë që ëndërron
Tregimin që të shpie te gjaku dhe kulla
Udhës që vjen nga ashti yt i vjetër
Për t`u bërë pjesë e jetës, e vetës
Të thurësh gjithçka
Që arrin te fillimi
Pa asnjë lak pa asnjë këputje
Është kuptimi i etjes së dashurisë
Lulja e mbirë nga gjaku yt.