Mevlan Shanaj: Adoleshenca…
Kujtoj trimëritë e mia në adoleshencë që shfaqeshin vetëm para nënës. Trimëria ime shfaqej me kthim fjale apo edhe me lëshim fjalësh, të cilat i kam bërë me nënën time, po vetëm gjatë adoleshencës. Në fëmijëri isha i “edukuar” dhe timid, ndërsa në adoleshencë jo pak herë e lëshoja gojën dhe nuk përmbahesha, duke kundërshtuar apo thënë nënës, gjëra, që sot pas më shumë se 35 vjetësh që ka ikur më duket sikur nuk ma heqin peshën e turpit. Nuk kam asnjë mundësi të korrigjoj fjalët që i lëshoja, të kuptohemi, nuk isha problematik.
Unë gjatë gjithë jetës, nuk kam ditur të jem agresiv as në mendim as në sjellje. Nëna ime e mirë, nuk mbaj mend të më ketë mbajtur mëri apo të më ketë qortuar! Të vetmet gjëra që më thoshte dhe që unë nuk e duroja, ishin rastet që nëna për të me nxitur më krahasonte me shokun tim më të afërt! Ishte gati-gati herezi për mua kjo nxitje. Për të qeshur, pasi më pas në jetë, ndoshta nga këto pengje, nuk pata as një “cimbisje” për shokët, përkundrazi, pretendoj se kam qenë njohës i mirë i trafikut! Kam zbatuar sinjalistikën me korrektesë gjatë gjithë rrugës së jetës artistike, rrugë malore, me gropa, me zig zage, asnjëherë highway, po kudo me vëmendje si në trafikun e jetës. Nuk kam shfaqur pikë talenti në zemërim, revansh, intrigë. E kam ditur mirë, se i vetmi njeri në jetë që nuk shikonte apo dëgjonte “gabimet” e mia ishte NËNA. Në jetë një nënë ke. Ndaj ende më skuqen veshët në se kujtoj ndonjë çast të asaj adoleshence që çfarë nuk do të jepja të më rivinte, ashtu e varfër dhe shumë e pasur në kujtime!
Please follow and like us: