Marrëdhënia jonë me “super egon”, sipas teorisë psikoanalitike të Zigmond Frojd
Ambra Hysa
Ne përpiqemi të bindim veten se zëri ynë i brendshëm është në fakt zbarkimi i barrës së mendimeve tona, është një shok i mirë në ditët më të vështira, por në fakt nuk është gjë tjetër veçse një zë i rremë që ne e kemi sajuar për veten tonë.
Superegoja vendos barriera në jetën tonë, na bën më pak të hapur ndaj botës përreth nesh dhe më paranojak ndaj idesë se çfarë duhet të jemi ose çfarë duhet të bëhemi dhe ndalon që përvoja e re, e paplanifikuar të arrijë tek ne.
Këto pengesa vijnë vetëm nga përvoja e mëparshme. Emocionet negative që ngjalleshin nga prindërit apo mësuesit tanë, gjatë fëmijërisë u përvetësuan dhe u bënë pjesë e zërave tanë të brendshëm, “perëndisë” sonë të krijuar nga hiçi.
Situatat që mund të kenë shkaktuar reagime negative janë zgjedhje që ngjanin kërcënuese për mendësinë e atyre që na rrethonin… dhe kështu ne u rritëm si një qënie e programuar, në luftën për të pohuar veten, atë që jemi në të vërtetë. Të bëhesh ajo që je në të vërtetë, është sfida më e madhe për njeriun. Kjo dëshirë mund të trondisë varkën e superegos dhe është pikërisht kjo dëshirë që nxit luftën.
Nëse kemi një ego të qëndrueshme, atëherë kemi fituar betejen me veten dhe njeriu vërtet nuk mund të përballet ndonjëherë me diçka më të vështirë se vetja e tij.
Mbiuni nuk e njeh mëshirën… Sa dashuri të vërteta konsiderohen të ndaluara vetëm për shkak të tij?
Sa bebe janë abortuar, sa shumë ndjenja janë ndrydhur, sa rrugë kanë ndryshuar dhe sa shumë njerëz duken mjerisht identikë, sepse kanë një të përbashkët të madhe… Ata e kanë dënuar veten të jetojnë sipas pikëpamjes së të tjerëve… Një turmë që nuk ec më në këpucët e saj.
Kishte një periudhë të errët ku në qënien time ndjeja se dominonte mbiuni. Ishte sikur të kisha huazuar edhe vetë lëkurën time. Ajo ka qenë periudha më e vështirë, por edhe më e palumtur për mua, ishte e vështirë të dilja prej aty, pa e kuptuar se kush në të vërtetë isha. Unë besoj shumë në shprehjen “Become who you really are”, bëhu ajo që ti realisht je dhe manifestoje, jetoje veten tënde autentike sepse vetëm aty fshihet forca dhe i gjithe potenciali yt. Vetja jonë autentike është ego.
Në momentet kur kjo e fundit nuk ishte e qëndrueshme dhe dominonte mbiuni, unë mund ti bëja të lumtur të gjithë, por sa pak isha e lumtur.
Ju ka ndodhur ndonjëherë të shikoni reflektimin tuaj në pasqyrë dhe të mendoni: Kjo nuk jam unë, jam diçka shumë më e thellë se kaq, nuk jam statusi im, profesioni që kam apo mosha, jam në fakt e vështirë të përkufizohem. Jam ajo që ndjej, jam dhe bëhem mendimet që unë kam.
Ndoshta nuk do të na mjaftojë një jetë për ta zbuluar kush jemi në të vërtete dhe sërish nuk do ta zbulojmë, por pavarësisht këmbënguljes sonë “mbiuni” asnjëherë nuk do të dorëzohet. Dhe është mirë, le të jetë aty, le të qëndrojë prapa derës, por mos të hyjë brenda.
Mos u gënjeni. Mos e ftoni. Ai ka lustër të bukur, vjen i mbështjellë mirë dhe me shkëlqimin e tij rrëmben vëmëndjen, por ju e mbani mend… nuk është ar gjithçka që shkëlqen.
Mbiuni ushqehet nga presione të jashtme. Kur prindërit tanë në fëmijëri dhe adoloshencë na krahasojnë vazhdimisht me të tjerë, mbiuni ka pushtuar një terren brenda nesh. Në fund ai prodhon supremaci dhe zhgënjime pafund.
Është një gjëndje disi komforti, por e papërballueshme.
Frojdi krahasoi marrëdhënien midis id-t dhe egos me atë të një kali dhe kalorësi.
Kali përfaqëson idin, një forcë e fuqishme që ofron energji për të çuar përpara lëvizjen. Kalorësi përfaqëson egon, forcën udhëzuese që drejton fuqinë e id-itdrejt një qëllimi.
Për mbyllje dua të citoj tre nga shprehjet e tij më të famshme për egon dhe janë ato që më kanë impresionuar më shumë sepse e kam ndjerë vërtetësinë e tyre:
“Egoja nuk është zot në shtëpinë e vet”!
Egoja e shkretë e ka akoma më të vështirë; duhet t’u shërbejë tre zotërinjve të ashpër dhe duhet të bëjë më të mirën për të pajtuar pretendimet dhe kërkesat e të treve.
Por egoja juaj është diplomati më i aftë që ju mund të njihni.
Please follow and like us: