Dafjola Nepravishta: Mos më gjyko
Vish këpucët e mia…
Të lëna në portën e kohës
Harkuar nga pesha e kohës
Provo të rendësh mes erërave
Rend… vazhdo rend
Kap fillin e shpresës
Që lëshova qiejve të mi
Si balona prej letre dikur
Ngatërruar në degë fëmijërie
Me kokën gjithmonë lart
Se një ditë do të më kthehej në duar
Vish kepucët e mia…
Ndieji të vrarat e kohës
Ec… vazhdo ec
Kujdes! Mund të rrëzohesh
Në mjegullën e mendimeve
Që më kaplojnë si re dimërore
E ajrin grish me duar
E zbuloj diellin ti
Që ndrin akoma në dritaren e jetës
E rrezet e brishta i lidh flokëve
E i bëj kordele…
Vish këpucët e mia…
Provo të kapërcesh ujërat e zemërimit
Që vërshojnë stinë e pa stinë
Shtigjeve që fshehurazi mi hapën njerëz si ti
Ende i ndiej të errëta, të akullta, të lagështa
Por në asht kurrë nuk depërtuan.
Rend drejt urës së drunjtë
Që si Noe ndërtova me skelet durimi
Provo të thurrësh të miat ëndrra
Me fijet që hua ia mora ylberit
Provo…
E nëse nuk mundesh
Mos më gjyko.